Pjetër Çeli, figurë kombëtare që pas i vjen historia, por ende jo vleresimi zyrtar

Nga Pirusti News

Ka hyrë në histori, ashtu siç dinte të hynte ai me grykën e pushkës. Po hyn në art përmes piktorit Pjetër Marku. Pjetër Çeli i fitoi dy beteja. I mbetet dhe një betejë, të hyjë në dy zyrat presidenciale shqiptare për dekoratën e mohuar padrejtësisht.

Pjetër Çeli, udhëheqës i kryengritjeve antiosmane dhe antiserbe, atdhetar i njohur. Pjetër Çeli i fisit Nokaj lindi në Shëngjin të Fanit me 18 mars 1867. Emri i tij është Pjetër Lukë Nikollë Çuni, por mori mbiemrin, Çeli pasi nuk kishte lesh në faqe dhe këtë mbiemër e ruajti gjatë gjithë jetës.

Angazhohet në lëvizjen e armatosur dhe është ndër organizatorët e kryengritjes së përgjithëshme antiosmane për Gjakovën, pasi së bashku me Zefin e Vogël formuan një grup të madh të armatosur të përbërë prej 400 luftëtarësh. Zhvilloi dhjetra beteja kundër turqve në vitet 1910-1912 dhe u bë tmerri i tyre. Ishte njëri nga drejtuesit e shquar ushtarakë të Kosovës që u bënë thirrje të gjithë shoqërive dhe klubeve kombëtare, si dhe atdhetarëve brenda e jashtë atdheut që të bashkohen nën një Komitet dhe me luftë të parbashkët të sigurojnë lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.

Komandant i njërit nga tre grupet e armatosura që sulmoi Ministrin e Punëve të Brendëshme të Perandorisë Osmane, Haxhi Adil Beun, kur ai ishte në Gjakovë, me 12 mars të vitit 1912. Pjesëmarrës me ndikim në kuvendin e Katër Bajrakëve që u mbajt me 21 prill 1912, për të diskutuar mbi çeshtje të organizimit të kryengrites. Njëri ndër komanduesit e forcave që sulmuan garnizonin osman të Gjakovës me 10 maj 1912. Bashkë me Zefin e Vogël është një nga të parët që hyn në Shkup, në gusht të vitit 1912.

Pas largimit të turqve dhe pushtimit osman qëndroi në mal në krye të çetës së tij dhe e vazhdoi me heroizëm dhe trimëri të treguar në disa beteja luftën e armatosur antiserbe. Tmerri i pushtuesve serbë, kaçaku që nuk falte, trimi që s’e llogariste vdekjen. Zhvillon dhjetra beteja kundër pushtuesve serbë dhe bëhet tmerri i tyre. Ndër të tjerë, vret edhe sekretarin e Prefekturës së Prizrenit, i cili u përpoq të përdhunonte një grua në Fshaj të Gjakovës. Pjetri kishte qëlluar rastësisht aty dhe e kishte vrarë serbin ne vend.

 Pas një qëndrese heroike në Kodër të Sarajt, në Bërdosanë, në luftë të pabarabartë kundër xhandarëve serbë, vritet së bashku me Pjetër Ramajën dhe Çel Shabanin e Becit. Emri i tij përmendet në disa botime akademike që u kushtohen kryengritjeve shqiptare në prag të shpalljes së Pavarësisë dhe menjëherë pas saj, duke u njohur si njëri ndër drejtuesit kryesorë të kryengritjeve të viteve 1912 – 1913 në Kosovë.

Enciklopedia e MIRDITËS

 

 

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment