Të “shkretat” nana.!!! Në vend të fejtonit, ngjarje e vërtetë dhe aktuale.

Nga Pirusti News

Rrëfim nga Mark Zefi

Në një krahinë në verilindje të vendit tonë, ndodhet një fshat me rreth 50 shtëpi, ku të gjitha familjet mbajnë të njëjtin mbiemër e natyrisht kanë lidhje fisnore me njëra tjetrën. Që prej shumë kohësh ky “fis-fshat”, është karakterizuar nga aftësi të veçanta për të krijuar pasuri, njerëz shumë puntorë, bukëdhënës dhe burra me emër e të njohur brenda dhe jashtë krahinës së tyre. Mirëpo regjimi komunist sapo zateti këmbët në tokën e kësaj krahine, “zbuloi” shumë armiq të brendshëm, të cilëve pasi ju sekuestroi gjithë pasurinë, i damkosi duke i shpallur kulakë. Njëkohësisht, siç zaten i ujdiste punët ai regjim, krahas kulakëve bani edhe zgjedhjet për interesa te tij, tek një pjesë e atij komuniteti fisnor, në shumë raste individë të së njejtës familje, ku kishte shpallur kulake.

 Këta, të gjetur si gen i pastërt për tu bërë mbështetje e partise, i joshi me të drejtën për t’u arsimuar dhe ushtruar detyra e nëpunësi, duke e ndarë fisin ne dy grupe antagoniste, pro dhe kundër partisë dhe shokut E.H. Në këtë mënyrë ndërsa gjysmën e fisit e la në varfëri, injorancë e vuajtje deri ne tjetërsim, me rreth gjysmën tjetër krijoi kontigjentin që do ti shërbenin regjimit, duke i angazhuar në shërbime te pa ndershme kundër gjakut te tyre, të konsideruar armiku i klasës. Sidoçoftë, ky ishte fshati që mbante me shumë “armiq” të partisë në atë krahinë e ndoshta në tërë Shqipërinë në raport me numrin e banorëve.

 Mbas fitores së PD-s në vitin 1992, duke menduar se nga kjo forcë politike do të fitonin te drejtat dhe liritë njerëzore të mohuara për plot 47 vite, menduan të bëjnë një festë me pjesmarrje të të gjithë kryefamiljarëve, ku do të ishin të mirëseardhur edhe ata të atij grupi që rergjimi që mendohej se ishte përmbysur, i kishte quajtur dhe trajtuar kontigjent të tij. Siç u tha u ba. Një mbrëmje, u mblodhën te gjithë burrat e fisit tek kulla e një të moshuari, ish-kulak. I zoti i shtëpisë mikpritëse, nje burrë rreth të shatëdhjetave, pa shkolle ai dhe femijët e tij, i vuajtur gjatë gjithë periudhës së diktaturës, por shumë simpatìk në marrdhënie me ambjentin shoqëror, hapi festën.

Përshendeti me mirëseardhje të gjithë të pranishmit, tha dy fjalë ashtu siç dinte ai për fitoren e PD-së dhe e mbylli ligjërimin me shprehjen: – Ju shke…..nënat të gjithë komunistëve kudo të jenë. Pjesa e atyre qe i përkisnin familjeve që kishin aderuar në anën e regjimit komunist, u ndjenë të fyer rëndë dhe reaguan me shumë ashpërsi. Debati i ngjiti shkallët nga dy e nga tre njëherësh. Tensioni midis dy grupeve, ndonëse të njëjtit fis, por me qëndrime politike të ndryshme, u ngrit deri ne kufirin e sipërm te limitit. Darka festive u rrezikua të shëndrohej në përleshje fizike. Deshi fati që në atë darkë të ishte i pranishëm edhe njëri prej drejtuesve e kryesorë te rrethit, i zgjedhur nga PD-ja, nip i njërës prej familjeve që i përkiste atyre që ishin fyer nga ajo shprehje pa etike qytetare, nga ana e të moshuarit ish-kulak. Ishte burrë i shkolluar, i shkathët dhe shumë i aftë për të normalizuar situata të ashpërsuara ndërmjet kundërshtarësh. Ndërhyrja e tij, dha efektin e duhur. U qetësuan gjakrat dhe u duk sikur darka u rikthye në hullinë e duhur.

Te pranishëmit u përpoqën ta linin pas atë episod të pakëndshëm, dhe filluan të tregonin ngjarje të shkurtëra nga përpjekjet e tyre për te arritur atë ditë të bardhë, që sipas tyre kishte ardhur demokracia. Kur gjithëçka dukej se po shkonte normalisht, u ngrit për një dolli, një i ri, i cili ishte pranuar në Partine e Punës në fund të vitit 1990, i cili ishte nga pala e atyre që reaguan ndaj fyerjes që pësuan nga fjalët e pa menduara mirë te ish-kulakut. Mbasi shprehu dy tre konsiderata për situatën dhe të ardhmen e fshatit, edhe ky e mbylli ligjërimin me shprehjen :- Une ju shk……nënat të gjithë demokrateve kudo janë, duke mos u kujtuar se nana e drejtuesit të lartë të rrethit, zgjedhur nga PD për këtë detyrë, ishte halla e tij.

Mbas kësaj ligjërate qetësia dhe rregulli avulluan, sikur të mos ekzistonin. Ish kulakët brofën në këmbë njëheresh dhe nuk donin të vazhdonin pa i’a treguar vendin atij që foli në atë mënyrë. Situata, u ba aq shpërthyese sa filluan thirrjet për të dalur në oborr të merrnin vesh komunistët se me cilët kishin të bënin. Nga minuta ne minutë pritej të kërciste huri midis dy grupimeve. Ishte përsëri ndërhyrja e mençur e kryetarit të këshillit të rrethit, që bani të mundur shmangien e atij skandali që për pak sa nuk ndodhi. Mbas shumë përpjekjesh përseri darka filloi të marrë ngjyrat e festës. Të pranishmit filluan të konsumonin pijet dhe pjatat e mbushura me shumë bujari nga i zoti i shtëpisë organizatore. Në atë festë ndodhej edhe një person që nuk kishte lidhje me atë fis, pasi ishte nga një zonë e largët, i ftuar nga një shok i tij veteriner, me të cilin kishin, punuar në epokën e koop. bujqësore. Ishte demokrat i flakët, i njohur për batutat e tij të kripura, por edhe konsumator i rregullt i alkolit.

… Mbasi kishte marrur dozën, i’u tek edhe këtij të ngrinte një dolli. Si mik që ishte i kushtuan vemendjen e duhur për te dëgjuar ato që do ligjëronte. Në mbarim të fjalës së tij, miku i respektuar shprehet:- Partisë Demokratike i uroj suksese të pandalëshme, gjithmonë nën udheheqjen e burrit legjendë që na solli demokracinë, shokut S.B. Një shëndet te veçantë dua te ngrej për gratë dhe nanat tuaja, të cilat rergjimi komunist i shtypi pa mëshirë, por siç po kuptoj nga ju këtu, shtypja ndaj tyre paska për të vazhduar edhe në kohën që vjen.

 Kësaj ligjerate sa tallëse po aq fyese, nuk i rezistuan asnjera nga palët që pak më parë për pak sa nuk u kacafyten midis tyre. I harruan mëritë për çfar kishte ndodhur dhe i’u lëshuan mikut, pa u rezervuar me shprehje te pakontrolluara. Disa syresh lanë karriget dhe ju afruan për ta kapur për krahu, ta flaknin jashtë. E morì përgjegjësinë zotëria që e kishte ftuar, duke i lutur të afermit e tij të vetpërmbaheshin, të mos e shkilnin etikën që kërkonte zakoni ndaj mikut edhe kur ai gabon, veçanërisht kur është i pirë. Kjo lutje i detyroi të zemëruarit të tërhiqeshin, por festa e humbi kuptimin për të qenë e tillë. Ngjarje të tilla ose të përafërta mund të kenë ndodhur kudo, në atë kohë të ngarkuar me eufori e tendencë për revansh.

Nëse do ti përkisnin të shkuarës, mendoj se aspak nuk do të ishte e nevojeshme te publikoheshin. Por proekupim madhor është fakti se të tilla ngjarje janë shëndëruar në kulturë të ditës edhe tani mbas 30 vitesh në të gjitha nyjet e politikës shqipëtare. Shikoni studiot e televizionit, shtypin, fjalorin e politikanëve të çdo niveli dhe rrjetet sociale në momentin që kalojmë. E njëjta prerje me ngjarjen e sipërcituar të 30 viteve më parë në çdo mjedis politik, duke ia servirur publikut si lufte idesh, që për hir të së vërtetës nuk pasqyrojnë asnjë ide.

Ajo që duhet të na proekupojë të gjithëve është fakti se këtë klimë tensioni e llave urrejtje, e ushqejne e mbajnë gjallë të vetëquajturit liderë politikë. Fatkeqësisht, ne si popull jemi përfshirë verbërisht në këtë lojë djallëzore të udhëhequr nga ata prej të cilëve ne shpresojmë progres e mirëqenie, të cilët stimulohen nga parimi:- Perçaj e ndaj popullin në grupe kundërshtare të papajtueshme, që të udhëheqësh lehtë e te vjedhësh pa telashe. Koha për të menduar për vete ka ka kaluar dukshëm. Nëse ndryshojmë ne si qytetarë, është e sigurtë se politika do të vihet në shërbimin tonë. Siç shihen punët deri tani, e paska patur drejt ai demokrati pijanec, mik i ftuar në festë, 30 vite më parë.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment