Pal CANAJ, Si u festua matura 1993/1994 e gjimnazit “Luigj Gurakuqi” Klinë, nën thundrën e pushtuesit serb

Nga Pirusti News

Matura  1994 e gjimnazit “ Luigj Gurakuqi”, në Klinë, (Punkti – Zajm)në momentet historike sfiduan kohët e vështira nën okupim.

Shkolla shqipe në Kosove që nga viti 1990 po përjetonte ditët më të vështira dhe ndër më të lavdishme të historisë së rrugëtimit të saj. Kishte katër vite që okupatori serb nxënësit dhe arsimtarët shqiptarë në Kosovë i kishte larguar dhunshëm nga objektet e tyre shkollore. Edhe nxënësit dhe arsimtaret shqiptare të gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë e vazhdonin mësimin jashtë godinës shkollore, të sistemuar në pesë Punkte.

Synimi i okupatorit serb ishte zhbërja e qenies shqiptare, dhe në këtë aspekt i ishte vërsulur substancës së kësaj qenie, arsimit. Çdo frymim  i jetës së shqiptarëve në Kosovë, nga ana e okupatorit serb kontrollohej dhe dhunohej barbarisht, me anë të forcave policore. Por, populli ishte mobilizuar për mbijetesë! Liria si motiv individual dhe kolektiv e ngjizur prej kohësh të shqiptarët, në Kosovë shfaqej përmes formave të vetorganizimit, ideuar nga presidenti Ibrahim Rugova, si bazament i mëvetësisë shtetërore.

Pushteti policor serb, tek shqiptaret e Kosovës ndërhynte në çdo pore të frymimit të jetës, qofshin ato edhe familjare, si në gëzime dhe morte, ndërsa jeta institucionale kishte vitet qe ishte shembur nga dhuna e okupatorit. Zymtësia dhe dhuna kishin pllakosur Kosovën. Ishte gjenerata e maturantëve të vitit shkollor 1993/1994 të gjimnazit “Luigj Gurakuqi” që në një formë dëshironte ta zhbënte  këtë zymtësi. Ata dëshironin ta manifestonin një gëzim, ta festonin përfundimin e maturës. Të dukeshin ndryshe, të dukeshin edhe ma të bukur më  dukjen e tyre, sepse edhe bukuria e tyre si natyre e qenies shqiptare sikur  i vriste pushtuesit. Dukej se ata shkurt dëshironin  ta sfidonin zymtin e pushtimit me gëzimin e tyre.

Një grup prej tyre, Serembi, Arlinda, Arbëria, Iliri, Visari, Kristina, paraqiten kërkesën para kujdestareve të klasave, që ta shënonin këtë ngjarje të rëndësishme në jetën e tyre, që në këto rrethana shumëfishohej rëndësia e saj . Kjo kërkese sa ishte e drejte, e pranueshme nga kujdestarët, gjithsesi merrej me seriozitetin e nevojshëm për shkak të rrezikut ekzistues për sigurinë e nxënësve. Çështja u trajtua në Punktin e Zajmit, si dhe në drejtorinë e shkollës, por rrethanat e situatës kërkonin sheshim serioz gjithsesi edhe me prindërit e nxënësve. Në mbledhjen e organizuar me prindër, kujdestaret e klasave dhe udhëheqësia e shkollës ishin në përkrahje te nxënësve. Vullneti dhe dëshirat e nxënësve u pranua edhe nga prindërve e tyre, ku u dakord që të mbahet Dita e Maturës, sepse ,“ okupatori dhe errësira janë te paparashikueshëm”.

 Në ekipin e formuar për organizimin e Ditës së Maturës ishin udhëheqësit e shkollës Asllani dhe Ramadani, se bashku me disa kujdestarë të klasave Palin , Dodën, Ibishin  në bashkveprim edhe disa prindër dhe veprimtare të kohës, si ,Kola, Hamiti, Zefi, Fatusha, Ndou.

Vlerësimi lidhur më organizimin e Dites së Maturës bazohej në faktin se lokalet hotelieri vëzhgoheshin rreptë nga policia, shpresa e vetme ishte shtëpitë private por edhe per këtë kërkohej, gatishmëri, vullnet dhe guxim. Gatishmërinë e gjetëm tek shtëpia (oda) e Pashk Balës ,në Ranoc, i cili duke e respektuar sentencën e Kanunit së “shpija e shqiptarit është e Zotit dhe mikut”, tha se “kjo shtëpia ( oda- salloni ) ime është e nxënësve dhe e mësimdhënësve”.

 Nxënësin maturant në ditën e 29 majit të vitit 1994, niseshin nga Klina për në fshatin Ranoc, në grupe të vogla, dikush me makinat familjar, dikush me ndonjë taksi , jo gjithë në të njëjtën kohë, duke qenë shume të vëmendshëm që të mos binin ne sy të milicisë. Ndërsa në  tri pika në mes fshatrave Zllakuqan- Ranoc rrinin të rinj të atyre fshatrave, të cilët e vrojtonin situatën dhe i orientonin maturantet drejt vendtakimit në fshatin Ranoc.

Ky manifestim i maturanteve të gjimnazit “Luigj Gurakuqi” ndoshta mund të jetë krejt i pashembullt në historikun e rrugëtimit të shkollës shqipe Shpenzimet e manifestimit për Ditën e Maturës u hoqën nga buxheti i rrudhur i familjeve të nxënësve si dhe i vet arsimtarëve.

Maturantet e gjeneratës së vitit 1993/1994, në festën e tyre të pashembullt ishin përkujdesur vet për begatin e tryezës, si dhe kulturën e servisimit, përmes angazhimit dhe kolegjialitetit në mes tyre.

Në atë ditë fundmaji të vitit 1994, në gjysmëshpatin e fshatit Ranoc muzika më këngë shqiptare dhe vallëzimi i maturantëve jehonin dhe valëzonin si fllad LIRIE.

Kline, 30 maj 2020

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment