Të korrësh grurin me policë. Si u zgjidh konflikti mes banorëve të fshatit Gajush me ata të Pllanës në vitin 1992.

Nga Pirusti News

Ngjarja ka ndodhur në qershorin e vitit 1992, atëherë kur me rënien e rregjimit komunist ekonomitë bujqësore po kalonin nga ekonomi të centralizuara në ekonomi private. Dy fshtra konfliktohen ashpër se kujt i takonte gruri që ishte mbjellur në kohën kur akoma centralizimi nuk kishte ndryshuar plotësisht, ndërsa korrja e tij bëhej në një kohë që nuk njihej më ai sistem. Banorët kishin mbushur armët për grurin dhe koflikti mund të degjeneronte ashpër, ndërsa asnjë autokombanier i Lezhës, Mirditës apo Kurbinit për arsye sigurie nuk pranonte të futej në ato ngastra. Banorët e fshatit Pllanë arritën të gjenin një autokombanier në Tropojë i quajtur Hysen Sulaj i cili kishte marrë përsipër ta korrte grurin brenda 48 orësh.

Si u arrit që gruri të korrej, ndërkohë që majë autokombanjës patrullonin policë më kallashnikovë. Një histori që sot mund të duket e pa perceptueshme ndërkohë që në vitin 1992 ishte temë e ditës në Lezhë. Pjesë nga libri në botim i oficerit të lartë të të policisë Shqiptare P. T, libër i cili do të dalë shpejt në qarkullim. (Shënimi im: A. Ndoja)

Qershor 1992.

Në disa zona rurale të rrethit të Lezhës kishin filluar konfliktet e para për çështjet e pronësisë, ku përgjegjësitë dhe padrejtësitë në vendimmarrjen e këtyre komisioneve po sjellin pasoja deri në disa konflikte të rrezikshme për jetën e qytetarëve. Në muajin qershor të vitit 1992 ishte krijuar një situatë tej mase e vështirë e mbartur një vit më parë, konflikti ndërmjet banorëve të fshatit Pllanë me banorët e Gajushit, fshat në juridiksionin e komunës Zejmen.

Informacionet dhe të dhënat që dispononte policia rreth kësaj situate kishin arritur me zhvillime të tilla kulmore, aq sa mund të kishte në çdo moment sulme të armatosura ndërmjet banorëve të dy fshatrave. Pasi mora informacion të hollësishëm rreth këtij konflikti si nga strukturat e policisë, nga kryetari i këshillit të qarkut e prokuroria e rrethit, nxora konkluzionin se ky konflikt ishte krijuar me dashje apo pa dashje nga papërgjegjsmëria e drejtuesve të Këshillit të Qarkut por dhe vendimmarrja e komisionit për ndarjen e tokave bujqësore, në zbatim të ligjit 7501.

Për zgjidhjen e këtij problemi, ministri i Bujqësisë së asaj kohe ka ardhur në rrethin e Lezhës 4-5 herë, duke bërë takime me drejtuesit e qeverisjes vendore. Toka u ishte dhënë në pronësi banorëve të fshatit Pllanë ndërsa mbjelljen e grurit e kishin bërë forcërisht një vit më parë banorët e fshatit Gajush, të cilët kërkonin ta korrnin forcërisht për familjet e tyre. Policia e kishte denoncuar çështjen në prokurori dhe pas përfundimit të hetimeve, çështja ishte dërguar për gjykim në Gjykatën e Faktit.

Kjo situatë i është bërë prezent Ministrit të Brendshëm, Z. Agron Musaraj, i cili ka treguar angazhim maksimal për të mbështetur komisariatin e policisë me mjete dhe forca speciale, për të zgjidhur situatën me qëllim parandalimin e konfliktit të armatosur. Banorët e fshatit Pllanë kërkonin autokombanjer ne Lezhë, Kurbin, Mirditë e Krujë për ta korrur grurin, por asnjeri prej tyre nuk pranonte për faktin se mund ti rrezikohej jeta.

Këta banorë kanë bërë të mundur që të siguronin një autokombanjer nga Tropoja i cili quhej Hysni Sulaj i cili kishte marrë përsipër që me mbështetjen e policisë, ta korrte grurin për 48 orë. Tre ditë përpara se të vendosej korrja e grurit, kam vajtur dhe kam kontaktuar me një përfaqësi të banorëve të fshatit Gajush, i kryesuar nga i persekutuari Vuksan Vuksani i cili në momentet e para të takimit ishte tepër arrogant, duke u shprehur e bërë presion se nuk ka polici e shtet që të na e marrë grurin. Unë i kam dhënë këtë përgjigje që nesër në ora 10.00, me të gjithë forcat policore të rendit e ato speciale, me mjete e armatim që kemi, do të përballemi edhe me disa armëmbajtës pa leje që ju keni në zonë, të cilët nuk mund të sfidojnë policinë e shtetit, prandaj edhe unë po me arrogancë i jam përgjigjur: Njoftoji të gjithë banorët për takimin nesër në ora 10.

Sjellja e tij në marrëdhënie me mua, më bëri që edhe unë të tregoj “arrogancën” time me qëllim për ti treguar vendosmërinë e policisë, për të korrur grurin dhe parandaluar konfliktin e armatosur.  Në takim më përfaqësinë e fshatit Pllanë banorët ishin  shprehur se “gjallë a vdekur” me autokombanjerin nga Tropoja, do ta korrim grurin edhe pa mbështetjen e policisë. Ato shpreheshin të irrituar ndaj kryetarit të këshillit të qarkut të asaj kohe Gjergj Gjoni, i cili sipas tyre, meqënëse ishte malësor anonte në vendimmarrje nga malësorët e Gajushit. Po kështu ata shpreheshin se Gajushi është zonë me e djathtë politikisht, siç ishte dhe kryetari. Sapo kam vajtur në komisariat, kam mbledhur stafin, ju kam bërë prezent situatën, kam urdhëruar bërjen menjëherë të planit të masave duke planifikur me shërbim 8 grupe të forcave speciale (Brisku, FNSH, 12 automjete policie, makinën zjarrëfikëse, qenin e policisë) duke planifikuar sigurinë e parcelave të grurit në trajtim ligjor sikur janë objekte të rëndësishme shtetërore, për rregullat e hyrje-daljeve që do të zbatoheshin nga policia gjatë korrjes së grurit. Po kështu rreth 18 kryefamiljarëve u është bërë fletëthirrje ligjore për tu paraqitur në komisarjatin e policisë.

Në momentin e vajtjes tek parcelat e grurit, kryefamiljarët ishin larguar nga banesat, asnjëri nuk ishte i gatshëm për tu përballur, siç premtoi një ditë më parë përfaqësuesi i tyre Vuksan Vuksani i cili është shoqëruar forcërisht në komisariat, derisa ka përfunduar korrja e grurit. Pasdite në fshatin Gajush, gjatë proçesit të korrjes së grurit ka ardhur Ministri i Brendshëm Agron Musaraj i cili falenderoi punonjësit e policisë për korrektësinë dhe shërbimin që po kryenin, me qëllim parandalimin e konfliktit të armatosur.

Vendimmarrja për korrjen e këtij gruri ishte një rrisk shumë i madh, për faktin se kishte kapërcim të kufijve ligjorë, të ushtrimit të kopetencave institucionale, kushtetuese dhe proçeduriale për arsye se çështja e zgjidhjes së këtij konflikti ishte për gjykim në Gjykatën e faktit Lezhë.

 Por nënvizoj se nëse do pritej vendimi gjyqësor, pasojat e jetës së njerëzve do të ishin katastrofike ndërmjet dy fshatrave. Theksoj se nëse do të kishte ndonjë pasojë për jetën e njerëzve gjatë proçesit të korrjes së grurit, prokuroria dhe gjykata ishin në gadishmëri të plotë për të marrë masa proçeduriale, arrestime e gjykime të drejtuesve të policisë që ndërmorën këtë aksion të rrallë, të veçantë por të domosdoshëm në bazë të nevojës ekstreme proçeduriale për të shpëtuar interesat më të mëdha mund të cënohet e dëmtohet një interes me pasoja më të lehta, për jetën e pronën e qytetarëve.

Fatmirësisht situata u zgjidh pa asnjë pasojë të jetës së banorëve të dy fshatrave. Gruri u administrua nga banorët e Pllanës të cilët më bënë një ftesë për të festuar ditën e bukës së re, veprim i tillë nuk mund të bëhej kurrsesi nga ana ime pasi do te krijonte një shqetësim e konflikt tek banorët e Gajushit, të cilët aktualisht bashkëjetojnë në një harmoni e marrëdhënie shoqërore e njerëzore, pa asnjë lloj paragjykimi ndërmjet banorëve të kësaj zone.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment