Të vrasësh njeriun e dijes. Në kujtesë të mësuesit të Kashnjetit Ndrec P. Nikolli, vrarë në vitin 1997

Nga Pirusti News

Botuar në “KJ” 17 vite më parë, më 23 maj 2002.

Pesë vjetë më parë, në muajin e nxehtë të vitit 1997, kur armët gjendeshin rrugës dhe kur shëmtia kishte arritur në kuotat më të larta të “qytetarisë, dy breshëri të gjata automatiku ndërpresin në mes jetën dhe aktivitetin e mësuesit të Kashnjetit, i quajtur Ndrec Nikolli. Mendja vrastare e bllokuar ndoshta 50 vjetë më parë, shfaqet përbindshëm në shkurret ndanë rrugës, pak metra para shkollës së fshatit.

Instiktet mesjetare të instaluara në skutat e errëta të krimit nuk frenohen as përballë faktit se mësuesi i armatosur me lapsa dhe dije, në momentin e ekzekutimit ishte nën shoqërinë e bashkëshortes mësuese, dy vajzave të tij të vogla dhe një të afërmeje tjetër. Nëse kjo ngjarje nuk ka ndodhur 50 vjetë më parë, kur grupe të caktuara në në listën e “presë” së tyre kishin jo pak mësues, ndër ta edhe Ndrec Ndue Gjokën, ngjarjet përsëriten pikë për pikë. Ngjarja ka të përbashkët krimin ndaj mësuesve, njerëzve nga më të nderuarit në një shoqëri të emancipuar. Në fakt krimi i ishte edhe ndaj nxënësve që panë në një skenë të përgjakshme prindin dhe edukatorin e tyre, por edhe krim ndaj kulturës dhe emancipimit të shoqërisë.

Kjo ngjarje e rëndë realizohet vetëm pak ditë pasi rifillon mësimi i ndërprerë nga marsi i çuditshëm i vitit 1997. Arsyeja e këtij krimi gjendet tek fjala shumë e lakuar me pesë germa “Kanun”. Por ndërtimi i shkakut nuk gjëndet në asnjë prej fletëve të “librit të rregullave” të formuluar qindra vite më parë. Madje edhe kur je fajtor sipas “Kanunit” kurrë nuk mund të vritesh me fëmijë në krahë, apo i shoqëruar prej tyre. Askund nuk parashikohet që individi duhet të përgjigjet për një krim të ndodhur ende pa dalë në jetë, ndonëse autorët e pretenduar për një ngjarje të ndodhur 50 vite më parë, janë fis i largët me viktimën e përzgjedhur prej tyre.

Po cili ishte në të vërtetë shkaku i ekzekutimit të datës 23 maj 1997, ku mbeti i vrarë mësuesi, vëlla i vetëm, baba i tre fëmijëve të mitur?!!

Lulet e përhershme në lapidarian në rrugën mes shkollës dhe banesës në Kashnjet, shkolla që prej 4 vjetësh mban emrin e mësuesit Ndrec P. Nikolli, por edhe bisedat e shumta me banorë të fshatit faktojnë se vrasja ka qenë e suportuar nga klane që po jepnin shpirt, përballë forcës dhe vitalitetit të atyre që me punë e djersë kishin bërë emër në popull e një ndër ta ishte dhe mësuesi i Kashnjetit.

Kush ishte Ndrec Nikolli?

I lindur në Kashnjet me etnitet mirditorë me 8 mars 1953, shkollën fillore do ta mbaronte në fshatin e lindjes dhe më pas 8-vjeçaren dhe të mesmen, në Lezhë. Rezultatet e larta në mësime i japin të drejtën të vazhdojë për katër vite me rradhë Institutin e Lartë “Luigj Gurakuqi” në degën Matematikë-Fizikë në Shkodër.

Me të mbaruar formimin mësimor tashmë objekt i punës së tij do të ishte mësimdhënia ndër bashkëfshatarët e tij, pa i’u shmangur detyrave shoqërore në zonë. I martuar me Marien nga një derë e njohur intelektualësh mësimdhënës nga Kullagjiu i Mirditës, do të lindnin dy vajza Valbona e Dhurata dhe një djalë Sebatianin. Për shumë vite mësues në zonë, Ndreca ndonëse nuk mundi ti kalonte 44 vjetë të jetës së Tij mbetet në kujtesën e shumë brezave nxënësish si misionar i palodhur i dijes dhe kulturës.  

Aleksandër Ndoja, “Koha Jonë” 23 maj 2002

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment