Prof. Dr. Pal NIKOLLI & Dr. Luan ARAPI, shtrirja territoriale e krahinës së Mirditës dhe organizimi sdministrativ i saj

Nga Pirusti News

Botuar në revistën “Mirdita” nr.24

Krahina e Mirditës: shtrirja gjeografike dhe banorët e saj

Analiza e materialeve arkeologjike, etnologjike e gjuhësore vërteton se Mirdita  ka qenë e banuar që në kohë të lashta dhe se nuk ka pasur ndërprerje banimi. Varret dhe tri sopatat e gjetura në Kodër-Perlat;varret dhe objektet e tjera të gjetura në Bukël në juglindje të Shpalit, në Kodrën e Pazarit-Perlat Qendër, në lagjen Kozaç të Prosekut, në Mërkurth, në Gëziq etj., tregojnë se trualli i Mirditës ka qenë i banuar që në kohën e neolitit (6000-2000 vjet p.e.s.).Burimet materiale na japin të dhëna më të plota për kohën e bronzit, ku zë fill formimi i etnosit Ilir. Në këtë periudhë historike, në territorin e Mirditës ka banuar fisi ilir i Pirustëve ;”… duke filluar nga veriu, vinin Pirustët që banonin krahinat verilindore të Shqipërisë, në Mat dhe Mirditë” . Këtë e vërtetojnë edhe gjetjet arkeologjike të rrënojave të disa furrave të shkrirjes së bakrit në Kodër të Mollës në fshatin Domgjon (në vendin e quajtur Xhacani i Planës), në luginën e Përroit të Zi të këtij fshati etj., dhe ekzistenca e toponimeve të tilla, si: Guri i Farkës në Bardhgjanë të Fanit, Farka e Mollës në Blinisht, Farkë-Kodër në Gëziq etj. Ndërsa, gjetja e një përkrenareje dhe e një heshte hekuri të shek. VI-V p.e.r. në kodrat e Përlatit, tregon për rëndësinë që u kanë kushtuar pirustët elementeve të armatimit. Edhe Nopça, në shkrimet e tij përshkruan një përkrenare bronzi të shek. VI-V p.e.r., si dhe një heshtë hekuri, të gjetur në jug të Qafës së Pazarit, në fushën e Fregnës. Ai informon se në Gomsiqe ka varre romake me tulla . Emërtimi Pirustai  Skirtones, krahas emërtimeve Dokleatai, Albanoi, Taujantioni etj., lokalizohet edhe në hartën e Ptolemeut. Origjinën ilire të banorëve të Mirditës së sotme e tregojnë edhe veshjet.Kështu, kësula me maje që mbajnë burrat në zonën e Spaçit e të Kaçinarit si dhe stravecja që mbajnë sot gratë mirditore, etj.,janë të ngjashme me ato të mbajtura nga ilirët.

Krahina e Mirditës ka qenë një hapësirë strategjike me rëndësi ekonomike dhe e shquar për lidhjet ndërkrahinore në periudhën ilire. Edhe më vonë kjo trevë mbetet e tillë. Në periudhën e mesjetës ajo përshkohej nga rrugët: Lezhë- Mirditë, që vazhdonte për në Prizren, Nish etj. ; Rubik-Kaçinar-Pukë; Rubik-Malaj-Bukël-Lurë etj. Gjetje për mesjetën e hershme vërtetohen në varrezat e Buklit, në Shpal, Malaj, Bukmirë, Prosek, Kaçinar, Përlat i Epër etj., ku kemi të bëjmë me elemente të kulturës së Komanit “një kulturë vendëse me tradita të lashta, e cila flet jo vetëm për një vazhdimësi kulturore, por edhe për një vazhdimësi banimi dhe etnike .Të dhëna për vazhdimësinë e banimit të Mirditës gjatë mesjetës, përveç dëshmive arkeologjike, të cilat janë të shumta , gjejmë edhe në dokumentacionin kishtar (në Mirditë, në mesjetë kishin qendrën e tyre disa kisha të mëdha dhe Abaci, si ajo e Shën Palit dhe Shën Maria de Tërfandena etj.). Nga ky dokumentacion del se Mirdita përfshinte një territor të gjërë dhe bënte pjesë në principatën e Arbërisë (harta 2), e cila i kishte të vetat Oroshin dhe Fanin  deri në shkatërrimin e saj. Madje, principata e Arbrit e shek. XII-XIII-të, kishte në Ndërfanë njerën nga qendrat e saj të rëndësishme . Me vonë krahina e Mirditës bënte pjesë në Dukagjin (harta 3 dhe 3/1), ku përfshiheshin territore të gjëra midis Matit, Lezhës, Fanit e deri në lumin Drin.

Mirdita fillon të dalë me emrin e vet, për të parën herë, në kadastrën venedikase të Shkodrës në fillim të shek. XV . Si emër katundi e krahine, Mirdita gjendet në regjistrat osmanë të sanxhakut  të Dukagjinit të viteve 1533-1536, 1571 dhe 1591 .

Në dokumentet e para osmane, Mirdita e sotme quhet herë Dukagjin, herë Ndërfandena. Kalimi i emrit nga Dukagjin në Mirditë është bërë shkallë-shkallë, madje disi përzieshtas, gjë që tregonte së njësia e krahinës ekzistonte .

Në shek. XVI-XVII emërvendi Mirditë shtrihej vetëm në trevën Orosh e Kodër Spaç. Ky fakt vihet re edhe në shënimet e M. Bicit, P. Budit, M. Skurës, F. Bolices, B. Orsinit, P. Bogdanit, Sh. Gasprit, T. Ippenit, Prend Doçit, Dom Prend Sulit, Gaspër Jakovës, F. Nopçës etj., ku përmendet se burimi i emrit Mirditë është në grykë të Oroshit . Me vonë, emri “Mirditë” iu dha gjithë krahinës, ndoshta për arsye të rolit historiko-social e shpirtëror të Abacisë së Oroshit .

Në shek. XIX- fillimi i shek. XX, Mirdita shfaqet si një bashkim i 12 njësive (bajrakëve), ku secila prej tyre kishte emër e kufij të trojeve përkatëse të përcaktuara mjaft qartë. Në këtë periudhë, 12 bajrakët e Mirditës kanë qenë: Oroshi, Spaçi, Kushneni, Kthella, Selita, Rraza, Fandi, Dibrri, Kryezezi, Vela, Bulgeri, Manatia.

Bashkimi i dymbëdhjetë bajrakëve të Mirditës është i ngjashëm me një shtet autonom, ku, si e thotë Gj. Fishta, “hapësira në të cilën duhet studjuar qëndrimi i vërtetë i shqiptarëve ndaj vendit e shoqërisë civile është bajraku, ose më tej, konfederata e disa bajrakëve sikurse është në Mirditë.”

Shtrirja gjeografike e Mirditës është dhënë nga shumë studiues. ‘‘Sipas të dhënave të popullsisë dhe gjithashtu sipas territorit të saj, Mirdita ka qenë pjesa më e madhe e Shqipërisë së Veriut. Ajo shtrihej nga Zadrima në perëndim, deri në malet e Dibrës në lindje; midis Pukës ose Dukagjinit të vjetër në veri dhe deri në viset matjane në jug ’’. Në fillim të shek. XIX, Mirdita shënohet nga Tirana në Lezhë; midis Prizrenit, Drinit, Shkodrës, Lezhës, Krujës, Tiranës dhe luginës së Dibrës ; 35 milje nga veriu në jug, Pukë-Mat dhe 40 milje nga lindja në perendim, Dibër-Zadrimë . Në vitet 60 – 70 të shek. XIX-të, krahina e Mirditës kishte një sipërfaqe  rreth 1715 km2.

          Krahina etnografike e Mirditës dhe kufijtë e saj

Me krahinë etnografike kuptohet një njësi ekonomiko-shoqërore e formuar historikisht, me jetë  ekonomike, territor, drejtim politik etj., të veçanta nga njësitë e tjera. Ajo ka një bazë etnike të përbashkët, si rrjedhojë e kushteve specifike të jetës,  marrëdhënieve të veçanta ekonomike – shoqërore, fateve të veçanta historike etj.; por ka dhe nuanca të lehta gjuhësore, ndryshime të vogla traditash kulturore, etj . Në vendin tonë gjatë shekujve janë formuar mjaft krahina etnografike, disa prej të cilave rrojnë edhe sot. Ato, me ndryshimin e kushteve, kanë evoluar; disa janë zhvilluar në një shkallë më të lartë duke formuar krahina më të mëdha si p.sh.Mirdita e cila nisi nga tre bajraket e fisit dhe u bë një krahinë e madhe etnografike me 12 bajrakë, e disa të tjera u zvogëluan si p.sh. Dukagjini që gjatë rrjedhës së shekujve u nda në krahina më të vogla që sot paraqiten të veçanta si Luma, Hasi, Berisha, Mërturi, etj. Këto ndryshime, kanë qenë një proces i gjatë historik. Megjithëse sot, trojet tona, paraqiten si një njësi etnike e ngritur në shkallë kombëtare, prap se prap, në traditë kanë mbetur dhe kujtohen krahinat paraardhëse të zhvillimit kombëtar.

Nga pikpamja historiko-etnografike, njihet vetëm një nënndarje e madhe: ”Gegni” dhe “Toskëni”  të cilat gëzuan për një periudhë historike, jetë ekonomike, territor, ndërgjegje, drejtim politik etj., të veçanta, që u shprehën edhe në të folurën, traditat kulturore dhe emra të veçantë. Këto dy nëndarje quhen grupe krahinash dhe jo krahina etnografike. Ndahen ndërmjet tyre nga lumi Shkumbin, por ka edhe popullsi që banon në veri të Shkumbinit dhe e mban veten për tosk (p. sh. disa fshatra në breg të djathtë të Shkumbinit, në fushën e Kavajës) e popullsi që banon në jug të Shkumbinit që e mban veten për Gegë (p.sh. Mokrra) .

Baza e vjetër territoriale e Arbërisë përputhet thuajse plotësisht me bazën e Gegnise dhe shtrihet nga Shkumbini në jug deri tek Dioçeza e Pultit mbi malet e Pukës në Veri, duke përfshirë dhe Ndërfandë e Fandin e Mirditës. Territori i Mirditës në mesjetë bëntë pjesë në Arbni dhe në Dukagjin kur principata e Arbnit humbi viset ndërmjet Matit e Drinit të cilat formuan principatën e Dukagjinëve. Krahina e Dukagjinit ka pësuar ndryshime të mëdha në shtrirje territoriale dhe në grupe njerëzish, aq sa është shumë e vështirë përcaktimi i përkatësisë territoriale të saj. Emri Dukagjin ka gjasa të rrjedhë nga Duka i mesjetës Gjin Tanushi (1281). Nga emri dhe titulli u bë emër familjeje dhe nga kjo u bë emër i krahinës që zotëronte ajo .

Mirdita si krahinë etnografike ka ardhur duke u zgjeruar nga koha në kohë. Në mesjetë ajo del si një krahinë e vogël rreth Malit të Shenjtë të Oroshit. Në fund të shek. XVIIajo përmblidhte “tre bajrakët e fisit” (Orosh, Spaç, Kuzhne).Më vonë iu bashkuan: bajraku i Fanit që varej nga Prizreni (rreth vitit 1772); bajraku i Dibrrit që quhej ndryshe edhe Zadrima e Epërme dhe që shkonte më parë me Lezhën (1810); bajrakët e Kthellës, Selitës dhe Rrazës (rreth vitit 1820) dhe bajrakët e Bulgërir, Velës, Kryeziut dhe Manatisë (rreth vitit 1830). Kështu, në mesin e shek XIX-të, Mirdita si krahinë etnografike u bë me dymbëdhjetë bajrakë, të cilët ishin (harta6):

Oroshi me fshatrat: Orosh; Grykë-Orosh me lagjet Bulshar e Lgji;Nënshejt; Lajthizë; Mashtërkor me lagjet Shmri, Zajzë e Lagje. Të dalë nga Oroshi janë: Ndërfana (lagje e Ndërfushës), Shpërdhaza e Munega (të dyja lagje të Simonit), Bukmira, Qurkezi i Poshtëm, Qurkezi e Epërm e Livadhëza dhe Ceka. Në Ndërfushas, Shpërdhezë dhe Munegë ka të ardhur nga Kuzhneni.

Kuzhneni me fshatrat: Kuzhnen, Gëziq, Ndërfandi, Simon, Pshqesh, Blinisht, Gjegjan, Kullaxhi.

Spaçi, me fshatrat: Kodër-Spaç, Gurth, Mesul, Gomsiqe, Mnelë, Rrasi i Egër, Kalivarja, Kimza, Mushta, Mesuli, Domi, Shkoza, Bregu, Lumi i Zi, Tuç e Lumbardhë, Arsti, Lumardhi, Kryeziu, Qafa e Malit, Rras i Egër, Gjegjan, Gojan i Vogël, Gojan i Epër (Mesul), Fushë-Arrëz, Lajthizë. Të dalë nga Spaçi janë: Laçi (afër Vaut të Dejës), Gomsiqja e Mnela. Në Laç ka të ardhur edhe nga Dibrri. Administrativisht, sot varen nga Mirdita, vetëm Kodër-Spaçi dhe Gurth-Spaçi. 

Fani me fshatrat: Bisakë, Konaj, Klos, Mollkuqe, Shëngjin, Sang, Xhuxhë, Domgjon, Zall-Xhuxhë, Hebe; Thirra dhe Serriqja kanë qenë lagje të Xhuxhës. Ato kanë dalë si fshatra në vete mbas çlirimit (1944). Klosi ka qenë lagje e Bisakës, ndërsa Hebja e Domgjonit. Administrativisht, Fani që nga 1949, varej Kukësi, por më 1976 ka kaluar me Mirditën.

Dibrri me fshatrat: Vig, Korthpule, Kalivaç, Kashnjet, Sukaxhi e Gjazuj, Rras i Butë, Ungrei, Fregën, Kalor, Vrithë, Shëngjergj, Arrzë, Kaçinar e Kastër. Administrativisht sot, pjesa më e madhe e Dibrrit i përket Lezhës, Kaçinari i përket Mirditës, Kastra e Vigu i përkasin Shkodrës, ndërsa Kërthpula dhe Vrithi i përkasin Pukës.

Selita me fshatrat: Kurbnesh, Lëkundë, Bozhiq, Lufaj, Zajs, Gjoçaj, Mërkurth, Kumbull, Lam i Madh. Marrëdhëniet familjare i kanë patur me Kthellë e Fan. Aktualisht, Selita i përket Mirditës, me përjashtim të fshatrave Gjoçaj e Lam i Madh, që i përkasin Matit.

Kthella me fshatrat: Fushë-Lumthi, Kodër-Rrëshen, Prosek, Ujështrezë, Lurth, Përlat, Malaj, Kthellë e Epërme, Tarazh, Sheshaj, Shebe, Tenë. Sot, Kthella i përket Mirditës.

Rranza me fshatrat: Baze, Shtog, (Bushkash), Sanxhak, Kokërdhok, Stojan, Urakë, Germa, Karicë e Burrel. Banorët e Rranzës kanë ardhur pjesërisht nga Hoti (Shkodër) dhe pjesërisht nga Ohri. Myslimanizimi i fshatrave Germa, Karicë e Burrel ka qenë bërë shkak që këto fshatra të kishin lidhje më shumë me krahinën e Matit. Mbas çlirimit e deri më 1949, Rrazna varej ngaMirdita. Më 1949 është përfshirë në njësinë administrative të Matit.

Kryezezi është njera prej katër krahinave të Malësisë së Lezhës. Përfshin fshatrat: Munaz, Vau Shkjez, Katund i Vjetër, Lalm-Lukaj, Rreth i Epërm. Banorët e Kryezezit janë të ardhur nga Kryezezi i Pukës. Në fillim u vendosën në Vel të vendit, prej andej kaluan në Katund të Vjetër, prej nga u shpërngulen në vendin që kanë sot.

Vela me fshatrat: Velë e Vendit, Rraja e Velës, Kaçinar, Patalej. Administratisht, me përjashtim të Rrajës së Velës, që varet nga Mirdita, pjesa tjetër varet nga Lezha.

Bulgri me qytetin e Rubikut dhe fshatrat: Fang, Rrasfik, Fierzë, Berzan, Prull, që më parë konsideroheshin si lagje të Bulgrit. Pesë fiset e Bulgrit janë të ardhur: “i Dodi prej Mirdite (Orosh), i Firzaku prej Mirdite, i Trashi prej Puke, i Malshi prej Malit të Zi, i Trumshi prej Zadrime”. Administrativisht, vetëm Bërzanë e Prrull  varen nga Lezha, të tjerat varen ngaMirdita.

Manatia me fshatrat Manati, Grykë, Tresh e Spitën. Administrativisht, sot Manatia varet nga Lezha.

Të 12 bajrakët e Mirditës paraqesin një njësi të qëndrueshme dokesh, e cila bie në sy menjëherë në veshje, dasma, festa, të folme, në mënyrën e jetesës, orendi shtëpiake e banesa dhe tipare të shprehura në Kanunin e Maleve .

Në Mirditë përveç emërtimit “Bajrakët e Mirditës”, janë përdorur edhe emërtimet: “Tre bajrakët e Fisit ”, “Pesë Bajrakët e Mirditës ”, “Tre Bajrakët e Thkellës”, “Katër Bajrakët e Lezhës ”.

Tre Bajrakët e Kthellës, para se të bashkoheshin me Mirditën, lidheshin herë me Mirditën, herë me Matin e herë me Krujën. Në vija të përgjithëshme mund te thuhet se katër Bajraktarët e Lezhës dhe tre Bajraktarët e Kthellës, megjithë lidhjet e ngushta që kanë me Mirditën, ruajnë disa tipare të veçanta, që i dallojnë nga pesë Bajrakët e Mirditës (Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, Fani dhe Dibrri).

Si bashkim 12 bajrakësh, Mirdita shtrihet në Jug-Lindje të Shkodrës dhe Vau i Dejës shënon cepin VP të saj. Që andej, kufiri me Shkodër e Lezhë ndjek kreshtën e vargmaleve drejt Jugut nëpër Shitë, Kreshtë, Velë Molung deri sa arrin në Trodhen, e cila e ndan nga Kruja dhe është skaji J.P i Mirditës. Nga Trodhna vijon kufiri me Mat dhe kthehet për në Veri, duke zbritur gjatë zallit të Karicës, ku derdhet Uraka në Mat, nëpër Zallin e Gjoçajve del në livadhin e Pelave në kufi me Dibër, qëështë skaji JL i Mirditës. Prej andej, kufiri me Dibër vijon kreshtave të maleve drejt Veriut, duke kaluar nëpër majën e Kunorës, zbret në Qafë të Mërkurthit, pastaj ngjitet në Frash e në Gur të Kuq dhe duke përfshirë katundin Lajthizë të Oroshit, ngjitet në majë të Zepës ku ndanë me Lumë e zbret në Qafë të Kumbullës që është cepi VL i Mirditës. Nga Qafa e Kumbullës nis kufiri me Pukë e vijon drejt VP e del në Qafë të Malit, që është pika më veriore e Mirditës. Nga Qafa e Malit, kufiri me Pukë zbret në rrjedhën e sipërme të Fanit të Madh, deri në Lum – Shtyllë, pastaj ngjitet në Sukën e Zezë, kalon nëpër Majën e Thatë mbi Livadh Kabash, ku merr drejtim J.P dhe duke lënë malin e Tërbunit në anën e Pukës, pak pa arritur në fushën e Qershisë, del në Ndërmjetës. Prej Ndërmjetësi, duke kaluar nëpër Gomsiqen e Vogël e të Poshtëme bienë katundin Mëdhue e zbret në lumin Drin

Nga dokumentat bizantine më parë dhe ato sllave me vonë, del se deri ne shek. XII-të tokat në të cilat shtrihet sot krahina e Mirditës, përfshiheshin në principatën e Arbrit ; më vonëMirdita ishte pjesë e principatës së Dukagjinit. Në vitin 1431 Mirdita, së bashku me gjithë krahinat e veriut, bënte pjesë në zonat e panënshtruara ende nga Turqit.

Në fillim të shek. XVI Mirdita ishte në ato të pakta toka të Shqipërisë që nuk ishin përfshirë në ndonjë sanxhak . Vetëm në shek. XVII ajo u përfshi në sanxhakun e Dukagjinit në të cilin nuk ishte vendosur ende regjimi i timareve. Dukagjini ishte i vetmi sanxhak i Rumelisë pa spahinj dhe pa sanxhakbej të vetët.

Në periudhën e mëvonshme si një lidhje e fortë politike dalin tri vëllazëritë e Mirditës: Oroshi, Spaçi e Kuzhneni. Këto në sajë të rezistencës së tyre gëzuan liri të plotë pa asnjë detyrim kundrejt pushtuesit. Që të shpëtonin nga detyrimet turke dhe të gëzonin lirinë e tyre, iu mbështetën Mirditës Fani e Dibrri, më vonë tre bajrakët e Thkellës (ose siç quhen ndryshe të Ohrit) dhe nga fundi i shek. XIX edhe katër bajrakët e Lezhës.

Krahas lidhjeve etnografike e politike, duhen pasur parasysh edhe lidhjet kishtare, që pasqyrojnë lidhje të periudhës paraturke. Në një relacion të shkruar para vitit 1630 në të cilin jepet pasqyra e vendeve shqiptare që nuk i janë nënshtruar sundimit turk thuhet: Dioçezi i Arbërisë ka: Ndërfandën, Fanin e Vogël, Mirditën, Bulgërin, Kthellën, Selitën me shumë fise të tjera dhe vende që ne nuk i njohim, ku mund të jenë më shumë se tre mijë shtëpi.Sipas F.Nolit, Peshkopata e Arbënit përmblidhte krahinat e Matit, Mirditës (Ndërfandinë) dhe Tiranën. Nga kjo paraqitje tepër e shkurtër e historisë së lidhjeve politike dhe kishtare të krahinës së Mirditës,shihet qartëse, si në periudhën paraturke ashtu edhe gjatë principatës së Kastriotëve, kjo krahinë lidhej me krahinat e pjesës qëndrore të Shqipërisë së veriut më fort se me ato të pjesës veriore.

          Në gjysmën e dytë të shek. XVIII, në viset shqiptare u përmbys sistemi i vjetër administrativ i ejaleteve. Vendin e tyre e zunë pashallëqet të cilat u ndërtuan mbi parimet centraliste .

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment