Varri shekullor i OLEGO-s ne Malaj!…Nga Gjergj Marku

Nga Pirusti News

(MALAJ. Kur ngjitesh përsipër fshatit Malaj, njërit prej 16 fshatrave të bashkisë së Rrëshenit, në kodrën që duket se e ndan si me një kurriz breshke fshatin në dy pjesë, bie në sy një varr interesant, a më saktë të thuhet, kryqi ornamental që i rri mbi krye, i stilizuar hijshëm mbi një gur të bardhë. Vitet kanë bërë punën e tyre, por shenja dalluese e varrit u ka rezistuar stoikisht moteve, madje edhe dhunës që është ushtruar mbi të, atë kohë kur kishte filluar “lufta ndaj kryqeve” dhe çdo simboli fetar mbi faqe të “dheut”; në kisha, xhami a tjetër vend të shenjtë, madje deri tek varret. Të moshuarit dëshmojnë se mbi këtë kryq është përdorur edhe çekiqi i rëndë, por dhe levat e litarët prej çeliku lidhur nga pas me makina tip zis të kooperativës, por kryqi është treguar tepër “kryeneç” dhe nuk ka lëvizur prej andej, për të na dëshmuar si histori ndërtimesh në ditët e sotme. 

Më të vjetrit e fshatit Malaj thonë se ai kryq mund të ketë më se 100 vite aty dhe se i përket një zanatliu për ndërtimin e kullave në këtë fshat, por dhe më gjerë në fshatrat e tjera të Mirditës a gjetkë në veri të vendit.

Quhej Olego Mitre dhe vinte prej Llukovës së Dibrës, vend nga viset e Gollobordës. Kishte dhe dy vëllezër ustallarë të gurit, Simoni dhe Kosta. Të tre vëllezërit ndërtues, pasion i banorëve llukovarë, thuajse tërë jetën e tyre e kanë kaluar në këto anë duke ndërtuar shtëpi dhe kryesisht kulla karakteristike gati-gati fortifikata. Duhet të ketë vdekur aty nga vitet 1921, por mbishkrimi nuk duket tek kryqi, pasi copëzat janë thyer dhe është vështirë të lexohet, ndërsa emri shikohet që është i shkruar në sllavisht. Varri duhet të jetë punuar nga dy vëllezërit e tjerë të Olegos, me të cilët punonte dhe jetonte këtyre maleve.

Por fshatarët e Malajve i kishin vënë një emër të tyrin “Mark Ustaj”, dhe varrin sot e asaj dite e thërrasin si të tillë. Ai u varros aty ndanë varreve të fshatit, si kristian që ishte në fe, por është e çuditshme se në njëfarë mënyre qëndroi si i vetmuar, madje edhe kur varrezat u rrethuan para tri a katër vitesh.

Historinë e këtij varri të mistershëm, por që bart në vetvtete një histori interesante ndërtimesh të një zone karkateristike si ajo e Gollobordës, bijtë e të cilës lanë emrin dhe ustallëkun e tyre nëpër bujtinat e veriut të Shqipërisë, na e sjell inxhinieri urbanist, që merret dhe me studime të kësaj fushe, por dhe poezinë, Dod Pjetraj:

Sa vite ka ai varr i veçuar tek varrezat e fshatit Malaj?

Duhet të jetë ndërtuar aty nga viti 1921, kur dhe vdiç ndërtuesi i mirënjohur i këtyre anëve, Olego Mitre, i ardhur bashkë me tre vëllezër të tjerë nga Llukova e Gollobordës së Dibrës së Madhe, ashtu si dhe dhjetra të tjerë, që kishin derdhur mundin dhe talentin në sa e sa ndërtime në tërë viset e Shqipërisë së Epërme. Kur vdiç mjeshtri i përmendur në këto anë, u varros me të tëra nderimet dhe ritet e këtyre anëve, por jashtë varrezave të fshatit. Varri, që duket i veçuar, është një varr monumental. Olego Mitre, ky zanatli i shquar i gurit, në këto anë është thërritur nga banorët vendës me emrin e mirditizuar “Mark Ustaj”.

Kur gëzonte kaq respekt në fshat, pse u varros në një vend të veçuar nga varrezat e fshatit?

Po ta vini re fshati e ka varrosur jo në fund të varrezave apo shumë larg tyre, por dikund në një kodër, sipër varrezave 4-5 metra larg tyre, pikë dominuese, që kundrohet që prej larg, dhe ky është një nderim. Nuk mund të varrosej brenda varreve, pasi në traditën katolike në varrezat e fshatit varroseshin ata njerëz që ishin pagëzuar në këtë dioqezë, ndërsa Olego, jo pse thjeshtë nuk ishte banor i këtij fshati, porse ai ishte i besimit ortodoks dhe natyrisht u varros jashtë varreve.

Me shkatërrimin e kishave, u bë dhe lufta ndaj kryqeve?

Po, madje varrezat e Malajve, që ishin më të veçantat, thuajse të tëra varret, të fëmijëve apo të moshuarve që vdisnin, ishin ornamentuar me kryqe të tilla karakteristik nga Olego kryesisht, ndaj kjo varrezë kishte rënë në sy të iniciuesve të shkatërrimit të kishave dhe institucioneve të tjera fetare. I pari që u vu në “thertore” ishte kryqi i “Mark Ustajt”. Leva dhe çekiqë të rëndë u përdorën mbi të për ta shkulur prej andej, madje u lidhën dhe me kavo çeliku pas zisave të kooperativës, qe e pamundur, mbase për pamundësi, por edhe pse u zbrapsen para monumentalitetit të tij.

Olego Mitre dhe ndërtuesit e tjerë llukovarë sollën një stil modern ndërtimi për kohën në këto anë?

Po, sigurisht, ata sollën një traditë të ndërtuari në kuadraturë, me gur të gdhendur si dhe një traditë të ndërtuari në kufijtë e mbrojtjes, siç ishte rasti i gurëve të derës me vrimë për hedhjen e ujit të nxehtë ndaj atyre që donin të hynin vjedhurazi ose i sheshemave me konsula, të cilat janë ndërtime fortifikata. Llukovarët e djeshëm (gollobordasit e sotëm) e revolucionarizuan në një farë mase ndërtimin. Psh, kishte raste, që kur fillonte ndërtimi i një shtëpie a kulle, sido të dilte trualli, nuk ndërrohej. Për ta bërë efikas truallin ata arritën të ndërtojnë themele mbi dru, sepse druri i zhytur në ujë jeton me mijëra vjet. Dhe si i tillë ata mjeshtëra të mëdhenj që para qindra vitesh kanë hequr edhe problemet e ujrave që buronin nëpër trojet e ndërtimit të kullave apo bujtinave të tjera.

Kemi dëgjuar për ndërtime interesante, ku si mjet lidhjeje i gurëve përdorej llaçi i bërë me lesh dhe vezë, llukovarët e sollën?

Ka qenë një traditë shumë e veçantë ndërtimi që e sollën këta mjeshtëra të mëdhenj. Llaçet e punuara në mënyra speciale me lesh dhe vezë, e bënin gëlqeren të fuqishme, antihidrike që nuk thithte ujëra dhe kështu kullat fortësoheshin së tepërmi. Nga ana tjetër ka patur dhe metoda të mira termoizolimi kundra zjarreve. Këtë e kemi ndeshur në kullat e Lajthizës të Oroshit apo gjetkë. Mbi trarët e shtëpisë në nivelin e çatisë, para se të vihej ajo, hidhej 20-25 cm gëlqere e shuar, e cila kalonte pastaj në të pashuar dhe termoizolonte çdo gjë; mund të digjej çatia, por njerëzit brenda shpëtonin. Kjo është e reja e madhe që e solli këndej grupi projektues dhe ndërtues i Olego Mitros.

Bie në sy guri me të cilin është punuar kryqi i varrit të Olegos, ç’lloj është?

Është gur gëlqeror i thellësisë. Ky gur tipik është marrë në Malaj Epër, dikund nga Vjollza ose magmës së Blinishtit, ku gjinden gurë tejet të fortë të thellësive, që tentojnë drejt mermereve. Pasi është gdhendur kryqi që shihet, është tërhequr me saj (slitë që tërhiqej me një pendë qe), dhe është vendosur mbi një bazament bazalti kafe në të errët, i cili edhe sot e asaj dite nuk ka probleme dhe do të rrojë qindra vjet.

Vihet re se ka një kontrast mes varreve të reja që rëndom tani bëhen deri në majë të maleve me harxhe të shumta, ndërsa ato të vjetrat janë shumë të thjeshta dhe domethënëse?

Është shumë e vërtetë dhe kjo duket dhe këtu me varret e stërmëdha, ndërsa janë hedhur m’atanë kryqet e vjetra, kur në fakt duhej grupuar kjo pjesë varresh për t’i patur dhe si një lloj historie ndërtimesh shumë cilësore. 

Në stilizimet e vjetra duket qartë dora e stilit bizantin, i hapur kapitel, gjë që shihet tek forma e luleve. Kjo gjë ka vijuar dhe në disa fshatra të tjerë, apo dhe tek kishat si ajo e Malajve, ku ka patur një qemer monumental brilant, por që fatkeqësisht kisha u shemb nga tërmetet.

Nga vinte kjo kulturë, apo qe prej motesh e trashëguar aty?

Olego Mitre dhe grupi i tij, edhe pse autodidakt, por të “bredhur” gjithandej në ndërtime, e ka kuptuar dhe i ka qëndruar linjës së historisë së ndërtimeve kristiane të këtyre anëve, sidomos tek kryqet e varreve. Personalisht mbroj një ide se vetë zona rrotull kishës (në fjalorin enciklopedik thuhet se është e shekullit të dytë para Krishtit, do të thoja se duhet shtyrë shumë më parë), sepse jo larg varrezave të Malajve ndodhet një arë që quhet “Ara Shnadiell”, aty ka patur vende banimi, në të cilat adhurohej dielli, pra vetë banimi, qytetërimi i atyshëm, ka patur një shtresë paleokristiane, dhe pastaj janë mbivendosur shtresa kristiane dhe më vonë bizantine, romane e me rradhë….)

Gjergj Marku

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment