Rikthehet Nikollë Skana, inxhinieri që tronditi themelet e diktaturës në vitin 1981

Nga Pirusti News

-Një monografi nga ing. Mark Zefi-

Nga: Aleksandër NDOJA

Nëse flet me burra të moshuar, apo edhe pak më të rinj në moshë, që ishin pjesë e disa prej ndërmarrjeve shtetërore të asaj kohe dhe u kujton emrin e ing. Nikoll Skanës, ndodh që u ndryshon çeherja dhe treten në kujtime të largëta. Ishte pranvera e vitit 1981, konkretisht fillimi i muajit prill kur çmenduria politiko- shtetërore në kulmin e marrëzisë kishte organizuar shfaqjen tipike inkuizitive, duke përdorur sallat e mensës së punëtorëve dhe autopolantët gjigandë për të bombarduar sa më shumë vetdijen njerëzore, për t’u thënë se diktatura ishte e fortë, e pamëshirshme, përderisa ishte në gjëndje të “zbulonte” armikun edhe atje, mes shkurreve e lisave të Valmorit.

Në darën e prokurorit, hetuesit, spiunit, në darën e telemetrit, lisit, tufanit, kunorës, pishës, malit, pjeshkës, urakës, teleferikut, ardianit, pompës, mekanikut, axhustatorit, shpatës, liqenit, piktorit, stilografit, por edhe “b.p”, i marrrë hua në 303 të  burgut famëkeq të Spaçit etj, pra më shkurt, në darën e “drejtësisë popullore” kishte rënë inxhinieri i spikatur i pyjeve, intelektuali njohës i gjuhëve të huaja, qytetari model, Nikollë Skana. Dhe për ta bërë më të besueshëm këtë krim të ing. Nikoll Skanës, për t’i veshur emërtimin e grupit sabotator, makineria e zezë e hetuesisë së Mirditës, kishte prodhuar edhe disa “armiq” të tjerë, njerëz të mirë e punëtorë të zotë si Pep Llesh Rajta nga Lura dhe Viktor Gjikolaj i Selitës, i mirënjohur si mjeshtër i pendës e i vargut ndër vite, por dhe Gjin Buraku e Xhemal Kaçorri.

I tillë ishte Nikoll Skana, njeri i zoti, i ditur, i guximshëm, trim dhe i urtë. Pikërisht për këtë arsye në pak orë u çmontua akuza e supertrumbetuar me aq forcë, ajo e sabotimit në ekonomi, pra në mbarështrimin e pyjeve të Kunorës në Mirditës, aty ku inxhinieri Skana ishte caktuar me punë. E çmontimi i kësaj akuze u bë me prova dhe fakte, falë edhe dy inxhinierëve pyjesh burra të ndershëm e të guximshëm të thirrur si ekspertë nga Shkodra, si Gjergj Preka dhe Gjergj Pavaci, por dhe falë ekspertit ekonomik Gjon Ndreja, i cili në atë periudhë ishte i emëruar në NPD-në Mirditë në detyrën e kryetarit të degës së planit. Ishin këta burra të zotë e trima që i’u kundërvunë një dosje voluminoze hartuar nga prokurorori dhe të tijtë, duke e rrëzuar këtë akuzë, për t’i lënë vendin papritmas akuzës tjetër të mbajtur nga sigurimsit si “asi nën mëngë”, asaj të “agjitacion e propogandë” me të cilën u dënua me 20 vite burgim.

Aq e trumbetuar ishte ajo akuza e parë, e sabotimit në ekonomi, sa edhe sot ka mbetur në “kujtesën” e ndryshkur të disa individëve të cilët nuk marrin mundimin të ballafaqojnë provat e dokumentuara tashmë të botuara edhe në këtë libër, por vazhdojnë me mendësinë e kohës, duke e quajtur ing. Nikollë Skanën “sabotator”, a thua se këta ishin apo janë, në listën e sipërcituar.

E ndërsa kur sot e prej shumë kohësh dukej se ing. Nikoll Skana me shumë dimensionalitetin e vet dukej se dalëngadalë po harrohej, sidomos pas ndarjes nga jeta në mënyrë të papritur më 4 shtator të vitit 2000, shënohet “rikthim” i papritur.

Rikthet nga ata që në fakt nuk e kishin harruar kurrë, Ing. Mark Zefi dhe Ing. Fran Gjoci, ata të cilët kishin ruajtur të freskëta kujtimet për Nikoll Skanën dhe veprën e Tij sublime në shërbim të së drejtës, denoncimit me gjithë fuqinë e shpirtit të diktaturës komuniste, ndër të paktët të dënuar politikë që kur i’u shqiptua masa e dënimit ekstrem, nuk kërkoi mëshirë duke thënë “rroftë Partia” e as nuk ju drodh qerpiku, por i bindur më shumë se kurrë tha se çdo gjë e ka me vetëdije të plotë, se kështu ky vend nuk mund të ecë dhe po shkatërrohet.

Nëpër faqet e monografisë “Nikollë Skana, inxhinieri që sfidoi diktaturën” me autor ing. Mark Zefi

Ing. Nikollë Skana rikthehet bujshëm me këtë monografi, 19 vite pas ndarjes së tij nga jeta. Vjen falë një pune të jashtëzakonshme  të kolegut të tij, inxhinierit të pyjeve Mark Zefi mbështetuar edhe nga kolegu tjetër, ing. Fran Gjoci. Është bërë një punë mjaft e përkushtuar falë faktit se Mark Zefi është bashkëudhëtar me inxhinierin Nikollë Skana. Rrugëtimi i tyre ka nisur që në shkollën e mesme në Rrëshen, për të vijuar në shkollimin e lartë atë i inxhinierisë së Pyjeve në Tiranë. Natyrisht për shumë vite kanë qenë sëbashku, kanë ndarë kohën, fakultetin apo qëndrimet e pasditeve në Tiranë si student, por edhe më vonë si kolegë inxhinierë. Kjo deri kur një ditë ing. Mark Zefi sëbashku me ing. Fran Gjoci i drejtohen eprorit të tij në stabilimentin e njohur të pyjeve të Fush-Arrësit me kërkesën për tre ditë leje, për të ndjekur gjyqin ndaj Nikoll Skanës, duke i spjeguar se e kemi patur moshatar dhe shok me të cilin kemi studiuar. Megjithëse nuk kishte asnjë lloj njohje për çështjen, ndoshta në shenjë respekti për kurajon tonë, pa asnjë hezitim na lejoi të shkëputeshim nga puna, për aq ditë sa do të zgjaste gjyqi, thotë Mark Zefi, në monografinë e tij kushtuar Skanës.

Natyrisht mbështetës të kësaj monografie kanë qenë bashkëshortja e Nikollit të ndjerë, Tatjanës dhe vajzës së vetme të çiftit Skana, Laura Skana, që sot ndjek studimet e larta në një vend të BE-së, të cilat kanë dorëzuar kujtimet për njeriun e shtrenjtë të tyre.  Ndihmë e madhe përpos të tjerave është edhe dosja hetimore prej 120 faqesh tashmë e deklasifikuar, dosja që mban nr. 145, me mbishkrimin “Dosja Agjenturore me pseudonimin Sharra” e mbyllur në fund me nënshkrimet e komisionit.  

Natyrisht monografia Nikollë Skana, “Inxhinieri që sfidoi diktaturën”, nis me një përshkrim të shkurtër të derës së Skanajve atje në Orosh të Mirditës, udhëtimit të tyre në histori, ku veçohet edhe prelati i mirënjohur, Dom Zef Skana. Monografia vijon me familjen e Nikollit ku përmendet babai i tij Ndue Skana i cili ka qenë ndër të parët përhapës të arsimit në Mirditë. Nga viti 1945 e në vazhdim ka ushtruar profesionin e mësuesit në Mashtërkor, Fan, Kaçinar, Rubik etj. Mbas mësuesisë, kur në fushën e arsimit erdhën kuadro të përgatitur me kulturë pedagogjike bashkëkohore, por edhe të edukuar me ideologjinë komuniste nga e cila udhëhiqej diktatura që u vendos në vendin tonë, është larguar nga arsimi, për të punuar llogaritar në NFP-në Spaç e sektorë të tjerë të ekonomisë.

Vijon me shkollimin e Nikoll Skanës, shkollim i vështirë për shkak të biografisë që e ndiqte aq sa nuk e lejonin të jetonte në konvikt. Është i vetmi maturant që ndiqte shkollën e mesme në Rrëshen, duke jetuar në hotel, falë mbështetjes financiare të motrës së Tij Flora Skana, një emër i njohur i mjekësisë dhe bukurisë shqiptare të kohës.  Ndërsa në dëftesat tashmë të publikuara edhe në libër spikat nota 10-të, në të gjitha lëndët.

Janë të shumta episodet që përcillen nga shkolla e lartë, fakti që Nikolla mësonte intensivisht gjuhët e huaja, ndërsa ishte frekuentues i jashtëzakonshëm i Bibliotekës së Tiranës.

Njohja me Tatjanën vjajzë e ndrojtur nga Selenica, por edhe fakti se kjo zonjë e rrallë e priti gjatë gjithë viteve të burgimit të gjatë vetëm për një fjalë të dhënë, pra pa pasur mes tyre asnjë ceremoni që zyrtarizonte këtë lidhje, përbën një histori më vete e cila gjendet e detajuar në libër.

Emocionohesh pafund, madje mbetesh i shtangur me mënyrën e arrestimit, në shtatorin e vitit 1980 përshkruar nga vetë Nikoll Skana vite më vonë, si më poshtë:

“…Me datën 29 shtator 1980 më kryqëzuan duart në sektorin e Kunorë-Valmorit. Në një veturë tip “Zing-Fu” kineze, midis dy policëve të armatosur me kallashë u nisa për në qelinë e burgut pranë degës së Brendshme Rrëshen. Nuk po ndjeja e as kuptoja asgjë. Gjithçka po e përjetoja si në film.

 Unë në burg! A mos vallë jam në ëndërr? Çfarë kam bërë, që duhet të shkoj në burg? A ekziston njeri i gjallë apo i vdekur që i kam bërë të keqen më të vogël a shkaktuar ndonjë lëndim? Po dëmtuar apo përvetësuar ndonjë vlerë në mënyrë të kundërligjëshme? Jo. Asnjë vepër të kësaj natyre nuk e kam kryer… Dy policët që më kishin vënë ne mes, nuk shkëmbyen asnjë fjalë gjatë gjithë udhtimit me njëri-tjetrin, as me operativin që ishte në sedilje të parë. Ai që foli më shumë ishte shoferi F. Ai herë mbas here me nënkuptime vulgare i drejtohej operativit sikur po e pëgëzonte për suksesin që ishte arritur nga arrestimi i një armiku të partisë. “Si ka mundësi që nuk po iu mbushet koka këtyre njerëzve shoku…? Është për t’u  habitur se edhe këta që Partia iu ka dhënë shkollën nuk i janë mirënjohes dhe nuk i shohin sukseset e pa imagjinueshme që janë arritur. Nuk e dijnë budallenjtë se vigjilences së Partisë tonë nuk i shpëtojnë dot…”

Në monografinë për Nikollën përcillen momente nga hetuesia e dhunshme, referuar nga vetë hartuesit e “dosjes agjenturore”, por edhe presioni i rëndë psikologjik teksa inxhineri e zotë, me disa gjuhë të huaja dy policë e mbanin me dy litarë të gjatë në pyjet e Kunorës, ndërsa hetohej.

Është histori në vehete gjyqi disa ditor në ish sallën e mbledhjeve (këndi i kuq) tek ish-ndërmarrja e Ndërtimit. Në liber jepen detaje pafund përplasjesh mes të pandehurit me prokurorin dhe kryetarin e gjykatës, talljen që bënte Nikolla dhe frikën e opinionit se të gjitha gjasat ishin që ai të merrte dënimin kapital. Por jepen edhe momente të jashtëzakonshme në momentin e dhënies së dënimit dhe mënyrën se si Nikoll Skana e priti dënimin prej 20 vitesh. Nikollë Skana udhëtoi në disa burgje të Shqipërisë si në Qaf-Bari, Tiranë etj, ndërsa edhe kjo pjesë e kalvarit të Tij, përcillet mjaft me kujdes në këtë libër.

Viti 1989, ing. Nikoll Skana del nga burgu.

 Diktatura kishte filluar të lëshonte dhe kishin nisur të bënte lëshimet e para. Ndër masat fillestare ende të padukshme, ishin edhe lirimet nga burgjet politike në mënyrë të parcelizuar dhe pa rënë shumë në sy. Në këto lista u përfshi edhe emri i Nikoll Skanës i cili i’u drejtua familjes së tij, pas rreth 9 vitesh burgim. I qetë dhe i pushtuar me një ndjenjë faji për situatën që u kishte shkaktuar prindërve dhe familjarëve të tjere, nis një jetë të pazëshme pasi diktatura ende mbahej e fortë.

 Pas lirimit, takimi i parë me bashkëshorten e ardhshme ndarë dhunshëm në prag fejesë, nga burgimi i gjatë.

Rrugëtimi i parë ishte për në Selenicë aty ku dikur kishte lidhur një besë. Ja si e kujton Tatjana, nusja e ardhshme e Nikollës së sapo dalë nga burgu takimin e parë mes tyre:

“…Menjëherë mbas lirimit, Nikolla kishte vajtur në Fushë- Krujë tek një shoqe e imja, me të cilën e kisha prezantuar kur isha në shkollë, për t’u informuar se si e ku ndodhesha unë. As dhjetë ditë nga data e lirimit nuk kishin kaluar, kur si një ëndërr që të lumturon në një hark kohor prej pak sekondash, Niko u çfaq para meje me atë buzëqeshjen e tij engjullore, me ndjesinë e një “fajtori”, me mjekrën që dukej se po i dridhej e me bulëzimin e një unaze loti në sy, por që nuk i rrëshqiste drejt faqeve. Në atë gjëndje të mjegulluar që ishte, drejtoi dorën e besës drejt meje. Të them të vërtetën, mu duk se isha në ëndërr, prandaj nuk reagova ndaj tij me të njëjtin efekt emocional. Fërkova sytë me të dy duart , si për t’i thënë. –  Je ti Niko, apo unë jam në ëndërr, por pa zë. U përqafuam gjatë aty në rrugë, pa e vrarë mendjen aspak se ku ishim dhe a kishte kalimtarë. Pak çaste përhumbje na rrëmbyen që të dyve. U shmallëm, duke pyetur njëri – tjetrin siç zakonisht ndodh kur takohen dy njerëz që janë dashur, mbas një ndërprerje tepër të gjatë, pa lëvizur nga vendi, pa shikuar orën as pa e vrarë mendjen se mund të bëheshim objekt shikimi për kalimtarët.

– Tatjana! Sot erdha me mendjen time dhe nuk pendohem kurrë për këtë ardhje, sido që të vejë puna. Edhe pse më shumë për absurditetet e kohës se për fajin tim, jam unë ai i cili të kam shkaktuar një dhimbje të rëndë për gjithë këto vite. Para se ta marrësh fjalën ti, dua të kërkoj falje, se të kam lënduar e helmuar thellë në zemër për asnjë faj tëndin. Se vij ose jo herë tjetër, është vetëm në dorën tënde, – tha ai me dëshirën për ringjalljen e dashurisë që kishim pasur për njëri tjetrin, e që për aq vite nuk ishte larguar as nga ai as nga unë. Të jem e sinqertë gjithçka që po përjetoja, më shëmbëllente sikur po jetoja në një botë tjetër dhe jo një realitet. Në ato çaste nuk munda të reagoja me asnjë përgjigje. Por krejt natyrshëm reflektoja ndaj atyre fjalëve me të cilat më drejtohej me një buzëqeshje të ëmbël, si për t’i thënë mos u vër fare në pozitë. Asgjë nuk ka ndodhur. Por ai u ndje jo mirë, kur nuk po merrte asnjë përgjigje nga unë. Këtë e vija re në reagimet e tij, të cilat i përcillte nëpërmjet mimikës dhe ndrojtjes. Nuk kisha asnjë mëdyshje në qëndrimin tim për të ardhmen së bashku me Nikon. I kisha thënë një ditë shumë vite më parë: “Të dua. Jam e jotja për gjithmonë”. Zjarrin që ndizet nga dashuria e  vërtetë midis dy zemrave që duhen, nuk mund ta shuajë as ujët i oqeanit. Por ndërkohë po shtërngohesha që të përmbahesha, se ishim në rrugë ku herë mbas here kalonin qytetarë.

Rëzimi i diktaturës për Nikollë Skanën hap një histori të re. Angazhimi në politikë bëhet i vështirë. Në shënimet e tij të publikuara në tashmë në libër tregon pezmin e tij për faktin se dhunuesit, komunistet, spiunet e shërbëtorët po kapnin me shpejtësi majat e pushtetit të ri, në emër të “anti-komunizmit”. Me gjithë indiferentizmin e tij ndaj zhvillimeve të fundvitit 1990, përsëri nuk i rezistoi vullnetit të tij që e stimulonte për të kontribuar për të mirën e vendit. Bashkë me një shok të tij bashkëvuajtës, me mbështetjen e At Zef Pëllumit, u anagazhua për themelimin e një partie politike. Ka prova dhe fakte të detajuara se si një ditë të bukur gjen një kërcënim të fortë poshtë derës së zyrave. Kështu që Nikoll Skana bashkë me bashkëshorten Tatjanën i drejtohen sheshit Omonia në Athinë, si refugjatë të zakonshëm, për të punuar si marangoz. Më pas ardhja e Laurës e sjell në Tiranë ku bën një jetë të zakonshme e të qetë, një një shtëpi të vogël 1+1 të blerë me kursimet në Greqi, deri ditën kur një infrakt i rëndë bën që inxhinieri i spikatur i një historie të veçantë, të mbyllë jetën me dinjitet. Kjo ndodhi me 4 shtator të vitit 2000, në infraktin e tretë rradhazi.

Nga promovimi i monografisë “Nikollë Skana, inxhinieri që sfidoi diktaturën” me autor ing. Mark Zefi

E paralajmëruar më herët rreth orës 10.00, një ndër sallat e Dioqezës mbushet me qindra qytetare, ndër ta familjarë, miq e kolëgë të ndjerit Nikoll Skana, miq të autorit të librit ing. Mark Zefi, por edhe autoriteti më i lartë i Dioqezës Imzot Gjergj Meta dhe kryetari i Bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj. Në panel është kryetari i shoqatës së pyjeve z. Kol Malaj, vajza e të ndjerit hero i kësaj dite, Laura Skana sot studente në Belgjikë, avokati Alfred Duka dhe Gjergj Marku gazetar dhe moderator i këtij aktiviteti.

Në përcjelljen e parë z. Gjergj Marku ka bërë me dije pjesmarrjen dhe qëllimin e mbledhjes në këtë takim.

I pari është ftuar avokati Alfred Duka i cili në një kumtesë rreth librit ka thënë: Fjala e avokat Alfred Duka:

Ne jemi sot të gjithë këtu, por më këtu se të gjithë ne, është Nikollë Skana…

Ipeshkëvi Gjergj Meta në cilësinë e Zotit të Shpisë ndër të tjera tha:

Kryetari i Bashkisë z. Ndrec Dedaj ka vlerësuar me nota maksimale librin e ing. Mark Zefi, ndërkohë ka premtuar përkthimin e tij në gjuhë të huaj

Rradha për fjalë përshëndetëse ka qenë e jashtëzakonshme. Emocion pafund ka përjellë poeti Agim Doçi, por edhe kolegë të tjerë të Skanës. Të gjithë inginierë, politikanë e familjarë kanë konverguar në një pikë. Me mjaft emocion është prituar fjala e vajzës së vetme, trashëgimtare e Nikoll Skanës, Laura…. Nikoll Skana ishte njeri i veçantë, dishepull i kohës së tij, ndaj koha nuk ka për ta lënë në harresë. Rrikthimi i Tij, sapo ka filluar.

Rrëshen, 16.11.2019

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment