Frrok Kristaj

Atë Luigj Palaj ky meshtar i devotshëm, viktimë e çmendurisë serbo-malazeze

Nga Pirusti News
Nga: Frrok Kristaj, shkrimtar, Prishtine.

Zhgunin e shën Françeskut e veshi më 23 shtator të vitit 1896, kur edhe e ndërroi emrin e pagëzimit nga Matë në Luigj, sepse ishte përkushtuar ta ndjekë shembullin e jetës së shën Luigj Gonzages-it. Kushtet e para rregulltare i dha më 28 shtator 1897, përkatësisht kushtet e përjetshme më 26 prill 1901. Pas shugurimit meshtarak (në Zym të Hasit, më 20 prill 1903), në Romë kreu studimet pasuniversitare. Gjatë viteve 1905-1907 shërbeu famullitar në Arqipeshkvninë e Shkodrës. Më pas kaloi në Gjakovë (1907-1912) ku ishte emëruar rektor i shenjtërorit shën Antonit, e më vonë shërbeu në famullinë e Pejës dhe të Gllogjanit të Lugut të Baranit.

Në vazhdën e terrorit të paparë malazez në trojet e okupuara shqiptare, Atë Luigj Palaj u mor në shenjestër dhe u arrestua vetë i gjashtëdhjeti. Akuzohej gjoja për zhvillimin e propagandës në popull për mosdorëzimin e armëve dhe për t’u ngritur kundër malaziasëve, të cilët i konvertonin shqiptarët pa dallim besimi në ortodoksinë sllave.

Atë Luigjit ia pren dy gishtërinjë që të mos kryqohej me pesë. Në fakt, malaziasit e kishin burgosur Atë Luigj Palajn sepse ky meshtar i devotshëm u paraqiste pengesë të drejtpërdrejt për konvertimin me dhunë të shqiptarëve të besimit katolik dhe mysliman në fenë ortodokse sllave. Frati i Kishës së Gllogjanit në Lugun e Baranit – Atë Luigj Palaj, vazhdimisht qendronte në mesin e grigjës së tij, duke i forcuar shpirtërisht dhe duke iu dhënë zemër që t’i përballojnë torturat e pushtuesit serbo-malazezë për t’i qëndruar besnikë fesë dhe kombit të të parëve.

Pasi e keqtrajtuan dy ditë rresht (më 5-6 mars 1913) Atë Luigj Palajn në burgun e Gjakovës, përkatësisht pasi i duroi përbuzjet, fyerjet dhe poshtërimet, e vunë përpara me të tjerët, të lidhur dhe e nisën për në Pejë. Gjatë rrugës, në Janosh të Novasellës së Gjakovës, e ndanë nga grupi vetë të shtatin, ia zhveshën zhgunin e fratit dhe e detyruan të ecte zbathur nëpër acar të madh, derisa të mos “pendohej” për ta braktisur fenë e tij katolike. Atë Luigji nuk trembej e as nuk thyhej. Bile kërkesat e malazezëve i refuzonte deri në përbuzje. Provuan më në fund ta thyenin me prerjen e dy gishtërinjve të dorës së djathtë, që të mos mund të kryqohej me pesë gishtërinjtë, siç kryqohen besimtarët katolik, por vetëm me tre, siç kryqohen besimtarët ortodoks.

Pas krejt atyre torturave, xhelatët ia morën shpirtin duke e masakruar me bajoneta, e në anën tjetër autoritetet malaziase njoftonin se “krimineli” Atë Luigj Palaj kishte provuar të ikte. Këso shpjegimesh jepeshin për të gjithë shqiptarët e burgosur në mënyrë që të kishin pretekst që t’i vrisnin.

Krimi në Janosh e kishte bërë efektin e vet në përshpejtimin e planit të Malit të Zi për konvertimin me dhunë të shqiptarëve në ortodokësizëm.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment