Lekë Margjini i Bulsharit, një figurë e shquar atdhetare e lënë në hije

Nga Pirusti News

“Marrë nga Faqja ne fb: “Enciklopedia e Mirditës”   

Lekë Margjini është ushtarak, politikan dhe intelektual i njohur. Lindi në Bulshar të Oroshit në 1890. Shkollimin fillestar e përfundoi në Orosh më rezultate shumë të larta. Një ngjarje e papritur mundi t’ia ndryshonte rrjedhën e jetës. Pas takimit me një familje shqiptare, Mbreti i Bullgarisë Ferdinand mori vendimin e çuditshëm që t’u mësonte fëmijëve të tij gjuhën shqipe dhe për këtë qëllim iu drejtua për ndihmë Perikli Cilit, asokohe profesor i latinishtes dhe greqishtes së vjetër në Gjimnazin Nr. 1 të Sofies, një personalitet shkencor e shoqëror i njohur në Bullgari.

Me interesimin e Cilit u gjetën dy mësues të shqipes për Pallatin Mbretëror Bullgar, që ishin korçari Stefan Kondillari dhe mirditori Lekë Margjini. Abat Doçi e bindi familjen t’ia japë djalin për ta dërguar te Krajli i Bullgarisë dhe persona të ngarkuar prej tij, së bashku me pjestarë të familjes e kanë shoqëruar Lekën deri në Kotorr, ku e priste Ambasadori i Bullgarisë në Stamboll, Danef.

Gjatë viteve të para të jetës në Pallatin Mbretëror, Leka u aktivizua në Lëvizjen Kombëtare shqiptare. Vetë ai, vite më vonë fliste kështu për Mbretin Ferdinand:  “Edhe për Shqipnín, si komb ngjitun Maqedonís, dishrote nji zgjim e perparim kulturuer, e shpesh më ngarkote me ndihma qi më dergote për lëvizjen kulturore e politike të shtypit kombëtar qi kishte kryet te Shtypshkroja «Mbrothësia» e Kristo Luarasit”.

Leka jetoi në Pallatin Mbretëror në shoqërinë e princave bullgarë Boris dhe Ciril. Me fillimin e Luftës I-rë Botërore, ashtu si dhe princat, mori pjesë në beteja. Në vitet 1914-1918 ishte në frontin e Selanikut kundra grekëve e francezëve. Pas luftës, në vitin 1919 kishte gradën Kapiten. Traktati i Neuilly-it e shkatëroi ushtrinë bullgare dhe Lekë Margjini u kthye në atdhe, ku menjëherë u bë Kapiten i Ushtrisë Shqiptare. Gjendet në mesin e ushtarakëve shqiptarë që mbrojtën Kongresin e Lushnjës. Leka shërbeu si oficer në zonat veriore te vëndit në mbrojtje të kufirit nga intervecionistët jugosllavë. Gjatë ngjarjeve të pranverës së vitit 1924, kaloi në pjesën e ushtrisë që iu bashkua Fan Nolit dhe së bashku me major Shefqet Korçën luftuan ashpërsisht në Gurin e Bardhë të Matit, kundra forcave zogiste të ardhura nga Jugosllavia. Mbas dhjetorit të vitit 1924, si shumë antizogistë, Leka emigroi jashtë atdheut dhe u vendos në Bari të Italisë, ku jetoi vitet e emigracionit se bashku me personalitete të njohura antizogiste. Kthehet në Shqipëri mbas prillit të vitit 1939, por nuk ka të dhëna se me çfarë veprimtarie është marrë deri në verën e vitit 1941.

Sipas Gjon Kamsit, “Lekë Margjini, në korrik të vitit 1941, ishte dekretue Nënprefekt i Strugës” dhe ndihmonte udhëheqësit e qendrave të rezistencës shqiptare që luftonin kundër partizanëve në Strugë. Nuk disponohen të dhëna se sa kohë qëndroi me atë funksion, sepse mbas 23 shtatorit të vitit 1943, kur Qeveria e Tiranës dërgoi në Kosovë regjimente të ushtrisë, midis oficerëve të atyre reparteve ishte dhe Kapiten Lekë Margjini. Në Kosovë arrestohet nga gjermanët. Nuk ka të dhëna për arësyet. Sipas Willy Kamsit “Lekë Margjini qe arrestue prej gjermanëve, në vjetin 1944, dhe dërgue në kampin e Prishtinës. Prindët e mij, posa morën vesht ketë lajm u interesuen dhe dolën garantë për tê Gjoni i Markagjonit, dhe ndërhymja e tij te autoritetet ushtarake gjermane bani që të lirohej

Në moshë madhore, mesa duket pas vitit 1939, Leka u martua në Korçë, me Luizën, vajzën e atdhetarit të shquar Sotir Peci. Vitet e fundit të jetës i kaloi i braktisur nga shteti, si cigareshitës në një kioskë pranë Kinema “Majestikut” në Tiranë, dhe ka vdekur në vitin 1959.

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment