Në fshatin Rrasfik, ku mali u ka dhuruar banorëve gurët dekorativë me cilësi të rrallë.

Nga Pirusti News

 Nga Aleksandër Ndoja, Botuar më 23 shtator 2007 (Koha Jone)

Gjithkush merr rrugën për në Mirditë e për më tej për në Kukës dhe Kosovë, në mesin e segmentit rrugor që lidh Milotin me Rubikun, nuk ka se si të mos shikojë një fshat i cili është disi i rrallë në llojin e vet. Bëhet fjalë për fshatin nga ku për shumë vite dalin me mijëra metër kub pllakë guri, që vëndasit e quajnë “rrasë”. Në fakt edhe fshati mban pothuajse të njëjin emër “Rrasfik”. Një emërtim i tillë nuk dihet me saktësi se sa shekuj ka mbijetuar për tu përcjellur deri në ditët tona, por ajo që dihet me saktësi, ka të bëjë me faktin se emërtimi i fshatit e ka bazën pikërisht tek ajo pasuri e rrallë që natyra ju ka vënë në dispozicion këtyre banorëve.

 I gjithë mali në një shtrirje prej 10-12 km ka një përbërje nëntokësore të veçantë. Mjafton të gërmosh vetëm pak cm nën tokë dhe të shikosh një përbërje guri të rrafshtë dhe me ngjyra të disa llojesh. Në fakt një pasuri e tillë kishte rënë në sy të banorëve shumë kohë më parë, por mundësia e përpunimit të tyre kishte qënë e kufizuar. E vetmja mundësi për banorët ka qënë ndërtimi i shtëpive duke e përdorur këtë lloj guri, në të gjithë aksesorët përbërës të një banese. Me të bëheshin muret por çfar është më e rëndësishme me këtë gur janë bërë edhe çatitë e madje edhe mburoja e tyre. Edhe në ditët e sotme shume prej banesave funksionale vazhdojne të jenë të mbuluara me këtë lloj guri, i cili është dhe ka qënë i preferuar deri edhe për eksport. Pas hapjes demokratike të pas 90-tës, shume nga banoët e këtij fshati kapërcyen nëpër këta gurë dhe morënë rrugën e mërgimit.

Por jo për shumë kohë, pasi atje në mërgim shumë prej tyre mësuan teknikën e përpunimit të gurit dhe tashmë jo vetëm më dije por edhe me një teknologji më të përsosur. Për këta banorë “Epoka e Gurit” vijon të mbetet një kohë e artë. Burra të këtij fshati që në mëngjes i ngjiten malit në ekstremin e rrugës automobilistike dhe me kazma në duar nxjerrin nga nëntoka gurin e çmuar të fshatit të tyre, me emrin “Rrasfik” . Kjo është mënyra e vetme dhe e sigurtë për të jetuar plot 50 familje të këtij fshati. Një metër kub me pllakë guri këta banorë e shesin me çmimin3000 lekë të reja. Më tej nje tjetër banor i quajtur Sandër, ka ngritur një punishte. Aty guri gdhendet dhe përpunohet duke pësuar një rritje të çmimit me 5-6 fishin e çmimit me të cilin mund të blihet rrasa e papërpunuar. Ndërsa kostoja e transportit është tejet e ulët për banorët. Kjo sepse guri gjëndet me shumicë shumë pranë rrugës automobilistike dhe vetë të interesuarit vijnë dhe e marrin në vënd atë.

Cilësitë dhe përdorimi i tij

Guri është i një fortësie dhe cilësie të lartë, ndërsa ka një dekoracion të veçantë. Ngjyrat e shumta të tij e bëjnë mjaft tërheqës dhe të kërkuar nga shumë ivestitorë të ndryshëm, sidomos të lokaleve luksoze. Kështu më këtë lloj guri janë veshur shumë nga banaqet e lokaleve. Gjithashtu ky lloj guri është i preferuar për fasada vilash, shtëpish, institucionesh, lokalesh, etj. Me këtë lloj guri po vishen edhe shumë nga pjesët anësore të rrugëve të qytetit të Rubikut i cili gjëndet vetëm 5 km nga fshati Rrasfik. Guri mund të përdoret ashtu siç nxirret nga nëntoka, ose edhe mund të përpunohet me anë të disa makinerive të posaçme që janë instaluar në afërsi të guroreve. Megjithëse guri gjëndet në territorin e fshatit dhe nxirret dhe përpunohet nga të zotët e tokës, kjo nuk do të thotë se ata e shpërfillin ligjin. Pikërisht nga ky fshat ka banorë të cilët zotërojnë liqensa përkatëse për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit.

 Flet njëri prej banorëve të fshatit i cili jeton vetëm me të ardhurat që përfiton nga tregëtia me gurin e Rrasfikut.

Ai quhet Gjin Lesi dhe ka lindur dhe banon në këtë fshat. Prej vitit 92 ka lënë punën në minierë dhe është punësuar diku pranë gardhit të shtëpisë së tij. Ai thotë se kurr nuk i ka shkuar në mëndje që të emigrojë. Puna e tij e përditshme është mali anës xhadesë. Më një kazëm tërheq rrasën nga nëntoka dhe gurët në formë pllake i merr me kujdes dhe i vendos në anën tjetër të xhadesë, të gatshëm pë t’i shitur. Të interesuarit vijnë vetë dhe më gjejnë, thotë ai. Janë shumë të interesuar nga Tirana, Durrësi, Lezha si dhe zonat për rreth të cilët vijnë dhe ngarkojnë automjetet e tyre. Nuk mungojnë edhe kosovarët të cilët përshkojnë pikërisht këtë rrugë, për në vëndin e tyre. Shumë rej tyre kanë marrë nga ky gur dhe kanë qënë të kënaqur me cilësinë e tij. Gjini thotë se kam tre fëmijë, si dhe pjestarë të tjerë të familjes. Gjëndja ekonomike e kam të mirë dhe vetëm falë pasurisë së natyrës, përbri kopshtit të tij. Tashmë është në finish të ndërtimit të shtëpisë dy katëshe, ndërsa pjesën më të madhe tqë ditës e kalon duke seleksionuar gurët të cilët marrin rrugë të gjatë, por që edhe sjellin të ardhura të mjaftueshme për këtë familje. Si ky janë edhe shumë banorë të tjerë të këtij fshati të cilët jetesën e tyre e kanë të lidhur me pasurinë nëntokësore të këtij fshati.

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment