Shtypi kroat i kohës: Kontributi i Mirditës në kryengritjen anti-turke vitit 1912, në këto kohë vendimtare për kombin.

Nga Pirusti News

Nga: Murat Ajvazi, botuar në “Mirdita” nr. 23

 Në fillim të vitit 1912, Perandoria Osmane zhvillonte luftë me Italinë. Porta e Lartë shpresonte që një pjesë të shqiptarëve ti angazhojë në luftë kundër saj. Sipas gazetës së mirënjohur kroate “Obzor”, porta që në fillim të vitit 1912, filloi që shqiptarëve muslimanë t’ua kthejë armët me shpresë se ata do t’i shërbejnë për luftë kundër Italisë. Por kjo përpjekje nuk pati sukses, sepse pakënaqësia ndaj pushtetit turk që në fillim të këtij viti përfshiu popullsinë e Vilajetit të Kosovës dhe të Shkodrës. Ndërsa turqit i kishte kapluar një krizë e përgjithshme.

Elementët opozitare turke kishin themeluar Partinë e tyre “Hyrje ve Itilaf” (Liri dhe marrëveshje). Kjo parti gradualisht e shtoi ndikimin e saj në Parlament dhe arriti që ti detyrojë turqit e rinj që ta shprëndanin Parlamentin me 18 janar të vitit 1912. Deputetët shqipatë duke parë këtë gjendje, kërkuan nga qeveria që ta përmirësojë gjendjen e shqiptarëve por pushteti turk si herëve të tjera edhe kësaj radhe nuk ua vuri veshin kërkesave të deputetëve shqiptarë. Prandaj ata duke parë këtë filluan të organizojnë kryengritje të përgjithshme. Ismail Qemaili u ngarkua që të shkojë nëpër Evropë për të siguruar të holla dhe armë nga qeveritë që ushqenin simpati për Lëvizjën kombëtare shqiptare. Kryengritja e vitit 1911, e Malsisë sëMadhe dhe në Mirditë ishin një ndër ngjarjet më të rëndësishme të rilindjës kombëtare. Ajo qe prologu i vazhdimit të kryengritjës së vitit 1912. Lidhur me kryengritjën e vitit 1912, dhe kontributin e merditorëve, në shtypin në fjalë gjejmë të dhëna të rëndësishme që kontribojnë në ndriqimin e kësaj kryengritje.

Sipas gazetës “Obzor” malsorët me 16 shkurt të vitit 1912, sulmuan ushtrinë turke në vendin e quajtur “Tri Tabela”, dhe vranë 400 ushtarë turq. Pas kësaj ngjarje në Shkodër u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Ky konflikt te qeveria turke shkaktoi shqetësim të madh. Sipas Obzor, qeveria turke dërgoi në Vilajetin e Kosovës ministrin e punëve të brendshme i cili qëndroi disa ditë në Prishtinë, ku zhvilloi bisedimet me disa udhëheqës shqiptarë që këta prapë mos të ngritën në kryengritje duke iu premtuar për këtë konçesione e privilegje. Pas Prishtinës ai shkoi në Shkodër. Mirëpo sa afrohej pranvera e vitit 1912, aksionet e armatosura të shqiptarëve bëheshin më të shpeshta, ndërsa numri i luftëtarëve ndër dita-ditës shtohej. Gati nuk kalonte dita pa ndodhur ndonjë konflikt i armatosur midis ushtrisë dhe çetave të armatosura shqiptare. Kështu kryengritja filloi në fund të prillit dhe në fillim të majit të vitit 1912, dhe përfshiu gjithë Vilajetin e Kosovës. Për këtë “Novosti” shkruante: Kryengritja e vitit 1912, është vazhdimi i kryengritjës së vitit 1911. Në krye të kryengritjes qëndronin Ali Zeqir Binaku, Abdyl Qerim Binaku, djemtë e Shaban Binakut, Bajram Doklani, Mehmet Zajmi, e disa të tjerë, të krishterë e muslimanë nga rrethinat e Gjakovës dhe të Pejës. Sipas kësaj gazete këtyre udhëheqësve iu kishin bashkangjitur njerëzit e fiseve të Nikajve, Gashit, Rugovës, Berishës, Rekës, të Gjakovës dhe të Pejës, të cilët ishin të armatosur me armë të sjellura nga Mali i Zi. Ndërsa në Dibër sipas “Obzor” rreth Basri Beut ish deputetit popullor nga Dibra i cili para tri javësh ishte arratis në mal iu bashkangjitën disa qindra kryengritës shqiptarë. Mirëpo fillimi i kësaj kryengritje nuk ishte aq e lehtë për shkak të gjendjës humanitare në teritoret shqiptare, mungesa e armatimit. Sipas Novostit, aktivisti nga Shkodra, Simon Doda, u angazhua që të shkoj në Itali për të grumbulluar para dhe armë nga qeveria italiane dhe më pas ato t’jua shpërndante kryengritësve në Malësi dhe Mirditë.

Beteja në Preka dhe Bersuma

 Pas armatimit kryengritësit filluan t’ua zënë pritën turqve. Kryengritësit malsorë të përkrahur nga 150 mirditas dhe 80 malësor sipas shtypit në fjalë, në vendin e quajtur Preka dhe Bresuma, në brigjet e lumit Mat, forcave turke të ardhura nga Kruja dhe Lezha me 21 qershor 1912, pas një lufte turqit u detyruan të tërhiqen duke pësuar humbje të mëdha, duke lënë të vrarë 100 ushtarë, 1 komandant dhe 2 oficerë të tjerë. Kryengritësit arritën të kapin 8 mitrolozë, 45 kuaj të ngarkuar me municione të cilët i dërguan si trofe në fshatin Ndërfushë në Mirditë, në luginën e Fanit të Poshtëm.

Kurse malsorët humbën 35 burra dhe një numër i të plagosurve dhe Dedë Çoku i Kelmendit i cili ishte një ndër udhëheqësit e këtij aksioni. Përveç kësaj mirditasit kanë strehuar edhe shumë refugjatë nga viset tjera të Shqipërisë. Kjo më së miri shihet në korrik të vitit 1912, kur 20 të rinjë musliman dhe katolikë arritën të ikin dhe të strehohen në Mirditë.

Kryengritja e Malsisë dhe Mirdita.

Sipas shtypit në fjalë kryengritja vazhdonte. Me 20 korrik një force mirditase sulmoi një postë të vogël turke në Shëngjin, me qëllim të sigurimit të ardhjes së armatimit nga Austria dhe Italia dhe arritën ti ndërprejnë komunikimet telegrafike mes Shkodrës dhe Shqipërisë Jugore. Në fillim të muajit gusht kryengritja shqiptare e vitit 1912 mori hov të madh. Sipas shtypit,  të konsultuar kryengritësit shqiptar të përkrahur nga mirditasit sulmuan qytetin e Durrësit nën udhëheqjen e Mazhar Toptanit, dhe Nue Gjonit të Mirditës. Pas shumë luftimesh nuk arritën ta shtien në dorë Durrësin, pasi turqve u erdhi një ndihmë nga Tirana.

Më tutje shtypi kroat përmes gazetës “Obzor” na sjell një intervistë të dhënë nga kryetari i Mirditës, Preng Bibë Doda gjatë qëndrimit që ishte në Vjenë. Ndër tjera thotë: “Se në kryengritjën e vitit 1912, janë armatosur 15 mijë mirditorë të cilët bëjnë luftime të pandërprera me forcat turke dhe Perandoria Osmane duhet të shkatërrohet. Perandoria Osmane kishte pergatitur batalione nga Tirana, Durrësi dhe Manastiri, për ti dërguar në luftë kundër malsorëve katolikë. Mirditasit të udhëhequr nga Ndue Gjoni dhe nipat e tij Dodë dhe Prenk Lesh Gjoni, me 20 shtator 1912, në vendin e quajtur Bregu Mates, i zunë pritën këtyre batalioneve dhe për disa orë ndërprenë rrugën, por pas përdorimit të arltilerisë kalimi i këtij lumi u bë i mundur, ku të dyja palët pësuan humbje dhe kryengritësit (500 mirditorë), u tërhoqën. Turqit pas kësaj Kishën e Breg Matit, dhe shtëpitë i plaçkitën dhe i dogjën.

Takimi i Rubikut.

Të dhëna interesante gjejmë edhe për takimin e Rubikut i mbajtu me 1500 Luftëtarë Mirditas duke sulmuar një fortese turke tetor 1912. Sipas gazetës “Slobodna Rijeç”, në këtë takim morën pjesë Dom Gjon Dedaj, prift i Blajit, Gjin Pjetri – nga Skuraj, Prenk Bardhi – Kryepeshkop i Durrësit. Ky takim i ftoi të gjithë shqiptarët katolikë dhe muslimanë pa dallim feje të dalin në mbrojtjën e atdheut nga armiqët e përbetuar. Këto ngjarje ndikuan në drejtimin drejt shpalljes së pavarsisë me 28 nëntor 1912, për të cilën do të shkruajmë në një numër tjetër. Siç shihet më lartë kontributi i mirditasve ishte shumë i madh në këto rrethana.

Ju mund të lexoni edhe...

1 Komente

Semiramis Krajka 21 Gusht, 2019 - 8:04 pm

Nje artikull me shume vlere per ne brezat,per te ditur kontributin e gjithe krajinave pa dallim feje per ngritjrn e Flamurit dhe largimin e Pushtusevs Osmane!!!

Reply

Lini nje koment