Flora Skana, Missi i pashpallur i bjeshkëve të Mirditës, mjekja e mirënjohur sot në ditëlindjen e 70-të të saj

Nga Pirusti News

Nga Preng BALOJ, Gazetar dhe Publicist. Ish mësues i saj.

Në një nga ditët e prag-javës së fundit të muajt përzhitës të Gushtit të vitit 1960-të, ndërsa isha diplomuar për mësuesi në Shkollën “Shejnaze Juka” në Shkodër, më emëruan mësues në Orosh të Mirditës. Dhe pikërisht e njëzeta ditë e këtij muaji fillim mësimdhënie i përket njohjes time me Flora Skanën!

Po si ndodhi?!… – do të thoni ju!…

Asokohe shkolla ishte verore dhe mësimet nisnin në orën shtatë të mëngjesit, për tu mbyllur në të rënë të mesditës, kur niste kori shurdhërues i gjinkallave. Në këtë shkollë isha shkolluar edhe unë, ku mësues letërsie dhe kujdestar i imi ka qenë, Mark Tirta dhe drejtor shkolle shijakasi Skënder Alite. 

… Kisha mbaruar shkëlqyeshëm mësimet, për të realizuar ëndrrën e bardhë të bëhesha mësues. Katër vitet shkodrane rrodhën,si më të mirat vite adoleshence. U riktheva në këtë shkollë për t’u dhënë dije fëmijëve të bashkëfshatarëve të mi. Gëzimi dhe kënaqësia kishin shkuar në zenit, pasi emocionet e një njomëcaku, shkriheshin një me 16-qershorin e atij viti (kur shkova mësues në Orosh). Kisha mbushur 18-vjeç e që përkonte njëherësh edhe me ditën e diplomimit tim. Koeçidencë e bukur për t’ju gëzuar ditëlindjes. E kush tjetër përveçse vendlindja ime e dashur do t’mi sillte këto kënaqësi?!…

E si për çudi, kjo ditë fillimi si mësues për mua ka edhe një diçka tjetër të veçantë. Më prezantoi me klasën, drejtori Kolë Çunaj, i oxhakut fisnik të Çunajve në Mashtërkorë. Kishte përfunduar studimet pedagogjikase konviktor “Tomkolas”, siç thirrej në atë kohë, streha bujtinë shkdorane. Xhaxhain e tij Preng Nikollë Gjoka (Çuni) e ka patur mësues në vitet e para të pasçlirimit, i diplomuar edhe ai në Shkodër, dhe ishin miq të ngushtë me xhaxhain tim, mësues Nikollë Balojn.
Do të nisja orën e parë të mësimit. Më prini dhe më hapi derën e klasës dhe menjëherë përballë meje u shfaqën nxënësit. Plot nëntëmbëdhjetë ishin. Seicili më i pashëm se tjetri. Shumica e tyre ishin vajza të cilat ishin veshur me kostumet karakteristike shumë ngjyrëshe, ku spikasnin këmishat e bardha si dëbora. Se katundet, ujë gurrash e përrenjsh kishin me bollëk, ndaj pastërtinë, sojniket mirditore e kishin të trashëguara në gen. Për tëvijuar me; xhamadanë ngjyrë vishnje, çemerë “shkruar” me ornamente e tufa të zeza, përparse të qepura bukur, çorape qendisur me lule, opinga e shami të mëndafshta shtrënguar nyje poshtë mjekrës e përmbi gushë. Ndër vajzat padyshim Flora bënte diferencën dhe ngjante taman si personazhi kryesor i filmit indian “Shamikuqia”.

– Ky do të jetë mësuesi juaj!, – zuri fillin e bisedës drejtor Kola, dhe vazhdoi duke ju thënë nxënësve se: – Ju do ta doni shumë mësuesin!…

– Urime më tha!, – dhe më shtrëngoi me përzemërsi dorën dhe më pas u largua.

Mu desh të shfletoja faqen e fundit të regjistrit ku shkruheshin me pak fjalë të dhënat e nxënësësve. Dhe pena u ndal tek një emër: Flora Skana, e bija e Ndoit dhe e Bardhes, e datëlindjes 20 Gusht 1949. Vendlindja Mashtërkorë…, (lexova në heshtje). I thirra emrin dhe si gjithë nxënësit e tjerë, duke u ngritur në këmbë u përgjigj; 
– Këtu o mësues!

– Ulu!, i’a prita unë me dashamirësi.

Ra zilja që sinjalizonte përfundimin e mësimit. Klasat dhe koridoret e shkollës gumëzhinin. Në mes të këtij gumëzhimi dhe paksa edhe çrregulli (i zakonshëm në të tilla raste nëpër shkolla), ndonëse disi e ndrojtur ajo mori guximin të më ndaloi dhe filloi të më flasë.

– O mësues Prenga!, – më tha: – Dita e parë e fillesës suaj si mësues përkon me ditëlinjen time. I’m atë me drejtor Kolën, ju dëshirojnë që edhe ju të jeni prezent, në drekën e ditëlindjes time. Më befasoi. Këtë që më tha i’a shpreha drejtorit, i cili më tha prerazi:

– Do të shkojmë!, dhe vijoi duke më thënë se unë po e gëzoi me një dhuratë modeste, me librin “Lulet e Mollës”, të autorit Xhon Golluthors!
– Bukur e paskeni menduar!, – i’a prita unë. Në çantën time ruajta librin e Llazar Siliçit, me poemën e mësuesit. I’u gëzuam shumë ndejës në sofrën bujare të ditëlindjes së Flora Skanës, njëmbëdhjetë vjeçare. Ndërkohë që vetë Flora nuk përmbahej nga gëzimi. Atë ditë shkëlqente me nurin e saj fëminor dhe i jepte diell odës, ku festohej ditëlindja e njëmbëdhjetë e saj. Nur i cili më rritjen e shtatit do të shndriste bjeshkët.

Retrospektivë…

Flora Skana është lindur, siç e cituam më lart, në Gushtin e vitit 1949, pikërisht në ditën e njëzetë të këtij muaji. Erdhi në jetë, si më i bukuri engjëll i sofrës qiellore të perëndisë. U shndërrua, në atë ditë klithme të parë prej fëmije, si një diell bjeshke, që pasi puthi Malin e Shenjtë bash si një kometë mori turravrapin për ti dhënë diell djepit, që do ta përkundte këtë engjull që me të hedhur shtat u kthye në një yllnajë perlë bukurie!…

E urtë dhe punëtore, si ajo. E dashur me njerëzit dhe mjaft e zgjuar. Me vigjilencë të madhe e ruante të paprekur bukurinë natyrore të saj. Bijë e një prindi të emancipuar, i cili i nxiti edhe dëshirën për shkollim të cilin i’a shpërbleu, pasi u bë ndihmës/mjeke-mami. U shkollua në dy shkolla. E filloi në Shkodër dhe më pas u diplomua në “Jani Minga”, në Vlorë. Kësaj udhe i’u bashkua edhe kushërira e saj, Juljetë me veteranin Zef Skana. Ky oxhak u bë me tre misionar dhe ruajtës së jetëve të njerzëve.

I ati i Florës Ndue Skana, mësues që kishte mbaruar Konviktin e Oroshit, së bashku me misionarin e dijes Ndrecë Ndue Gjoka. Përveç Florës, Ndue Skana u shtua me katër djem e vajzën Ritë. Emrat e fëmjëve i gjeti të goditur, duke filluar me Gjetën (sot në Francë), Bertin që së bashku me nënën Bardhe dhe të jatin Ndue u vendosën në Kamëz. Këtu Ndoi ndërroi edhe jetë, duke lënë në pikëllim familjarët dhe të afrërmit. Njëri vëlla i Florës mban emrin e tim biri, Aleksandër!…
Vetë Flora ishte fatlume, pasi kreu stazhin në qytetin e Rrëshenit, përkrah mjekëve të shquar; Paulin Shqalshi, Pal Deti, Mark Lleshi, Agim Qarri etj. Për pak kohë ajo shërbeu në ambulancën e Grykë-Oroshit. Pa kaluar shumë kohë e sheh veten në qendrën shëndetësore të qytetit të ri të Repsit, ku do të mbulonte përveç qytetit edhe territoret malore të disa fshatrave përrreth, që donin gjunjë të fortë për t’u përshkuar, se i duhej të shkonte shtëpi më shtëpi, madje edhe deri në rrëzë të malit të Munellës. Ajo do tu shërbente edhe klasës punëtore, duke filluar me sondistët, gjeologët, minatorët etj, që përbënin një armatë të madhe në kërkim të bakrit. Pse jo në raste të veçanta u shërbeu edhe të burgosurve të kampit të Spaçit.

Për sa kohë shërbeu në këto anë, ajo shkëlqeu dhe ishte fatlume, pasi shërbeu me Gjergj Bibë Lalën infermierin e hershëm të Bulsharit dhe dr. shkencave dhe specialistin e talentuar Ylli Xhaxhikën, që e patën sjellë në këto anë, si të internuar. Më vonë i shtohet edhe mjekja Marte Pjetri e cila ka sherbyer në Qëndrën Shëndetësore, Reps. E veçanta ishte se ajo kishte moshataret e saj oroshjane (si një rast i rrallë) që ishin shkolluar edhe ato si ndihmës/mjeke, si Dila Baloj, Juljeta Skana, Prena e Age Rexhi, Pashke Prendi, Mrika Vorfi etj. Një skuadër e tërë vajzash që bënë emër në atë kohë, ku padyshim në krye të tyre ishte Flora Skana.

Flora Skana, ishte shumë e përkushtuar, dhe pak kohë vinte gjumë në sy, se i duhej tu përgjigjej trokitjeve të derës së shtëpisë edhe në orët e vona të natës, si në verë ashtu edhe në dimër, se emergjencat mjeksore nuk vijnë asnjëherë duke të paralajmëruar. Ajo me çantën e ndihmës së shpejtë në krah merrte udhët përmes shtigjeve, pyjeve, livadheve, kodrave dhe maleve për të mbërritur sa më shpejt të ishte e mundur tek të sëmurët, ku ato ndodheshin. Atë kurdoherë do ta gjeje me një çantë ngjyrë hiri në krah, ku në njërën anë kishte një kryq të kuq dhe brenda saj stivoste ilaçet, stetoskopin, shiringat e sterilizuara, aparatin e tensionit etj.

“Doktoresha” Miss e Bjeshkëve kishte lindur me prirje të hershme formmi profesional, të cilat me kalimin e viteve i perfeksionoi me shkollimin dhe eksperiencën në punë, aqsa arriti deri aty, saqë nuk i linte gjë mangut mjekut. Ajo falë vullnetit, dhe përkushtimit shkapërceu gardhin e madh të vështirësive dhe paragjykimeve të kohës dhe arriti t’ia dalë mbanë sfidave të saj. Ndaj ka qenë dhe mbetet një përfaqësuese e denjë e atij brezi të lavdishëm, që e ngritën në piedestal shërbimin dhe kujdesin ndaj jetës së njerzve.

E rëndoi së tepërmi dënimi i padrejtë i të vetmit vëlla Nikollit, (të cilin e kam patur nxënës të shkëlqyer). I arsimuar për inxhinier në Tiranë, nga ku solli kulturën emancipuese të kryeqytetit, të cilën ia morën për ters dhe i bënë një gjygj politik, të montuar, të stisur dhe publik në qytetin e Rrëshenit dhe më pas e dënuan. Nuk b’zani dhe u detyrua të kryente dënimin… Ai ndërroi jetë në vitin 2002, duke lënë me plagë në zemër jo vetëm pjestarët e familjes, miqtë dhe të afërmit dhe të gjithë ata që e njohën.

Në vitin 1979, Flora i tha lamtumirë Mirditës…. U largua si nuse. Zgjodhi shokun e saj bashkëudhëtar të jetës, matjanin që punonte në Uzinën e Autotraktorëve. Si dy yje ata shkëlqejnë edhe sot edhe pse kanë mbi supe shumë vite. U gëzohen fëmijëve, nipave, mbesave dhe jetës në metropol. Flora për shumë vite shërbeu me profesionizëm derisa doli në pension, në maternitetin “Niko Glozheni” të Tiranës, duke shkëlqyer si hënëz oroshjane bukurie dhe si specialiste e zonja, që la gjurmë të arta në këtë oaz fillim jete, ku dhjetra, e qindra fëmijë nisin udhën e jetës, me përqafimin e dashurisë dhe kujdesit mjeksor të stafit të këtij materniteti dhe nënave të tyre.

 Janë të shumtë ata fëmijë të lindur në këtë maternitet, nënat dhe familjarët e tyre, që kanë ndjerë ngrohtësinë shpirtërore prej nëne, si dhe përkushtimin dhe profesionalizmin e Flora Skanës, kësaj yllnaje bukurie oroshjane, që për plejadën e saj dhe jo vetëm, ka qenë dhe do të mbetet një figurë pikante perlë bukurie, apo thënë ndyshe, një miss e pashpallur e bjeshkëve. Ndërkohë që, vendlindja e saj Orosh, e ka shpallur “Qytetare Nderi!

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment