Oficeri i policisë Pashk Tusha: Ju rrëfej për herë të parë mbi ngjarjet e Poliçanit të vititit 1992, kur protestat e këtij qyteti tronditën politikën e Tiranës

Nga Pirusti News

-Pjesë nga ditari “jeta ime në policinë e shtetit”-

Arrestimet e të dyshuarve, presione e kërcënime për jetën nga protestuesit, lajmet e TVSH-së, politizimi i ngjarjes, shpjegimet në Hetuesinë e Përgjithshme, prononcimi në TVSH, debati politik në Parlament, biseda e takimit me Ilir Metën. 

Me urdhër të zëvendësit të Ministrit të Brëndshëm me datë 24 Gusht 1992 jam nisur me shërbim për në qytetin e Poliçanit, për të ndihmuar e mbështetur shefin e komisariatit të asaj kohe Maks Guri. Uzina e Poliçanit në atë kohë ishte një objekt strategjik i rëndësisë së veçantë në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe sigurohej me forca ushtarake. Prej afro një muaji rrjesht kishin vazhduar protestat dhe grevat e punonjësve të uzinës, të cilët kërkonin të ishin të punësuar në uzinë nga një pjesëtar për çdo familje. Ishte krijuar komisioni i grevës sipas ligjit dhe drejtohej nga shtetasi Namik Ahmeti. Gjatë gjithë periudhës së vazhdimësisë së grevës, nuk kishte patur asnjë konflikt me policinë lokale të Poliçanit. Me të mbërritur në Poliçan takohem me shefin e komisariatit, i cili më bëri prezent situatën e grevistëve, kërkesat e tyre ekonomike, si dhe disa masa që ishin marrë nga Ministria e Mbrotjes për ndërprerjen e grevës, duke iu afruar asistencë sociale atyre punonjësve që ishin larguar nga puna.

Gjatë bashkëbisedimit u diskutua edhe për dy-tre informacione verbale të pa vertetuara, se të nesërmen mund të sulmohet uzina edhe për faktin se Drejtori i uzinës i emëruar nga Ministri i Mbrotjes, nuk ishte i pranueshëm për punonjësit dhe sindikalistët. Një ndër kërkesat ishte që drejtori të mos emërohet nga Ministri i Mbrotjes, por nga bordi i uzinës në bashkëpunim më sindikatën. Efektivi i postës së policisë së Poliçanit ishte afërsisht 16 punonjës policie. Për situatën që ishte krijuar nuk kishte asnjë forcë policore shtesë, gjithçka ishte menaxhuar me parametrat normalë të sigurisë së grevistëve. Rreth orës 8:00 të datës 25 Gusht 1992 vajta në stacionin e policisë, kontaktova me komandantin e postës, e pyeta rreth situatës në uzinë si dhe planizimin e shërbimeve. Po kështu e pyeta se ku ndodhej shefi i komisariatit Maks Guri, por komandanti i postës mu përgjigj se ka shkuar herët në mëngjes në Ministri. Për momentin mbeta i shokuar dhe i shtrova një pyetje vetvetes, përse të jem unë i pranishëm në këtë situatë, ku ai që drejtonte komisariatin dhe mban përgjegjësi të plotë, ishte nisur për në Ministri. Nëse unë do të kisha një suport politik siç kishte shefi i komisariatit në atë kohë, do të isha larguar menjëherë nga Poliçani. Megjithatë komandanti i stacionit  të policisë nuk kuptoi asgjë për shqetësimin tim. Në vijim i thashë të merrte në telefon drejtorin e uzinës dhe ti kërkonte takimin që unë do të bëja me të. Përgjigjia u dha se drejtori kishte dy-tre ditë që nuk dukej në qytetin e Poliçanit, ai flinte i qetë pranë familjes së tij në qytetin e Beratit. Kërkova takim me kryeinxhinierin e uzinës, mesa më kujtohet e kishte emrin Gëzim, i cili më priti në zyrë rreth orës 9:00. Gjatë bashkëbisedimit që po bënim rreth situatës, brenda uzinës kanë hyrë forcërisht në zyrë rreth 60-70 ish punonjës, të cilët ishin tej mase të irrituar ndaj drejtorit i cili kishte larguar nga puna të gjithë anëtarët, simpatizantët, militantët e partisë Socialiste dhe kishte marrë vendim për të vazhduar punën në uzinë me anëtarët dhe simpatizantët e Partisë Demokratike. Më vonë mësova se kishte nga një familje 2-3 anëtarë të punësuar që ishin aktivistë të partisë Demokratike.

Një ndër kërkesat e grevistëve ishte që mundësisht të ishin në punë, nga një për çdo familje. Përballja, fyerjet dhe përplasja me grevistët që hynë në zyrë ka qënë shumë e ashpër. Fillimisht ata më rrethuan me tavolionat e zyrës dhe nuk më lejuan që të dilja jashtë, pas 20 minutash debatesh kryeinxhinieri arriti që të më nxjerrë nga zyra dhe unë largohem me vrap jashtë rrethimit të objektit. Konstatova në atë moment që kryeinxhinieri si banor i Skraparit kishte autoritet. Gjatë kohës që unë beja bisedime dhe u futen protestuesin në zyrë, një ushtar i shërbimit të postobllokut ka qëlluar në ajër 2-3 herë me automatik, për të parandaluar hyrjet forcërisht në territorin e uzinës. Së bashku me komandantin e stacionit të policisë jam ngjitur me shpejtësi në lartësinë e kodrës mbi uzinë duke parë djegiet, shkatërrimet, dëgjoheshin shpërthime me eksplozivë gjatë në kohe, e cila ka zgjatur reth 3-4 orë.

Rreth orës 12:00 kam informuar drejtorin e Rendit në Ministrinë e Brendshme si dhe zëvendës Ministrin e Brendshëm për situatën e krijuar, si dhe për shkatërrimet të ndodhura në uzinë. Rreth orës 13:00 ka mbërritur në Poliçan shefi i komisariatit Maks Guri, të cilin e kam informuar duke e ndjerë veten të fyer për çka kishte ndodhur. Rreth orës 15:00 ka mbërritur në Poliçan zëvendës Ministri i Brendshëm, i ndjeri Astrit Mehja, të cilin e kam informuar hollësisht për gjithçka kishte ndodhur në marrëdhënie me mua personalisht, por dhe për djegiet dhe shkatërrimet e ndodhura në uzinë. Pas takimit me mua është marrë takim dhe me kryetarin e Bashkisë së Poliçanit Z. Arshin Tusha, me të cilin ka shkëmbyer replika të ashpra të ndërsjellta. Z. Mehja i është drejtuar duke i thënë Z. Tusha, se ju socialistët e keni djegur uzinën dhe për këtë do të mbani përgjegjësi penale, ndërsa është kundërshtuar ashpër me kundër akuza nga kryetari i Bashkisë.

Rreth orës 18:00 në komisariatin e policisë Berat bazuar në informacionet dhe të dhënat që dispononte policia e Skraparit, është vendosur të arrestohen rreth 13 grevistë si autor të dyshuar të djegieve dhe shkatërrimeve në uzinë. Ndërmjet të arrestuarëve në listë ishte edhe kryetari i grevës, Namik Ahmeti. Po kështu edhe një grua e quajtuar Mereme mesa me kujtohet. Nga drejtuesit e operacionit të Ministrisë së Brendshme u bë menjëherë plani për të bërë arrestimet. Rreth orës 05 të mëngjesit të datës 26 Gusht 1992, është bërë arrestimi i këtyre shtetasve nga forcat speciale dhe nga ato të ndërhyrjes së shpejtë. Çdo grup që do të bënte arrestimet kishte përgjegjës nga një oficer, me qëllim që veprimet të bëheshin të ligjshme. Asnjë punonjës policie i forcave speciale nuk ka përdorur dhunë gjatë operacionit policor, si dhe asnjë nga të arrestuarit apo  pjesëtar të familjes së  tyre nuk kanë kundërshtuar forcat speciale.

Rreth orës 06:30 të datës 26 Gusht 1992 kur u morën vesh arrestimet e bëra, banorët e Poliçanit u mblodhën në sheshin e qytetit dhe vendosën të qëndronin aty deri në lirimin e bashkëqytetarëve të tyre.  Ndërsa po lëvizja rrugës bashkë me Maks Gurin për të pirë një kafe, përballë bashkisë rastësisht kemi kontaktuar me Kryetarin e Bashkisë Arshin Tusha i cili kërkoi sqarime rreth arrestimeve që ishin bërë nga forcat speciale. Unë sapo kam filluar t’i jap sqarimet, na kanë rrethuar qindra banorë të qytetit, disa prej tyre përdorinin edhe fjalë fyese dhe kërcënuese ndaj meje. Në këtë moment i kam thënë kryetarit të bashkisë të shkojmë tek zyra për tu sqaruar për faktin se nuk mund të bashkë bisedojmë në ketë situatë që po krijohet nga banorët. Edhe Kryetari i Bashkisë u dakortësua menjëhere, ndaj pa e zgjatur shkuam në zyrë, në katin e dytë mesa më kujtohet. Sapo kemi hyrë brënda kanë ardhur në ambjentet e zyrës dhe të korridorit qindra protestues, duke kërkuar me çdo kusht lirimin e të arrestuarve. Banorët hynë forcërisht në zyrën e kryetarit, dhe për këtë unë e kisha tepër të vështirë për tu shprehur, për faktin se çdo fjalë që thuhej duhej menduar mirë, pasi nga egërsia e kërcënimet masive që bëheshin mund të rrezikohej jeta ime në ato momente. Kryetari i bashkisë Arshin Tusha me gjithë njohjet shoqërore e miqësore të tij, bëri të pamundurën për ti larguar protestuesit të cilët mund të ishin rreth 200-300 në korridore e në zyrë, por ishte e pamundur një gjë e tillë, pasi nga momenti në moment protestuesit po shtoheshin në numër. Policia lokale u mbyll në ambjentet e godinës dhe nuk e mori në asnjë rast inisiativën për të qetësuar protestuesit e irrituar ndaj  meje personalisht, e Ministrisë së Brendshme.

Rreth orës 9:00  protestuesit e pranishëm në zyrë  bënë prezent vendimin që kishin marrë sipas të cilit, ne të dy nuk do të dilnim të gjallë nga kjo zyrë, pa liruar vëllezërit tanë të cilët i kanë plagosuar e gjakosur gjatë arrestimit. Rreth orës 10 kur situata arriti kulmin e ashpërsisë, ju kam kërkuar  leje protestuesve për të dalë në tualet. Fillimisht u bë debat, ca thonin po po po, ca thonin jo jo jo, pas 30 minutash debatesh të forta, më mori kryetari i bashkisë dhe më shoqëroi për në tualet. Mënjëherë kam nxjerrë pistoletën nga këllëfi, jam kam dorëzuar kryetarit të bashkisë, kam hequr krëhërin e fishekëve dhe i kam hedhur në vrimën e tualetit. Situata ishte aq kritike sa mendoja se individë të veçantë mund të më merrnin pistoletën dhe të na vrisnin të dyve, për ngjarjen e arrestimeve. Rreth orës 11:00 dy helikopterë të Ministrisë së Brëndshme fluturonin mbi qytetin e Poliçanit. Në këtë kohë më ka marrë në telefon Ministri i Brëndshëm Bashkim Kopliku i cili më ka thënë: Pashk ruaj qetësinë, situatën do ta zgjidhim shumë shpejt, forcat speciale, të FNSH dhe disa grupe të gatshme të komisariatëve të policisë i kemi në Berat dhe do të ndërhyjmë shumë shpejt.

 Gjatë bisedimit me Ministrin një protestues i irrituar më ka marrë forcërisht receptorin e telefonit dhe i ka thënë: Dëgjo Bashkim Kopliku po të jesh burrë hajde në Poliçan, mos na provoko me helikopter, do  ta presim kokën.  Sapo mbaroi bisedën i thashë këtij protestuesi si i flet në këtë mënyrë Ministrit të Brëndshën, ai mu përgjigj se dhe ti kriminel, je si puna e atij. Sa më shumë koha po kalonte, shumë protestues i zbuten marrëdhëniet me mua personalisht, kjo edhe për faktin se për ish shefin e komisariatit Gjon Suli kishin shumë respekt banorët e Poliçinat i cili ishte shkarkuar nga detyra e liruar nga policia, sepse iu kishte dhënë automjetin deputetëve socialistë për të marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit. Ndërsa ndaj Maks Gurit fyerjet, presionet deri edhe mosdhënia e ujit për të pirë, zbatimi u komandës çohu-ulu dhjetra herë, ishin krijuan situatë serioze për jetën e tij edhe për faktin se kishte qënë  në forumet drejtuese të Partisë Demokratike dhe mbështetës i ndryshimeve politike, në rrethin e Skraparit. Mesa më kujtohet forcat e ndërhyrjes së shpejtë, ato speciale e grupet e gatshme numri mund të ketë qënë mbi 100. Rreth orës 13:00 kanë ndaluar tek ura në hyrje të qytetit duke sulmuar me shkopinj gome protestuesit të cilët ishin  të paktën tre mijë, pasi ishte përfshirë i madh e i vogël, gra e pleq të cilët u përballën me shkopinjtë e gomës të policisë. Por dhe kundërreagimi i tyre ishte i fortë, duke përdorur armë të ftohta siç ishin sopata, hanxhar, kumesa, drurë lopatash e kazmash, mjetë të forta si gurë e tulla, përleshje e cila zgjati 30 minuta. Për pasojë pati pasoja me plagosjen e dhjetëra punonjësve policie si dhe të dhjetëra të protestuesve, ku në 2-3 raste protestuesit ju morën armët forcave të ndërhyrjes së shpejtë duke ua dhënë përsëri, shoqëruar me fjalët: Largohuni menjëherë se jeni fëmijët tanë.

 Çdo veprim që bëhej në rrugë e në shesh unë e shikoja nga dritarja e katit të dytë, pasi aty e kisha vendodhjen. Momenti tepër prekës për mua ka qënë një zonjë rreth të 50-ve që ka ardhur në zyrë dhe është shprehur: shoku oficer kam gjashtë fëmijë, po vdesin për bukë, jetojmë me lëvozhga shalqini, çfarë është kjo masakër që bëhet mbi ne. Unë menjëherë kam nxjerrë nga xhepi 200 lekë dhe ia kam dhënë forcërisht se nuk pranonte ti merrte. Në këtë moment më ka puthur në ballë dhe është larguar, pas 10 minutash me ka sjellë një ftua me një aromë ku vite më parë gratë mirditore i mbanin në arkat e rrobeve për t’iu dhënë aromë. Rreth tre mijë protestues që nga ora 10:00 deri nga ora 13:00 parakalonin në rrugën kryesore me thirrjet duam bukë, duam punë, Poliçani nuk është Kosovë. Këto thirrje në lajmet e orës 16:00 ishin ndryshuar tërësisht gjatë edicionit të lajmeve, ku ishin cituar e komentuar nga TVSH, se banorët e Poliçanit protestuan me portretet e Enver Hoxhës nëpër duar dhe me thirrjet ‘’Parti Enver jemi gati kurdoherë’’ si dhe janë mbajtuar peng dy oficera policie.

 Pas edicionit të lajmeve që unë nuk i kisha dëgjuar rreth orë 16:30 një grup protestuesish 50-60 veta kanë hyrë në zyrën e bashkisë dhe më janë drejtuar në mënyrë ultimative duke u shprehur: Merr urgjentësisht Presidentin dhe kryeministrin për të përgënjështruar lajmet e orës 16:00, përndryshe do të heqim kokën o kriminel i Bashkim Koplikut. Menjëherë i kam rënë numrit tim të telefonit në zyrë ku unë e dija shumë mirë se në atë orar nuk kishte njeri dhe kam folur me shumë shpejtësi duke shprehur ‘’Zoti Kryeministër, populli i Poliçanit ka të drejtë, njerëzit po vdesin për bukë, lajmet që keni dhënë janë të pavërteta, thirrjet e protestuesve kanë qënë duam bukë  duam punë, unë jam bashkuar me popullin e Poliçanit’’, me shumë shpejtësi e kam mbyllur menjëherë telefonin. Sapo mbarova bisedën (e rreme) grupi i protestuesve që ishte në zyrë tentoi të më nxirrte forcërisht, gjë që për të cilën unë nuk kam pranuar për të dalë duke iu vënë kusht se nga kjo zyrë dal vetëm me Maks Gurin, me të cilin kemi hyrë sëbashku. Kjo kërkesë e imja nuk u mor në konsideratë nga protestuesit.

Rreth orës 18: 00 më kanë marrë në telefon prokurori i përgjithshëm Maks Haxhia, pasi më ka pyetur për anën shëndetësore më ka kërkuar që të ndërmjetësoja me kryetarin e Bashkisë për të zgjedhur një përfaqësi prej 7-8 vetësh, me qëllim të shkonin në Berat dhe të shikonin gjendjen shëndetësore të arrestuarëve në dhomat e baraburgimit. Sapo ardhi kyetari i Bashkisë e njoftova mbi kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm. Mbaj mend që është bërë debat gati një orë për të përcaktuar përfaqësinë. Pasi u kthye përfaqësia, takimin me prokurorin e përgjithshëm e bënë prezent me qendër zëri e cila ishte e vendosur në podiumin ku drejtohej protesta. Situata filloj të qetësohej, ndërsa në zyrën e Kryetarit të Bashkisë nuk kishte fyerje, presione e kërcënime. Mbaj mend që dy miq të familjes time me lidhjet e tyre që kishin në Poliçan, më kanë sjellë paketa me cigare dhe më kanë shprehur mbështetjen e tyre me qëllim që unë të ruajë qetësinë se situata do të zgjidhej shumë shpejt.

Rreth orës 22:00 ka ardhur në qytetin e Poliçanit një grup deputetësh i Partisë Socialiste i përbërë nga deputetët Servet Pëllumbi, Sabit Brokaj, Bashkim Caka dhe Ilir Meta. Nuk di se çfarë bisede e thirrje kanë bërë deputetët në tribunën e protestës, por është e vërtetë fakti se rreth orës 23:00 ka ardhur në zyrën e Kryetarit të Bashkisë deputeti Ilir Meta i cili na ka pyetur të dyve për gjendjen shëndetësore si dhe për zhvillimet e ngjarjeve, që kishin ndodhur deri në ato momente. Zoti Meta më ka shprehur se ka një kërkesë nga protestuesit që të më japësh një deklaratë me shkrim, se nuk je mbajtur peng. Unë  pasi i thashë se në krahasim me Zotin Maks jam trajtuar më mirë, protestuesit kanë tentuar që të më nxjerrin dy herë forcërisht gjë për të cilën nuk kam pranuar duke vënë kusht se nuk dal i vetëm pa Maksin. Ndërsa deklaratën nuk ua jap deputetëve, por vetëm organeve hetimore edhe për faktin se kam statusin e ushtarakut të cilin asnjë mënyrë nuk e shkel.

Deputeti Meta mu përgjigj: Jam plotësisht dakort me mendimin tuaj, do t’ua bëj prezent protestuesve dhe së shpejti do të zgjidhet situata. Zoti Meta në tribunën e protestës ju ka bërë prezent protestuesve mendimet e mija dhe u ka kërkuar lirimin tonë të mënjëhershëm nga zyrat e Bashkisë. Shumë protestues dëgjoheshin nga qëndra e zërit më thirrjet PO PO PO, por kishte dhe nga ato që shpreheshin JO JO JO. Në këtë kohë deputeti Meta i shoqëruar nga dhjetra protestues ka ardhur dhe na ka nxjerrë nga zyra. Në të njejtën kohë kanë ardhur edhe punonjësit e policisë së Poliçanit, ku unë u jam shprehur ‘’zhdukuni që këtej se nuk dua t’ju shikoj me sy’’.

Rreth orës 24 jemi nisur sëbashku me Maks Gurin për në komisariatin e Beratit ku na priste në takim Z/ministri i Brëndshëm. Biseda e zëvendës Ministrit me deputetin Ilir Meta ka qënë shumë e ashpër, duke bërë akuza të ndërsjellta politike për situatën e krijuar, pra duke e politizuar ngjarjen në ekstrem. Me datë 27 kam dhënë shpjegime para hetuesve të Hetuesisë së përgjithshme, konkretisht para Zotit Fatos Qato i cili shoqërohej nga një koleg, e në prani të prokurorit të rrethit të Skraparit Luan Kaloçi, të cilët me shumë dashamirësi dhe respekt shoqëror më kanë pyetur hollësisht rreth ngjarjes që ditën e parë që kisha shkuar në Poliçan. Pas 4 orësh shpjegimesh, kanë ardhur në Berat Z/ministrja e Brëndshme, Lutmilla Pajo (e ndjerë) e cila më thotë se duhet të jap një intervistë për TVSH rreth ngjarjes së ndodhur në Poliçan.

Diktimi që mu bë prej saj që unë të shpreja se deputeti socialist Ilir Meta më ka bërë presion për ti dhënë deklaratë se nuk jam mbajtur peng, nuk e pranova. Unë ndër të tjera i shpreha se nuk do ta cilësoj as se eshtë deputet socialist, por do të them deputeti i Parlamentit Ilir Meta. Intervista ime është dhënë e plotë pa u çensuruar, siç ishte realiteti i ngjarjes. Me datën 27 Gusht Ministri i Brendshëm Bashkim Kopliku në parlament gjatë diskutimit rreth ngjarjes, ka akuzuar Ilir Metën se oficerit të policisë Pashk Tusha i ke bërë presion për të dhënë deklarëtë me shkrim, se nuk është mbajtur peng. Për këtë ka thënë Ministri Kopliku se kam informacion me shkrim nga oficeri i policisë. Deputeti Ilir Meta pas kësaj akuze ka kërkuar  kasetën e TVSH dhe është shprehur se nëse Pashk Tusha ju ka dhënë një informacion të tillë, qenka i pa burrë dhe mashtrues. E vërteta qëndronte krejt ndryshe që unë jo që nuk kisha dhënë informacion as me shkrim as verbal, por nuk kisha takuar as Ministrin e Brendshëm për ti shpjeguar rreth kësaj ngjarje. Çështja e ngjarjes së Poliçanit u politizua në ekstremitet, rrethanat e kësaj ngjarje në atë kohë i kam shpjeguar edhe kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshmnë të asaj kohe zoti Prel Martini, i cili nuk më ka bërë asnjë lloji ndërhyrje për të ndryshuar thëniet e mija, me qëllim që unë të shmangia çdo lloj keq interpretimi dhe disinformimi rreth kësaj ngjarje, kam marr 3 ditë raport mjekësor dhe jam larguar për në Mirditë. Për deklarimet e mija nuk kam patur asnjë pasojë me ecurinë time në karrierë gjatë viteve 1992-1997. Rreth ngjarjes janë thirrur për të dëshmuar si dëshmitar okular në seancën gjygjësore me 13 të pandehur. Personalisht vlerësoj qëndrimin korrekt e ligjor të prokurorit të çështjes Luan Koloçi e të grupit të hetuesisë të kryesuar nga Fatos Qato.

Dua të veçoj se këtë situatë të vështirë dhe me mungesë të theksuar informacioni i cili kushtëzohej vetëm nga një stacion i vetëm televiziv që ishte në atë kohë, TVSH, familja ime dhe të afërmit e kanë përjetur me shumë ankth, përfshirë miq e shokë. Kur TVSH kishte dhënë lajmin për të cilin fola më lart, pra se oficeri i policisë Pashk Tusha ishte marrë peng në Poliçan, familja ime e kishte përjetuar keq, jo vetëm bashkëshortja dhe fëmijët në Tiranë, por edhe vëllezërit dhe nëna ime në Mirditë. I shqetësuar mbi këtë situtaë, në kushtet kur nuk kishte asnjë telefon apo mënyrë tjetër komunikimi, vëllai im Prenga ishte nisur me urgjencë nga Mirdita për në Tiranë, ku fillimisht ishte ndaluar në Ministrinë e Brendshme për të marrë informacion mbi situatën dhe fatin tim. Në takimin me drejtorin e Rendit Agim Shehu vëllai im është ndjerë shumë i fyer, pasi drejtori i policisë kishte aluduar sipas tij, se ishte paaftësia ime që ishim mbajtur i bllokuar nga protestuesit e Poliçanit. Në një situatë krejt të paqartë shumë të afërm të mij nga Mirdita, Lezha, Kurbini e Tirana i janë bashkuar vëllait tim në Tiranë dhe kanë marrë vendimin për tu nisur në drejtim të Poliçanit, për të më marrë prej andej me çdo çmim. Theksoj se mos dhënia informacion mbi situatën time i kishte alarmuar në ekstrem ata. Por në një telefonatë të bërë me bashkëshorten natën e ngjarjes i kam kërkuar domosdoshmërisht që asnjëri të mos niset drejt Poliçanit, për arsye se jam shëndosh e mirë dhe situata do të zgjidhej shumë shpejt. Vëllai im ka komunikuar paraprakisht para se të niseshin në Poliçan me bashkëshorten time, e cila u ka bërë me dije kërkesën time që askush të mos udhëtonte për në jugun e vendit ku isha unë. Për fat këta janë bindur dhe situata mori rrjedha normale.

Kujtoj më shumë respekt kryetarin e Bashkisë së Poliçanit Arshin Tusha i cili me kontributin e tij institucional, lidhjet shoqërore, familjare e miqësore ndikoi pozitivisht për të shmangur një gjakderdhje gjatë ndërhyrjes së policisë ndaj protestuesve, ku për të gjithë situatën e krijuar përgjegjësitë i kishte politika dhe aspak banorët e varfër të Poliçanit, e aq më pak strukturat e policisë. Vlerësim maksimal kam për një përfaqësi të banorëve, të cilët kërkonin me çdo kusht që të shkoja në Poliçan për të drekuar bashkë me ta për  qëndrimin ligjor që unë kisha mbajtur. Vlerësimi ndaj meje ishte i lidhur edhe me respektin e jashtëzakonshëm që kishin Poliçanasit për mirditorët, duke përmendur meritat e Gjeneral Gjin Marka Toma, Komisar  Brigatës 6 Sulmuese me sekretar rinie Ramiz Alinë, të cilit siç shpjegon Gjeneral Rahman Përllaku, Gjenerali Toma ishte drejtuar me një letër që ta lironte nga burgu e të vdiste pranë familjes. Fatkeqësisht Një gjë e tillë nuk ndodhi kurrë. Gjenerali vdiq në burgun e Burrelit. Nder dhe respekt për gjeneralin e të gjithë banorët e Poliçanit, me të cilët u përballa me një situatë kritike për jetën e tyre, e timen personale.

Në jetën time kam qenë krenar se familja ime, jo vetëm ajo e vogla por edhe ajo nga e cila kisha prejardhjen ishte një familje që më motivonte, por edhe për faktin se trava e Mirditës kishte nxjerrë figura motivuese jo vetëm për Mirditën dhe mirditasit, po edhe për mbarë kombin. Ata janë të shumtë, por mund të përmendim disa prej tyre si Pjetër Përlati gjenerla i kohës së Gjergj Kastriotit, Gjon Gazulli, Ambroz Marlaskaj, Abat Prend Doçi, Atë Gjergj Fishta, Anton Çeta, Ndrec Ndue Gjoka dhe shumë të tjerë. 

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Shperndarje