Debat shkencor për librin me titull: “Aty ku trupi flet”, me autor Skënder Haklaj, Botime “Enja”, Tiranë, 2019 (04.12.2019)

Nga Pirusti News

Nga: Dr. Rovena VATA

Studimi Aty ku trupi flet paraqet lindjen, zhvillimin dhe jetësimin e kcimeve dardane. Duhet të theksojmë që në fillim faktin se ky libër është i pari botim, që trajton historinë e artit të folklorit koreografik tropojan.

Kcimet e mia janë bashkërendëse të historisë, që nga lashtësia e deri në ditët tona! I quaj kcimet e mia se tanimë janë bërë pjesë e shpirtit tim, të shndërruara në ritme të jetës time. Kcimet nuk vdesin. Ato jetojnë përjetësisht, gjithnjë të gatshme që të komunikojnë me ne-shprehet profesor Skënderi. Ndër të tjera prof. Haklaj do të shprehej se: “Kcimet Tropojane janë si Bjeshka, të lidhura në rrënjë e të ndara në kreshta”, kjo shprehje faktëzon të gjithë simbolikën e titullit të këtij studimi.

Aty ku trupi flet është një studim që përfshin një shkrirje multidisiplinare të historisë së qytetërimit dhe asaj të civilizimit, pikturës, të antropologjisë së jetës dhe vdekjes, të astrologjisë, të religjioneve, të mitologjisë, të magjisë së bardhë dhe magjisë së zezë, të demonologjisë, të folklorit, të etnografisë dhe të shkencave të komunikimit.

Historia e kcimeve është trajtuar si art dhe shkencë, duke theksuar në këtë mënyrë që kcimi para se gjithash është komunikim me botën përreth nesh. Kcimet janë shprehja e parë artistike e njerëzimit, të shoqëruara me të vetmin instrument, me të vetmin mjet shprehës, lëvizjet e trupit, ku nëpërmjet çdo lëvizje, sado e thjeshtë qoftë ajo realizohet transmetimi i një mesazhi. Në vetvete kcimet janë gëzim, lutje, shpresë, janë lidhje artistike e estetike, është marrëdhënia mes interpretuesve dhe publikut. Kcimi është arti, i parë si vlerë artistike shpirtërore, i cili ka udhëtuar në kohë e hapësirë së bashku me zhvillimet shoqërore të njerëzimit, “Sa më gjatë që të rrojmë aq më shumë do dëshmojmë”shprehet prof. Haklaj.

Ndërmarrja e një studimi me titullin Aty ku trupi flet, është sa interesant aq dhe i vlefshëm, por njëkohësisht edhe i vështirë.

Nxjerra në dritë e këtij studimi synon që të plotësojë një tablo a mozaik, të cilit ende i mungojnë pjesë, mozaik i cili sado që të përpiqemi që ta plotësojmë sërish do të gjejmë diçka që mungon, pasi për kcimet e Tropojës ka shumë për të thënë, dhe nuk mjafton vetëm një botim për të plotësuar pikërisht këtë mozaik.

Ajo çfarë dua të theksoj më shumë në këtë studim është pikërisht metodologjia e përdorur, gjegjësisht një konceptim i metodologjisë së traditës me metodologjinë e kohës, duke shmangur ose zhveshur thelbin real të dukurive nga mbivendosjet ideologjike dhe ngushtësia doktrinare.

Aty ku trupi flet parë si kulturë materiale dhe shpirtërore, me tiparet e saj dalluese, etnike dhe kombëtare është e trajtuar mirë dhe gjerësisht, duke qenë kështu një produkt i proceseve të gjata e të ndërlikuara historike, kultura popullore, komponentët dhe aspektet e saj të shumtë e të larmishëm, përfshijnë epoka të tëra.

Autori, pra profesor Haklaj e ka shtruar si kërkesë të domosdoshme trajtimin e këtij libri mbi baza të një metodologjie të saktë shkencore, duke shmangur tepricën e informacionit, përshkrimeve dhe të dhënave dytësore, për të arritur në përfundime të sigurta. Për t’i dhënë studimit konkretësinë e nevojshme, janë shfrytëzuar të dhënat studimore e arkivore që lidhen me temën në fjalë.

Studimi Aty ku trupi flet, është shprehje e pastër e mendimit vetjak, e kënaqësisë shpirtërore, si dhe e studimeve etnologjike e folklorike, pra është një tregues i drejtpërdrejtë i mbijetesës së kësaj kulture ndër shekuj, e ruajtur dhe e trashëguar me fanatizëm nga banorët e Tropojës, e veçanërisht prof. Haklaj, në cilësinë e koreografit dhe studiuesit, dhe urës lidhëse për transmetimin e këtij kcimi tek brezi i ri. Me punën që ai ka realizuar dhe që vazhdon ta realizojë me brezin e ri, duke i ndarë ditët e javës mes Tropojës dhe Tiranës, ai po lë pasardhës të denjë për përcjelljen më tej të kcimeve të Tropojës, të cilët punojnë me të njëjtin pasion si dhe vetë profesori i tyre.

Gjithashtu pas leximit të këtij botimi më lindi natyrshëm ideja, që ky botim të përfshihet në plan programet shkollore artistike dhe akademike, si p.sh: liceu artistik, Universiteti i Arteve etj.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment