Në shfletim të faqeve të “Mirditë e Mirditorë” të shkrimtarit Hasan Hasanit të Dushkajës

Nga Pirusti News

Nga: Aleksandër Ndoja.

Jonuz Fetahaj, është shkrimtar i mirënjohur në hapësirën mbarë kombëtare. Në një impresion të tij për kolegun e mirënjohur në fushën e letrave, shkrimtarin Hasan Hasani, ai ka një përcaktim të qartë që shuan shumë dilema te lexuesi.

Në mes të tjerave në përcjelljen e tij në faqet e librit “Mirditë e mirditor” citon: “…Kryefjala e këtij libri, është, mbetet dhe do të jetë vargu i fundit që lëshohet si perde në skenën e kësaj drame poetike: “Emër m”u bë Dushkaja – Mirdita mbiemër”, që përcakton identitetin, se kush ishte dhe kush është Hasan Hasani – Përkola nga Jabllanica e Dushkajës, me origjinë nga Domgjoni i Mirditës.

Në fakt për shkrimtarin Hasan Hasani nga Prishtina është folur shumë dhe vazhdon të flitet. Kjo sepse është vetë Hasani që ka folur me pendën dhe mendjen e tij ndër vite. Në të gjitha qarqet intelektuale dhe letrate emri i Hasan Hasanit është parësorë, falë punës të tij. E njohim si autor të mbi 40 veprave letrare me pikënisje në rininë e tij, atëherë kur sapo kishte mbushur 18 vjeç. E njohin mirë edhe fëmijët e Kosovës si themelues dhe drejtues i revistës së mirënjohur në Kosovë për fëmijë, revistës “Pionieri”. Përveç librave me poezi dhe prozë që mbajnë autorësinë e tij, Hasan Hasani ndër vite ka qenë prezent edhe në faqet e shtypit kosovar si bashkpunëtor në organe si “Bota e Re, Shkëndia, por edhe në revistat “Fjala, Pioneri dhe Jeta e Re.

Sic e kemi dëgjuar shpesh, pikërisht në Jabllanicë, në mahallën e Përkolve, të lindur në fundvitet e dekadës së katërt të shekullit të kaluar, po rriteshin dy fëmijë të cilët me mundime të mëdha kryen shkollën fillore në pesë-gjashtë katunde të Dushkajës. Këta ishin Hasan Malë Hasani (1947) dhe Skënder Ramiz Hoxha (1949). Dhe arritën që në vitin shkollor 1963/1964 të regjistroheshin në shkolla të mesme në Gjakovë: Hasani në Normalen “Hysni Zajmi”  dhe Skënderi në gjimnazin “Hajdar Dushi”.

Por çfar e lidh me Mirditën dhe njerëzit e saj… Hasan Hasani siç përsërit shpesh është në finish të udhëtimit 300 vjeçar nga Domgjoni në drejtim të zonave të ndryshme të Kosovës, për tu “kthyer” pikërisht aty ku e ka nisur këtë udhëtim, në Domgjon, bri trojeve të Padër Gjergjit të madh, në Mirditë.

Në fakt Hasani është kthyer bindshëm, pa ekuivok. Pasi ka përcjellë me detaje udhëtimin 300 vjeçar, etapa të ndryshme njerëzore dhe historike, në Mirditë vjen me veprën e tij të 41-të, “Mirditë e Mirditorë”.

Janë rreth 230 faqe në një botim mjaft cilësor ku çdokush gjen Mirditë “bio”. Nis në mënyrë të thjeshtë, por mjaft impresionuese. Autori ka dashur që me një të rënë të lapsit, në mënyrë të padurimtë të “rrokë” gjithë Mirditën në pak çaste. Në faqen e parë pasi ka shënuar “Mirditë” ka vijuar me cdo kapilar të saj, teksa pa asnjë “sqarim” se pse, shënon emra pafund si Nënshejt, Kashnjet, Grykë Orosh, Kcirë, Domgjon, Sh”mri, Kalivare, Bukmirë, Blinisht, Rras i Butë, Tuc, Rrasfik, Thirrë, Kacinar, Kodër Rrëshen, Rubik, Kaftallë, Lundër, Tarazh, Bërzanë, Kimëz…….. Janë emra pafund trojesh të Mirditës, është një gjeografi e plotë njerëzore e vendbanimesh. Më tej shkrimtari Hasan Hasani përcjell çdo milimitër hapësirë mirditase që ka shkelur në udhëtimet e tij të vona.

Autori nuk është lodhur që poezinë ta veshë me tis-in e shkrimtarit të vështirëdeshifrueshëm, por ka folur qartë, kuptueshëm e thënë ndryshe, si mes odash anë oxhaqesh. Libri ka emra, ka fjalë shpirti për çdo njeri, mal a përrua. Në këto faqe janë “çimentuar” Mirdita dhe mirditasit me emra e mbiemra. Janë portretizuar me thirrje shpirti, një shpirti që u end prej 300 vitesh me shpresën dhe dëshirën e madhe të rikthimit në trojet që e pritën dhe e presin, si të ishte larguar një ditë apo një vit më parë.

Ky pra ishte rikthimi i Hasanit të Përkolajve të Dushkajës në trojet e të parëve, në Domgjonin e mirënjohur për gurrën e lashtë, për historitë pafundme të Munellës, për mbi malin e maleve të Munellës, Gjergjin e famshëm të Pacit, lindur e rritur në Fishën që i dha emrin e dytë të përjetshëm.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment