Fran Përshqefa, artisti fjalëpak që përcjell traditën kulturore ndër breza

Nga Pirusti News

Intervista e botuar ne revistën “Mirdita” nr. 24.

Fran Përshqefa: Gjatë gjithë punës time kam patur si qëllim krijimin e një bërthame të përhershme artistike në shkollë, për të qenë e gatshme në çdo kohë”

Fran Përshqefa është një ndër talentet e artit dhe muzikës mirditase. Me një karrierë të gjatë artistike, mbaruar shkollën e mirënjohur profesionale të muzikës “Prenk Jakova” në Shkodër, prej 40 vitesh është mësues dhe kontribues i palodhur për artin burimor mirditas, ndërsa aktiviteti i tij është përqëndruar në Fanë. Ndonëse nga natyra është i heshtur e fjalëpak e i vetëkufizuar në Fanë, puna e Franit nuk njihet aq shumë përtej kësaj krahine. Revista “Mirdita” këtë rradhë fokusohet në aktivitetin artistik, një aktivitet mjaft i spikatur, por jo aq shumë i publikuar. Në një intervistë për revistën “Mirdita” z. Fran Përshqefa flet për aktivitetin e tij dhe sukseset e jashtëzakonshme të artistëve të moshave që përgatiten me plot pasion nga ai.

Jeni një muzikant që prej kohësh punoni në Fanë. Ju lutem një përshkrim të shkurtër të profilit artistik?

Jam Fran Përshqefa lindur në fshatin Bisakë, Fanë-Mirditë me 21.05.1959. Kam mbaruar arsimin fillor dhe ate 8 vjeçarë pranë shkollës 8 vjeçare Bisakë, ku ruaj kujtime me shumë konsideratë dhe respekt për mësuesin tim të klasës parë dhe të dytës Z. Zef Mark Gega si dhe mësuesit e tjerë: Preng Ndrec Tuci, Preng Preçi, Pashk Mena, Gjon Lazri, Martine Vorfi, Llesh Frroku, Ndue Gjergj Preçi dhe Zef Bushati. Në vitin 1974 fitova konkursin e muzikës në shkollën artistike “Prenk Jakova” në Shkodër ku dhe fillova studimet, duke i përfunduar ato në Korrik të vitit 1978 në degën mësuesi dhe me instrument muzikor firzarmonikë. Në Gusht 1978 emërohem mësues i lëndëve shoqërore, Histori, Muzikë dhe Edukatë Qytetare në shkollën 8-vjeçare Bisakë. Pas gjashtë muajsh fillova stazhin në minierën e bakrrit Spaç, duke e përfunduar në Gusht 1979. Gjatë kësaj kohe ushtrohesha edhe për studimet e larta nën kujdesin e muzikantit të mirnjohur Dorian Nini, por që për shkak te peripecive të kohës nuk e arrita dot. Kështuqë në gusht 1979 emërohem mësues muzike pranë shkollës 8-vjeçare Klos, ku edhe sot vazhdoj të punoj. Kam punuar në vitin shkollor 1998-99 drejtor në shkollën 8-vjeçare Bisakë si dhe në vitet 2009-2014 drejtor në shkollën 9-vjeçare Konaj.

Sa jeni ndjerë mirë në profesionin e muzikës ne Fanë?

Duke patur rezultate të larta në studimet e mija por edhe pasionin për lëndën e muzikës, ndonse i ri atëherë, e fillova punën duke qenë optimist në projektet e mija. Jam ndjerë mjaft mirë në këtë shkollë për faktin se me mësuesit dhe nxënësit e saj arrita të zhvilloj profesionin tim te muzikës, por edhe sepse në stafin pedagogjik bënte pjesë i nderuari Gjergj Shyti, mësues në ciklin e ulët dhe një muzikant i talentuar i cili punoi për disa vite me plot pasion duke e ngritur nivelin artistik të kësaj shkolle në një nivel shumë të lartë.

Prej kohësh keni përballuar aktivitete të shumta kulturore, sa jeni ndjerë të obliguar pas kësaj pune?

Kam 40 vite që jam i lidhur ngusht me veprimtaritë kulturore-artistike të zhvilluara në Fanë e sidomos në shkollën e mesme të bashkuar ʽʽNdrec N Gjokaʼʼ Klos, ku janë zhvilluar dhjetra e qindra aktivitete të ndryshme duke patur edhe shumë sukses. Gjatë gjithë punës time kam patur si qëllim krijimin e një bërthame të përhershme artistike në shkollë për të qenë e gatshme në çdo kohë. Për këtë kam punuar, për të patur një orkestër popullore me instrumenta të ndryshem si çifteli, sharki, fyell, lodër dhe gjethe. Në shkollën tone ka funksionuar në mënyrë të shkëlqyer grupi i valleve ku një ndihmes të madhe ka dhën edhe mësuesja e ciklit të ulët Dila Biba (Pepkola).

Eshtë ngritur dhe ka funksionuar edhe kori i shkollës ku me ndihmën e instrumentit të firzarmonikës (e cila ka qenë prezente gjithnjë në shkollën tonë për fat të mirë) janë mësuar e shoqëruar me dhjetra këngë sipas tematikave të ndryshme si dhe janë përgaditur shumë solistë si Liza Deda, Davita Nikolli, Mark Marku, Mark Boçi, Nikolin Gjoka, Vera Deda, Flora Zefi, Anxhelina Nikolli (Prenga) Anxhelina Përshqefa (Biba) Tine Tuci, Dava Marku, Liljana Ndoj, Alma Kola, Kristina Gjaci, Manushaqe Lleshi, Eldorina dhe Simon Lleshi, Viola Tuci (Lleshi), Elona Gjoka,Vitore Marku,Valbona dhe Dorina Gega,Valentina Gega, Gjok Gjoka, Agustin Boçi, e shumë të tjerë.

Ju keni një grup artistik të moshave të ndryshme, na flisni pak histori dhe arritje të këtij grupi.

Ka 5 vite që punohet intensivisht në shkollën tonë në zhvillimin e talenteve artistike. E veçanta e këtij grupi është pjesmarrja e moshave të ndryshme nga klasat më të ulta deri në arsimin e mesëm, me qëllimin që të ruhet vazhdimsia e punës artistike ndër breza në formë stafete nga ata që largohen tek pjesa tjetë e grupit që vazhdon e përtërihet çdo vit. E kisha obligim që në këto vite e deri në mbylljen e karrierës time si mësues muzike në këtë shkollë të përgatis një grup solid ku nxënës talent të zhvillohen pa limit. Puna ka nisur në vitin 2014 me moshat e vogla klasa 2-3-4 dhe si fillim në mësimin e instrumentit të çiftelisë (shkolla nuk dispononte asnjë cope atëherë ).

Me kontributin tim personal i ofrova nxënësve 6 copë çifteli. Pas dy vitesh pune numri i instrumentistëve arriti në 18 veta, ndërsa grupi i fylltarëve arriti ne 9 instrumentistë. Kisha nevojë per instrumente të tjera. I kërkova ndihmë shoqatës Shqiptaro-Austriake ʽʽNxënësit ndihmojnë nxënësitʼʼ e cila më ofroj 13 copë çifteli dhe një sharki, ndërsa instrumentat e tjera, një lodër dhe 12 fyej i sigurova vetë për grupin. Me ndihmën e firmës Pashk Ndoja dhe mjeshtrit Artur Gjinaj, sajova një instrument të ri muzikor të pagëzuar me emrin (melo drun) i cili ka shoqëruar gjithnjë repertorin e grupit tonë artistik. Gjej rastin t’i falenderoj për punën e lartë, cilësore dhe artistike që realizuan duke ja dhuruar Fanit dhe Mirditës instumentin më të ri, tinguj nëpërmjet drurit. Krahas zhvillimit instrumental u punua për kërcimin dhe anën vokale duke aktivizuar shumë nxënës si solist dhe grup shoqërues ku shumë nga këngët e bukura të vëna në skenë, janë me tekst të artistit Fran Laska i cili ka qenë kurdoherë i gatshëm për të na ndihmuar.

 Shënoni pjesmarrje moshash, koncerte jashtë Fanit, si jeni pritur dhe vështirësitë?

Si rezultat i kësaj pune grupi artistik ka qenë i aftë të jape shfaqje brenda Fanit por dhe jashtë tij duke u duartrokitur bindshëm nga të pranishmit e shumtë. Janë realizuar disa shfaqje dhe revista televizive kryesisht nga Antena TV me qendër në Shkodër, Report TV, por edhe të interesuar të tjerë, studiues vendas por edhe nga Kosova ku na kanë motivuar në ngritjen cilësore të punës tone artistike. Ky grup përbëhet nga 40 antarë të rregullt, por edhe më shumë në varësi te gamës së aktivitetit. Kemi marrë pjesë dy vitet e fundit në ʽʽFestivalin mbar kombëtar të instrumentistëve të vegjël popullorʼʼ në Fush-Arrëz duke performuar shkëlqyer traditën tonë të bukur mirditore, me ansamblin e çiftelive me pjesmarrjen e 6 lloj instrumenëve duke u përshëndetur mjaft mire nga publiku dhe juria e festivalit.

Sa kontribuese është shkolla apo zyra vendore e arsimit në nxitjen dhe inkurajimin e këtij grupi, që për ne është unik në të gjitha shkollat e Mirdites?

Patjetër që kemi patur vëmendjen, përkrahjen dhe mbështetjen e drejtorisë së shkollës, stafit tonë pedagogjik por dhe të zyrës arsimore Mirditë. Ndonëse shprehem se fondet për organizimin e punëve të tilla mungojnë si nga bashkia dhe ministria e arsimit. Eshtë fakt pasi besoj se për munges fondesh grupi ynë artistik nuk është ftuar akoma në ndonjë shfaqje apo koncert të përbashkët me grupe të tjera shkollash në qytetin e Rreshenit, ndoshta për arsye që jemi edhe shumë por është fat që që jemi shumë, pasi edhe më shumë do bëhemi në të ardhmen, si rezultat i vullnetit që kan nxënësit e kësaj shkolle dhe prindërit e tyre në zhvillimin e artit dhe kultures në zonën e Fanit për të mirën e Mirditës dhe vendit tone të dashur.

A keni program për ruajtjen e këtij grupi dhe si arrini ta ruani lartësinë dhe cilësinë?

Grupi artistik është tashmë një ansambël i arrirë për nga pjesmarrja si dhe puna cilësore që po bëhet në zhvillimin e instrumentistëve,këngëtarëve dhe artistëve të kërcimit ,por kushtet nuk na favorizojn dhe aq pasi antarët janë nga të gjitha fshatrat si Shtrungaj, Bisakë. Klos, Fanë Konaj, Zall-Xhuxhë, Petoq, Gjakez, Xhuxhë dhe Thirrë, duke qenë e vështirë prania e tyre pa mungesa. Kemi menduar mirë për shtrirjen anë e mbanë zonës por provat zhvillohen si në verë dhe në dimër, megjithatë ja kemi dalë falë edhe bashkëpunimit të me prindërit e interesuar.

Nxënësit zhvillohen ditëve të shtuna, të djela dhe kur ato jan të lirë pa cënuar aspak programin mësimor të lëndës së muzikës apo të lëndëve të tjera?.

 Grupit tone i mungojnë sponsorët veprimtari të mëtejshme mungojnë instrumente të tjera, si dhe kostumet kombëtare që shkolla jonë i kishte para viteve 90. Janë zhvilluar mbi 2000 orë pune me nxënësit dhe mësuesi vazhdon të dhuroj për grupin nga financa e tij, ndonëse ka patur edhe persona si Besnik Paci që na ka ndihmuar shumë kur jemi gjendur në vështirësi. Në programin e zhvillimit kemi vazhduar me mësimin e instrumentit te lahutës, instrument që është përdorur vazhdimisht nërdorur vazhdimisht në zonën tone. Gradualisht kemi planifikuar edhe krijimin e grupit të moderuar të çiftelive tempera (me shkallë kromatike) për ngritjen e nivelit të performances interpretuse. Me punën dhe suksesin tonë të arritur themi se jemi tashmë një qendër kulturore vullnetare productive dhe që në të ardhmen mendojmë të shëndërrohemi ndoshta në një shoqatë të mirfilltë kulturore si një synim i joni i kalueshem.

Sëfundmi a keni marrë vlersime dhe çmime?

Po kemi marrë vazhdimisht çmime dhe vlersime për punën tone. Më kujtohet viti 1984 kur në festivalin e 11-të të pionerëve në Rreshen kemi fituar çmimin e dytë me këngën ʽʽZemra më këndonʽʼ kënduar nga Liza Deda (6 vjeçare) me tekst dhe muzikë të Fran Përshqefës. Gjithashtu kemi fituar çmimin e dytë po në 1984 me ansamblin e çiftelive Mirditë, në festivalin kombëtarë të instrumentistëve organizuar në qytetin e Krujës, ku atëherë isha drejtues i atij grupi. Në 2018 në festivalin e Fushë-Arrëzit ne ishim kandidat për çmimin e parë por që morëm çmimin e traditës. Në festivalin e këtij viti po në Fushë-Arrëz, grupi jonë u vlerësua me çmimin e ʽʽshoqërimit instrumentalʼʼdhe një çmim individual për nxënësin talent në çifteli Ardjan Prenga për performancë të shkelqyer instrumentuese.

Falenderoj ju Z. Pjetër Marku për interesimin që treguat me anë të kësaj interviste, duke na dhënë mundësinë e një njohje më të madhe të punës me këtë grup të pashoq në Mirdite, ne saj të revistë Mirdita e njohur tashme brenda dhe jashtë vendit tone për vlerat dhe kontributet e shkëlqyera për Mirditën e më gjërë, në saj edhe të punës cilësore të Z.Aleksandër Ndoja. Falenderoj dhe i uroj suksese të mëtejshme stafit të shoqatës:Akademia e Shkencës, Artit e Letrave Mirdita, ku ju jeni drejtusi i saj. Respekte për punën tuaj.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment