Mirdita, shtegtim në tokën e Pirustëve

Nga Pirusti News

-Nga Edmond Prifti – 

 Po aq e egër e njëherazi e magjishme me luginat dhe shpatet e thyera, kjo krahinë e ndodhur jo shumë larg Tiranës, fsheh thesare të paçmuara, mbushur me mite e legjenda. Në këtë udhëtim tonin të fundjavës për Gazetën “Si”, do të flasim për këtë tokë, tokën e Pirustëve, një vend i lashtë që nga kohët prehistorike, me Guvën e famshme të Rubikut; vendndodhjen ku u gjet për herë të parë simboli i Principatës së Arbrit, por edhe për atë që rëndom e quajmë edhe “Turizmi i Memories”, burgun famëkeq të Spaçit, apo i emërtuar ndryshe edhe si “Aushvici shqiptar”, i ndodhur veçse 33.8 kilometra nga Rubiku.

Ndonëse javë jo fort të mira, plot shira të dendur në këtë mes maji, rrugëtimi për në këtë krahinë është pakëz ndryshe nga të tjerat, për faktin se është një zonë për të cilën flitet shumë pak, ndonëse përplot me histori…

Pavarësisht se nuk ndodhet larg kryeqytetit, zona e Mirditës, (emërtimi i saj ende nuk dihet saktë se nga e ka prejardhjen), ka një terren malor të përshtatshëm për pothuajse gjithë sportet alpine, hiking dhe llojet e ndryshme të turizmit. Por më e rëndësishmja, është vendi ku u krijua për herë të parë shteti i Arbrit, apo siç njihet ndryshe nga historia, Principata e Arbrit. Kjo u faktua nga studiuesit shqiptarë veçse në vitin 1966, kur u gjetën 19 gurë të gdhendur në latinisht, në kishën katolike të Shën Mërisë, në Gëziq, shumë pranë Rubikut. Aty njihet për herë të parë zyrtarisht nga studiuesit shqiptarë edhe emërtimi që ka marrë kjo zonë, e quajtur në latinisht “Trafandinë” apo e shqipëruar “Ndërfandë” (Mirdita e sotme). Këto rrugë që të çojnë drejt këtyre vendeve historike shqiptare do të duhej të ishin “model i turizmit”, lënë shumë për të dëshiruar. Edhe rruga drejt fshatit Gëziq dhe ajo që të çon drejt Spaçit, janë në gjendje mjerane.

Mirdita

Autorë të ndryshëm e kanë paraqitur këtë krahinë me madhësi të ndryshme. Hjuz e ka etiketuar Krahinën e Mirditës si zonë që shtrihet nga Tirana në Lezhë. Në shekullin e XIV-të, Pukvile dhe Buee e vendosën Mirditën midis Prizrenit, Drinit, Shkodrës, Lezhës, Krujës, Tiranës dhe Luginës së Dibrës. Ndërsa më vonë, Tozer jep shtrirjen më të saktë të zonës së Mirditës, 56 kilometra nga veriu në jug dhe 64 kilometra, nga lindja në perëndim.

Për gjithë turistët shumë pranë Rubikut, ndodhet edhe muzeu i emërtuar Info-Kulla, një qendër ndërgjegjësimi për turistët, që u zgjon atyre kureshtjen për kulturën, traditat dhe njohjen direkte me vendin dhe njerëzit.

Sot janë gjithsej 2300 kulla në gjithë Krahinën e Mirditës. Ndalesa jonë e parë ishte pikërisht në këtë vend, një godinë disi e ngjashme me një “kullë të hershme”, e ngritur nga Bashkia Mirditë, me mbështetjen e “Partneriteti Shqipëri-Austri-Marianne Graf”, me qëllim hapjen e zonës ndaj eko-turizmit dhe për forcimin ekonomik të banorëve të saj.

Periudha prehistorike: Guva e piktogrameve në Rubik

Kjo guvë e mirënjohur e me vlera, jo vetëm për zonën e Mirditës, por edhe më gjerë, ndodhet shumë pranë kalasë antike të Matrizës në Rubik dhe konsiderohet si një ndër monumentet më të rëndësishme të artit shkëmbor në Shqipëri.

Arkeologu Muzafer Korkuti, në librin e tij “Arti shkëmbor në Shqipëri”, e ka cilësuar incizimin në Guvën e Rubikut, si “një vepër e popullsisë protoilire, paleoilire apo të një substrati etnokulturor më të hershëm, të po atij territori ku në epokën historike jetonin, ilirët e jugut”. Piktura, sipas Korkutit, i përket periudhës së viteve 4000-2000, para erës sonë. Piktogrami i Rubikut, renditet për nga rëndësia sëbashku me gjurmët e artit shkëmbor të gjetura në Malin e Shenjtë në Orosh të Mirditës, apo me kalanë antike të Andërfajt, në zonën e Fanit.

Megjithatë, sipas Korkutit, “ende nuk njohim vendbanimet prehistorike në afërsi të pikturës së Rubikut”, duke qenë se këto piktograme kanë qenë të gdhendura ngaherë pranë vendbanimeve të hershme.

Sipas tij, “…ato janë bërë si faqet e librit, biblioteka tempuj të hapur, ku në mënyrë të sintetizuar e tё abstraguar, njeriu prehistorik arriti të fiksojë e të përjetësojë në faqet e shkëmbinjve konceptet mistiko-religjioze, të flasë me gjuhën e artit monumental me piktograme e ideograme. Në përmbajtje dhe në motivet e mjetet shprehëse, veprat e artit shkëmbor të epokës së holocenit, janë të njëjta ose mjaft të përafërta. Kështu, rrethi me katër a më shumë rreze është ideogrami kryesor që i bashkon, ai është i pranishëm në Rubik, në Reç, në Xibër dhe në Bovillë. I tillë është edhe motivi i kryqit, i realizuar në përmasa të ndryshme në Reç, në Xibër e nё Rubik”. 

Kjo Guvë krejt e veçantë ndodhet rreth 100 metra, para se të marrësh shtegun drejt kalasë mbi Kodrën e Gjudive. Koha e ndërtimit të Kalasë antike të Rubikut, sipas studiuesve, daton në antikitetin e vonë, ndoshta në periudhën e rindërtimeve të Justinianit. Kalaja shërbente për të kontrolluar luginën e lumit Fan. Brenda territorit të saj ende ruhen gjurmët antike, por nisur nga gjendja aktuale në të cilën ndodhet kjo kala, mbi Manastirin Benediktin të Rubikut, është e vështirë të përcaktohet planimetria e saktë e këtij fortifikimi të lashtë.

Rikthim në lashtësi: Pirustët

Pirustët ishin fise ilire, banorë të krahinës së sotme të Matit dhe Mirditës. Deri në vitin 168 para erës sonë, Pirustët bënin pjesë në Mbretërinë Ilire, ndërsa mbetën të pavarur edhe pas shkatërrimit të tyre nga romakët.

Pavarësinë e ruajtën edhe në vitin 54 para erës sonë, kur Çezari i detyroi të paguanin një dëmshpërblim, ndërsa në vitet 6-9, morën pjesë në kryengritjen e madhe ilire kundër pushtimit romak, nën udhëheqjen e Batos dhe Desidistëve, e ishin ndër të fundmit që u nënshtruan.

Pirustët njiheshin si minatorë dhe përpunues të aftë të metaleve, veçanërisht të bakrit. U njohën si “kampionë” të luftës dhe të xehetarisë dhe si popullsi me nivel të lartë zhvillimi shoqëror. Shekuj më vonë, burimet minerale të arit, argjendit dhe bakrit, e vendosën krahinën e Mirditës në hartën e vendburimeve më të mëdha metalifere që ndodheshin në Dardani.

Stema e Shtetit të Arbrit, në Gëziq

Studiuesi, shkrimtari dhe akademiku Dimitër Shuteriqi bëri publik një dokument të rëndësishëm në vitin 1966, të publikuar në gazetën “Drita”, më 4 dhjetor. Ai shkruan ndër të tjera se “…Përpara shtatë muajsh, në katundin Gëziq të Mirditës, mbi xhadenë e Rrëshenit për Shën Pal, te muri i një qele të rrënuar të kishës së Shën Mërisë, zbuluam gurët e copëtuar dhe të dëmtuar keq të disa mbishkrimeve mesjetare latine, që menjëherë, dukeshin të një interesi të madh. Më vonë, duke kërkuar nëpër dokumentet e kohës dhe nëpër autorët që janë marrë me to, me qëllim që të shkruajmë për ato mbishkrime, vumë re se Ippeni i kishte njohur e botuar një pjesë të tyre me 1901 (v. Stare crkve, në “Glasnik Bosni i Herzeg.”, fq. 385-386), veçse pa bërë ndonjë përpjekje interpretimi”. Vëmendjen e tij e tërhoqi më shumë një shqiponjë njëkrenore e skalitur mbi mermer dhe që ai, me të drejtë, e quajti –“heraldike”, po që më saktë, është stema e Dukagjinëve (M. Sufflay, Serbët dhe Shqiptarët, Tiranë 1926, fq. 193) ku thuhet se: Dukagjinët kishin shqipen e bardhë në stemë. Tjetër herë kjo stemë nuk është zbuluar në Shqipëri…

Më tej Shuteriqi është ndalur tek mbishkrimet e gjetura në nëntëmbëdhjetë gurët. “Pasi mundëm t’u bëjmë atyre fotografimin e qartë, në fillim të tetorit që kaloi, patëm mundësi t’i studiojmë edhe më me nge. Që në krye të herës, na kishte tërhequr vëmendjen emri DIMITRI(S) dhe fjala (I)VDICIBVS (Gjykatësve), që lexoheshin shumë kthjellët në dy prej fragmenteve të gurëve. Më vonë na tërhoqi vëmendjen edhe emri i P(R)OGON, i një fragmenti të tretë. Ishte krejt e natyrshme që menjëherë të na shkonte mendja tek princi Dhimitër (1208-1216) dhe i babait të tij Progonit (1190-1198), sundimtarët e shtetit të parë të Arbrit, që njihet gjer më sot dhe për të cilin, sadopak, diçka dimë…”, shkruan Shuteriqi. Mbështetjen për këtë teori të Shuteriqit e dhanë edhe Aleks Buda apo Pilika, të cilët ranë dakord se manastiri dhe kisha e Gëziqit, nga dokumentet e lashta njihej si, “S. Marie de Tre-fandena, Arbanensi diocesis”, pra e vendosur në Dioqezën e Arbrit.

Kristo Frashëri më pas, mbi bazat e studimit të Shuteriqit, botoi asokohe “Principata e Arbrit”, ku ndër të tjerash shkroi: “Më në fund, historinë e Principatës së Arbërisë e ndriçojnë edhe të dhënat arkeologjike të zbuluara në fshatin Gëziq të Mirditës. Fillimisht të dhënat arkeologjike u zbuluan më 1901 nga medievisti austriak Theodor Ippen. Më vonë ato u pasuruan nga Dhimitër Shuteriqi dhe nga etnografi mirditor, Mark Tirta. Një vend të veçantë në materialet e zbuluara në Gëziq zë një pllakë mermeri me një mbishkrim latinisht, i cili kur u zbulua qe tepër i copëtuar, pra i palexueshëm. Atë e bëri të lexueshëm fillimisht mjeshtri Koço Zheku dhe përfundimisht prof.  Injac Zamputi. Sipas mendimit tashmë të përbashkët të historianëve, Principata e Arbërisë u krijua rreth vitit 1191, ku sundimtari i parë i saj ishte Progoni, një emër thjesht shqiptar. Ai mbante si dhe prijësit e mëparshëm të Arbanonit, titullin bizantin “Arkond”.

Shuteriqi, po ashtu shkruan për një dëshmi tejet interesante: “Nga dinastitë e Arbrit, mësova se, ishte ndërtuar kisha e Gëziqit. Mirdita kështu vërtetohet mirë se, në shekujt XII- XIII-të, bënte pjesë në shtetin e parë shqiptar të njohur si një krahinë ndër më qendroret”.

Një këndvështrim i tillë, përveçse sjell një njohje të nevojshme për Mirditën si trevë, merr një rëndësi po kaq të nevojshme dhe për historinë kombëtare, për arsye të marrëdhënieve të njohura që ajo ka pasur jo vetëm me krahinat përreth, por edhe me dinastitë e huaja, veçanërisht të Perëndimit.

Mirdita është një shembull i njohur nga të gjithë burimet historike dhe shkencore të mendimit historik dhe social, që ishte një nga trevat e cila ka ruajtur një identitet të pandryshuar në të gjitha rrethanat dhe pikëpamjet.

Studiuesi Ndue Dedaj, shkruan në vitin 2013 se, “gjetjet që u zbuluan nga profesor Shuteriqi në Gëziq (Ndërfanë) të Mirditës, në kishën katolike të Shën Mërisë, ishin dy: një mbishkrim epigrafik latinisht dhe emblema e shtetit të moçëm të arbërve”.

Burgu famëkeq i Spaçit

Mes tre objekteve të ndodhura në “Monumentin Postbllok”, i inauguruar më 26 mars 2013 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, janë edhe disa shtylla betoni të marra nga galeritë e Burgut të Spaçit, apo të njohur ndryshe si “Auzhvici Shqiptar”. Kjo vepër monumentale kishte për qëllim, kujtimin dhe mos-harresën e krimeve të diktaturës komuniste në Shqipëri. Shtyllat e betonit, të vendosura në këtë Monument, shërbenin dikur si përforcim në galeritë e Spaçit, ku punonin të burgosurit – kryesisht politikë, – e janë të renditura njëra pas tjetrës.

Burgu i Spaçit, një Monument i Trashëgimisë Kulturore, ishte burgu më famëkeq politik i sigurisë së lartë dhe ishte aktiv gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. I ndodhur pranë fshatit me të njëjtin emër në një luginë të thellë, aktualisht në gjendje të mjerueshme.

Burgu u hap në vitin1968, e funksionoi si i tillë deri në vitin 1988, ndërsa sipas të dhënave ka pasur mbi 1000 të burgosur. Pamjet arkivore të AQSHF-së, të paraqitura shpesh në televizionet shqiptare, japin shpesh pamje të këtij burgu famëkeq, xhirime të realizuara përgjatë kohës së komunizmit. Burgu në vetvete u ndërtua për shfrytëzimin e Minierës së Spaçit, nga e cila nxirrej bakër dhe pirit.

Janë rreth 7 godina që janë pjesë e burgut, por më tej ka pasur edhe godina të tjera që kanë shërbyer si kampe për të burgosurit, si dhe ambiente që shërbenin si mjedis pune për banorët e zonës. Sot ish-miniera famëkeqe e këtij burgu shfrytëzohet me leje minerale shtetërore nga kompania “Tete Albania”, ndërsa vagonët e dikurshëm që shtyheshin me dorë, janë zëvendësuar nga makineritë e mëdha të mineraleve, të cilat futen deri në thellësi të minierës që shkon disa qindra metra në brendësi të malit.

Në këtë burg në vitin 1973, pati një rebelim të të burgosurve, të cilët arritën të ngrinin një flamur pa yllin e kuq (ashtu siç gjendet edhe sot një flamur i tillë në oborrin e jashtëm të këtij burgu), por u shtypën me dhunë dhe gjak. Ciceroni i këtij burgu na rrëfen se, pasi torturoheshin të dënuarit, eprorët dhe ushtarët lanin duart me gjak në një çezmë e cila gjendet jo shumë larg Komandës së këtij burgu. Në Burgun e Spaçit kanë vuajtur dënimet edhe disa intelektualë të famshëm, ndër ta edhe Fatos Lubonja.

Turizmi në Tokën e Katedraleve

Në sugjerimet e Bashkisë së Mirditës në faqen e tyre zyrtare në internet përfshihet edhe “Turizmi në Tokën e Katedraleve”, ku përmendet: “Kisha e Shëlbuemit” në Rubik, Kisha e Ndërfandës e njohur si ajo e Principatës së Shtetit të parë të Arbrit, Kisha e Shpalit si vendi i Kuvendeve apo edhe Kisha e Shënllezhdrit në Orosh të Mirditës e njohur ndryshe si Abacia e Oroshit. Po ashtu, Bashkia sugjeron edhe Guidën e Krojeve Kurative, Guidën e Dyerve apo të Dijes, Guidën e Pasurive Nëntokësore apo Guidën e Monumenteve Historike, e deri tek Turizmi i Memories, si ai i Burgut Famëkeq të Spaçit.

Por e këshillueshme për të gjithë ata që vendosin të rrugëtojnë në këto vise, është të marrin kontaktet e para me Info-Kullën, e drejtuar nga Drejtori i Turizmit dhe Info-Kullës, Nik Nikolli, i cili na ndihmoi së tepërmi me informacione, guida apo harta, në realizimin e këtij rrugëtimi tonë drejt Krahinës së Mirditës. Info-Kulla, i cili shërben edhe si muze i gjithë Mirditës, ndodhet pranë Rubikut, ku përpos guidave të detajuara, ka kënde të ndryshme, si ai i etnografisë, objekte të Burgut të Spaçit, informacione të ndryshme multimediale, makete, apo edhe një “muze albumesh e thëniesh” që prezantojnë trashëgiminë, kulturën dhe traditat e gjithë Krahinës së Mirditës. E nëse keni ndërmend një udhëtim më të gjatë se njëditor, Bashkia e Mirditës ju sugjeron vizitën drejt Rrëshenit dhe Rubikut, qyteza që kanë përkatësisht nga 2 hotele me 50 dhe 30 vende, por edhe në fshatrat Katund i Vjetër, por edhe në kullat pritëse si ato në Nënshejt, në zonën e Fanit, Selitë, Malaj apo Përlat.

https://gazetasi.al

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment