Nga Dritan Hila: Të bësh karantinën para televizorit, ndërsa dikur karantina në ushtri ishte…

Nga Pirusti News

Të gjithë ata që e kanë mbaruar ushtrinë para vitit 1990, e kanë shumë mirë parasysh se cfar do të thoshte fjala “KARANTINË” në atë kohë. Ishte periudha më e vështirë e dyvitëshit të detyrueshëm nën armë. Ishin tre muaj të plotë nën një situatë mjaf të vështirë. Kjo u kujtohet mirë të gjithë atyre që e kanë mbaruar ushtrinë në atë kohë, ndërsa dhe unë jam njëri prej tyre. Natyrisht gazetari dhe analisti Dritan Hila e ka përshkruar qartë një situatë të tillë në shkrimin më poshtë, duke i bashkëngjitur thirrjen për karantinën e tashmë. (shën. im, a.n)  

 Nga Dritan Hila

Një kujtesë e shkurtër për të rinjtë dhe jo vetëm.

Dikur sapo ti filloje shêrbimin e detyrueshëm ushtarak, të rrasnin ca muaj në karantinë. Nuk e mbaj mend sa ishte, 1,2, apo 3. (Në fakt ishte 3, shën im A. Ndoja)

Të linin aty si zgjebs, do lajë çorapet vetë, do qepje qaforen, rregulloje krevatin. Ky i fundit, nëse të takonte ndonjë oficer zevzek, e bëje nja katër herë. Do laje kapanonin dhe haletë.

Kjo sa për nxemje.

Gjatë ditës të hidhnin në llogore me parulla serbi majtas, greku djathtas, sovjetikët nga ajri, amerikanët nga deti. Bije në qetësi kur kishe ndonjë ore që mësoje mbërthimin apo zbërthimin e karabinës Simonov alias model 56, apo automatikut model AK 47, alias kallashit. Liridalja ishte vetëm copa e qiellit që të lejonte të shikoje muri i kazermës.

Nëse mbaroje shkollën e lartë, mos kujto se i shpëtoje. E kishe në fund të studimeve një zbor tre mujor që bëhej në Kacare të Shkodrës apo Labinot të Elbasanit.

Pastaj vinte ushtria ku ty të rrente mendja se ishe i lirë, aq sa i lirë mund të ishe në maja mali e humbëtira ku nuk kalonte as zogu. Mëngjesi çaj me klor dhe një copë djathë. Pjata dhe gota alumini. Dreka, groshë dhe makarona të skuqura. Darka ndonjë pisllëk tjetër. Kuzhinieri, një fshatar i zonës ose shok i yti që fshinte djersët mbi kazan.

Nëse ikje pa leje dhe dilje në qytet, të priste patrulla e garnizonit, një treshe e përbërë nga dy ushtarë dhe një oficer. Po të bije në thonjtë e tyre, kishe të garantuar tre ditë në birucë.

Në këto dy vjet, nuk kishte vetëm stërvitje por do hapje transhe, rrugë, tunele, dhe montoje bunkere. Në kohë fushatash bujqësie të çonin të korrje misër. E keni provuar të futet pluhuri misrit, një si lloj zmerili, nën kanatiere? Apo kur fletët e kallirit të çanin duart si sharrë hekuri?

Nuk kishe pergamenë për flluskat e ujit që të bëheshin në duar apo pushim për këmbët e copëtuara apo të ndrydhura. Do të shëroheshin në stërvitje e sipër.

Rrobat në verë ishin një dok i trashë si plastmasë dhe në dimër një stof tip batanije që të kruante si gur çakmaku.

Nëse ishe i prekur në biografi, ekzistonte ferri: repartet e xhenios.

Kur mbaronte dy vjetësh, mos kujtoje se shpëtove. Çdo vit kishe 15 ditë zbor ku të varnin në qafe një karabinë dhe të vinin të flije në çadër. Ushqimi ishte i njëjti pisllëk. Dita shtyhej herë duke vrapuar dhe herë duke u zvarritur. Po të kishe oficer ndonjë djalë të ri që donte të engledisej, të bënte edhe modelin e luftës kimike ku duhet të vrapoje me pajime të plota me kundragaz veshur. Imagjinoje ta bëje në verë në 40 gradë.

Po ndalem me kaq. Izraelitet vazhdojnë e bëjnë këtë jetë, por dihet që ata janë komb i zgjedhur. Izraelitët e marrin seriozisht luftën.

Ndërsa ty të kërkohet vetëm të ulësh bythën në divan dhe të shohësh televizor. Është e vetmja luftë që të kërkohet të bësh. Nuk po them që të shpëtosh kombin dhe atdheun pasi truri yt prej harabeli nuk e kupton. Por bëje të shpëtosh nënën, babanë, gruan e fëmijët. Kaq gjë e kupton apo e do se s’bën drurin pas qafe?

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment