Një ditë në Vaun e Madh, fshatin e tri trinomeve, buzë Fanit të Madh, në Mirditë

Nga Pirusti News

(Reportazh ga Martin DEDAJ)

Nuk do ta besoja nëse do të më thonte dikush, se nga Lezha për në Vaun e Madh të Blinishtit në Mirditë është vetëm 70 km, nëse nuk do të shkoja vetë në këtë fshat të bukur, që shtrihet në të dy anët e lumit Fan i Madh, dhe që të sërvir një oaz të mrekullueshëm panoramik, me shumë të veçanta brenda tij.

Së bashku me gazetarin dhe publicistin e njohur mirditas Preng Baloj, dhe dy vëllezërit Xhovalin dhe Pjetër Leka, djemt e Pal Lekës, aktiviteti i tij në shërbim të shoqërisë dhe atdheut është përjetësuar përmes librit: “Kujtesë e shkruar në mendje”, shkruar nga z. Baloj. Njehërësh bashkia Mirditë, rrugës nacionale Ura e Fanit-Shpal i ka vëmë emrin e tij. 

Më 17 Shtator 2017, jemi gjendur në fshatin Vau i Madh, për të fiksuar në celuloidin e aparatit fotografik, vendlindjen e personazhit kryesor të librit dhe të vlerësuarit të bashkisë Mirditë, Pal Leka i cili prej kohësh ka ndërruar jetë.

Një udhëtim, nisur që herët në mëngjes në Lezhë, që u shoqërua me një koeçidencë të bukur, pasi drejtuesi i mjetit Pjetër Leka, dhe mësuesi i tij Preng Baloj, takoheshin me njëri-tjetrin pas mëse gjysëm shekulli. Fakt që i bëri ato që të sillnin shumë ngjarje dhe kujtime të bukura, saqë unë dhe doktor Xhovalini jemi “përjashtuar”, disi nga prania në bisedat e tyre. Madje disa herë e kemi qortuar profesorin që të mos i fliste shoferit, por më kot, pasi nostalgjia e atyre viteve dhe koha e gjatë pa u takuar e kishin bërë punën e vet. Si pa u ndjerë jemi gjendur tek kryqëzimi i “Rrugës së Kombit”, në Milot dhe pasi kemi pirë kafen e mëngjesit tek lokal “Arbëria”, jemi nisur drejt destinacionit.

Sa hap e mbyll sytë, e kemi parë veten në Gëziq, duke lënë djathtas pazarin e njohur të Milotit dhe majtas qytetin e Rubikut, njohur dikur për nxjerrjen e arit, e sot uzina në të cilin realizohej ky proces, është kthyer tashmë në një gërmadhë. Punë tranzicioni, që shkatërruam gjithçka, madje edhe ato vepra që nuk e meritonin një gjë të tillë, si fjala bie Fabrika e Letrës në Lezhë, apo Uzina e Superfosfatit në Laç, të cilat sipas mendimit të specialistëve të fushës mund të përballonin sukseshëm edhe ekonominë e tregut, por nuk mundën ti shpëtonin t’sunamit të shkatërrimeve.

Udhëtimi vijon përmes udhës së kombit, sa në njërën anë në tjetrën të lumit Fan i Vogël shoqëruar me ura dhe vepra të tjera arti, por dhe mes përmes maleve të egra, që u detyruan të nënshtroheshin dhe tashmë shqiptarët e një gjaku në Shqipëri dhe Kosovë të ndarë padrejtësisht “Për arsye të pa arsye” për gjysëm shekulli diktaturë të kenë arterien lidhëse të tyre, duke shërbyer si një urë lidhëse të zhvillimit ekonomik të dy anëve ndër shqiptarë.

Për më pak se një orë jemi gjendur në vendin ku bëheshin kuvendet e Mirditës, njohur edhe si Kuvendet e Shpalit. Aty ka qenë shkolla fillore e Shpalit dhe mësuesi Prengë dhe nxënësi Pjetër, me janë lutur t’ju bëj një fotografi për ta patur kujtim. Për pak metra jemi gjendur në Shpal, aty ku është vendosur edhe tabela emërtuese e rrugës Shpal-Ura e Fanit, “Rruga Pal Leka” dhe më tej ish qendra e NFP dhe kooperativës, ku Pali ka shërbyer për disa vite si drejtues i saj, dhe kishte qenë pikërisht ai që kishte ideuar dhe ngritur qendrën e saj, që ngjante si një qendër qyteze dhe jo kooperative. Sa herë jam ndaluar dhe qëndruar këtu në kohën kur punoja specialist bujqësie në Xhuxhë të Fanit. Xhovalini dhe Prenga kanë qëndruar aty, duke shijuar paksa nostalgjinë e viteve që kanë kaluar këtu, njëri si mësues dhe tjetri si nxënës, ndërsa unë dhe Pjetri kemi vijuar udhën për në Vaun e Madh.

Pas Shpalit kemi udhëtuar 4-5 km rrugë të asfaltuar dhe më pas jemi shmangur djathtas në vendin e quajtur “Qafa Segjel”, në një rrugë rurale, e cila ishte në gjendje të mirë, e ndërtuar në kohën kur kishte qenë kryetar komune z. Aleksandër Lala. Nga “Tefi i Shullanit”, shihet si në pëllëmbë të dorës “Vau i Madh”, në të cilin jemi gjendur pas gjarpërimit të rrugës nëpër anën e kodrës në gjatësi afro 5-6 km. Ky fshat i bukur përshkohet mes përmes nga “Përroi i Madh”, që e ndan fshatin në dy anë: “Ana e Hijes”, nga ku është shtëpia e Pjetrit dhe Xhovalinit, dhe “Ana e Shullanit”, ku bie në sy një kullë e bukur dy katëshe e restaruar duke ruajtur identitetin dhe kthyer në një bujtinë për turistët. Nga ekspozimi i tyre ndaj diellit kanë marrë edhe emërtesat e tyre. Sapo kalon “Përroin e Madh”, për të kaluar në anën e shullanit, një arrë e madhe përtej shekullore të tërheq vemendje. Ajo quhet: “Arra e Nikoll Ndue Nikollit”, nip i mikut tim Lekë Shtija, një përfaqësues dinjitoz i familjes Shtija në Kthellë, i cili sapo kishte lindur, kur familja e tij u internua në kampin famëkeq të Tepelenës, me raprezaljet që u bënë në Mirditë, pas vrasjes së Bardhok Bibës. Në krye të Vaut të Madh ndodhet HC, në të cilin janë të punësuar nga një anëtar i çdo familje që banon sot në këtë fshat, dhe poshtë tij edhe një anë tjetër “Ana e Xhonmit”, ku ka patur shtëpinë Ndue Leka.

Në Vaun e Madh ka shumë burime ujore përveç Fanit të Madh, dhe konkretisht kemi disa përrenj, si “Përroj i Madh”, që ndan anën e hijes me anën e shullanit dhe “Përroj i Xhonmit”, që ndan anën e shullanit me atë të xhonmit. “Përroj i Madh”, e fillon rrjedhën e e tij nga “Shkalla e Madhe”, aty ku ndodhet një rrugë këmbësore, që të zbet për në fshatin Vau i Madh, ndërsa “Përroj i Xhonmit” i ka fillesat e burimit të tij nga “Bokat e Silit”.

Tek “Përroj i Madh”, ndodhet një burim ujë i madh dhe i pijshëm, që quhet “Kroi i Mirë”, që kohë më parë ka shërbyer për të mbushur ujë të pijshëm gjithë katundi, por ka vite që është zëvendësuar me ujësjellësin e ndërtuar nga fundi i viteve ‘90, i cili mbledh ujrat e burimeve nga faqet e kodrës dhe i grumbullon në depozitën, që ndodhet afro 300 m, mbi banesat e fshatit. Sipër HC kalon në kufi të Blinishtit dhe matanë lumit Fan i Vogël në Kuzhnen, ku ndodhet lagjia “Çupaj”, vendlindja e gazetarit dhe publicistit të njohur Frrok Çupi.

Një koeçidencë tjetër e bukur e asaj dite. Fshati Vau i Madh, ishte vizituar nga një grup turistësh gjermanë. Këtë e mora vesh nga vajza ime e madhe Klaudia, e cila së bashku me një grup shoqesh dhe shokësh, kishin shoqëruar turistët gjermanë, të cilët kishin si destinacion Vaun e Madh, pasi kishin dëgjuar kohë më parë për bukuritë mahnitëse që afron ky fshat. Nga vizita e këtij grupi mora një set të bukur fotografik, që jua shtova atyre që bëra vetë.

Poshtë HC, ndodhet “Hurdha e Vosës”, vendi që shërbentë për të bërë edhe plazh, pasi aty rrjedha e lumit Fan i Vogël, kishte krijuar një oaz ujor me sipërfaqe të madhe dhe me thellësi afro 2 m, mjaft të përshtatshëm për tu larë. Emërtesa “Hurdha e Vosës”, shpjegohet nga fakti se në këtë vend ka qenë një pemë e madhe e quajtur “Vodhës”. Më poshtë ndodhej një tjetër vend i përshtatshëm për tu larë por paksa më i vogël dhe që quhet “Hurdha e Arës së Zallit”, emërtesa e të cilit shpjegohet me faktin se është poshtë një are që i thonë “Ara e Zallit”. Për të vijuar më pas me “Hurdhën e Ahut”, në fund të fshatit dhe përballë shtëpisë së Pal Lekës. Duhet theksuar fakti se të gjitha këto vende për të bërë plazh, janë krijuar nga rrjedha e lumit Fan i Madh, brigjet e të cilit kur kalon nëpër këtë fshat janë mjaft të gjëra dhe mbajnë sasi rërë mjaft të madhe, çfarë krijonë një vend të mrekullueshëm për plazh, duke filluar nga fundi e muajt Maj e deri në fund të Shtatorit.

Në fshatin Vau i Madh aktualisht jetojnë 10 familje, ndërsa të tjerët janë shpërngullur për në zonat fushore për një jetë më të mirë, por nuk i kanë shkëputur marrëdhëniet me vendlindjen, dhe shkojnë përgjithësist herë pas herë gjatë stinëve, Pranverë, Verë, Vjeshtë.

Përpara viteve ’90, në këtë fshat ka patur afro 30 shtëpia. Është një vend i përshtatshëm për bujqësi dhe blegtori dhe ka një sipërfaqe toke afro 50 ha, të ndarë pothuajse përgjysëm në fushore, dhe të pjerrët apo siç i quajnë banorët e këtushën: këtej dhe matanë zallit.

Fshati Vau i Madh ka një mikroklimë mjaft të përshtashme që shkojnë pothuajse të gjithë kulturat bujqësore dhe pëmet frutore, përjashto ullirin. Banorët e këtushëm më thonë se në kohën kur ka qenë drejtues i Kooperativës Bujqësore Blinisht, Pal Leka, brigada e këtij fshati ka shkëlqyer me prodhime të larta bujqësore dhe blegtorale, pasi këtu ka kushte shumë të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore dhe marshtrimin e blegtorisë sidomos dhive. Madje njëri prej tyre, sjell në kujtesë edhe një “debat”, midis ish kryeministrit të kohës, Mehmet Shehu dhe Pal Lekës. Kryeminsitri pasi u njoh me arritjet e brigadës së Vaut të Madh, i tha Pal Lekës se sivjet do ta dyfishosh patjetër planin.

Por Pal Leka, i tha jo s’mund të arrihet një gjë e tillë, por kryeminsitri kishte ngulur këmbë, në formë disi urdhërore. Pal Leka si burrë i mençur që ishte, i është përgjigjur kryeministrit se: Unë e bëj vetëm nëse do të punojmë bashkë, çfarë nënkuptonte se Pali kërkonte mbështetje dhe bashkëpunim nga drejtuesit në rreth dhe qeveri, e cila për hir të së vërtetës nuk i mungoi. Falë këtij bashkëpunimi, punës së palodhur të bujqëve të fshatit Vau i Madh, këmbënguljes dhe drejtimit efikas të Pal Lekës, u bë e mundur realizimi i objektivit, që u korurëzua me dekorimin e Pal Lekës, me “Medaljen e Punës”.

Me ndërtimin e HC tjetër poshtë “Vaut të Madh”, krijohet një basen i madh ujor çfarë ndikon në krijimin e një mezo dhe mikro klimë të përshtashme, që krijon një ekosistem të përshtashëm për zhvillimin e florës dhe faunës, dhe të një turizmi pothuajse gjithë vjetor dhe mjaft atraktiv, por që fatkeqësisht ne nuk jua dimë dhe aq vlerat dhe për më tepër, nuk i njohim sa dhe si duhet vedeve tona. Të huajt i kërkojnë për ti shijuar bukuritë përrallore të vendit tonë, siç ishte rasti i atij grupi gjerman dhe shumë turistëve të tjerëve vendas dhe të huaj, që e kanë vizituar këtë fshat, dhe ne nuk i paraprijmë me infrastrukturë të nevojshme dhe logjisatikë njohëse dhe promovuese, pasi mungojnë strategjitë sektoriale të zhvillimit të turizmit dhe agrobiznesit, duke u mjaftuar vetëm me turizmin bregdetar dhe lënë në harresë turizmin malor, një vlerë të pallogaritshme të turizmit dhe rritjes ekonomike të banorëve, që banojnë në këto anë dhe jo vetëm.
Lëmë pas Vaun e Madh, këtë fshat të bukur malor të bukurive shqiptare, prezantimi i të cilit çuditërisht është i lidhur me tre trinomet: “Fashti i tre anëve”: Ana e Hijes; Ana e Shullanit; dhe Ana e Xhonmit. “Fshati i tre hurdhave”: Hurdha e Vosës; Hurdha e Arës së Zallit; dhe Hurdha e Ahit dhe “Fshati tre përrënjëve”: Fani Madh; Përroj i Madh; dhe Përroj i Xhonmit, që personifikon tre të veçantat e këtij fshati: Bujarinë dhe mikpritjen, atraksionin turistik që afron, dhe të harruarin e kohës. Përshkrimi që i bëmë, njëherësh është edhe një ftesë për ta vizituar, Vaun e Madh dhe do të bindeni se ky fshat duhet nxjerrë nga harta e harresës.

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment