Nga Gjergj Marku: Kur KAPIDANI i Mirdites martonte djalin ne vitin 1930!…

Nga Pirusti News

(Dhjetëra studiues e udhëpërshkrues të huej që i janë qasur Shqipërisë sidomos në mesin e Shekullit të XIX dhe fillimshekullin e XX-të, hapin e kanë ndalur në atë që e kanë quajtur “fisin më klasik, më homogjen dhe më karakteristik në Shqipni”, pikërisht Mirditën dhe mirditasit. Hulumtimet e tyre do të ishin të mangëta nëse nuk do të shkelnin në këtë “oaz të papushtuem” nga këmba e pushtuesit osman, aty ku ishin ruajtur më së miri doket dhe zakonet shqiptare, thote studiuesi Ndue Dedaj, ndërkohë që gjithnjë më e mira derë për të kuptuar se si funksiononte ky kod ishte Dera e Kapidanatit, selia e njohur në krye të Oroshit, e shquar si derë princërore me sjellje evropiane.

“Mirdita nuk mund të kuptohet pa Derën e Gjomarkajve”, -shkruan At Zef Pëllumbi. Si do që të shkruhet e të folet për ta, për nga vjetërsia e tyre, sidomos nga koha e Bushatllinjëve të Shkodrës ata janë bërë shumë të njohur e të përmendur pse i prinin të gjithë Mirditës. Mirdita kishte shumë bajrakë, por mbi të gjithë bajrakët ishte Kapidani, Dera e Gjomarkut, e cila është dalluar gjithmonë në ato mbledhjet e mëdha që janë bërë shpesh, ose Mirdita më vete ose me krahinat e tjera, sidomos me Shkodrën në kohën e Bushatllinjëve…”

Studiuesi Aleksandër Meksi shkruen se “për shkak të kundërshtimit që Kapidanët i bënë regjimit komunist, për shkak të përsekutimit që patën të gjithë pjesëtarët e familjes së Gjomarkajve, kuptohet se kjo familje nuk është studiuar sa duhet mbas luftës së Dytë botërore. Kjo histori meriton të studiohet, pse mbart në kohët e vona dëshmi të strukturave të mëparshme të organizimit, traditave, zakoneve që kjo familje kishte. Meriton të studiohet për shkak të vlerave që familja e Gjomarkajve kishte për ruajtjen e autonomisë lokale në vetëqeverisjen e saj, duke ruajtur zonën nga tendencat e copëzimit, nënshtrimit etj.

Ernest Koliqi e përshkruan kapidanin e Mirditës: “Rrallë njeri në breznitë e fundit paraqitej ndër ne si Gjon Marka Gjoni, i ngjeshun me tharmet ma dalluese të brumit t’onë ethnik. Në shoqni të tij, tue ia ndëgjue kuvendin, kishim përshtypjen se gjindemi para prototipit të rracës shqiptare, shpëtue për mrekulli nga cënimi i kohës…”

Kësaj rradhe do të ndalemi tek një aspekt që flet shumë, dasma në këtë derë. Një prej pinjojvë të kësaj dere Gjon Markagjoni (në vitet 1997 deputet në kuvendin e Shqipërisë, por që për fat të keq jetoj fare pak vite në demokraci), sjell kujtime interesante pikërisht nga këto doke e zakone, shënime të botuara në revistën LEKA në gusht të vitit 1930.

“Të huejve që patën fat me shkrue mbi traditat, doket e zakonet tona, kurrnji send nuk u kish ba ma tepër përshtypje se sa pritja e bujaria e shqiptarit, si dhe feja e besimi në Zotin”. Dhe kjo manifestohet qoftë dhe në sjelljen princërore të një dasme të kësaj dere ku nuk mungojnë as të ftuar të nderit, konsuj e udhëheqësi, por as vegjëlia.

Le të shkojmë në ato vite me shënimet e hershme.

Dasma, 1930

Nuk asht e pa vend të flas diçka edhe mbi darsmën madhështore që bani shpija e Gjonmarkajve, dera ma bujare e ma e vjetra në Mirditë, pse prej kësaj dasme shofim të përsëritun doket e njatyne darsmave prrallore, qi aq bukur na i përshkruejnë shkrimtarët e huej si Francesco Tajani, De Grandi, Gopchevich etj, darsmat qi kishin zakon me ba dyert bujare, shpijat e princave të moçëm të Shqypnisë, doke qi theksojnë karakterin e vjetër e bujar të Shqyptarit. Duhet dijtë pra se Kapidan Gjoni i Marka Gjonit, qysh me 10 Gusht kishte përhapë thirrsa e lajmtarë termal e teposhtë mrenda dymbëdhet bajrakëve (Mirditë, Kthellë, Malci të Lezhës) e jashtë për me grishë pa ndërlikim besimi, të madh e të vogël, autoritete të vendit e njerëz të huej, krenë, bajraktarë, pse të Dielën 24 Gusht 1930 martote Markun, djalin e parë të vetin, e i thirrte në darsëm qi të merrshin pjesë në gëzimin e familjes. Të gjith sa kjenë të grishun, gjini, miq e dashamirë, të marrmen lajmin e grishjes mendojnë për dhanti e tuej fillue prej datës 18 Gusht të veshun e të mathun ma së mirit e shtërngue n’armë, tubë mas tube, kush para e kush mrapa, duen me dalë tu konaqet e Kapidanave. Secila çetë ka qè e desh për dore e porsa duken kundruell konaqeve, i zoti i shpis qi i sheh, në shej gëzimi e hareje fillon pushkën, së cilës i përgjigjen miqt e kshtu pa ja da deri sa mrrijnë në shteg t’oborrit: aty pushka pran e miqt falen me të gjith tjerët qi i kanë dalë para, ndërsa gratë rreshtue n’oborr u këndojnë parë e parë vallen dasmorve tuj përmend secilin me emën të vet e tuj i shpallë edhe dhantin qi bjen, me fjalë:

Faqe bardhë kjoftë filan zotni
Për dhanti pruni nji ka (dash) e nji flori
Ja baft Zoti’ i qind e’ i mi
Ngiatja Zot jetën e ti,
etj.

Miqtë i përcjell mrendë i zoti i shpis, ku i nderon me duhan e kafe e mrapa u shtron rakinë. Mrendë kërset kanga e piskamja, ndërsa jashtë gratë u këndojnë kangën miqve qi vinë e burrat i nxisin batare pushkësh. Prej datës 18 e deri me 23 Gusht s’prajnë tuj ardh miq e gati të gjith ndalen aty për nji javë ditë. Nuk dihet me të njehun se sa kjenë dasmorët, por pa droje gabimi, mund të thohet se janë kenë ma se 1000 vetë.

Bujaria e të zotit të shpis s’kursej kurrgja për me nderue e me gostitë miqtë si duhet. Furrtarë prej Prizrendit kjenë pru aty për me qitë bukë si në gjytet, ashtu edhe gjellbasa për tryezë alla franca. Pat sofra kamëkryq si mas zakonit të vendit e sofra alla franca për të huej e zotni të naltë. Gjithkund bollëk, salltanet e dalldi si në stoli t’odave, ashtu ndër orendi e në hae, në pije, sa mos me ja pasë lakmi shpijave as hoteleve të mdhaja të Europës, gjith ashtu shtrojë e mlojë për zotni e kurrkush nuk hoq keq për të fjetun.

Të shtundën nade, me 23 Gusht, krushqit e dhandrrit, 22 burra të zgjedhun, masi u falën me të gjith u hypën kuajve e përcjellë me kangë e batare nisen për Vig, në bajrak të Dibrrit, ku do të marrin nusen. N’at mrame bijnë në shpi të Marka Gjon Per Jakut, shpi ndër ma të mirat e Vigut e, të Dilën nade, bashkë me nuse e me krushqit e saj kthejnë n’Orosh për nji rrugë tjetër, sikurse asht zakoni.

Kur janë kah i aviten katundit, nji djalë ndër ma pelivanat, shkputet prej shokve e nget tu shpija e dhandrrit me dhanë siharriqin se nusja nuk asht larg. Në kët ndërkohë krushqit me nuse kanë xanë vend më nji patalok për me pritë tjerë krushq darsmorë qi vinë me u dalë para. N’oborr t’dhandrrit rreshtohen gjith sa jan darsmorë e darsmore e t’u pamen krushqit me nuse, kerset pushka batare e nuk men deri sa nusja të ket mrri n’oborr të shpis. Atëherë pran pushka e dahet ma e qartë vallja e grave. Krushqit falin e nusen e ulin prej kalit.

Pa u shtye gjatë ndër hollsina, përshtypja e parë qi ban nusja asht e mirë duket e re, edhe e hieshme sikurse i ri e i pashëm asht edhe dhandrri. Ftyra e nuses asht e mlueme me duvak të kuq, por ai vel transparent len me pa se asht e mirë. Vesha e saj komtare përbahet me fustan të bardhë pola-pola, stravecë të kuqe me thekë, gjeheng cohet të bardhë mush me lajle e gajtana e kaçulitë të mndafshtë në krye. Parsmen ia hijeshojnë stringla parallëkë ari, ballin ia zbukuron nji paftë ari (dallfes) me shum lajle, breshnue me lira turke, rrathë të kushtueshëm e gishtat mushë me unaza.

Ne kërkojshim dhandrrin, i cili asht mrendë e nuk duket, edhe ai asht veshun komtarisht, tirqi të bardhë me shum gajtana të zezë, enteri e jelek të ngrim n’ar e ksulë të bardhë në krye.

Baba qi bashkë me dy krushq të parashenjuem ulin nusen prej kalit, i merr dorën ksaj dhe e çon në mes të grave të cilat për pak kohë i kndojnë parë e parë e mandej e shtien në shtëpi. Te shkami i derës i shtrojn grunë për shej të mirë tue i urue “pastë ardh me bereqet”, mandej i japin nji grusht sheqer, të cillin nusja e lshon mi nji kusi qi a në zjarr, për shej se nusja duhet të jet gjithmonë goj-ambël e pruftë harmoni në shpi. Mrapa vjen ceremonia e duvakut, të cilin nuk ia hjek grue por nji mashkull ndër ma t’afërmit e konakut. Masi t’i hiqet duvaku e çojnë nusen me pushue. M’e shtri duvakun e me vue oroe n’at shtrojë t’kuqe, shihet nji shplakë dore e bardhë me pesë gishta.

Jashtë gjithnji vijojnë vallet e grave e mrendë kanga e ahengu. Krusht i kan qitë në nji anë ku i zoti i shpis vetë i ban nderë, me duhan kafe e i pyet, në ishin lodhë e ma vonë iu shtron raki e bukë. Ndër të gjitha skajet e shpis janë shtrue sofra, mrendë e jashtë e me i njeh dalin ma se 90. I zoti i shpis gjindet gjithkund, në secilën sofër han dy-tre kashatë për me nderue miqtë, mandej kalon ndër sofra tjera. Në sallon stolisun ma së mirit kan shtrue sofrën alla franca, aty ka ndej dhandrri me miqt e huej. Në kët sofër, ndër të tjerë dahen në shej dy miq të huej: Z. Ermanno Armao, Konsulli i Përgjithshëm i Mretit t’Italisë në Shkodër e Z. Stërlingu, ish – inspektor i Oborrit Mretnuer të N. M. T. Zog i I.

Të Hanën qi asht darsma e madhe, si mas zakonit, nusja kje zgjue fort heret e kje çue me ndez zjarmin e me mush ujë në krue; kjo në shej se tash e kndej do të bahej zojë konakut e do të merrte në dorë rrangët e shpis. Pa zbardh drita mirë priten 5 qe e përveç berreve tjera edhe 50 desh për ferlikë. Gjith dita kalon pa u kujtue me kangë e valle, tuj qitë pushkë e tuj ba qef. Me gjith ketë mori nieri, prej gjithnduer krahine e bajraku, mes tymit te pijes e batareve të pushkëve nuk ndodhi kurgja e ligë e në këtë rasë u vërtetue fjala e miditasit qi thotë: “Me mend në krye nuk bahem budall” e sikurse i urtë ndër fjalë, i mirditasi asht i përkorë edhe në hare e pije.
Të Martën nade, aty në shpi kje vue kunora, më parë civile, mandej kunora kishtare, të cilën e bekoi Z. Dom Prend Suli. Kumarë kjenë Z. E. Armao e Z. Stelingu. Mas kunore, kumarët e kapidanat e muerën n’grykë tuj përhajrue martesën.

Kemi pa se vendsit pruen për dhanti kush nji ka e kush nji dash. Për të huej dijmë se pruen kush armë të giata gjoje, gramafona e kolanë ari për nuse e tjera tesha arit.

Pa u shtye ma giatë me diftue se sa qefi u ba, edhe të Mërkuren e t’Enjten diftojmë se miqt tuba – tuba të përcjellun me pushkë e lanë atë shpi bujare krejt të kënaqun mushë me gëzim e me hare”.

 

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment