Një zë mirditas në emisionin sportiv të Radio-Tiranës…Nëpër faqet e revistës “Mirdita” nr. 24

Nga Pirusti News

Nga: Preng BALOJ,  publicist  LEZHË

Erdhi në jetë në 13 Majin e vitit 1966, në oxhakun fisnik Dedaj në Malaj të Mirditës, rrënjët e të cilit prej shekujsh janë vendosur fillimisht në Tjegulla e më pas në Plazhna të Prosekut, që janë pjesë e Malajve që nga mesi i shekullit të kaluar. Gëzimi i asaj dite ishte i madh për të atin Gjon një burrë fisnik dhe bashkëshorten e tij Dilën, zonjë gruaje, ndaj nuk u kursye edhe një e shtënë arme sihariqi, që prishi disi qetësinë e asaj dite. Ishte fëmija i fundit, apo “Taçi” si i thonë. Kishte marrë sharmin e dy prindërve dhe vinte i fundit për nga radha e fëmijëve, duke filluar më Markun, shokun tim të ushtrisë në Vlorë, mjeshtër i çiftelisë dhe me aftësi aktoriale të spikatura, që tërhoqi me talentin e tij vëmendjen e aktorëve dhe këngëtarëve të Teatrit të Vlorës, me interpretimet e roleve të ndryshme në grupin e repartit ushtarak. Më pas motra Gjelë, si një engjëll i rënë nga qielli, për të vijuar me Nikollin dhe Zefin, që së bashku me Martinin, përbëjnë një treshe mjeshtërish të këngës e të instrumentave popullorë kordofonë, të kultivuar ndër breza nga të parët e tyre dhe sidomos nga i jati Gjon, që i binte çiftelisë me të majtën, apo si i thonë ishte “sallaks”.

Të katër vëllezërit me motrën, bash “si veshka në dhjamë” ndonëse u rritën me plot halle e derte, u bënë të hajrit, të shkolluar e të nderuar dhe të respektuar jo vetëm në vendlindjen e tyre por më tej në gjithë Mirditën dhe jo vetëm, ku spikatën për tre cilësi: instrumentistë, këngëtarë dhe sportistë të talentuar. Në sport u dallua Nikolli, që për disa vite u bë pjesë e ekipit të futbollit “Minatori” i Rrëshenit, por dhe Zefi e sidomos Martini, me skuadrën e Malajve përkrah mësuesit të apasionuar dhe mjeshtër i përdorimit të topit Pal Shqalshi. E si për tu mos u mjaftuar me kaq, Nikolli e Martini të apasionuar me krijimtarinë letrare dhe artin. Por asgjë nuk u linte pas edhe Zefi, me humorin e hollë e tepër brilant, batutat dhe krijimet e tij humoristike, për të cilat në jo pak raste u vu në shenjestër pse jo edhe për tu ndëshkuar  para ‘90-të. Për të vijuar me traditën sportive me dy djemtå e motrës nipat e tij, Kastriot e Albert Gjoni, që kanë qenë pjesë e ekipit simpatik të “31 Korrikut”, të Burrelit dhe për ti vënë kapak të florinjtë me djalin e Martinit, Elion, një djalë i urtë e i zgjuar dhe meditues për të ardhmen. Që prej vitesh ai stërvitet me akademinë e futbollit “Besëlidhja”, duke qenë në grupin e më të mirëve të moshës së vet’ dhe pjesë e formacionit bazë, madje së fundmi edhe kapiten i ekipit të moshave “Besëlidhja” U-15. Kjo falë punës plot profesionalizëm të stafit të kësaj akademie, angazhimit të vetë Elios por dhe të Martinit, që për të është si trajner i dytë. Elio gjen kohë dhe e shoqëron babain në studion e transmetimit, por kur një gjë e tillë është e pamundur, e ndjek me kënaqësi zërin brilant të tij përmes valëve të Radio-Tiranës. Ndërsa vetë Martini e pret me padurim momentin kur një ditë do të ketë fatin të transmetojë djalin e tij. E kjo ditë nuk do të jetë e largët… dhe pse jo më e gëzueshmja, në historikun e transmetimve të tij sportive.

Zërin e komentatorit mirditas, kemi vite që e dëgjojmë përmes valëve të Radio-Tiranës në emisionin sportiv: “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, dhe për këtë duhet të ndjehemi krenar për përfaqësimin  dinjitoz të tij, i cili falë aftësive komentuese, ka bërë që, të jetë ndër emrat më të spikatur të këtij emisioni, duke qenë njëherësh në kulmin e shpërthimit si komentator sportiv. Me zërin e tij të kthjellët  e të qartë me sens interpretues, me plot gjetje figurash letrare dhe artikulimin të pastër gjuhësor, ritmik dhe emocional, ç’ka e bëjnë më të këndshëm e joshës përcjelljen e lojës në fushë, në valët e Radio-Tiranës. I ruhet anshmërisë madje edhe kur luan ekipi i tij i zemrës “Vllaznia”. Ndalon shpejt “dhimbjen” e humbjes së ekipit vendas, por nuk e tepron, pasi i jep hakun edhe ekipit mik, kur ai luan mirë dhe fiton…

Në këtë pikë Martini ka fituar personalitet të padiskutueshëm në radhët e kolegëve të tij dhe opinionit sportdashës: për vërtetësi e saktësi fjale; korrektësi e ndershmëri; dhe veçanarisht për art të veçantë në të shprehur. Ka kohë që ka komunikuar dhe komunikon lirshëm, me kulturë njerëzore dhe profesionale me koordinatorët e emisionit sportiv radiofonik dhe më popullor e të dëgjushëm, të Radio-Tiranës “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, si: Ahmet Shqarri, Pirro Ruvina dhe tash së fundmi dhe aktualisht me moderatoren e talentuar Erga Kruja, sa ajo lumturohet kur ja jep linjën Martin Dedajt në Shënkollë. Ai në pak minuta, në mënyrë konçize e me fjalë të zgjedhura të gjuhës sportive, pasqyron momentet më të rëndësishme të lojës, dhe i’a rikthen linjën me fjalën: – Faleminderit!…, për t’ia kërkuar sërish në raste golash apo 11-metërshash, për të qenë sa më koherent me ritmin e lojës dhe përcjelljen e emocioneve të saj tek dëgjuesit e shumtë. Këtë përvojë komunikimi, e ka fituar që në fillesat e tij radiofonike me të madhin Ismet Bellova, për të vijuar me emra të tjerë të mëdhenj të këtij zhanri si; Skifter Këlliqi, Ahmet Shqarri, Veli Rada, Pirro Ruvina, Dëfrim Met’hasani, Moisi Dalipi, Rrok Preçi, Imer Stërniçi, Fatmir Efica,  Bujar Qesja, Agron Kaja, Zef Shtjefni, Pal Toma etj, por edhe nga eksperianca e fituar në televizionin lokal “Lezha tv”, ku ai punoi që në fillesat e këtij televizioni kur drejtohej nga Agostin Cini.

Martini e ruan me fanatizëm një këshillë të vyer nga Ismet Bellova, të cilën e quan si abc-në e transmetimit, që përafërsisht sintetizohet kështu: “Mos u mundo të imitosh njeri. Përpiqu të jesh vetëvehtja. Me sa të kam ndjekur, jeni në udhë të mbarë. Kultivoje me durim dhe pasion, si dhe pasuroje gjithnjë e më shumë, individualitetin tënd në udhën e transmetimeve radiofonike, se do të dalësh i fituar, se nuk është dhe aq e lehtë të transmetosh në radio, pasi kjo punë kërkon njohje të teknikave të lojës dhe rregullave të saj, guxim dhe përqëndrim të jashtëzakonshëm, pa anshmëri dhe ritëm etj, të cilat për mendimin tim,Martini i ka përmbushur mësëmiri.

Komentatori sportiv Martin Dedaj, i përket brezit të këtij zhanri të pas viteve 90-të, që e mbajnë gjallë dhe i japin jetë dy orëve transmetim në Radio-Tirana. Zërat e tyre e padyshim edhe zëri i tij ka vite që është dëgjuar e dëgjohet anë e kënd Shqipërisë nga Vermoshi në Konispol, dhe në hapsirën mbarë shqiptare dhe jo vetëm. Ja pse ne mirditorët duhet të krenohemi, se kemi një zë dinjitoz në valët e Radio-Tiranës. Në vitet e fundit dhe aktualisht i është besuar transmetimi nga fusha sportive e Shënkollit, për të përcjellë ndeshjet e ekipit bregamatës “Shënkolli”, një skuadër e re dhe surprizë e kategorisë së parë në futboll, ndaj së cilës nuk kanë fituar në Shënkoll skuadra me emër si: “Tirana”, “Vllaznia”, “Dinamo” etj.

Martin Dedaj nderohet sot si  komentator sportiv nga ish futbollistë me emër në Lezhë e më gjërë, si dhe nga futbollistë e të rinjë që i japin jetë futbollit lezhjan, dhe është për ta një këshilluesh por dhe promovues i vlerave dhe talentit të tyre në futboll, përmes valëve të Radio-Tiranës.

Të një niveli të jashtëzakonshëm profesional janë; shkrimet, moderimet e aktiviteteve, redaktimet, reportazhet, përshkrimet, profilet dhe analizat e tij në gazetat lokale dhe kombëtare, si dhe portale të ndryshme informative, që i përkasin personazheve, ngjarjeve dhe problematikave të ndryshme gjatë periudhës së angazhimit mediatik prej afro tre dekadash dhe aktualisht. Ndërkohë që prej vitesh profilit të tij mediatik, letrar, kulturor dhe artistik, ai i ka shtuar edhe komentatorin sportiv, ndaj ne mirditorët kemi pse të  krenohemi me këtë zë dinjitoz, në valët e Radio-Tiranës.

MAJ  2019 Revista “mirdita” nr. 24

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment