“KALI NUK DONTE” – Nga Frrok Çupi. Editoriali i Revistës “Mirdita” nr. 23

Nga Pirusti News

Po udhëtonim drejt Lezhës, nga Tirana. Një lumë i tërë makinash sulej drejt Veriut ku tani mund të kalohen fundjava të këndshme. Muzikën në radion e makinës e ndërpreu një lajm i keq: ‘Në segmentin e Shëngjinit ka ndodhur një aksident automobilistik, mendohet se ka viktima’. Parmbrëmë në këtë rruge ka humbur jetën një njeri tjetër gjatë një përplasjeje me makinë.

– Në këtë rrugë ndodhin shumë aksidente, s’e di pse!…’- s’mbaj mend cili tha nga ne në kabinën e makinës…Në fakt në gjithë vendin ka ‘segmente të rrezikshëm’. S’e di pse thonë veç për këtu… Para dy ditësh tre vetë humbën jetën në Kavajë, në Lushnjë gjithashtu, në Korçë…A Papritur përballë nesh shfaqet një kalë; një kalë që po turfullonte në autostradë, ballë për ballë me ne. U tmerruam, por edhe kali ashtu dukej- i tmerruar. Kali, përballë nesh grindej e turfullonte…, pastaj bënte një hap dhe ngulej deri në gjunjë në asfalt, si të kishte botën mbi jele. Ç’peshë te rëndë mbante kali, valle?… Tërhiqte një karrocë dhe të zonë, e kaq. Nuk tmerrohej prej peshës, kali nuk donte te ecte! Autostrada nuk është rruga e kalit. I zoti e kishte futur nga një rrugë- daljeje dhe e kishte urdhëruar të çante përmes autostradës. Makinat e pashpirt, përmes asaj ere marramendëse te Bregut te Matit, ulërinin. Kali nuk ecte…

Mes te zotit dhe kalit, vetëm kali nuk donte te ecte në autostradë. Pata frikë se në sekondë makina do të përplasej te kali; në mos tani, pak minuta pasi të kalojmë ne. Nuk e di nëse ka ndodhur tmerri pasi u larguam, por që atë moment ndjeva frikë që t’i shikoj në mbrëmje lajmet e kronikës.

Çfarë ndodh kështu, vallë?

 I zoti e qëllonte sa mundte, kali ngulte gjunjët sa mundte. Sinqerisht, kali ndihej i rrezikuar, ndoshta edhe i turpëruar, me shumë se njeriu pas tij. Edhe pse kali nuk bën pjesë në krijesën e përsosur, ndërsa njeriu është e vetmja krijesë e përsosur…

Po sa e përsosur është kjo krijesë njerëzore?!

Filozofi Justein Gaarden ka provuar t’i bëjë ushtrimet filozofike me nxënësen 11 vjeç, Hide. Ajo e pyeste për çdo gjë. ‘Çfarë është ‘Rilindja’?, e pyeti një ditë profesorin. “Rilindje!…- mërmëriti profesori,- po, rilindi diçka, por jo njeriu, rilindi arti dhe kultura antike. Kjo ishte Rilindja… Me një fjalë nisi studimi i humanizmit, që solli “kualitete humane”. – Ç’është kjo?- pyeti përsëri Hilde. – “Ç’është kjo?!”… Është kështu: Kuajt lindin, ndërsa njerëzit formohen.

Duhet të edukohemi për të qenë njerëztha filozofi. Shumë njerëz mes politikës dhe mediave, i kam dëgjuar se “po vonohemi për në Evropë”; i kam dëgjuar edhe kur i sulen qeverise apo vetë shtetit se ‘nuk po na çoni shpejt në Evropë’. Pas një jave pritet që disa ‘europianistë’ të bllokojnë rrugën diku këtu pranë dhe të lëshojnë thirrjet ‘e duam Shqipërinë si gjithë Europa!’. Ndoshta edhe vetë kalorësi që vuri kalin në autostradë mund të jetë duke protestuar ‘e duam Europën’ Njerëz pa kualitete njerëzore, si mund të kërkojnë Europë!? Nganjëherë nuk shikoj ndonjë ndryshim mes njeriut qe qëllon kalin ne autostrade dhe këtyre njerëzve te “sërës” europianiste.

Europianët e qytetërimit të krishterë e kanë ndarë prej shekujsh rrugën e kafshës nga rruga e njeriut. Nganjëherë them se as ai që nget kalin, as këta që ngasin kalorësit, nuk janë fajtorë. Me i pafajshmi, sigurisht, është kali; madje është edhe më evropiani mes kategorisë së të nguturve për të hyrë në Europë një orë e më parë…

 Por cili është faji i dy kategorive, përveç kalit?! Më mirë që njerëzit janë fajtorë… Po te ishte kali fajtor, atëherë këtu do të qëndronte katastrofa e botës sonë. Kjo do të kishte kuptimin se një kafshë bashkudhëtare e njeriut qenka ndërtuar keq prej natyrës (!). Por nuk ka ndodhur kjo katastrofë; natyra nuk ka gabuar as me kafshën…, me njeriun jo e jo!

Asnjëherë nuk ka gabuar natyra me krijesën e vet, as me kalin, as me njeriun. Por krijesa vetë ka gabuar e gabon me natyrën dhe me veten. Po të ishte bërë kali ‘me defekt’ këtë nuk do ta korrigjonim dot kurrë. Prandaj mund të ndreqemi, përderisa ‘krijesa perfekt’- njeriu, e ka fajin Në historinë tonë shqiptare kemi tregime të mahnitshme me besnikërinë dhe ‘mençurinë’ e kalit. Ngjarja që përjetova dje në rrugën e Lezhës nuk ishte larg as gjeografikisht nga një ngjarje famoze e kalit te Jakup Ferrit. Jakup Ferri i Plavës, luftëtar për larine e trojeve shqiptare i gjysmës së shekullit 19, ra në betejë për mbrojtjen e trojeve të kombit. Ra ne brigjet e Limit. “Lumi i Limit po vjen zi/ Vajmedet vajnikët e mi”, thotë një këngë për atë ngjarje dhe fjalet vihen ne goje te komandantit malazez, Mark Milani.

 Edhe ky ishte një shqiptar në origjinë, por i vënë në anën kundërt të luftëtarëve shqiptar. Domethënë ishte një ‘kalë’ që e kishin vënë, jo në autostradë, por në rrugën përballë origjinës dhe gjakut të tij.’Mark Milani po ban seri/ Tridhjetë krena i preu ni njeri/ që e ka emnin Jakup Ferri’, thotë kënga. Edhe ne luftën patriotike të mesit të shekullit 20, kali i Jakup Ferrit beri atë që jo shpesh e bëjnë njerëzitqenia e përsosur. Jakup Ferri u vra në betejë. Kali lëshoi trokun e fuqishëm drejt qytetit të Plavës për të lajmëruar njerëzit, sokak më sokak, por askush nuk e besoi. Pastaj u sul për nga varrezat e qytetit dhe vinte rrotull pa pushim, si për të dhënë lajmin e kobshëm. Kur e panë kalin e Jakup Ferrit pa të zonë, atëherë plavasit i shkuan pas, deri te trupi i mbytur në gjak i heroit. Trupi i Jakup Ferrit e bëri edhe udhëtimin e fundit për në qytetin e vet i shtrirë mbi jelet e kalit të tij.

… Po pse vallë ndodh me kalin ajo që nuk ndodh disa herë me njeriun? Njeriu dje shtynte kalin drejt katastrofës, ndërsa ky shtynte për “jo”. Kali pro jetës dhe njeriu kundër!, njeriu i dhunshëm kundër njerëzve dhe kundër rendit njerëzor e shtetëror. A nuk u krijuan nën të njëjtin diell si kali edhe njeriu? Pse e paskemi këtë fat, vallë? “Dhuna vrastare qe karakterizon sot shoqërinë tone, ka si shkak me shume çoroditjen sa edhe urrejtjen”, shkruan Amartya Sen, fituese e Çmimit Nobel, ne librin e saj “Iluzioni i Fatit”. Njeriu ndodhet nën rrezikun e iluzionit, kali kurrë! Njeriu bie viktimë e çoroditjes (dhe vihet në kahjen e kundërt te autostradës), por kali kurrë! Kali nuk e bën kurrë të keqen që bëjnë njerëzit e çoroditur, njerëzit e paarrirë, njerëzit e prapambetur!.

Madje kali nuk donte ta bënte as atë që pashë dje…

Ju mund të lexoni edhe...

1 Komente

Fatmir 26 Shtator, 2019 - 11:22 pm

Bukur, jashtzakonisht bukur!

Reply

Lini nje koment