Spaçi, i pari v’lla! ..Nga Dom Gjergj META, Ipeshkëvi i Dioqezës Rrëshen

Nga Pirusti News

 

Në Kodër Spaç shkohet lehtë, edhe pse rruga vazhdon të jetë e pashtruar megjithë fitimet që sjell miniera. Zef Ndoci (Zef Ndue Zefi) mundohet ta mbajë mirë së paku pjesën e rrugës nga ku merret kthesa e deri te kulla e tij.

Pak pa shkuar te kthesa marrim me vete edhe Gjetën. Këtë të fundit e njohin të gjithë, nga pronarët turq të minierës te punëtorët e deri te rojet e gardës së Republikës. Gjetën e njohin turistë e personalitete. Falë tij te burgu i Spaçit ka mbetur ende ndonjë gjë. Nisemi e ngjitemi drejt Kodër Spaçit.

Aty na pret vetë Zefi 80 vjeçar. Është energjik, i gjallë, në të folur e në të ecur. Më shpjegon gjithçka nga Kisha e vjetër te qela, te Kishat e tjera, kullat e burrat më në zë të Kodër Spaçit. “Gjyshi më ka lanë barrë të randë dom Gjergj”. E kuptoj çfarë do të thotë kur më tregon fotografinë dhe historinë e tij si deputet e njeri i shkolluar në gjermani e në kohën e tij antizogist. I ati Ndoi i arratisur në Gjermani si antikomunist. Por këto janë fakte kronike. Faktet aktuale janë kullat e trojet e vjetëruara e pa banorë. Aty jeton vetëm Zefi me të shoqen.

Më tregon troje të vjetra, tokat e Kishës dhe unë imagjinoj një qytezë aty. Rrallë ose aspak kam parë aq kulla pranë njëra-tjetrës. Kryesisht në Verilindje e në Veri nëpër Malësi kullat janë larg njëra – tjetrës.

Ndalemi te kulla e Prend Gjurës këtij burri të fisëm e të vuajtur të Spaçit. Duket që është kulla e një punëtori të madh. Por Prendit nuk ia dhanë Zoti fëmijë e tash ajo kullë është krejt e braktisur.

Kur del pak më tej shikon Oroshin, Nënshenjtin, Zepën, Lisat e Marpepës, Repsin e Shpalin. Një panoramë 360 gradë.

Ndalemi më në fund te kulla e Zefit. E ka rindwrtuar të gjithën sikur ka qenë. Zefi ka biseda të këndshme e plot humor. Është i drejtpërdrejtë, por edhe shumë i zgjuar. Para se të shkojmë te dhoma e drekës pranë oxhakut bëjmë bekimin e shtëpisë duke thënë një ltuje të gjithë bashkë.

Ulemi rreth tryezës. Na tregon me krenari fotot diplomimit të t’birit që jeton në Angli. Buka është gati. Pasi themi fjalët e rakisë nisim bisedën. Zefi tregon, por edhe pyet. Një pyetjeje pak delikate iu përgjigja duke i thënë:

– Zef mos më prek në tela tash.

   Përgjigja e tij ishte e gatshme:

– Po nuk t’i preka telat nuk tingllon ti.

 Qeshëm të gjithë. Mbarojmë drekën e dalim. Kur zbresim ndalemi te shtëpia e Gjetës rrugës së Spaçit. Aty i gjejmë prindërit e Gjetës, dy nuse të shpisë e një fëmijë të vogël. Sipër televizorit Gjeta ka vendosur një këpucë që ka zënë myshk e që ai ka gjetur në kampin-burg të Spaçit. Edhe aty pijmë nga një gllënjkë raki e hamë pak petulla me mjaltë. Gjeta ka shumë projekte e ka pasionin që të mbajë gjallë jetën në Spaç.

Dashtë Zoti në pranverë do të kthehem aty përsëri, për një meshë në Kodër Spaç, bashkë me ata që do të vijnë nga anë të ndryshme.
Spaçi, ky vëlla i madh i Mirditës, edhe pse tashmë i heshtur nga braktisja shkretuese i foli kujtesës dhe zemrës time.

+ dom Gjergji

Photo: Xhovalin Kaçorri

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment