Ndue DEDAJ: KUR TË FILLOJMË PRAPË TË ECIM

Nga Pirusti News

(Opinion)

Sot është 9 prill, një muaj nga dita kur në vendin tonë filloi beteja me coronavirusin. Nuk e dimë dhe sa do të zgjasë e kur do të nisim të ecim përsëri, pas dy, apo tri javësh, veçse kurdo që të ndodhë, hapat tanë do të jenë ndryshe nga më parë, më të matur e më të mençur. Do ta ndalim disi turravrapin që kemi marrë në shekullin e ri të teknologjisë digjitale, për të bërë disa llogari më “tokësore” me jetën, punën, të ardhmen, që nisin, mbase, me një shishe të vogël me lëng larës për të fërkuar duart, herë pas here, kudo që të jemi, pa thënë se krejt mirë në çantën tonë të përditshme mund të jetë dhe një maskë e një palë dorëza plastike, që në një rrethanë të krijuar mund t’i përdorim pa na ardhur turp, në tren, në treg, në plazh, ku krijohen më shumë grumbuj njerëzish. Gjasët janë që edhe ca muaj të rrojmë me fantazmën e pandemisë.

Kur të fillojmë prapë të ecim, nuk mund të themi se do të jetë si ai fëmija që hedh hapat e parë, por diçka nga fillimi i ecjes së njeriut do të ketë pas daljes nga karantina. Për shumë kohë nuk do të mund ta kthejmë kokën prapa, pasi të shuarit e shumtë nga pandemia në gjithë botën janë ende mes mesh pa u shndërruar në kujtime. Bashkë me lutjen tonë për shpirtërat e tyre, do të meditojmë se çfarë na duhet të bëjmë dhe çfarë jo. Do të ishte gabim të mendohej se gjerat do të jenë fiks si përpara. Askush nuk ka në dorë sot ndonjë paketë rregullash se si duhet të sillemi, por pak nga pak ajo do të vijë duke u sendërtuar, bile si një strategji, pikë së pari, “antivirus”.

Kur të fillojmë të ecim përsëri, ai distancimi fizik nuk është se do të zhduket të nesërmen që do të dalim në “liri”. Jo, por, gjithsesi, klubet nuk do të jenë si më parë, plot e përplot me njerëz, me orë të tëra pa lëvizur. As restorantet. As stadiumet. As shëtitoret. As tregjet e pazaret. As auditoret. As promovimet. As protestat. As ceremonitë e ndryshme familjare, ku nisemi për të vënë vetullat e mund të nxjerrim sytë, siç ka ndodhur këto kohë në Shkodër. Doemos që të gjitha gjerat njerëzore do të jenë sërish, por të “ridimensionuara”, ku të parat që do ta pësojnë do të jenë dallditë masive si për festë. Do të jemi një komunitet më qytetar, reflektues, i distancuar nga “hobi” ynë ballkanik i “bashkëjetesës” kolektive, dëshmi e së cilës janë xhirot e panevojshme lart e poshtë bulevardeve, loja e dominove e të moshuarve në çdo lulishte, qendrimet e kota në grupe të të rinjve etj. Sociologët me siguri do të gjejnë të tjera forma për të na mbajtur të “lidhur” si komunitet.

Kur të fillojmë të ecim prapë, e para gjë ku do të punojë fort mendja e njeriut (gjë që tashmë ka filluar) do të jetë jo vetëm shpikja e vaksinës kundër këtij virusi vrastar, me emrin Covid 19. Kush tha se ky është i fundit virus që do të na “vizitojë”, duke na lënduar? Me siguri njerëzimi, përmes institucioneve mjekësore dhe shtetërore, nuk do të kujtohet për respiratorët kur ata të duhen për të përballuar emergjencat. Normalisht do ta ndalet “fluturimi” i të fuqishmëve drejt luksit marramendës, armëve bërthamore, kozmosit, duke krijuar së pari garancitë e jetës në maratonën e njeriut drejt globalizmit. Themeluesi i Twitterit, Jack Dorsey, ka planifikuar të dhurojë një miliardë dollarë (një e treta e pasurisë së tij) për të luftuar coronaviruesin, këtë sëmundje të shekullit. Shtetet do të mendojnë për paqen më fort se për luftërat. “Armiku” nuk qenka as Ushingtoni, as Moska, por një virus i shndërruar në murtajë.

Kur të nisim prapë të ecim, kemi për të qenë më të ndergjegjshëm për higjienën vetjake, familjare e komunitare, do t’i “lajmë duart” sërish disa herë në ditë, por kësaj here pa na e thënë Kryeministri, doktorat dhe televizionet, do t’i spërkasim rregullisht me helme kundër bacileve mjediset ku rrimë, ajri dhe koshat e plehrave në qytetet tona do të jenë më pak të ndotura. Deri tash ata që kërkojnë më shumë dizinfektues janë veterinerët për dhitë dhe vreshtarët për hardhitë. Mbetet për t’u parë, pas kësaj, nëse kurba do të ndryshojë për kah “rriçnat” dhe “vrugu”, që rrezikojnë njerëzit. Kultura shëndetësore do të zërë më shumë vend në institucionet shkollore, si teori dhe praktikë.

Kur të fillojmë sërish të ecim, do të na duhet t’i japim një kuptim të ri gjithë përmbajtjes së jetës sonë, familjare e sociale, marrëdhënieve të biznesit, punëve publike etj. A do të vazhdojmë ta shkatërrojmë mjedisin si deri dje, duke ndërtuar hidrocentrale në çdo grykë mali ku ka një përrua, kur tashmë e dimë se natyra “hakmerret”. Politikat e zhvillimit dhe sipërmarrjet do të orientohen nga vlerat e jetës, pasi ardhka një ditë që nuk hykan në punë paratë për vete e familjarët e tu, nuk u “blika” dot spitali, shëndeti dhe se ka vetëm një mundësi: t’i shërbejmë komunitetit pa hile, pasi qenkemi të rrezikuar të gjithë njëlloj, si të pasur, si të varfër.

Kur prapë të fillojmë të ecim, ka gjasë që të kemi një mendim tjetër për Shqipërinë, nuk qenka më pak e jetueshme në kushte krizash globale se dhe vendet më të zhvilluara. Prandaj do të ketë më pak ikje e më shumë ardhje të emigrantëve, si dhe një kthim të natyrshëm drejt fshatit, jo për të ndryshuar trendin e zhvillimit urban, por për një gërshëtim të jetesës mes qytetit dhe fshatit. Janë të shumtë ata që i janë kthyer shtëpisë në fshat gjatë karantinës, atje ku humbet kuptimi i kësaj fjale. Do të vemi atje atje për turizëm, nostalgji, ekzotikë, por dhe kur ta dojë rasti për t’u mbrojtur më mirë, siç ishte ky. Nuk ka një aleat më të fortë se mali në përballimin e së keqes, sido që ajo ta ketë emrin. U kthyem dhe në 97-n, për një muaj, por kësaj here kthimi, besojmë, do të jetë ndryshe, me punë e investime për fshatin, pasi ai nuk është më vetëm i atyre që kanë mbetur aty, por dhe yni që kemi ikur.

Kur të fillojmë të ecim përsëri, solidariteti që u tregua këto muaj, që nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar dhe më pas gjatë pranverës së coronavirusit, nuk ka për të qenë më me fushata. Qeveria, bashkitë dhe aktorët e tjerë që kanë rol në këtë mes do të ishte e denjë t’ua ndryshonin njëherë e mirë jetën nevojëtarëve, duke i futur nëpër shtëpi e punësuar, që të mos të mbetemi sa herë të ketë ngjarje të rënda duke iu shkuar me çanta ushqimesh në derë. Ky do të ishte “partneriteti publik-privat” më i dobishëm dhe më human pas dy goditjeve të njëpasnjëshme.
Kur të fillojmë prapë të ecim, politika, mediat dhe jeta publike në tëresi, them se ka me qenë tjetër. Politikanët në pushtet ose jo do të duhet të prekin realisht njeriun në përditshmërinë e tij, kudo ku ai rron, dhe për faktin se u pa që një anomali e “vogël” në Has, në Kir apo në Roskovec rrezikon dhe qendrat më të mëdha urbane. Studiot televizive, gazetat, portalet do të hapen për specialistët e fushave të ndryshme shumë më tepër se deri më sot, duke mos qëndruar gjithnjë “peng” i të njëjtëve personazhe mediatike. Vetëm pesë muaj më parë “zbuluam” inxhinieren dhe profesoreshën e “tërmeteve” Luljeta Bozo, tash një të shenjtëruar si doktor Pëllumb Pipero dhe kolegët e tij. Mjafton prania mediatike e elitës së mjekëve të Tiranës, po dhe atyre të Durrësit, Lezhës e të tjerë, për të kuptuar se sa të nevojshëm i ka komunikimi publik profesionistët e vërtetë. Të tillë kemi për çdo fushë. Nuk duhet të presim të ndodhë ndonjë “gjëmë” tjetër, fjala vjen, recesion në ekonomi, që emisionet televizive të na mbushën me ekonomistët më të mirë të vendit. Puna është t’i dëgjojmë përpara se të bëhej vonë.

Është kaq e thjeshtë, gjithmonë nga pësimet nxirren mësime.

Ju mund të lexoni edhe...

1 Komente

Servet Cara 10 Prill, 2020 - 8:42 am

Shume bukur I ke thënë të gjitha. Te përshëndes dhe sigurisht të falënderoj. Përtej asaj serioze që Ti shkruan, desha të shtoj nga na ime: kur te fillojmë me ec, besoj se do të ecim sic ecin nëpër korridoret e spitalit psikiatrik të Elbasanit, nga trauma… ( e di që Ty nuk te shkon te shkruash kësisoj, por unë e bëra për shaka midis njerëzish të njohur). Edhe një herë pershendetje!

Reply

Lini nje koment