Nga Pjetër DOMGJONI/ SHËNKOLLI MAJ i Velezhës

Nga Pirusti News

Kreva klasën e tetë n’katundin e Velezhës, dola prej rroge, kalova n’Prizren dhe mbasi kreva edhe shkollën e mesme, ndava mendjen e shkova n’Velezhë për Shënkollë Maj. Me qenë se ishte e dielë, e vitit 1975, udhëtimin prej Prizrenit deri te Vorri Kabashit e bana me nji mjet t’vogël udhëtimi e jo me aotobusin lokal ku shkriheshe së qeshuni me humorin që banin t’ritë e Velezhës.

Kalova përmjedis katundit t’rrafshtë t’Shpenadisë, përskaj kryqit që ndanë dy katundet, përdhesës së gjatë ku kisha krye shkollën fillore, përskaj shitorës vogël e t’vetme t’katundit, përskaj ambullantës, konaqeve, kishës Shënkollit, bunarit katundit e rash teposhtë deri te reka Velezhës që rridhte përmjedis shelçeve nëpër të cilën, shpesh herë, unë e baca Tunë, me kerr e kali, kalonim përmes saj e dilnim te ara famshme e vadës.

I ktheva shpinën rekës dhe menjiherë m’doli për ballë nji përdhese, nji shtëpi e vogël që klerit katolik dhe kulturës shqiptare i ka dhanë ipeshkëvin e madh, imzot Hil Kabashin. Fillova me ecë n’të majtë dhe për pak minuta dola te kodrina me rrugën që ndante shtëpinë e bacës Zef dhe Bacës Tunë, dy, ish zotnive t’mij, ku unë kam qenë rrogtar prej klasë tretë e deri se kam krye klasën e tetë t’shkollës fillore. Fshina sytë që mu mjegulluanë prej lotëve e u kthva n’drejtim t’kishës, tue ecë atyne rrugëve t’ngushta, t’ngjituna për mure që rrethonin oborret e kullave t’katundit dhe dyerve t’mdhaja të oborreve që mbyllnin mbrendë haciendatë e lumtunisë.

Eh, sa festa t’Shënkollit i kisha kalue nat katund dhe sa kujtime t’buklura m’lidhnin me ato rrugë që herë ishinë t’mbushuna me pluhun e herë t’mbushuna me lloç. Në anën e djathtë t’rrugës, vinin kopshte pemësh me nji gjansi mjaftë të madhe dhe gjatësi t’paskajshme. Përmjedis kopshteve, rridhte Jaruga (përroni) që u jipte jetë, gjallni e freski atyne pëmëve.

Si n’breg t’Jarugës e mbërthyeme mjedis lisave, ishte kulla që vite ma parë, Famullisë Velezhës, i kishte dhanë Mark Zefin e famëshëm dhe ma vonë, klerit katolik dhe kulturës shqiptare, arçipeshkëvin e Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshajnë. Po ahtu prej këtij katundi kanë dalë edhe, meshtarët atdhetarë, dom Kelmend Spaçi, patër Ambroz Ukaj dhe prifti zemrave, don Tomë Karrica.

Sa ma shumë shkojsha drejtë kishës aç ma t’mdhaja ishinë edhe emocionet e mia. Për nji moment, m’erdhi n’mendje edhe baca Tunë që n’mengjesin e çdo Shënkollit Maj, m’thonte, Pjetër, hajde ktu. Unë shkojsha dhe ai fuste dorën n’xhep e nxirrte tue mi lshue n’dorën time pesë dinarë. As sot s’e marr me mendë se çka mujshe me ble me ato pesë dinarë, por nuk harroj kurrë se, Fluturojsha prej gëzimit.

Kurrë s’e harroj edhe gëzimin e besimtarëve t’famullisë kur, prej Zagrebit Kroacisë pat mbrri n’kishën e Velezhës truporja Shënkollit. M’bahet se at ditë, tan ditën patën rrehë kumbontë e kishës.

S’e harroi asnji herë edhe lterin improvizues që për festën e Shënkollit, motrat e nderit e rregullonin n’parahymje t’kishës si ndoi vepër arti dhe. Predikimetë e famëshme që prej atij elteri, i mbanin, dom Gaspër Gjini, dom Nikollë Mini e ma vonë edhe ipeshkëvi atdhetar, imzot, Nik Prela.

Kisha Shënkollit me nji oborr bukur t’madh e ndërtueme me gurë t’gdhendun, ishte vepër monumentale e t’pavdekshmit, dom NIKOLLË MINIT dhe, Sidomos për festën e Shënkollit Maj, oborri kishës mbushei plotë me besimtarë. Dikund anash, ishinë t’rreshtuemë edhe disa qytetarë, „biznismenë“ t’Prizrenit që përmes organizimit t’lojnave apo edhe tregtisë me pie e bizhuteri të ndryshme, ata fitonin ndoi dinar, por edhe na argëtoheshimë. Në njenën prej festave t’Shënkolit, me t’hollatë që pata fitue n’çiçine (nji lloj rruleti) kam pas ble kompletin e Asdrenit.

Ndodhi nji ditë t’Shënkollit që, famullitari, don Damjan Kurti, n’meshën e madhe, n’meshën solemne, leximin e ungjillit s’ma pat besue mue, por, shokut tim t’fëminisë, David Kqirës. Disa ditë ma vonë, në nji takim t’rastësishëm, daja im, Martin Nikolla, m’pat thanë.

Isha për drekë në nji familje autoritare t’katundit dhe. T’gjithë mysafirët thonin. Bravo i qoftë rrogtarit Tunë Gjugjës, po. Sa bukur e ka lexue ungjillin. Jo, o dajë, jo. Pikrisht at ditë, ungjillin s’e kam lexue unë, por shoku im David Kqira.

Unë nuk e di sakt se kush e ka lexue ungjillin at ditë, por e di sakt se t’gjithë, tan kohën t’lavdonin vetëm ty e unë tan kohën ndihesha krenar se je nipi im. M’pat thanë atëherë, daja Martin.

Sot, tue ba pregatitjen për publikimin e këtij shkrimi, shfrytzoj rastin me i urue t’gjithë Famullinë e Velezhës.

E gëzofshitë, u kjoftë për shumë mote e jetë e gjithmonë u ndihmoftë eu ruajtë, festa Shënkollit. Festa e gëzimit tuaj familjarë dhe fëminisë sime t’pa harrueme.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment