Mirdita dhe Abat Preng Doçi në këndvështrimin e Edit Durhamit

Nga Pirusti News

Nga: Dr. Rovena VATA

Mirdita në syrin e udhëpërshkrueses Edit Durhami është parë si një kulturë ndërkohore, pasi aty kanë gjalluar së bashku miti i malit me gjithë kontekstin e tij, prania e qenieve mitike, pra orët dhe zanat me mrizet e tyre, mendësia e shqiptarëve, malësori me lahutën, çiftelinë, me mikpritjen, me veshjen kombëtare, me të folmet e tyre karakteristike, me doket, zakonet, me besëtytnitë, me vajzat virgjëresha dhe modelin heroik të tij – trimat epikë legjendarë dhe historikë.

Traditën shqiptare në Mirditë, ajo e gjen mirëfilli edhe në personazhet që ka takuar, përgjatë udhëtimeve të saj nëpër zonat e Veriut të Shqipërisë. Durhami në veprën e saj: “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike”, e përshkruan abatin e Mirditës, Preng Doçin, një pjesëmarrës në Lidhjen e Shqiptare të Prizrenit, si një malësor i malit, por edhe malin me këto cilësi, përmes Abat të Mirditës.

Ndër të tjera Durhami e cilësonte kështu Abat Doçin, në librin e saj:

“Preng Doçi fliste me një mençuri të madhe. Ndoshta ishte një nga më largpamësit nacionalistë shqiptare. Nga lartësia e këtij vendi në soditnim Shqipërinë: vargje malesh si valë të gurta të një deti të madh, që ngriheshin drejt një qielli mrekullisht të kaltër dhe humbisnin në largësinë e një horizonti të kuqërremë. Ai i ngrente duart me kryelartësi dhe entuziazëm drejt kësaj pamjeje”.

Shqipëria dhe në veçanti Mirdita është vizituar shpeshherë nga udhëtarë të huaj, si: Franc Nopça, Rose Wilder Lane, por udhëtarja angleze Edit Durham mbetet mike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve, e në veçanti e Mirditës, ajo viztoi shumë fise të Shqipërisë së Veriut si dhe i paraqiti ato kudo në arenën ndërkombëtare.

Edit Durhami fliste me pasion për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe la gjurmët e vizitave të saj të shkruara në libër, për çdo ndjesi që pati kur i vizitoi nga afër.

Në verën e 1908-s, Edit Durhami, pasi bëri një vizitë në malet e Shqipërisë së Veriut, ajo vendos të kthehet në Mirditë dhe prej andej të vizitojë edhe Shkodrën. Mënyra sesi e pritën Durhamin në Malësinë e Veriut, ishte objekti i librit të saj një vit pasi kishte vizituar këto zona me titullin (Shqipëria e Epërme) “High Albania”, në këtë libër ajo përshkruan me detaje çdo fis dhe krahinë si dhe ku ngjasojnë apo dallojnë nga njëri-tjetri.

Në udhëtimet e saj nëpër Shqipërinë e Epërme, siç edhe e quan autorja, asaj i la përshtypje të veçanta Mirdita. Mirdita e njohur për burrërinë, mikpritjen dhe zakonet e saj tipike shqiptare, përshkruhet nga një udhëtare e huaj femër.

Ndalesën e parë për të shkruar në Mirditë Durhami e bëri në Malin e Shenjtë, atje ku janë akoma rrënojat e manastirit të lashtë benediktin. Ajo nuk harron pa përmendur abatin dhe faktin se ai di shumë gjëra, por në librin e saj e gjejmë se përmendet edhe mali i shenjtë i Rumijës, që ndodhet në Malin e Zi, ku autorja do shprehej:

 “Vazhduam rrugën me kuaj nëpër një shteg shkëmbor, deri në majë të Malit Shaint (Mali i Senjtë), ku qe selia verore e abatit, që ngrihej para nesh përkundrejt qiellit dhe ndaluam pranë rrënojave të kishës së vjetër dhe të manastirit benedektin, të cilat i kishin dhenë emrin malit të abatit titullin që mbante. Pastaj u ngjitëm me këmbë deri te shtëpia e kapela e vogël prej druri. Abati di shumë gjëra; ndër të tjera ka ditur të ngrejë selinë e tij veriore në një nga vendet më të bukur në Europë. Poshtë shtrihet një skenë e egër e mrekullushme. Gjithë Shqipëria shndriste nën ndriçimin e praruar, që e ndërprisnim aty këtu hije të mëdha të kaltërrema-Rumia përtej liqenit të Shkodrës në një largësi të vagullt-kreshta e ashpër e dhëmbëzuar e Shalës, shumë larg në anën tjetër të Gurit të Kuq, me malet e Dibrës përtej”.

Ajo jep të dhëna të rëndësishme në librin e saj në lidhje me Mirditën dhe sidomos me mënyrën e jetesës atje, por habia e saj më e madhe ishte për abatin kur shkruan se:

 “Nga shtëpia e kapedanit vajta te ajo e abatit, që qe truri i Mirditës, ndoshta personaliteti më i fortë në mbarë Shqipërinë e Veriut. Sa herë që pritet të ndodhë diçka me rëndësi, një nga pyetjet e para që bën kushdo, qoftë ky prift, njeri dosido, apo dhe konsull i cilitdo vend, është: Po abati ç’mendon për këtë? Po këtë s’e di asnjëherë askush.

S’ është nevoja – shkruan Edit Durhami – t’ju flas për kishën e tij, të projektuar prej atij vetë, më e madhja në gjithë malësinë, as për shtëpinë e tij të madhe, e mobiluar e gjitha sipas shijes europiane, e as për mikpritjen e tij princore. Këto i dinë të gjithë ata që vizitojnë Shkodrën e pastaj bëjnë një udhëtim lart në male. Kur vajta unë aty, ai vetë s’qe në shtëpi, por qe e motra, e cila me përshendeti me përzemërsi si të ishim të njohura të vjetra, dhe prifti i Oroshit, më bënë nderet e shtëpisë. Por Oroshi pa abatin është si ‘Hamleti’ pa Hamletin, ndërkohë që Prenk Pasha s’kishte ardhur ende”.

Abati ishte Preng Doçi, i lindur në 1846 dhe i shkolluar në Shkodër dhe në Romë. Ai kishte shërbyer si famullitar në Mirditë përgjatë viteve ’79 të shekullit të XIX-të. Kundërshtar i vendosur i pushtimit osman kishte hyrë në një marrëveshje me malazezët gjë që shkaktoi dëbimin e tij nga Mirdita. Propaganda Fide në Vatikan e dërgoi si misionar në Njufaundlend në SHBA në 1881. Mendohet se ai është shqiptari i parë që jetoi gjatë në Amerikë.

Më pas për vite me radhë shërbeu si sekretar i nuncit apostolik në Kalkutë, pikërisht atje ku vite më pas Nënë Tereza do të ngrinte misionin e saj të famshëm. Preng Doçi u lejua të kthehej në Mirditë vetëm në 1888. Një vit më pas u shugurua abat i Abacisë së Shën Lleshit në Orosh, një post që i dha mundësi të shndërrohej në njërën prej figurave më kryesore të Mirditës.

Në 1899, së bashku me dy priftërinj të tjerë, Ndoc Nikajn e Gjergj Fishtën, ishte bashkëthemelues i shoqërisë “Bashkimi”, prej së cilës kemi sot alfabetin latin të shqipes.

Durhami në librin e saj në lidhje me Mirditën shprehet se ata e kanë shumë të theksuar raportin e tyre me fenë e krishterë. Pasi dihej se Mirdita ishte e vetmja zone, që nuk u prek nga myslimanizmi në kohën e pushtimit të Turqisë dhe e ruajnë me fanatizëm edhe sot e kësaj dite, nga ku mund të këtë dalë edhe shprehja: “Dhé me dhé e fe me fe”. Ku ndër të tjera, Durhami do të shkruante:

 “Pasi hymë në Mirditë, kaluam përmes të tjerë pyjesh të mrekullueshëm me bredh, pastaj dolëm në një plajë të madhe me ca kasolle trashanike aty këtu-ku rrinin barinjtë gjatë verës. Prej andej dolën që vrapuan të na uronin mirëseardhjen, duke na sjellë ca enë druri me qumësht e një copë të madhe djathi deleje që këmbëngulën ta merrnim si dhuratë: “Falë Zotit”! Thirri Marko. “Tani jemi në tokë të krishterë!”.

Me të shkruar në Mirditë ajo që dallon Durhami është mikpritja e tyre edhe ata që janë të panjohur dhe sidomos të huaj, ajo flet jo vetëm për mikpritjen, por edhe për mirësinë që kanë banorët e kësaj zone, kur shkruante se:

Kapedan Marko Ghoanni, kushëri me Prenk Pashën, pati mirësinë të më ftonte në shtëpi po qe se do shkoja në Orosh, ndaj dhe kur mbërritëm atje, duke parë se s’kshin ndonjë zi, shkuam aty. Ai vetë s’qe në shtëpi, por vëllai, kapedan Nue bashkë me të kushëririn, na pritën me mikpritjen më të madhe”.

Sytë e udhëtarës kanë përshkruar çdo detaj, ajo nuk lë pa përmendur edhe mënyrën e ndërtimit të shtëpive që gjeti atje, artitekturën e ndërtimit të tyre si dhe arredimin e shtëpive mirditëse. Durhami lutet që ky zakon i arredimit të shtëpive të mos ndryshojë asnjëherë, madje as kur fyrma evropiane të këtë mbërritur në këto male, pasi thotë autorja:

“Shtëpia e madhe prej guri lart në faqen e malit, me ato dhomat e saj të mëdha, të ajrosura mirë e të lyera me të bardha, një vatër të madhe të mbuluar, si dhe mobilie solide të bëra vetë, të latuara e të gdhendura sipas stilit të vjetër shqiptar (sa keq sikur ndonjë ditë të zëvendësohen nga mobiliet e rëndomta europiane, të bëra me makineri) është banesa e duhur për një prijës malesh, në harmoni me dinjitetin e thjeshtë të të zotërve”.

Durhami përmend në libër të saj edhe tiparet e djemve të Mirditës, të cilët i quan madhështorë dhe që rrobat e zonës së tyre u rrinin fort bukur.

“Hëngrëm një darkë të shkëlqyer me dy të zotët e shtëpisë. Na shërbenin djelmoshat e familjes, që dukeshin madhështorë e mesjetarë me rrobat e bukura mirditore”.

Kur Durhami mbërriti në Mirditë dhe u familjarizua me ta, ata shprehnin frikën e tyre asaj se mos vallë ligjet e reja, do t’ua hiqnin privilegjet që ruanin që prej shekujsh dhe dëshirës se modernizimi i Perandorisë Osmane, sikurse kishin premtuar xhonturqit, do t’ua përmirësonte jetën, ku Durhami shprehet:

“Dhe shpresova që Kushtetura s’kish për të sjellë humbjen e asaj ç’ka qenë e mirë dhe e bukur në jetën e vjetër”.

Ajo jep edhe të dhëna historike se sa shtëpi ishin në Mirditë, sa bajraqe si dhe më kryesorja që sihte zakon që fiset të cilat ishin gjak me njëri-tjetrin nuk mund të lidhnin martesa mes tyre, pasi:

“Mirdita kishte aty te tre mijë shtëpi, më tha i zoti i shtëpisë, që të gjitha të krishtera, dhe përbëhet nga pesë bajraqe, nga të cilët Oroshi, Spaçi dhe Kushmeni kanë të njëjtin gjak me Shalën e Shoshin, ndaj dhe s’mund të lidhin martesa as mes tyre e as me Shalën e me Shoshin. Kur kish nisur shtypja turke, ata kishin ardhur nga malet e Pestrikut, në afërsi të Gjakovës. Lek Dukagjini, thanë ata, kish qenë një ndër të parët e tyre dhe në kohën e Skënderbeut sundonte në gjithë malësinë; dhe Lura atë kohë kish qenë pjesë e zotërimeve të tij”.

Durhami jep të dhëna edhe për dy figura historike të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, për Skënderbeun dhe për Lekë Dukagjinin. Leka dhe Skënderbeu kishin lidhje farefisnie me njëri-tjetrin dhe ajo çfarë ishte karakteristikë vetëm në Mirditë dhe në asnjë fis tjetër ishte se gratë e Mirditës mbanin veshur gjurdin e zi për të vajtur Skënderbeun, ndërsa në fiset e tjera ishte veçori vetëm për veshjet e meshkujve, si bie fjala:

“Skëndërbeu kish lidhje farefisnie me Lekën, më thanë ata, ndaj dhe gratë e Mirditës mbajnë veshur gjurdin e zi për të vajtur Skënderbeun, gjë që në gjithë fiset e tjera ndodh vetëm në veshjet mashkullore”.

Në Kthellë bëhet një bisedë e gjatë mes udhëtares angleze dhe burrave mirditorë. I gjithë thelbi i diskutimit është pagesa e taksave. Anglezja thoshte se duhet nisur nga pagesa e taksave, kështu që shteti të ketë mundësi financiare për të ndërtuar, rrugë, shkolla, spitale, hekurudha për qytetarët e tij. Mirëpo, paguanin taksë vetëm për gjakmarrje.

“Mikpritësit e mi u habitën kur morën vesh sa shumë taksa ne paguanim në Angli dhe u shprehën se kjo fliste për një administrim të keq, për çka ma do mendja kanë të drejtë. Po ama e pranonin se vetëm për gjakmarrje, në Mirditë paguanin një goxha taksë”.

Udhëtarja angleze rrëfen se cilat ishin në atë kohë mënyrat e rregullimit dhe marrjes së gjakut. Ajo shprehej se Mirdita ka rregullat e veta përsa i takon gjakmarrjes dhe më pas shpejgon se:

“Ndërkohë, në mbarë Mirditën qenë shtuar shumë vrasjet. Flitej se do t’i jepej fund gjakësive, ndaj dhe të gjithë nxitonin të lanin hesapet e vjetra sa kishte akoma kohë. Mirdita kishte ligjet e saj të veçanta i takonte gjakmarrjes. Menjëherë pas vdekjes së një burri, ai që e kishte vrarë duhej t’i paguante kapedanit një ka, si dhe pesë lira turke. Më pas mblidhje një mexhlis që vendoste ç’taksa të tjera do duhej të paguante. Shtëpia nuk i digjet. Gjoba ndyshon nga dhjetë deri në njëzet dele apo dhi, sipas mundësive që kishte. Për të arritur paqen do t’i duhet të kryejë, duke përfshirë këtu dhe tarifën për mexhlisin, shkojnë në rreth 60 lira. Pas njëzet e katër orëve të para, kur mendohet se dikush mund të veprojë në gjaknxhetësi e sipër, mund të merret hak vetëm ndaj palës fajtore dhe jo ndaj cilido të afërm të tij. Ky është një përmirësim që i është bërë ligjit të vjetër”.

Një tjetër aspekt që rrëfen udhëtarja e huaj ishte edhe fakti se mirditorët derdhin gjak edhe për çështje nderi, ajo pohonte se:

“Në çështje nderi Mirdita mund të derdhë dhe në fakt, ka derdhur rrëke gjaku”.

Gjatë rrëfimit të saj ajo jep edhe një fakt të rëndësishëm për mënyrën sesi bëhen martesat në moshë të re që fëmijë dhe se këto martesa bëheshin pa pyetur nusen apo dhëndrin, mjaftonte të ishin prindërit dakord për këtë martesë, por dëshira e të rinjve nuk merrej parasysh dhe në këtë situatë që ajo rrëfen i përmbyset situata, por vetëm në një rast.

“U ulëm përdhe përreth sofrës për të ngrenë darkë. Ai më tregoi me dorë vajzën e tij më të madhe, një vajzë e lezetshme gjashtëmbëdhjetë vjeç. Tani do duhej të qe e martuar, më tha ai. Ai e kishte pas fejuar që fëmijë. Kishin caktuar ditën e dasmës. Prifti dhe dhëndri kishin qenë të gjithë gati, kur ajo kishte thënë se s’donte ta merrte atë për burrë. S’e kishte parë kurrë më parë. Prifti s’kish pranuar t’i martonte pa dhenë ajo pëlqimin. Ata, prindërit qenë përpjekur ta detyronin. Por atëherë, dhëndri me shumë kavaleri, u kishte ofruar të hiqte dore prej saj pa kërkuar për këtë gjak, duke thënë në mënyrë shumë të arsyeshme se s’donte një grua që s’e donte dhe se për të ajo mund të shkonte të martohej me kë të donte. Ky qe i vetmi rast që unë has kur refuzimi i vajzës për t’u martuar, pranohej në një mënyrë të tillë të arsyeshme. Marko, që për këto çështje është mendje hapur, shprehu mendimin se përgjithësisht fejesat që fëmijë nxjerrin telashe. Por i ati e kundërshtoi e tha se qe i mendimit se “Ajo duhet të martohet me atë që ua unë e jo atë që do ajo”. Kur erdhi koha për të fjetur, mua më dhanë një jorgan ku të shtrihesha. Kurse të tjerët u shtrinë e fjetën përdhe, ku të mundnin mbi dërrasa”.

Dhe së fundi Durhami nuk lë pa përshkruar edhe mënyrën sesi e qethin kokën mirditorët, ishte edhe kjo një veçori që i dallonte nga të tjerët, shprehet ajo:

“Mirditorët nuk e rruajnë aspak gjithnjë kokën, siç bëjnë pjesa më e madhe e fiseve të tjera. Në të vërtetë, në shumë raste, ata rruajnë vetëm një pjesë mjaft të vogël në tëmtha. Meqë dy prej pesë bajraqeve kanë tjetër gjak, s’është për t’u habitur përse tipat e njerëzve që banojnë aty ndryshojnë aq shumë. Nga një anë një tip i gjatë, me sy të përhimë, nga ana tjetër, një tip trupvogël e zeshkantë cilin e has shpesh, si dhe, padyshim, gjithë rastet e ndërmjetme”.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment