Mirdita dhe Abatët e saj që mbrojtën krishtërimin ndër shekuj

Nga Pirusti News

Përgatiti: Lin KIKU

Krishtërimi në Shqipëri u themelua 100 vite pas Krishtit, dhe vendi ynë është përcaktuar si një nga vendet mesdhetare, ku krishtërimi depërtoi që në shekujt e parë. Në atë periudhë u përhapën bashkësitë e para të krishtera, si dhe u ngritën ndërtesat e para të kultit të ri.

Ndër qendrat e banuara që përqafuan krishtërimin ishte dhe krahina e Mirditës. Me ndarjen e re administrative të vitit 395, dhe që do të ndante në të ardhmen kishën katolike nga ajo ortodokse, dhe qytetërimin e lindjes nga ai i perëndimit, Mirdita do të ishte pjesë e Kishës katolike romane, duke qenë se ishte dhe një pjesë ndarëse kufiri e dy qytetërimeve të reja që u krijuan nga kjo ndarje administrative. Gjuha e Kishës do të ishte latine. Kisha kishte një institucion qëndror që ishte Papati në Romë prej nga vareshin dhe Kishat që ishin nën juridiksionin e saj, dhe këtu bënin pjesë dhe Kishat që kishte krahina jonë.

Me pushtimin e Ballkanit nga perandoria osmane, pushtuesi në këto vende solli dhe fenë e re me vete. Në vitin 1463, françeskanët kishin siguruar nga Mehmeti II një dekret që u siguronte atyre që të ushtronin funksionin e tyre fetar në viset e pushtuara. Papa Gregori XIII (1572- 1585) themeloi në Romë kolegjin e Shën Athanasit dhe u drejtohej të rinjve që dëshironin të bëheshin priftërinj apo mësues në Ballkan. Dominikanët dhe françeskanët ishin veçanërisht aktivë, duke u nisur nga portet dhe ishujt ende të pushtuara nga Venediku dhe Gjenova, dhe këta priftërinj italianë, kroatë, raguzanë u bënë përçuesit e ideve kishtare perëndimore midis ballkanit dhe perëndimit europian.

 Abacia e Oroshit dhe abatët që kanë shërbyer në Mirditë.

Abacia e Nullius në Orosh si Abaci që varej direkt nga Selia e Shenjtë, u krijua me 25 tetor 1888 nga Papa Leoni XIII. Territori i Abacisë Nullius përfshin gjithë hapësirën e gjerë malore të Mirditës, me një trajtë krejt të vetën. Banorët vendas ishin dhe janë të gjithë katolikë, me përjashtim të rrallë. Selia e Oroshit, e izoluar në ato male, është dhe mund të thuhet, e barazlarguar jo pak, nga fshatrat më të afërm, ka afër me pamje nga kisha, vetëm varrezat.

Sado e pasigurtë të jetë historia e Abacisë së Mirditës është e konstatuar se, në kohën e Turqisë Abatët nuk ishin më shumë se priftërinj fshati, nën të cilën ishin bashkësitë e Oroshit dhe Spaçit.Të ardhurat i siguronin nga tokat e pakta që i kishin mbetur Abacisë dhe nga dhurimet e Propaganda Fides e cila dhe emëronte Abatët. Siç duket nuk kanë luajtur ndonjë ndikim të madh mbi udhëheqësit laikë të Mirditës dhe mbi anetarët e bashkësisë famullitare. Kjo do të ndryshojë vetëm në vitin 1860, kur Imzot Gaspër Krasniqi bëhet Abat i Mirditës.

Abatët që kanë shërbyer në Mirditë nga viti 1636 e deri në ditet e sotme;

Stefano de Gasperi (i emëruar 1636). Giovanni Filipi ( ?). Giovanni Paolo Trumsi, (1657-1669). Giorgio Stampaneo (i emëruar 1669). Antonio Vladagni (i cekur 1702, 1729 ipeshkëv i Shkupit). Marko Xiuppa (Sciuba) (i emëruar 1735). Giorgio Vladagni (i cekur 1748, 1750 ipeshkev i Sapes). Antonio Murichi (i i emëruar 1750). Bianchi (i cekur1767). Michele Criesesi (i emëruar 1778). Paulo Duoda (1786-1790). Andrea Gazullori (1790- 1810). Marco Negri (1813-1845). Pietro Zarisci (i emëruar 1847). Gaspare Crasnich (Krasniqi) (1861-1875). Prenk Doçi (1888-1917). Zef Gjonali (1922- 1928). Giovanni Della Pietra (1929). Frano Gjini (1930- 1948). Ivan Dias (1991- 1992).

Nga data 7.12. 1996 quhet Ipeshkëvia e Rrëshenit. Frano Ilia (1993- 1996). Angelo Masafra (1996- 1998). Cristoforo Palmieri (1998- 2017). Gjergj Meta është aktualisht Ipeshkëv i Dioqezës në Rrëshen, që nga qershori i vitit 2017.

Referencat: Abati i Mirditës Imzot Frano Gjini, shkruar nga Tomë Mrijaj dhe Leonora Laçi, Barbara Jelavich-Historia e Ballkanit, Georges Castellan- Histori e Ballkanit.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment