“Arjana Arapi” prej ditës së sotme prezantohet me pallatin e sportit ndër më bashkëkohor në vend.

Nga Pirusti News

Mirdita-Voley e nis me fitore ne tapetin e ri.

Afro 24 vite më parë, qindra qytetarë të Rrëshenit, ata që kishin ndjekur në çdo etapë lojën e Arjanës, pinjolle e denjë e një familje sportistësh ku shquhej sportisti Dod Arapi, ndalonin para saj në heshtje teksa e shikonin të veshur nuse, por e pa jetë. Shumë më herët, aty nga viti 1985 kur Arjana sëbashku me koleget e saj sportiste emblemë të “Minatorit” ishte në një stërvitje në Durrës, gjatë një moment delikat në kapjen e një topi kishte përplasur kokën në parket. Ndoshta kjo ishte fillesa e ngjizjes së në sëmundje të pashërueshme që do ta kalonte në amshim afro dhjetë vite më vonë, pikërisht më 28 shkurt të vitit 1995.

Gjashtë vjetë më vonë, në qershor të vitit 2001, Këshilli Bashkiak me votë unanime Pallatit të Sportit në Rrëshen, i jep emrin e sportistes së amshuar “Arjana Arapi”, për ta përjetësuar në një institucion i cili mbart vlera të pamata, falë punës dhe përkushtimit të shumë brezave të mirënjohur sportistësh ndër dekada.

Ndërsa sot në 2 nëntor të vitit 2019 “Arjana Arapi” është riveshur sërisht si nuse. Këtë rradhë është Pallati i Sportit që mban këtë emër legjendë, që ka njohur një ridimensionim total, falë një buxheti të posaçëm të shtetit në bashkëpunim me Bashkinë Mirditë.

Në një pamje të thjeshtë veren se punimet kanë startuar me nxjerrjen e skeletit të ngrehinës, për të vijuar hap pas hapi me rikonstruksion në themel të tij. Janë kryer instalime bashkëkohore si në rrjetin elektrik e hidraulik, me sistem ngrohje e ftohje, me sisteme kamerash sigurie, mbrojtje kundër zjarrit, me sisteme alarmi që lajmëron pirjen e duhanit apo sjellje te tjera të padenja. Gjithashtu janë vendosur ndenjese të reja për sportdashësit, tapete bashkohore në fushë, dhomat e zhveshjeve dhe dushet janë bashkëkohore, ndërsa spikat një ambient i jashtëm plot gjelbërin, rregull e qytetari.

-CEREMONIA-

Ka nisur rreth orës 10 paradite teksa sportdashës, qytetarë miq dhe të ftuar kanë ndjekur në stenda foto nga volejbolli ndër vite. Ndërkohë që në ora 11.00 ka nisur ceremonia zyrtare e moderuar nga gazetari Gjergj Marku. Pjesëmarrës ishin dy ekipet që do të çelnin siparin e ndeshjeve në pallatin e rikonstruktuar si Mirdita-Voley dhe UMB e Tiranës, prefekti Gjokë Jaku, kryetari i bashkisë z. Ndrec Dedaj, kryetari i Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Erlind Pëllumbi, gazetari i mirënjohur sportive Dëfrim Met’hasani, sportistja veterane e këtij ekipi znj. Marjana Suli, etj.

 I pari e ka marrë fjalën një sportit i vjetër në moshë z. Preng Përgjetani i cili ka përcjellë për të pranishmit copëza kujtimesh të largëta të fillim viteve të funksionimit të qytetit, kur të rinjtë e asaj kohe në mungesë të ambienteve sportive luanin në sheshin ku sot njihet me emrin “Abat Doçi”.

Më tej sportistja veterane Marjana Suli tha se meritën kryesore për krijimin e këtij ekipi e ka ish traineri Haki Halili, i cili nga asgjëja në tre vite arriti të krijojë një ekip konkurues në kategorinë e parë për të reja. Në këto vite fillojë të ndryshojë edhe filozofia për sportin me krijimin e klasave sportive, ku edhe në Mirditë këto klasa sportive ishin një burim për ekipipet sportive.

Kjo bëri që në vitin 1978 të ketë një ekip me emra të mirënjohur si Cezarina Macaj, Tereze Përtena, Tereze Marku, Lumturie Nika, Drane Deda, Vitore Tusha, Vitore Gjoni, por ndërkohë që shumë shpejt këtij ekipi i bashkohen edhe Arajana Arapi, Gjyla Përbasha, Lulie Vladi, Gjyste Picaku, e shumë të tjera. Nga klasat sportive erdhën dy talente që dhanë një kontribut të gjatë, si Valbona Arapi e Majlinda Hamitaj, për të vijuar me brezin e dytë ku kam deputuar edhe unë. Dua të theksoj dy momente të rëndësishme, konkretisht vitin 1982 kur ekipi i Minatorit shpallet kampion për të reja dhe ndërkohë ne vitin 1985 dalim kampion në kategorinë e dytë, duke u kualifikuar në kategorinë e parë. Suli ka përfunduar duke thënë se ishte një volejboll i vështirë, ishte një volejboll i sakrificës, por dëshira për të prezantuar Mirditën ishte shumë e madhe.

Edhe traineri Pogoni, dikur trainer i Mirditës sot nën drejtimin e UMB-së ka falenderuar për privilegjin që i bëhet, suke i dhënë fjalën përshëndetëse. Është kënaqësi që kthehem në Rrëshen pas kaq vitesh dhe shikoj një palestër të re.

Ndërsa prefekti i Qarkut Lezhë z. Gjokë Jaku evidentoi faktin se kur ndiqte shkollën e mesme në Rrëshen, kujtoj dy sportiste Majlinda Hysa dhe Lirie Kurti që jo vetëm i ndiqnin shumë, por i shikonim si idhuj. Sigurisht këtu kanë ardhur dhe vajza të tjera, pasi graviteti ka qenë në Mirditë, sepse talentet dhe përvojat kanë qenë në Mirditë. Z. Gjokë Jaku ka falenderuar qeverinë shqiptare dhe kryetarin e Bashkisë Mirditë. Besoj se përsa thamë ky pallat e ka merituar të ishte në këtë nivel, por nga ana tjetër është një privilegj që jo të gjitha qytetet e kanë, ka përfunduar prefekti Gjokë Jaku.

Gazetari Dëfrim Methasani ka thënë se i kishte kërkuar më herët kryetarit të bashkisë, ta bëjë këtë pallat të sportit, që sot ka emrin e të madhes Arajana Arapi. Dhe sot të them faleminderit publikisht që e mbajte fjalën dhe i dhatë Mirditës një pallat të tillë. Shpresoj që edhe ndeshjet e kombëtares të bëhen në këtë pallat të bukur të Rrëshenit.

Ndrec Dedaj, kryetari i Bashkisë Mirditë, e ka konsideruar pallatin e sportit edhe si pallat të kulturës, pasi sporti në vetvete ka karakter edukativ në edukimin e fëmijëve, të rinjve e të rejave. Di të them sot, se ky pallat sporti është dhurata më e bukur ndër vite që i bëhet qytetarëve të Mirditës, që i bëhet fëmijëve, të rinjve e të rejave, sportistëve e sportdashësve. Për këtë shpreh mirënjohje të thellë për qeverinë shqiptare, ndërsa bashkia Mirditë është bashkëfinancuese. Z. Dedaj ka shprehur mirënjohjen e thellë për deputeteten tonë, ish ministre e arsimit që e argumentoi këtë investim dhe bëri të mundur rikonstruksionin e plotë të pallatit të sportit “Arjana Arapi”. Ai ka theksuar se ky pallat sporti është fjala e fundit e teknologjisë përsa i përket aksesorëve që përdoren në një ambient të tillë, duke specifikuar se është rikonstrktuar nga e para, duke lënë vetëm skeletin. Më tej ka folur për punimet e kryera, ndërsa i ka vënë theksin mirëmbajtjes për ta ruajtur këtë pasuri. Është detyrë e çdo qytetari, e çdo sportashësi ta ruajë këtë pronë, ndërkohë që ka siguruar për mbështetje të plotë të ekipit. Z. Dedaj ka berë me dije se po mbështetet edhe futbolli me donacione, duke theksuar se tashmë ky ekip është vendin e parë, në kategorinë e dytë.

Edhe Kryetari Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar z. Erlind Pëllumi ka përshëndetur të pranishmit, duke vlerësuar punën e bërë në rikonstruksionin e pallatit. Rreth orës 12 ka vijuar ndeshja mes Mirditës dhe Umb-së, ndeshje e cila është ndare më rezultatin 0-3, në favor të vajzave mirditase.

Aleksandër Ndoja

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment