Metafora e detit si urë në mes të Shqipërisë dhe Italisë…

Nga Pirusti News

Nga: Nikollë Loka

 Nga Durrësi deri në Cirò Marina të Kalabrisë nuk na ndahet deti. Moti është i ngrohtë, fryn  pak erë që e bën udhëtimin më të këndshëm. Nata kaloi nëpër Adriatik dhe mëngjesi na gjeti përballë Barit të Italisë, i cili bashkë me mirëseardhjen të ofron një ngjashmëri të çuditëshme me Durrësin në disa prej ndërtesave, disa rrugëve dhe drurëve dekorativë.

Udhëtoj me pronarin e shtëpisë së mirënjohur botuese Emal, Astrit Muça, një ish futbollist i Partizanit dhe dashamirës i shkrimtarëve. Para nesh ka arritur në qytetin ku do të shkonim Valbona Jakova. Në Bari, rastësisht takojmë babë e bijë, piktorët Ermir dhe Fioralba Grezda, të cilët qëndruan me ne. Ermiri kishte qenë në Cirò dyzet vjet më parë dhe kishte qëndruar atje për dy muaj, pasi kishte realizuar atje një mozaik të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ai i njihte disa nga qytetarët e Cirò-s me emër dhe kishte shumë dëshirë t’i takonte.

Nisemi drejt Jugut, afër detit dhe diku buzë tij, në një pejsazh mahnitës ku bukurive natyrore të vendeve nga kaluam i shtohej edhe bukuria e punës së njerëzve. Plantacione të gjëra ullinjësh, agrumesh, vreshtash, parcela gruri të korrura, qëndra të banuara, të mbledhura kryesisht afër kodrave, për të kursyer tokën dhe ndërtesa nëpër plazhe që presin pushuesit na shoqëruan gjatë gjithë rrugës.

Mbërrijmë në Cirò buzë mbrëmjes. Mbrëmja e jugut është e bukur, dielli zhduket tutje prapa maleve të Kalabrisë, ndërsa  përpara zgjohet Deti Jon,  Mare Nostrum, që na ndan dhe na bashkon, duke përcjellur ndër shekuj dhe mijëvjeçarë shtegëtime fatesh njerëzore. Në hyrje të Cirò Marina-s na presin miqtë, bashkëshortët Gennaro Marino dhe Françesca Gallello. Kalojmë nëpër qytet, aty ku dy vjet më parë, unë pata qëndruar për tri ditë rrjesht, në ditët e festivalit poetik “Veliero“, me cilësinë e antarit të Jurisë, ku morën pjesë dhe shumë poetë nga trevat shqiptare, të cilët u vlerësuan lart për nivelin e poezive të tyre.

Është ditë e shtunë dhe nga darka kafet e qytetit u mbushën me njerëz. Diku këndohej e në në locale të tjera flitej me zë të lartë. Shkojmë në shtëpinë e miqëve tanë, ku përjetuam mikpritjen kalabreze, të tokës që ka pritur shumë shqiptarë ndër shekuj. Bisedojmë për traditën e mikpritjes te të dy popujt dhe pastaj rreth temave të ndryshme,  kulinarisë, artit, poezisë, por edhe pictures, për të cilin Ermiri nuk pushon së foluri. Ai ishte i mbushur me emocione të para dyzet viteve, prandaj nuk rresht së pyeturi për njerëzit që kishte njohur dikur dhe për fatet e tyre. Flasim dhe për Shqipërinë. Na vjen mirë se mikpritësit kanë mendim pozitiv për shqiptarët. Ata kishin miqësi me familjen shqiptare Vasija nga Puka, që jetonte atje, me të cilën u takuam dhe ne rastësisht të nesërmen.

Një familje shqiptare në Cirò Marina

 Dita e nesërme filloi shpejt me kafen e mëngjesit në njërin nga lokalet e qytetit. Pastaj me një shëtitje në Lungomare. Afër detit, në anën tjetër të rrugës, kishte shtëpi banimi, vila dhe hotele që prisnin të mbusheshin me pushues. Vazhdojmë shëtitjen, kur një zë i panjohur na thërret në shqip dhe teksa kthejmë kryet, shohim një çif të ri, i cili me dashamirësi na fton për kafe. Prezantohet menjëherë: “Jam Fatmir Vasija nga Kqira e Pukës dhe kjo është gruaja ime Xhentiljana”. Ishin miqtë e Gennaros dhe Françeskës, pra kishim miq të përbashkët  dhe ata kishin njëfarë njohje për ne. Gruaja e Fatmirit, Xhentiljana ishte nga Katundi i Vjetër i Rubikut dhe si mirditorë u njohëm shpejt.

Bisedojmë me atë çift të ri shqiptarësh që lumturinë e jetës e kishte ndërtuar në atë qytezë të largët të Kalabrisë, por ishin shumë të kënaqur me jetën dhe me njerëzit. Ndiheshin mirë se në atë qytet respektohej qytetaria dhe njerëzit ishin shumë miqësorë ndaj të huajve. Biseda kaloi natyrshëm rreth zhvillimeve në Shqipëri. Në sytë e bashkëbiseduesve kishte mall, por edhe një pezmatim se nuk mund ta ndërtonin jetën në vendin e tyre. Sidoqoftë, ishin njerëz optimistë dhe mendonin për të nesërmen e tyre në Shqipëri.

Fatmiri na premtoi se do të vinin në promovim tonë dhe na ftoi për darkë, por ftesa nuk u realizua pasi ishim të ftuar të gjithë në darken e planifikuar nga organizatori.

Karfici i bijëve të Arbërit

 Vendbanimi më i afërt arbëresh me qytetin ku po qëndronim ishte Karfici, që në shqip shpjegohet me fjalën “karficë” që mban flokët e grave. Si lindi ai toponimi, kush e shqiptoi së pari atë emërtim ? Mbetemi në kuadrin e hamendësimeve dhe teksa makina përshkon rrugën në ngjitje drejt kodrave, e lëshojmë imagjinatën për të krijuar një subjekt interesant që domosdoshmërisht lidhej me një grua.

Fshati ishte themeluar nga arbëreshët e ardhur në vitin 1530. Territori i tij shtrihet midis komunave Cirò, Melissa, Pallagorio, San Nicola dell’Alto, Umbriatico, në kodrat e Presilanëve në veri të Marketit të Krotones. Shtëpitë ishin vendosur në majë të një bregorje, të izoluar nga brazdat e thella të dy degëve të lumit Lipuda, në pjesën më të ulët të Valle del Neto.

Prej aty kishe mundësi të shijoje një pamje të këndshme panoramike.

Ishte një vend me popullsi arbëreshe që ende mban gjuhën dhe traditat e saj shumë mirë.  Shumë prej banorëve kishin emigruar jashtë vendit dhe në Italinë veriore. Karfici është pak i njohur për shumicën e njerëzve, por ata që kanë mundur ta vizitojnë e mbajnë në kujtesë, si për mikpritjen e hollë dhe për bukurinë natyrore që e karakterizon. Kushdo që ka vizituar Karficin nuk harron ta shohë krejt që nga monumentet që lidhen em Skënderbeun dhe Shqipërinë dhe deri te ndërtesat e periudhave të ndryshme historike.

Me të hyrë në Karfici shohim pleqtë të ulur sokakëve që bisedonin arbërisht me njëri-tjetrin. U flasim shqip dhe ata na dallojnë nga jemi dhe na përgjigjen: “Kemi 600 vjet që jemi larguar nga Shqipëria dhe dijmë pak gjëra“. Bisedojmë me ta në shqip dhe mirremi vesh mirë e bukur. Ndërkohë shkojnë dhe thërrasin albanologun Alessandro Constantino, nxënësin e Martin Camajt që e fliste shqipen rrjedhshëm dhe kishte qenë në Shqipëri që para viteve 1990, i angazhuar në studime shkencore. Ai u gëzua shumë për vajtjen tonë atje dhe u tregua i gatshëm të na ndihmonte.

 E vizituam Karficin gjithandej, pamë monumente, rrugë me mbishkrime në arbërisht dhe italisht, shkollën, bashkinë, shtëpitë e vjetra karakteristike, por edhe ndërtime të reja. Ngado shkuam rrugëve, na përshëndesnin të gjithë burra dhe gra. Shumica ishin në emigracion, ku kishin formuar Karficin e ri. Atje, arbëreshët po luftonin për ta ruajtur identitetin e tyre, ndërkohë që fëmijët shkollohen në gjermanisht. Megjithëse në një dhe të dytë të huaj, karficjotët ishin të angazhuar në ruajtjen e identitetit kombëtar. Aleksandri na tregon se “në Karfici kishin jetuar dhe punuar shqiptarë pas vitit 1990 dhe dikush ishte martuar aty “. Mësuam se në atë fshat ishte martuar Nikoleta Panajoti nga Shqipëria që punonte inxhiniere e informatikës, e punësuar në sportelin gjuhësor të Komunës, që kujdesej për ruajtjen e trashëgimisë, kulturës dhe gjuhës arbëreshe.

Gjatë verës qyteti priste bijtë që vinin nga Gjermania dhe për nder të tyre organizohej një festival.  Na Karfici kishte lindur shkrimtari Karmine Abate, i cili punonte, jetonte dhe krijonte në Trentino të Gjermanisë. Libri i tij i parë, një koleksion tregimesh të shkurtra, u botua në vitin 1984. Që atëherë kishte botuar një sërë veprash, të cilat kanë fituar çmime të ndryshme europiane. Sot Abate njihet si një ndër figurat më interesante të letërsisë italiane bashkëkohore. Në fund të vizitës, të ftuar nga Aleksandri, pimë nga një kafe së bashku në një nga lokalet e fshatit.

Kaluan disa orë si pa u kuptuar, fotografuam shumë vende dhe u premtuam atyre bashkatdhetarëve të moçëm se do të gjendemi shumë shpejt midis tyre. Poshtë shtrihej deti, atje ishin latinët, dhe atje na prisnin miqtë italianë. Në takimin letrar do të kishte dhe arbëreshë.

Interesim i madh për takimin letrar

 Promovimi i librit të shkrimtars Valbona Jakova “I Tre Porcellini e I Porcellini Emigranti” (Tre derrkucat e vegjël dhe derrkucat e vegjël emigrantë”, kishte ngjallur interesin e qarqeve kulturore të qytetit pritës dhe qyteteve të tjera. Gazeta më e madhe e Kalabrisë “Il quotidiano del Sud” që në mëngjesin e asaj dite kishte njoftuar për veprimtarinë dhe njoftimi ishte vënë edhe në hotelin ku qëndruam ne. Veprimtaria zhvillohej në sallën e Kuvendit Komunal, në pallatin “Porti” nën kujdestarinë e kreut të komunës.

Në atë veprimtari morën pjesë arbëreshë të shquar si Damiano Guagliardi, themelues i Qendrës së Dokumentacionit për Kërkime Arbëreshe dhe i Lidhjes Italiane të Minorancës Arbëreshe, Presidenti i Federatës së Shoqatave Arbëreshe në Itali. Guglielmo Gatto, zëvendëskryetari i Komunës së Karficit.

Alessandro Constantino, albanolog, nxënës i Martin Camajt.

Në atë veprimtari ne shprehëm ndjanjat e miqësisë dhe të respektit të ndërsjelltë. Foli Astrit Muça, Pronari i Shtëpisë Botuese “Emal”, i cili solli në vëmendje të publikut interesimin e shqiptarëve për gjuhën dhe kulturën italiane dhe sidomos për gjuhën dhe kulturën e arbëreshëve.. Ai shprehu gadishmërinën për vazhdimin e bashkëpunimit, si një mjet për të rritur mirëkuptimin reciprok. Në fjalën që mbajta unë, theksova rolin e detit si urë lidhje midis popujve, ndikimin e kulturës italiane në zhvillimet kulturore në Shqipëri dhe rolin arbëresh në Rilindjen Kombëtare dhe Pavarësinë e Shqipërisë. Ndërsa Valbona Jakova u përqëndrua rreth letërsisë dhe komunikimit kulturor midis italianëve dhe shqiptarëve.

Gazeta “Il Cirotano”, për veprimtarinë e organizuar.

Gazetari Oscare Grisolia në një artikull të botuar në gazetën“Il Cirotano”, të datës 25 qershor 2019, e përshkruan hollësisht veprimtarinë që u zhvillua.

Në hapje të veprimtarisë, zëvendëspresidenti i shoqatës “Veliero” Rodolfo Calaminici paraqiti veprimtarinë e shoqatës “Veliero”, ndërsa Presidenti rajonal i Shoqatës “Radici”, Carmine Ruggero, foli për veprimtarinë e shoqatës “Radici”. Pastaj e mori fjalën organizatorja e veprimtarisë, shkrimtarja Francesca Gallello, e cila u shpreh: “Një takim letrar, nuk është i ndarë, por është i bashkuar nga deti i kulturës. Një abshkëpunim i shoqatave “Veliero dhe “Radici” me krijuesit shqiptarë dhe shoqatat e tyre ka synuar që të ndërtojë ura për njohjen e kulturës së popujve tanë që dëshirojnë të përshkruajnë së bashku një udhëtim drejt rrënjëve, që ushqehen nga e njëjta limfë, kultura”.

Pastaj u bë promovimi i librit për fëmijë të shkrimtares shqiptare Valbona Jakova, botuar nga shtëpia botuese “Veliero” “I Tre Porcellini E I Porcellini Emigranti”, një përrallë që ka për qëllim edukimin e fëmijëve për respektimin e traditave dhe rrënjëve të tyre, por edhe të bëjë një krahasim në mes të kaluarës dhe të tashmes.

I pranishëm në takim Presidenti i Federatës së Shoqatave Arbëreshe, Damiani Guagliardi, në fjalën e tij i ftoi të gjithë të njihen me autorët e mëdhenj shqiptarë, të cilët, nëse përkthehen në italisht, do të kishin aq shumë për të zbuluar për historinë dhe kulturën shqiptare”.

Carmela Sciarrotta, koordinatore e Shërbimit Social të Qarkut dhe kryetare e “Radici”, seksioni i Cariati-t u përqëndrua në rëndësinë e konfrontimit dhe rritjes së madhe kulturore që vjen nga ballafaqimi me kultura të tjera.

Mariagrazia Stasi, eksperte në shkencat pedagogjike, interkulturimin dhe edukimin mediatik me drejtim neuro pedagogjik u përqëndrua mbi interkulturalitetin dhe imagjinatën si bartëse të rritjes dhe zhvillimit për të vegjlit që zhyten në lexim.

 Rossella Colloca, përfaqësuese e Komisionit të Bashkisë së Cirò Marina, shprehu përshëndetjet e saj dhe të Komisionerëve me ftesën për ta vazhduar këtë udhëtim, që me siguri përfaqëson rritjen shoqërore dhe kulturore në të gjithë territorin.

Nënkryetari i Komunës së Karficit Guglielmo Gatto, entuziast për inisiativën, shprehu vullnetin e tij dhe atë të Komunës që drejtonte për të mbajtur takime të ngjashme, për një përballje të historisë shqiptare të djeshme me të sotmen.

Ndërhyrja nga Alessandro Costantino ishte interesante. Ai lexoi një poezi në arbërisht që i kushtohej identitetit arbëresh.

 Pastaj u bë një paraqitje e librit tim “Një hark ylberi”, poezitë e të cilit i lexuan Dr. Luca Grisolia, Dr. Secondo Carlino dhe Dr. Pietro Arcuri dhe shprehën vlerësime për librin. Një poezi e lexoi në shqip edhe Fatmir Vasija, Zëvendëssekretar i Shoqatës “Veliero” për Shqipërinë dhe Kosovën.

Kështu mbaroi një veprimtari e organizuar mire. Koha kaloi shpejt, por la pas shumë kujtime; u krijuan njohje të reja, bashkëpunim dhe më i ngushtë dhe u hodhën hapa për takime të tjera në të dy vendet tona.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment