Preng Filopati, ish bisnesmeni mirditas që mundësoi daljen e numrit të parë të revistës “Mirdita”

Nga Pirusti News

Nga: Aleksandër Ndoja, botuar në nr. 23 të Revistës “Mirdita”

E ndërsa revista “Mirdita” vazhdon pandërprerë në “turravrapin” e saj për të përcjellë vlerë kulturore e historike anë e mbanë trevave shqiptare, shpeshherë si staf ndalemi dhe bëjmë një farë bilanci, duke i rishfletuar numrat nga i pari e deri e numri tek numri në start. Natyrisht numri i parë i saj është më i rëndësishmi, pasi mbart në vehtevete një plan të gjerë, ide e përpjekje të shumta për ta realizuar. Se pasi u prodhua numri i parë, rruga për më tej ka qenë më e qartë dhe e shtruar.

E nëse ndalemi në numrin e parë realizuar në muajin gusht të vitit 2013, padyshim vlerësohet stafi që e mundësoi këtë start të një rrugë të gjatë, materiali që u realizua me përkushtim të madh, por edhe stafi mbështetës, pa të cilin shkrimet do të mbetesin në kompiuter ose si ide në mëndjet e artikullshkruesve.

Në një një përcjellje për median mbi daljen e numrit të parë të revistës “Mirdita”, shkrimtari i mirënjohur kuksian z. Petrit Palushi, ndër të tjera shkruan: “Siç ka qënë paralajmëruar edhe më parë, kjo revistë periodike-kulturore, është botim i Shoqërisë Kulturore Artistike “Mirdita”. Ky është botimi i numrit të parë të kësaj shoqërie kulturore e cila ka vetëm disa muaj që është krijuar. Revista ka një dizenjo mjaft cilësore dhe cilësi të lartë të letrës dhe kopertinave. Revista është sponsorizuar nga njëri prej bisnezmenëve më në zë të qytetit Rrëshen, Preng Filopati”.

Po e vërtetë, mjafton të lexosh faqen e parë me të dhënat për stafin realizues dhe natyrshëm konstaton se sponsori i numrit të parë të “Mirditës” ishte Preng Filopati, një bisnesmen i njohur i kohës i cili vetëm dy vite më vonë, më 22 gusht të vitit 2015 u nda tragjikisht nga jeta pas një “atacku” të papritur në zemër. E nëse kujtimi i tij mbetet i paharruar te familjarët, shokët dhe bashkëqytetarët apo bashkpunëtorët, emri i tij mbetet i gdhendur përjetësisht në kolanën asnjëherë të ndalshme të revistës “Mirdita”.

Kush ishte Preng Filopati

Preng Filopati ka lindur në fshatin Kodër Rrëshen në Mirditë, në një familje të mirënjohur, të urtë e punëtore. Ishte djali i dy prindërve Pjetër e Dava, prindër me një qasje tejet pozitive në fshat, e në të gjithë Mirditën. Prenga ishte vëllai i Gjok Filopatit mjek dentist me një karrierë të gjatë e të sukseshme jo vetëm si mjek, por edhe si bisnesmen në Rrëshen. Ishte vëllai i Bardhokut mësues dhe drejtues i suksesshëm i arsimit për disa vite, ndërsa Lleshi vëllai i fundit, gjithnjë është marrë me bisnesin në mbështetje të vetë Prengës, sidomos. Preng Filopati për shkak të biografisë mjaft të rëndë në konceptin komunist të kohës nuk mundi të mbarojë shkollimin e lartë, por vetëm atë të mesëm. Pas përfundimit të shkollës deri në vitet 90-ta kur u rrëzua komunizmi, ka punuar kryesisht në kooperative dhe në fermë bujqësore, i detyruar nga rregjimi i kohës.

Por me tu rrëzuar komunizmi, Prenga nuk humbi kohë por u angazhua menjëherë në rrjedhat e ekonomisë së lirë, një traditë e hershme e familjes dhe fisit të tij. Duke qenë bartës i pronave sekuestruar nga komunizmi, Prenga mundi të marrë një pjesë nga pronat e trashëguara për të nisur pak nga pak ngritjen e një bisnesi. Idetë inovative, puna e vazhdueshme por edhe mirësia e prezantuar në komunikim bëri që në pak vite bisnesi i tij sidomos në fushën materialeve të ndërtimit, të bëhej ndër më atraktivët në Mirditë, por edhe më gjerë. Në një fushë të konsideruesme në afërsi të qytetit, Prenga kishte mundur të grumbullonte çdo mall të nevojshëm për bisnesin e ndërtimit në Mirditë.

Në fakt Prenga gjithmonë ka treguar bujari përmes akteve të bamirësisë në individë të ndryshëm. Janë të shumta rastet kur Prenga ka ndihmuar më pagesa të reduktuara apo të ndara në kohë për banorë në kushte nevoje të lartë për banesa, por ndihmën bujare e ka provuar edhe shoqata e jetimëve në raste të ndryshme, e kryesisht në festa.

Aktiviteti jetësor i Preng Filopatit mbyllet në një ditë të nxehtë gushti në vitin 2015, teksa po bënte plazh në Gjirin e Lalëzit. Ka qënë një ndarje e papritur nga jeta, nga një “atack kardiak” në zemër pikërisht në kohën më të papërshtatshme, sapo kishte vënë në shina gjithë punën dhe aktivitetin e tij. Në këtë kontekst edhe SHKA, stafi i revistës “Mirdita” do ta kujtojë me mirënjohje edhe falë faktit se ishte mik dhe mbështetës i kulturës. Ai do të kujtohet nga revista “Mirdita” si sponsor i parë i saj, si një individ që dha kontribut të çmuar në gurëthemelin e kësaj reviste.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment