Si u rezistoi Martja e Përvizëve presioneve për të mos u martuar me Bib Frrok Gjomarkun, dënuar me 101 vite burg

Nga Pirusti News

Histori njerëzore, rrëfyer nga Preng Bib Gjomarku.

Nga: Aleksandër NDOJA

Janë shkruar qindra shkrime për derën kapidanore të Mirditës me ndikim në të gjithë jetën politike të vendit, derën e Gjomarkajve. Janë marrë me të drejtë me emrat e mëdhenj të kësaj dere, dhe mirë kanë bërë. Por kjo nuk ka pse të “eklipsojë” histori e ngjarje të rralla, që veç në një derë të tillë mund t’i ketë në pronësinë historike.

Ndër shumë emra të kësaj dinastie është edhe emri i një vajze, bijë e derës së mirënjohur të Pervizit të Kurbinit, por që nuk theu besën e të babait të pushkatuar, për tu bërë nuse e një pinjolli të gjomarkajve, asokohe i dënuar me 101 vite burgim nga diktatura komuniste, përmes firmave të kriminelëve çelajve, gjatëve e co.

Bëhet fjalë për Marten, e njohur si gruaja e Bib Frrok Gjomarkut, një grua e rrallë historia e së cilës mund të ishte lëndë e parë për filma e dokumentarë pa fund, pasi me me guximin e një dere të fisme si ajo e Përvizëve të Kurbinit, prishi në mes “marrëveshjen” e dy vejushave, nënës së saj dhe vjehrrës së ardhshme, burrat e të cilave ishin vrarë nga komunistët, në fillimet e vendosjes së diktaturës.

Asokohe, pra në mesin e vitit 1947, Martja e bija e Zef Gjok Pjetrit (Përvizi) me guximin e një 23 vjeçareje të kamun, pas asnjë dilemë u tha në bisedë nënës së saj dhe vjerrës së ardhshme, se unë nuk kam për ta thyer besën e babës së vrarë i cili me ndërhyrjen e nipit të tij, Mark Gjon Markut, ishte vendosur të ishte nusja e Bib Frrok Gjomarkut. Nëse kohët do ishin ndryshe, unë do të isha nuse në derë princore, e sot që kohët kanë ndryshuar, unë prap se prap do jem nuse në atë derë, për sa kohë ai të jetë i gjallë, edhe pse burri im i ardhshëm, është dënuar me 101 vite burgim. Kjo shuajti çdo dilemë për dy krushkat Davën e Zef Gjok Pjetër Përvizit dhe Mara e Frrok Dod LLeshit.

Po cila është kronologjia e kësaj ngjarje të rrallë???

I dënuari me 101 vite burg i kësaj historie, Bib Frrok Gjomarku më herët kishte kaluar përmes një shkollimi solid me fillesë në konviktin e Oroshit, më tej në shkollën Normale të Shkodrës i cila ishte hapur me 27 mars të vitit 1917, shkollë në organizoheshin edhe kurse pedagogjike ku përgatiteshin mësuesit e parë për fshatrat e Shkodrës dhe Krujës. Rezultatet e larta në mësime i krijuan kushtet për të ndjekur universitetin për inxhinieri ushtarake në Firenze, Itali, ndërkohë “part-time jep provime dhe merr me sukses edhe juridikun,  në po atë universitet. I plotësuar me dy diploma, pas asnjë mëdyshje niset për në Shqipëri, ndonëse shenjat ishin të plota se situate kishte ndryshuar. Me të mbërritur në Mirditë në vitin 1945, i bashkohet çetave antikomuniste nën komandën e Mark Gjon Markut. Historia e kësaj çete është e njohur në disa këndvështrime, ndërsa pas vrasjes së Mark Gjon Markut, djali i parë i Gjon Marka Gjonit  me 13 Qershor te vitit 1946 në moshën 33 vjeçare, Bib Frrok Gjomarku arrestohet dhe çohet në burgun famkeq te Shkodrës. Pas torturash çnjerëzore trupi gjykues me kërkesën e prokurorit Arianit Çela e dënon me pushkatim, por në gjykimin vijues në gjykatën e Apelit, dënimi me pushkatim i zbret në 101 vite burg.

Si i kujton ngjarjet e rrëfyera prej prindërve Prenga, djali i Bib Frrok Gjomarkut!?

Prenga, një ndër tre djemtë e Bib Frrok Gjomarkut asokohe të dënuar me pushkatim e më pas me 101 vite burgim, kujton çdo detaj të atyre ngjarjeve rrëfyer nga babai i tij, u cili u nda nga jeta në mënyrë natyrale në vitin 1993. Kujton rrëfimet e netëve të gjata të gjyshes së tij, Marës së Frrok Gjomarkut, por dhe nënës së tij, bijës së përvizëve të Kurbinit, protagoniste e kësaj ngjarje të rrallë e cila u nda nga jeta në vjeshtën e vitit 2002.

Pasi u vendos dënimi me 101 vite burg, rrethi miqësor i vajzës nga Skurajt sygjeronin që kjo miqësi të prishej, falë ndërhyrjeve të fshehta të rregjimit komunist që po instalohej me shpejtësi. Njerëz influentë tek të dy familjet e kishin shtruar këtë ide, pasi askush nuk mund të shikonte ardhmëri në këtë lidhje. Kështu në fillim vjeshtën e vitit 1948 niset drejt Skurajve Mara e Frrok Dod Lleshit (Gjomarkaj) për tu takuar me nënën e nuses, Davën e Zef Gjok Pjetrit të Kurbinit. Dy krushkat e veja me burra të pushkatuar, (Frrok Dod Lleshi i vrarë në luftën italo-greke dhe Zef Gjok Pjetri i Kurbinit, i vrarë nga çetat partizane) kalojnë një natë të gjatë në kullën e Përvizit.

Nëna e dhëndërrit të dënuar me 101 vite burg, përmes një dhembshurie të pashpresë linte hapësira që Martja vetëm 23 vjeçe të zgjidhte mundësi të tjera. Ndërsa burrëresha e Përvizit ishte në dilemë…. Këtë mund ta zgjidhte vetë vajza, prandaj e thërrasin dhe i japin opsionet e tyre dy mikeshat që u kishte ra barra e madhe e kullave në zë. Vajza e kësaj dere, Martja e Zef Përvizit e vendosur më shumë se kurrë, këmbëngul se unë nuk e koris babën e pushkatuar. Më ka dhënë nuse për Bibën e Frrok Gjomarkut dhe sa të kem dijeni se ai është gjallë, do jem nusja e tij. Me arsyetimin shtesë se fatet janë fate dhe nëse nuk do kishin ndryshuar kohët do isha nuse në një derë princore, mbyllet kjo temë mes dy grave sojnike, të kullave me emer.

Martesa sekrete e Martes me Bib Frrokun e dënuar me 101 vite burgim.

Tashmë nuk kishte asnjë dilemë. Caktohet data e martesës, data kur Martja do të mbërrinte në Ndërfushaz, për tu larguar vetëm kur kaloi në amshim, në vitin 2002. Më herët ne fshatin Ndërfushaz ishte caktuar një dasëm tjetër. Në tetor të vitit 1947, në të njëjtën ditë që u vendos martesa e Bib Frrok Gjomarkut ishte caktuar të martohej edhe një banor tjetër i këtij fshati, Frrok Leci. Për këtë arsye disa kohë më parë, i zoti i kësaj shtëpie Hill Leci, i kishte kërkuar leje Familjes Gjomarkaj për t’u marrë krushkun e parë të tyre, Geg Pjetër Gjoci. Mara duke mos i parashikuar ngjarjet, duke e ditur se djalin e kishte në burg, i kishte dhënë lejën.

Prenga i Bib Frrok Gjomarkut, sot përsërit papushim se me qindra herë kishte dëgjuar nga prindërit historinë e kësaj ngjarje. Gjyshja ime, me djalin e saj Bibën në burg, me peshën e madhe të drejtimit të kësaj martese, në kushte tepër sekrete i drejtohet bashkfshatarit të saj Hill Leci, duke i kërkuar besë, që të mbante sekret këtë martesë, pra t’i lironte krushkun e parë Geg Pjetër Gjoci, pasi do duhej në atë datë të shkonte për të marrë nusen e gjomarkajve, te Pervizët e Skurajve. Hill Leci jep besë, çdo gjë mbahet sekret deri kur Martja nuse shfaqet e hypur në një kalë mbajtur i fshehur nga sekuestrimet, shoqëruar me krushkun e parë Geg Pjetër Gjoci, kunatin e Martes, Gjon Frrok Gjomarkaj, dhe nëna e tyre Mara e Frrok Dod Lleshit. Me t’u parë nusja në të hyrë të fshatit Ndërfushas, dasmorët e Lecit fillojnë të çohet me këngë e valle, për ta pritur.

Por i  zoti i shtëpisë Hill Leci, u drejtohet dasmërove duke u thënë të prisnin dhe pak, pasi nuk është nusja jonë. Dasmorët e duke e ditur se nuk kishte dasëm tjetër atë ditë në atë fshat, i kërkojnë sqarime. Hill Leci u drejtohet se sot martohet edhe Bib Frrok Gjomarku e nusja që po hyn në katund është për derën e gjomarkut, ardhur nga përvizjat e Skurajve.

Për nusen re Marten e Bib Frrokut, nis kalvari i vuajtjeve.

E rritur në një derë te fisme e të kamun, nusja e re fillon një vuajtje dhe trajtim çnjerëzor, pasi kulla e gjomarkajve ishte djegur, pasuritë i ishin sekuestruar dhe e vetmja mundësi mbijetese ishte puna në prerje të lëndëve drusore në këmbim të triskave për miell dhe ushqime. Ndërsa vendimi i qeverisë së kohës për ndryshimin e dënimit për të gjithë të burgosurit nga 101 vite burgim në 25 vite, shton shpresat. Nusja e re shkon në burg sëbashku me kunatin Gjon Frrok Gjomarku dhe vjehrren për të parë bashkëshortin, por ndeshet me kritikën dhe sygjerimin e tij. Mos e humb jetën i thotë Biba, je e lirë pasi fati im nuk dihet. Nusja e re përsërit refrenin e saj me vendosmëri. Unë nuk heq dorë nga vendimi i babës, për ta mbyllur këtë histori përfundimisht.

 Nuk kaloi shumë dhe Martja e pa vehten në internim në Berat. Pikërisht aty mes atij kalvari takohet për herë të parë pas martese, me nënë e saj Davën e Zef Gjok Pjetrit dhe motrën, Marien. Kjo ndodhi se pas martesës së Martes, familja e mebetur prindërore e saj, si ndëshkim për refuzimin e sygjerimeve alla-sigurimse, kishin rilidhur miqësi me kullën e kapidanore, duke martuar Marten, për Bib Frrok Gjomarkun.  Familja e Bibës që ndodhje në burg, qëndroi në në internime nga viti 1947 deri në vitin 1952.

Më pas kthehet në fshat duke punuar për mbijetesë, pa asnjë pronë, tokë apo çati mbi krye. Pas 14 vitesh burgim, pikërisht në vitin 1960 pas disa amnistive del nga burgu Bib Frrok Gjomarku për t’ju bashkuar, nuses që kurrë nuk hoqi dorë edhe në kushtet më të vështira ekonomike, fizike e psikologjike. Pas kësaj jeta vijoi nën kontroll të rrepte të pushtetit të kohës deri në vitin 1991. Gjatë kësaj kohe familja u shtua fillimisht me një vajzë, Veronikën e më pas me tre djem të Bib Frrok Gjomarkut, si Napolioni, Prenga e Deda.

Të dy bashkëshortet e kësaj historie tashmë nuk jetojnë, ndërsa jetojnë ngjarjet dhe historitë në kujtesën e pasardhësve, histori që herë herë duken të pabesueshme.

Ju mund të lexoni edhe...

1 Komente

Fran Cukaj 26 Tetor, 2019 - 8:43 pm

Shume kurioz jam te dije ne se zotni Bib Frrok Gjomarku ka punuar apo jo ne komunale ne Rreshen . Ndoshta gaboj por ai qe mendoi une se mund te jete ndodhi nje here ne shtepine time per te riparuar nje oxhak shtepie . Filloi nje bisede , ishte shume e rrezikshme per kohen , por e nderpreu biseden , nuk di se perse , ndoshta frika nga une apo nga nje shok i tij . Kurre me nuk pata rast te bisedoj me ate njeri qe m’u duk shume interesant . Ne se dikush ma konfirmon medyshjen time , le te me shkruaj ne gjefrani@live.com

Reply

Lini nje koment