Aviatori mirditas Pjeter BIBA ne vitin 1979: “Fluturimi im, më shpejt se zëri”!…

Nga Pirusti News

Nga: Gjergj Marku

(…“Ishte 16 maji i vitit 1979, ditë që shënonte fluturimin e parë të pilotëve shqiptarë me avionë supersonikë MIG, përgatitur në shkollën shqiptare”, – kujton me nostalgji piloti mirditas Pjeter Biba. E midis tyre, nisur nga aftësitë profesionale, konstrukti fizik dhe gjendja e çastit, mes 6 pilotëve përzgjidhet mirditori Biba. “Sot kanë kaluar dekada, kanë ndryshuar kohët, njerëzit ose shumë prej tyre nuk e kanë jetuar atë kohë, por për mua dhe për qindra kolegë pilotë e punonjës ndihmës ky ishte një eveniment fatlum që do të hynte në historinë e pilotimit shqiptar”, – kujton piloti Biba. 

Siç kujton Biba dhe kolegë të tij, rreth orës 09.30 të mëngjesit konstruktorët shqiptarë Bardhyl Taci, Fitim Gërxalliu, Sali Dibra, Bilal Sina, Hamza Koçi e Klement Aliko e kishin mbaruar punën e tyre, ndërkohë që aeroplanit supersonik MIG-19 S i jepet komanda për t’u ngritur në ajër. “Isha piloti i parë i shkollës shqiptare që fluturoja i vetëm me MIG, njëkohësisht me një shpejtësi mbi shpejtësinë e zërit, fakt që më kishte mbërthyer të tërin në realizimin e detyrës, qoftë dhe me sakrificën supreme, flijimin e jetës”, – pohon për gazetën piloti Biba.
“Shpejtësija e zërit është 1 350 km në orë, ndërsa unë atë ditë historike me MIG-un tim fluturoja me një shpejtësi 1700 km në orë, që ishte rekordi për kohën”. Tregon gjithashtu se në një kohë prej 15 minutash me MIG-un e parë shqiptar,
që kaloi shpejtësinë e zërit, udhëtoi në të gjithë Veriun e vendit, madje dhe siper Nenshejtit te tij ne Orosh, derisa u kthye te shokët dhe kolegët që e prisnin të emocionuar në aeroport.

Si na e mori Kina skuadriljen e MIG-ëve modernë!…

Pas një pilotimi 20-vjeçar (numri i fluturimeve të cilëve për pilotët supersticiozë nuk jepet deri në vdekje. Për Bibën, sipas kolegëve, është mbi 5 030 fluturime), mes satisfaksionit të të qenit piloti i parë i shkollës shqiptare, që kaloi shpejtësinë e zërit, respektit që ka për instruktorët e kolegët e tij, Pjetri ka një brengë jo vetëm të vetën, por që tanimë është harruar krejtësisht si episod. “Dy vjet para se Shqipëria të denonconte Traktatin e Varshavës, aviacionit shqiptar i erdhi nga ky traktat një skuadrilje prej 12 helikopterësh më modernë të kohës, por sapo erdhën, çuditërisht na i mori Kina”, – shton me keqardhje ish-piloti mirditor. Ai tregon se ata avionë ishin dhuratë e Traktatit të Varshavës, ishin pa topa, me raketa të drejtuara, pajisje që pak vende i kishin në ato kohë.

 Motivacioni i kinezëve, komunikuar nga drejtuesit shtetërorë të kohës, ishte: “Ka diznivel midis teknikës dhe njerëzve (shqiptarëve) që u jepet në përdorim kjo teknikë”. Ky veprim i çuditshëm i qeverisë së kohës, sipas pilotit Biba e kolegëve të tij, jo vetëm ishte absurd (pasi pilotët shqiptarë me përgatitjen e tyre u kishin bërë sfidë në fluturime stërvitore kolegëve rusë, polakë, bullgarë, jugosllavë, grekë), por edhe fyes për një armatë pilotësh shqiptarë të njohur për kohën në bllokun e Lindjes…

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment