Qyteza e fortifikuar dhe Ujësjellësi (Gurra) në Domgjon të Mirditës

Nga Pirusti News

Nga: Julian VLASHI

Vendbanimi i fortifikuar që në traditën vendase njihet si “Qyteza”, ishte i vendosur në fshatin e sotëm të Domgjonit, në perëndim të luginës së Fanit të Vogël.

Në luginën e Fanit ka kaluar rruga e hershme dhe e rëndësishme Lezhë-Prizren. Një degë e saj nëpërmjet luginës së Fanit të Madh dilte në Fushë-Arrës, ku bashkohej me rrugën Shkodër-Prizren. Ndërsa dega tjetër nëpërmjet luginës së Fanit të Vogël dilte në Lumë (Kukës) për të arritur në Prizren dhe më pas drejt trevave të tjera të Dardanisë. Përgjatë kësaj rruge janë ndërtuar kala dhe vendbanime të fortifikuara: kalaja e Matrizës në Rubik, fortifikimi “Kalaja e Teutës” në perëndim të Tenës, fortifikimii mbi “Kepin Llesh” në veri të Gëziqit, kalaja e Meshurdhit në mes fshatrave Simon e Gëziq, “Maja e Kalasë” në Blinisht, kalaja e Andërfajt në Konaj, qyteza e fortifikuar e Domgjonit, etj. Disa prej këtyre fortifikimeve kanë pasur funksion mbrojtës e kontrollues të luginës. Referuar vendgjetjeve të shumta arkeologjike, përgjatë luginave të Fanit të Madh, Fanit të Vogël, e më gjërë, pos fortifikimeve që janë ndërtuar kryesisht në shekujt e pare të erës sonë, ka pasur edhe shumë vendbanime të hapura.

Sipas arkeologut Bep Jubani, në fortifikimin e Domgjonit është zbuluar qeramikë e shek. III-V, pas.e.sonë, e ngjashme me qeramikën e zbuluar në Përlat. (Bep Jubani, “Qeramika e zbukuruar me motiv vijash paralele”, “Iliria”, Nr. 1, viti 1990).

Sipas arkeologut Apollon Baçe: Ndërtimi i qendrave të banimit në shekujt e parë të erës sonë, në terrene të rrafshtë, përdorimi i tullave dhe llaçit hidrolizues i dha një shtytje ndërtimit të ujësjellsave. Ujësjellësi i Qytezës së Domgjonit nis në malin e Munellës ku uji pasi mblidhet prej një prite të vogël përcillet në një kanal nëntokësor. Në mesin e ujësjellësit gjendej pusi i kontrollit, në të cilin të fut nga sipër një portë e vogël. Pusi cilindrik, 12 m i thellë dhe 2.5 m i gjërë është punuar me muraturë guri. Një palë shkallë helikoidale të shpien në pusetën në taban, nëpërmjet së cilës kalohej në brendi të kanalit të ujësjellësit të punuar po me muraturë guri. Ujësjellësi ishte ndërtuar me njohuri të plota teknike. Kalimi i tij nëpërmjet tunelesh të hapura në shkëmb si dhe vetë konstrukti i pusit të kontrollit dëshmojnë qartë përvojën e punimeve në terrene shkëmbore, për të cilën popullsia vendase piruste, çmohej në tërë botën antike. (“Historia e Arkitekturës Shqiptare”, Tiranë, botim i vitit 1979.)

Sipas arkeologut Nikollë Doda: Pusi i kontrollit fillon me një hyrje jo të madhe në sipërfaqe të tokës. Nga këtu nisen 23 këmbë shkallë të gurta, që vazhdojnë në trajtën e spirales në faqen e brendshme të pusit, të cilat përfundojnë me një platformë në të cilën ndodhet puseta e kontrollit me përmasa 0.92×0.90 m, dhe vetëm 50 cm më poshtë kësaj platforme kalon tuneli i ujësjellësit. Tuneli ka gjërësi 0.95 deri në 1 m, ndërsa lartësia e tij lëviz 0.80 deri në 1.30 m. Pjesa më e madhe e tunelit është e hapur, me galeri horizontale të veshura me mure dhe nga sipër të mbuluara me qemer. Duke gjykuar mënyrën e ndërtimit të pusit të kontrollit dhe sidomos të tunelit të ujësjellësit, konstatohet qartë se ndërtimi i tij është kryer nga një popullsi me tradita në hapjen e galerive nëntokësore. Në kontekstin historik kjo përshkon me tradicionin e njohur, pasi fisi ilir i Pirustëve, që ka banuar edhe në këto treva, ka qënë i njohur për përpunimin e mineralit të bakrit.

Mendohet që Ujësjellësi dhe Qyteza e Domgjonit, janë ndërtuar në antikitetin e vonë, fillim shek. VI. Me sa duket, fortifikimi i Qytezës u ndërtua mbi gjurmët e një vendbanimi më të hershëm, në periudhën e Justinianit I-rë, i cili në kohën e dyndjeve sllave, ndërtoi apo rindërtoi një sërë fortifikimesh në territoret e Ilirisë.

Duke parë teknikën e ndërtimit dhe veçoritë arkitektonike të ujësjellësit, specialistët e kanë vlerësuar si ndër më të rrallët në vendin tonë. Ujësjellësi ka ardhur pothuajse i pa dëmtuar deri në ditët tona. Janë të nevojshme ekspeditat e organizuara arkeologjike për të dhënë një profil më të qartë të fortifikimit, planimetrinë e tij, etj, si dhe ndërhyrjet restauruese e konservuese.
Nga viti 1984, Qyteza dhe Ujësjellësi i Domgjonit mbajnë statusin “Monument Kulture i Kategorisë së I-rë”.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment