Kanë pritur më vite, familjarët ndërmarrin nismën për shpëtimin e kullës “Monument Kulture” në Kodër Spaç

Nga Pirusti News

Nga: Aleksandër Ndoja

Në media fliet për shumë kulla historike. Flitet jo pak për kullën e “Abat Doçit” një figurë historike mbarëkombëtare me një kontribut të çmuar për shqiptarët kudo në botë, e cila është në gjëndje alarmante. Flitet për kullën e legjendës fishtjane, At Gjergj Fishta e cila është në gjëndjen që dihet, por është folur shumë edhe për kullën e Zef Ndoc Ndrecës.

Por ai që ka qenë mbetet. Djemtë e kësaj familje, nipat e Zefit të shquar nuk kanë pritur duke dëgjuar “gam-game” pa fund në rrjetet sociale. Nuk presin teologë e mendimtarë të “shquar” që japin ide pafund nëpër zyrat e shtetit, apo të monumenteve. Thjesht e pazëshëm kanë ndërmarrë nismën e madhe për rikthimin në normalitet të kullës, pa menduar se do të prishin rehatinë zyrtarëve burokratë, që nuk bëjnë asgje më shumë, se sa flejnë të qetë mbi dosjet e monumenteve të kulturës e që (nuk) mbrohen nga shteti.

Drejtuesi i punimeve, mbikqyrës por edhe punëtor është Aleks Ndoci. Prej 20 vitesh ai punon si restaurator i Kishave të vjetra në Greqi. Ai pasi ka mësuar nga prindrit se kulla ishte në pikë kritike dhe po shëmbej, ka kërkuar leje dy javore pranë punëdhënësve të tij, në shtetin helen.

Jam skandalizuar kur e kam parë kullën time në këtë gjendje, thotë Aleksi. Më herët me punën në emigracion ata kanë ndërtuar vila banimi në Tale në Lezhë, ndërsa vendlidjen për shumë arsye të kuptushme, e kishin lënë disi pasdore. Prej Greqie kam sjellë të gjithë materialin e nevojshëm, teknologjinë më të fundit për restaurimin e saj. Të gjithë ne kushërinjtë, djem xhaxhallarësh që kemi lindur dhe ritur këtu, jemi mbledhur dhe kemi bashkuar kontributet dhe mundësitë për një ndërhyrje të sukseshme, thotë Aleksi. Jam i sigurtë se do ja dalim mbanë dhe sëshpejti kulla do të jetë në parametra të sigurtë, pa prekur aspak traditë. Ndësa në një intervistë, Aleksi shprehet:

Si vendosët për restaurimin e kullës?

Ishte një komunikim mes ne djemve të kësaj dere, djem xhaxhallarësh., Të gjithë ramë dakort se kulla nuk duhej të shëmbej, pasi ishte në pikën më kritike. Kështu ne erdhëm të gjithë dhe bëmë një revizionim të situatës në të cilën ndodhej. Unë kam marrë dy javë lejë në punën time, pasi që në moshën 15 vjeçare kur kam emigruar, jam marrë me restaurime kishash të vjetra dhe afreskesh të vjetra murale. Në 20 vite punë kam mësuar shumë dhe njoh mirë të gjithë teknikën e restaturimit.

Ku konsiston puna juaj këto ditë?

Shikoni, kemi përfunduar punën në faqen ballore të saj. Nuk kemi prekur asgjë që cënon traditën dhe historinë e kullës. Kemi hequr me dalta dhe me mjete të tjera ajri pneumatic të gjithë llaçin lidhës mes gurëve. Megjithëse kanë kalur rreth 150 vite, llaçi ishte disi i fortë nga gëlqereja e shumtë që i është hedhur në atë kohë. Pasi i kemi liruar gurët nga llaçi i vjetër, kemi hedhur llaçin e ri. Është hedhur me teknika bashkohore, ndërsa llaçi ka ardhur enkas i përgatitur nga Greqia, i destinuar për punë të tilla speciale. Ka përbërje lesh xhami dhe disa elementë të tjerë forcues, që garanton lidhje të fortë që mund të shkojë qindra vite. Gurët janë po ashtu siç kanë qenë, pra janë mbushur vetëm hapësirat mes tyre. Me përfundimin e procesit, me një pompë të fuqishme do të lahen muret, duke përdorur një solucion të veçantë i cili do të evidentojë gurët. Gjithashtu ku kanë qënë lidhje me drurë në mure, janë hequr se ishin kalbur nga vitet dhe i kemi zevëndësuar me masë betoni të padukshme. Kjo dhe shume elemetë të tjerë do të forcojnë strukturën, si dhe do të ndërhyhet në çati. Më pas do të fokusohemi të punimet brenda, ku do të hiqen të gjitha suvatë në të tre katet, për t’i bërë të reja.

Pas përfundimit të punimeve, çfar mendoni se do të arrihet dhe sa afër tradicionalitetit do të jetë kulla?

Pas përfundimit të punimeve kulla do të jetë e garantuar edhe për mbi 100 vite të tjera. Do të përfitohet një ambient tradicional dhe i vizitueshëm edhe nga turistë. Ju siguroj se kulla do të ruajë të gjithë parametrat e momentit kur është ndërtuar, pasi do të shembim edhe strehën që është bërë disa vite më parë, dhe që nuk shkon në sintoni me kullën. Gjithashtu edhe dy shkallë betoni në të hyrë të kullës, do të zevendësohen me shkallë guri.

Historia e Kullës dhe pse ajo është shpallur monument kulture/?

Në qendër të Bajrakut të Spaçit, pikërisht në fshatin Kodër Spaç, ndodhej një ndër familjet më në zë të Spaçit por edhe krejt Mirditës. Për afro 400 vite familja e Ndoc Nrecës jetoi në një shtëpi me mure të forta prej guri dhe llaqi, e jo si rëndom gjatë atyre viteve, në banesa me trungje druri, izoluar ma baltë dhe mbuluar me fier e dushqe.

Por pikërisht pas 400 vitesh, Ndoc Ndrecës i lindi një djalë që e pagëzoi me emrin Zef, Zef Ndoc Ndreca. E babai i tij Ndoc Ndreca një figurë shumë e rëndësishme e kohës, drejtues i lartë në qarkun e Shkodrës, me lindjen e djalit të vetëm në vitin 1883, mori vendimin për ndërtimin e një kullë tre katëshe në një vend mjaft piktoresk, me fushëpamje nga Grykë-Oroshi, ku lartësonin kullat e Kapedanit dhe Abacia e mirënjohur, por edhe krejt luginën e Fanit, deri në Gëziç.

Pasardhësit tregojnë se Ndoc Ndreca kishte shumë para nga puna e tij, por këmbënguli që kulla të ndërtohej vetëm me pasurinë e sajuar në Kodër Spaç, dhe jo nga napolonat e floririt nga puna në shtet. Kjo sepse sipas tij, rrogën në shtet e quante “haram” e kulla që të kishte mbarësi e jetëgjatësi, duhej të ndërtohej jo më paratë e rrogës së tij. Për këtë arsye ai shiti një kope me lopë, dhi e kafshë të tjera shtëpiake, qindra litra raki e verë nga prodhimet e shumta në Kodër Spaç. Me këto para u paguan materialet dhe puna e mjeshtërve të pajtuar nga Dibra. Pikërisht pas dy vite punë intensive, kulla përfundoi së ndërtuari pikërisht në vitin 1885, vit i cili është shënuar sipër mbi derën hyrëse.

Në kullën ku u rrit dhe u formua Zef Ndoc Ndreca

Pikërisht në këtë kullë me parametra nga më elitarët për kohën, u rrit një ndër figurat më të rëndësishme të kohës, Zef Ndoc Ndreca i Spaçit. Një figurë e shumë komentuar deri në ditët e sotme për shkollimin e tij në Austri, për kthimin në vendlindje si një ndër mësuesit e parë dhe të rrallë për kohën, por dhe si një bashkëpunëtor i ngushtë i Kapedanit të Mirditës dhe kundërshtar i rregjimit të Zogut, deri ditën kur ky i fundit i organizon një pritë me njerëz të paguar dhe i merr jetën.

Më shumë rreth figurës së Zef Ndoc Ndrecës.

Nga gojdhëna te kënga. Kënga hap arkivat vjeneze.

Historia e kullës në vazhdim

Zef Ndoc Ndreca i Spaçit në momentin që ekzekutohet nga mbeti Zog, la tre djem; mësuesin Fran Z. Ndoci dhe dy djem të tjerë Ndue e Gjon  Zef Ndoci. I pari mësuesi Fran, vdiq në rrethana misterioze nga një sëmundje, apo ndonjë eleminim i mundshëm nga segmente të rregjimit komunist, sapo atë e ishin internuar si mësues në një fshat të thellë të Pukës. Ndërsa dy vëllezërit e tjerë Ndue Zef Ndoci dhe Gjoni, detyrohen të arratisen në Gjermani në vitin 1949, si kundërshtarë të fortë të rregjimit komunist i cili më herët kishte arrestuar Ndojin, dhe e kishte torturuar egërsisht për më shumë se një vit.

Menjëherë pas arratisjes së vëllezërve Ndue e Gjon Ndoci, rregjimi komunist nxori nga kulla pjesën e mbetur kryesisht nënën, gratë e të arratisurve dhe fëmijët e vegjël që i kishin lënë pas. Ato u sistemuan në shtëpinë mbi 400 vjeçare përballë, ndërsa kulla për disa vite u zaptua nga emisarë të rregjimit për zyra dhe hotel.

Diku në vitet ’70 kjo kullë u shpall “monument kulture” mbrojtur nga shteti, ndërkohë një maket i saj i punuar me gurë të vegjël u vendos në Muzeun Historik në Mirditë, ku ndodhet edhe sot. Edhe pse u shpall monument kulture, në asnjë rast shteti nuk mori asnjë masë për mirëmbajtjen e saj. Madje edhe pas rënies së komunizmit vijoi një situatë e tillë, çka bëri që kulla të degradonte në tërësi.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment