Reportazh nga Kroi i Bardhë, burimi që shëron të sëmurët

Nga Pirusti News

Shënim: Reportazhi është shkruar gjashtë vite më parë, dhe është botuar në gazetën e kohës “Tirana Observer” më 31 gusht 2014. Nga ajo kohë ka ndryshur pozitivisht situata akomoduese, ku sipërmarrës me origjinë vendore kanë ndërtuar banesa kryesisht të tipit alpin, ku kanë siguruar ujin dhe disa kushte optimale brenda tyre.

-Nga: Aleksandër Ndoja, botuar në “Tirana Observer” gusht 2014-

Është vapë dhe stina e verës ka ditë që ka nisur. Qyetarët zgjedhin mënyra të ndryshme për të pushuar, por ata më të guximshmit marrin edhe malet e thepisura, pa rrugë dhe kushte minimale jetese. Padyshim “Kroi i Bardhë” që ligjësitë e natyrës ja kanë caktuar vendin diku mes malesh që ndajnë liqenet e Lurës me Mirditën, prej më shumë se 20 vitesh tërheq vemendjen  e pushuesve që kanë nevojë për freski, natyrë të qetë, por mbi të gjitha një lavazh perfekt shëndetësor, në të gjitha organet që përshkon uji, që në momentin që konsumohet nga njeriu.

Rrugës për të kroi i bardhë…..

Të shkosh për të Kroi i Bardhë duhet të nisesh nga qyteti Rrëshen në drejtim të Lurës. Pasi përshkon rreth 10 km të asfaltuar deri në Përlat Qendër, asfalti të “le shëndenë” duke marrë një kthesë 900 në drejtim të Urakës dhe më tej Burrelit, ndërsa rruga në drejtim të Lurës përcjell një situatë të vwshtirë. Janë mbi 40 km rrugë e tillë që përshkohet vetëm nga fuoristrada edhe pse në të janë të detyruar të kalojnë udhëtarë të shumtë të Komunës Kthellë, përfshirë fshtrat Përlat Epër, Shebe, Tharri, të komunës Selitë me fshatrat Lëkundë, Bardhaj, Lufaj, Kthellë e Epër,  Kurbnesh, Zajs, Mërkurth e Kumbull. Ndërsa kjo rrugë në të njëjtën gjendje është në dispozicion të komunës Lurë, banorët e të cilës e kanë të vetmen mundësi për të komunikuar me Tiranën dhe zona të tjera të Shqipërisë. Ndërsa në cepin hyrës të fushës së Lurës, rruga për të Kroi i Bardhë merr një kthesë të fortë me ngjitjë në male të thepisura, por me një bukuri të rrallë.

Pas afro dy orë rrugëtim mes malesh, shfaqet një ulje e lehtë dhe pas saj dallohet livadhi Priftit. Në këtë livadh prej vitesh vendosen çadra të ndryshme pushuesish, roleta banimi dhe mënyra të ndryshme për të futur kokën, pasi moti këtu është shumë i ftohtë, me të papritura të çastit. Është hera e parë që mund të gjesh bujtina të sajuara nga banorë të fshatit më të afërt, të cilët i kanë vendosur në dispozicion të atyre që kanë mundësi pagese qeraje. Të tjerët sajohen vetë, me mënyra klasike të hershme jetese, ku para nisjes duhet të mendosh për çdo gjë që konsumon brenda 21 ditësh që është më e rekomanduara për të jetuar këtu. Pra duhet të sjellësh ushqimet bazë me vete, mjetet e gatimit, ilaqe, enë guzhin, rroba fjetje, por edhe minixheneratorë për energjinë elektrike.

Përse te kroi i Bardhë.

Kroi i Bardhë është i vendosur në anën tjetër të livadhit të Priftit, në shpatin e malit 1350 metra mbi nivelin e detit. Pikërisht ky mal gjigand e ndan me liqenet e Lurës nga ku e ka zanafillën e burimit. Që herët gjelogët janë marrë me hulumtimin e tij. Thuhet se të  parët kanë qenë mjekë austriakë në vitet 20-të që e kanë vizituar këtë vend, pas një mrekullie që kishte bërë me shërimin e një pacienti të tyre nga sëmundja e tuberkulozit që në atë kohë klasifikohej si sëmundje e pa shërueshme. Më vonë, në vitin 1953 dyshja ruso-shqiptare Viktor Kozillov dhe Xoxi Çobo, inxhinierë të talentuar të kohës, kanë bërë studime të mirëfillta. Ata kanë provuar me analiza që tashmë janë të dokumentuara se baza e burimit të ujit të bardhë vjen nga liqenet e Lurës, në anën tjetër të malit të Kunorës. Uji prej andej kalon përmes bazës së malit, duke përshkuar shkëmbenj nëntoksorë me përbërje ultra bazike dhe marrë prej aty elementë kimikë ku spikat “radoni” me veprim të menjëhershëm në të gjitha rrugët nga ku uji kalon në trupin e njeriut, gjatë kosumimit të tij.

 Ujët e Kroit të Bardhë ka vlera të rralla kurative, pasi ndikon në shërimin e disa sëmundjeve, si atyre të rrugëve urinare, laringut, stomakut, veshkave, tiroideve etj. Uji ka një prurje prej 18 litrash në minutë, me një temperaturë mesatare në dalë prej 3-4 gradë, ndërsa emërtimin kroi i bardhë e ka marrë për shkak së shkëmbi nga kalon uji pasi del nga burimi ka marrë ngjyrën e bardhë, dhe nuk vishet me myshk siç ndodh rëndom në kësi rastesh. .Vetë natyra e ka zgjidhur ndonjë konflikt të mundshëm për marrrjen e ujit prej aty për qëllime tregëtimi, pasi efektet kurative të tij zgjasin vetëm 7 minuta. Pas kësaj elementët kimikë përbërës shuhen nga kontakti me ajrin dhe përbërësit e tij. Vitet e fundit inxhnieri i mirnjohur bakrit Nikoll Marku ka bërë studime të hollësishme të cilat i ka hedhur në një botim që është në libraritë tona.   

Ora 21 vendoset “ndalim qarkullimi”

Është disi absurde por e vërtetë. Vera e sivjetme është shfaqur me rregulla të reja. Në vitin 2014  bëhet fjalë për ndalim qarkullim e madje mes malesh, ku në fakt nuk duket këmbë polici edhe kur kallashnikovi mund të ketë mbretërinë e tij, kuptohet me breshëri të shtënash në ajër. Ndalim qarkullimi të kujton filmat me guerilë të luftës së para 70 viteve, por lajmi nuk të lë kohë të meditosh gjatë. Janë fëmijët ata që të frikësur artikulojnë përpara prindërve të tyre, duke u thënë se barinjtë janë ata që i kishin porositur që pas orës 9 të darkës askush mos të dalë jashtë, madje as për te burimi, pasi pikërisht pas kësaj  ore do të lëshonin qentë dhe nuk mbanin asnjë përgjegjësi.

Në fakt lajmi duhej marrë seriozisht, pasi vetëm tre ditë përpara se të dilte urdhri për “shtetrrethim” nga ana e barinjve, një qen pse jo i tërbuar, kafshoi rëndë një grua rreth të 50-tave, ndërsa një automjet fuoristradë bëhet “ambulancë” për tre a më shumë orë rrugë mjaft të vështirë drejt spitalit të Rrëshenit, ku ju dha ndihma e domosdoshme mjekësore. Po ashtu, një 10 vjeçare nga Miloti ka qenë fatlume e madhe. Vetëm një fije floku e ka ndarë nga një fatkeqësi e rëndë, kur ca bagëti po kalonin në pjesën e sipërme të kroit çudibërës. Vendi është mjaft i pjerrët dhe nga kalimi i bagëtive rrokulliset një masë shkëmbore e vogël. Pjerrësia është aq e madhe sa në një distancë të shkurtër, guri merr shpejtësinë e erës. Edhe pse u pa nga shumë persona, koha ishte shumë e shkurtër për tu larguar. Guri në pak sekonda shkëputet nga toka duke fluturuar në ajër dhe pasi prek shkarazi supin e vajzës 10 vjeçare, përplaset në përrua. Të gjithë ne të pranishëm marrim në dorë vajzën duke i lëvizur krahun nëse e kishte thyer, por ajo më shumë e habitur thotë se nuk ka asgjë, pasi guri të cilin ajo nuk e kishte parë, e kishte prekur shkarazi, pa i shkaktuar dëmtime. Askush nuk don të mendojë të keqen, por sikur vetëm një gradë më djathtas ta kishte marrë rrugën ai gurë, pasojat do ishin fatale.

Në fakt ky vend është një pikë e rëndësishme turistike teksa prej më shumë se 30 a 40 vitesh ka pasur pushues, por sidmos 20 vitet e fundit çdo verë pushojnë mbi 300 persona. Por deri më tani Ministria e linjës, apo drejtoria që merret me turizmin nuk ka në hartën e saj, apo harta është në ndonjë sënduk të ndryshkur të kësaj drejtorie e pa trazuar nga askush. Pikërisht për këtë fakt barinjtë veprojnë si shumë shekuj më pare në tokat e sapo zbuluara të amerikës kur në pushtimin e tokave të gjetura lirë vraponin me kuaj dhe ngulnin flamurët. Kështu edhe sot në kohët moderne,  janë barinjtë ata që ndajnë sinoret, pa pyetur për anjë element sigurie për qindra pushues të të gjitha moshave, por edhe duke ndotur ambientin rreth burimit, duke përzier kafshët dhe njerëzit në vajtje ardhjet, edhe pse lugina dhe toka nuk janë të askujt, por është shteti ai që ka sovranitetin të paktën deri në privatizimin e trojeve për rreth, çka do të bënte që turizmi të shfaqej edhe atje mes malesh.

Kola nga Shkodra, pushuesi me ide të qarta për zhvillimin e turizmit të kësaj zone.

Kol Gjoni është i vetmi nga grupi prej 12 shkodranësh që sapo mbaruan Universitetin e Tiranës në vitet 50-të  emërohet në Kurbneshin e largët. Ai qëndron për disa vite në këtë qytezë minatorësh, ku edhe njihet me vlerat e Kroit të Bardhë. Pas disa vitesh punë edhe në Rrëshen, Kola emërohet në një detyrë të rëndësishme në Ministrinë e Financave, ndërkohë që për shumë vite jepte mësim në universitet si petagog i jashtëm. Kol Gjoni ishte një mbështetes i studentëve për rrëzimin e rregjimit komunist, ndërkohë që më pas thirret në Kontrollin e lartë të Shtetit nga Blerim Çela ku në vitin 1994 jep dorheqjen, për të hapur të parën zyrë finance private në Shqipëri. Njihet si sipërmarrës ne zonën e Shkodrës në ndërtimin dhe menaxhimin e një hidrocentrali ne Kelmend.

Kol Gjoni sot në moshën 78 vjeçare përshkon çdo ditë disa km në malet me bukuri të rralla të Kunorës, në Didhe e fushat e Valmorit. Diku ndalon i menduar, kritikon ashpër politikën e këtyre viteve në shkatërrimin e pyjeve, djegien e tyre, ndërkohë hedh ide të qarta për ndërtimin e një turizmi malor të pa përsëritshëm në ballkan. Ja thotë ai, në fushat e pa fundme të Didhes dhe të Valmorit, me gropa natyrale të ngjashme me amfitetrot, ku në to gjen borë edhe stërçokë (një lloj zogu errësire), sidomos në dimër mund të organizohet sporti i skive, por edhe në verë këto gjen një freski dhe klime të shëndetshme, qindra lule dhe bimësi të rrallë medicinale, pa folur këtu për vlerat kurative të kroit të bardhë.  Unë për ta ngacmuar i kujtoj  kalvarin rrugor për të mbërritur në atë vend, Kola më kundërshton duke thënë se vetëm një teleferik nga Kurbneshi te Guri Gjon, bën të turisti të vijë në këtë vend vetëm për 8 deri më 10 minuta. Ndërsa për gjendjen e mjeruar të rrugës nga Rrësheni në Lurë, përjashtuar pak km deri në Përlat ku rruga merr djathtas, për në Burrel, Kola thotë se çuditërisht situata të tilla në rrugë të tilla gjen edhe në malësinë e Shkodrës, si në rrugën për Vermosh, Kelemend, etj, ndërsa fjala vjen Tropoja, ka jo më pak se 17 rrugë komunikuese me Gjakovën, të gjitha të asfaltuara dhe me cilësi të lartë.

 Ndërsa mua vetvetiu më shkon mendja tek Sali Benishi, personazhi në romanin “Të jetosh në Ishull” të Ben Blushit, i cili shkatërroi Voskopojën e krishterë me biblioteka, shkolla e shtypshkronjë, në emër të një ideologjie që po shfaqej. Nuk ka asnjë arsye tjetër, përveç faktit se ajo përshkon zemrën e një krahine tërësisht të krishterë që rruga të lihet në atë gjendje. Një rrugë që shkon në epiqendrën e turizmit malor, te liqenet e Lurës të lihet në atë gjëndje, madje të shkatërrohet totalisht edhe objekti për të cilin rruga duhet, liqenet e Lurës. Shpresat janë që situata të ndryshojë. Masat janë shpresëdhënëse teksa dhjetra makina të ushtrisë shikohen të udhëtojnë drejt Lurës për mbjelljen e mijëra pishave që dora e njeriut eksperimental, i shkatërroi 20 vitet e fundit.

Pyjet, një fjalë e huaj në këtë vend.

Shumë vite më parë të shkoje nga “livadhi i Priftit”  në anën tjetër të përroit, ku ndodhet kroji i bardhë, pas orës 1500 ishte tepër e vështirë. Denduaria e madhe me pisha shtatlartë, bredha të pa përsërishëm dhe drurë të ahut krijonin një tunel gjysëm errësire, gjatë gjithë rrugës. Kjo favorizonte lëvizjen kafshëve të egra si arusha, ujqër, dhelpra, lepuj, thëllënza, pula dhe gjela të egër, por edhe shumë kafshë dhe zogj të tjerë, të rrezikshme apo jo të rrezikshme. Ndërsa pas vitit 1992 malet janë zhveshur totalisht. Në këtë luginë shkatërrimi është edhe më i veqantë. Nuk është thjesht prerja e lëndës drusore dhe evadimi i saj. Në këtë luginë e në të gjithë sipërfaqen që shkon me dhjetra hektarë, trungjet janë prerë por nuk janë evaduar. Qidra trungje të gjata pishash dhe ahesh janë të rrëzuara dhe të djegura dhe për pasojë janë të pa dobishëm për asgjë, aq më shumë tani që prej vitesh i janë nënshtruar procesit të kalbëzimit. Një masakër e tillë e pa shëmbullt ka ndodhur si rezultat i konflikteve mes grupeve rivale në shkatërrimin e pyjeve. Duket se njëri grup ka mundur të pushtojë pyllin më përpara, ndërsa grupi tjetër në pa mundësi për të punuar me motorrsharrë, u kanë ndezur zjarrin në momentin më të përshtatshëm për flakët, duke bërë që preja e grupit të parë të mbesë në vend, pa asnjë mundësi për përpunim të mëtejshëm. Shumë pushues tradicionalë kujtojnë edhe sot se si në vitin 1997 ishin detyruar të ndërprisnin pushimet të lemerisur, pasi malet u pushtuan nga flakët dhe tymi mbushi luginën ku vendoset kampingu dhe ku buron uji i rrallë.

Ndërsa ndonjë i ashtuquajtur trafikant i lëndës drusore thotë jo pa shqetësim se “malit askush nuk ja ka parë hairin”. Nëse dora e njeriut e shkatërroi atë përbindshëm, mali u nuk qëndroi “duarkryq”. Janë me dhjetra lapidarë mes malesh që nuk kanë të bëjnë me përkujtimin e të ashtuquajturve bandave të diversantëve apo me forcat e ndjekjes, por pikërisht me ata që shaktërruan malet. Më fatlumët ndërtuan ndonjë bisnes apo shtëpi në kryeqytet, kryesisht bregut në lumit Lana, por një ditë u shuan të gjitha nga fadromat e bashkisë. Janë me dhjetra sipërmarrës të tjerë në këtë fushë që edhe pse kanë prerë e shituar pa asnjë kontroll, askush prej tyre nuk ka bërë përpara. Mali nuk u ka dhënë një shans më të mirë.

Ndërsa këtë vit është hera e parë që pushuesit nuk zgjohen nga uturima e automjeteve të lëndës drusore. Në asnjë rast nuk duken mjetet e tonazhit të lartë dhe traktorët kinezë që ngjanin me çibanë në trupin e malit. Edhe i vetmi automjet që kalonte i ngarkur me krom i cili gjëndet masivisht në këtë zonë, një ditë e ndali ritualin. U tha se një njësit task-forcë e kishte ndaluar në vëndin e përshtatshëm, në një rrugë të vetme nga ku mund të kalojnë mjetet. Kjo është arsyeja se pse asnjë automjet me lëndë drusore nuk e merrte mundimin me zbrit poshtë nga mali, pasi kontrabandistët mund të sillen si “çifuti ne shkretëtirë”, në kërkim e gozhdës së katërt, nëse malli nuk e kap tregun. Një replikë dikur  Namik Dokles në parlament, teksa denonconte kontrabandën e naftës në drejtim të shtetit serb të embarguar nga bota demokratike, duket se ka funksionuar në këtë kohë. Dokle i pati thënë presidentit të athershëm Berisha se thyerja e embargos mund të bllokohej me një polic të vetëm të Ura e Milotit, pasi ishte e vetmja pikë kalimi i çisterrnave drejt Serbisë, duke kursyer qindra trupa policore që endeshin brigjeve të Bunës me dylbi të qorruara të kohës kineze. Sot një task-forcë e vetme, në vendin e duhur, mund të zerojë këtë lloj kontrabandë shkatërruese edhe pse dikur endeshin maleve shumë të ashtuquajtur rojtarë pyjesh, me efikasitet zero.

 

Me shume per krojin e bardhe. Nje reportazh nga Marin Mema.

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Shperndarje