“Gjethnajë shpirti”, libri më i fundit i poetes kuksiane Vera Istrefaj mbledh njerëzit e artit dhe kulturës në Friend`s Book House”

Nga Pirusti News

Nga: Fatos DACI

Biblioteka e lokalit “Friend`s Book House”, në Tiranë, ishte pritëse e rradhës e aktivitetit kulturor që ka lidhje me poezinë. Këtë rradhë Vera Istrefaj mblodhi miqtë e saj, miqtë e librit dhe miqtë e poezisë, për të ndarë me ta gëzimin për botimin e librit të saj më të ri poetik të titulluar “Gjethnajë shpirti”, i cili është libri i tetë i autores kuksiane. Në këtë përurim, morën pjesë pedagogë e studiues të letërsisë, poetë e poetesha të njohura të vendit, historianë, intelektualë, njerëz të botës së medias e të librit.

Aktiviteti u moderua nga studiuesi Behar Gjoka. Pastaj, për të pranishmit dhanë mendime e vlerësime rreth librit dhe poezive të poetes, zotërinjtë dhe zonjat: Behar Gjoka, Izet Duraku, Demir Gjergji, biografja Teuta Dhima, Hamit Alia, Përparim Hysi, Nikoll Loka, Shefqet Hoxha, Mark Simoni, Bislim Ahmetaj, Sali Onuzi, Kujtim Morina, poeti nga Mevegja Rexhep Abazi, Flutura Maçi, Hamdi Hysuka nga Burreli etj., të gjithë personalitetet të letrave dhe aktivistë të shquar shoqëror.

Të gjithë folësit vlerësuan me nota maksimale poezinë e Vera Istrefajt. Ata bënë një analizë të plotë për poezitë e vëllimit të ri poetik të saj, risitë dhe veçoritë që i dallojnë ato. Ndërkohë, disa nga folësit vlerësuan dhe vetë Verën, si aktiviste e shquar shoqërore, si drejtuese e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kukësit, si specialiste e zonja në punën e saj, duke thënë se ajo me aktivitetin e saj letrar, artistik e shoqëror i bën nder Kukësit dhe komunitetit të tij.

 Në fjalën e tij profesori dhe studiuesi i letërsisë Behar Gjoka, ndër të tjera, tha: “Poezitë e Verës janë të atypëratyshme, të momentit. Poezia e saj komunikon pa zhurmë. Është poete lirike. Poezitë e saj janë vargëzime dyshe, treshe, katërshe etj.

Gazetari Izet Duraku, vlerësoi, se ” Verës i është dashur të udhëtoi me veten e saj. Libri ka 84 poezi. Autorja ka jetuar me poezi . Vera e ka mbështetur poezinë e saj te poezia popullore e tradita folklorike e Lumës. Poezia e Verës ngjan si lumi… brengën e brendshme e shfaq butësisht. Poezia e saj nuk e njeh retorikën dhe patetiken” Poeti Përparim Hysi, vlerësoi: “Jam befasuar nga libri më i ri i Verës, të cilin e lexova me vrull, se më “përpiu”, sikur po me ndiqte njeri me shkop. Në çdo strofë, poezia e saj kishte metafora. Vera është poete e lindur. E gjithë bota e poetes i ngjan një kopshti sekret.”

Poeti i njohur dhe gazetari i talentuar i Radio Tiranës, z. Demir Gjergji, ndër të tjera, në fjalën e tij, tha: “Poezia Verës është një frymëmarrje e gjallë. Nëntëdhjetë për qind e poezive të saj lexohen me një frymë. Poezia e saj është o lot gëzimi, o lot përmbajtje, o lot ndjenjash. Duket sikur poezia e saj nuk e duron britmën. Poezia e Verës ka një modernitet. Motivi kryesor i poezive të saj është një lloj pritje. Ajo shpërfill rrëmujën”.

Poeti dhe “Mjeshtri i Madh” Hamit Alia, në fjalën e tij, tha: “Poetja është mjaft e kursyer në përdorimin fjalës. Vërtetësia dhe ndjesia e bën të veçantë poezinë e saj. Poezia e Verës është ngjyrshme.

Historiani Nikoll Loka vlerësoi, se “Vera Istrefaj është poete e fjalës së zgjedhur, e figurave të bukura dhe e metaforës”. Historiani Shefqet Hoxha, në fjalën e tij, evidentoi se, ndonëse nuk lexon poezi, pasi ai lexonte poezinë e jetës, librin e Verës e kishte lexuar me kujdes. “Aty kam gjetur ndjenja,-tha ai, – vërtetë një shpirt lirik. Kam krijuar bindjen se Vera nuk është poete e shpifur, por një poete e lindur.”

Ndërkohë e dhe folësit e tjerë, si: poeti Mark Simoni, aktivisti i njohur z.Bislim Ahmetaj, poeti Kujtim Morina, poetja dhe piktorja Flutura Maçi dhe poeti nga Burreli z. Hamdi Hysuka folën me vlerësime sipërore për poezitë dhe vetë poeten Vera. Koloneli në pension Sali Onuzi, studiues, jo vetëm vlerësoi poezitë e vëllimit më të ri të autores, por ai ngrit lart vlerat njerëzore, intelektuale dhe shoqërore të Vera Istrefajt, duke thënë, se “Vera i bën nder Kukësit dhe komunitetit të tij”.

Risi ishte pjesëmarrja në këtë ngjarje kulturore dhe fjala e poetit nga Medvegja z.Rexhep Abazi. Ai, pasi vlerësoi ftesën për të qenë i pranishëm në këtë përurim, tha se ndjehej shumë i lumtur që ishte këtu dhe ftoi që, me rastin e 7 Marsit, kur në shkollat shqipe të Medvegjës mbahet një orë e veçantë letrare shqipe, të ishin të pranishëm edhe pjesëmarrësit e sotëm të kësaj veprimtarie dhe poetët nga Republika e Shqipërisë. Në fund, si gjithnjë, foli dhe autorja, e cila falënderoi nga zemra pjesëmarrësit dhe të gjithë ata që e mbështetën. Për sa i takon poezisë së saj, ajo, tha: “Ato çfarë kam sjell në libra janë pjesë e shpirtit tim”.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment