Vëzhgimi. Shote Galica dhe Pjetër Qeli, dy figura heroike mbuluar nga “jonxhi”

Nga Pirusti News

-Nga Aleksandër NDOJA

Shote Galica dhe Pjetër Qeli janë dy luftëtarë të shquar kundër serbëve. Shote Galica vinte nga Drenica, luftoi krah Azem Galicës ku mori pjesë në mbi 40 beteja kundër serbëve dhe pushtuesve të tjerë si austrohungarezë e bullgarë, ndërsa u vendos në Fushkrujë ku vdiq më 1927. Në Fushkrujë, anës rrugës ka një lapidar të lodhur, ndoshta i ndërtuar në kohën e rregjimit komunist, pasi atij stili i përket.

Ndërsa Pjetër Qeli vinte nga Fani i Mirditës në Gjakovë, ku ka një veprimtari të shquar anti serbe. Në vitin 1913 serbët arrijnë ta rrethojnë kacakun e tmerrshëm kundër tyre, dhe pa e zgjatur e varin në një plep të gjatë, shumë afër me një mulli bloje, atje në fshatin Bërdosan të Gjakovës. Pasi largohet ushtria serbe, banorët e fshatin Berdosan e zbresin nga vendi ku qëndronte i varur disa ditë dhe e varrosin anës rrugës së fshatit, ku mendohet se janë eshtrat e tij.

-Po cfar i bashkon dy heronjtë e pamposhur kundër serbëve-

Janë nga e njëjta hapësirë mbarëkombërare ndonëse Shota vjen nga Drenica legjendare, ndërsa Pjetër Qeli vjen nga Mirdita, nga një tjetër trevë me histori të spikatur. Të dy luftojnë heroikisht kundër të njëjtit pushtues shekullor të trojeve tona, pushtuesit serbo-sllav, ndërsa sot rreth 100 vite më vonë lufta e tyre dhe gjaku që derdhën janë mbuluar nga një bimë bujqësore që njihet me emrin “jonxhë”.

Pse e them këtë. Ja shikoni në Fushë Krujë lapidari i pa dinjitetshmë nuk përcjell asgjë nga madhështia e Shote Galicës e cila pa përfillur terrorin e armikut dhe ligjet e ashpra të fesë e të kanunit luftoi heroikisht për 12 vjet me radhë kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgarë. Shote Galica mori pjesë në më shumë se 40 aksione të rëndësishme kundër armikut. Kundërshtoi me konsekuencë politikën e dhunës e të terrorit të regjimit shovinist të Beogradit ndaj popullsisë shqiptare, shpronësimin e shpërnguljen e saj dhe kolonizimin sllav të trevave shqiptare. Ai ndodhet pothuaj i mbytur nga jonxha dhe barishtet e tjera, anës rrugës Fushkrujë – Tiranë.

Ndërsa historia përkujtimore për Pjetër Qelin në Bërdosan është sa tragjike dhe komike. Më 27 nëntor 2011 u ndodha në një Akademi Përkujtimore në Gjakovë organizuar nga shoqata “Trojet e Arberit” me kryetar z. Nue Oroshi si dhe me mbështetjen e kryetarit të atëhershëm të Gjakovës, Pal Lekaj. Në atë akademi përkujtimore e cila ishte mjaft e suksesshme u mbajtën referate shkencore dhe historike, që ngrinin lart figurën e këtij luftëtari trim e të paepur nga Fani i Mirditës. Mes të tjerave në këtë akademi u fol për momentin e vrasjes, trimërinë e banorëve të cilët mes terrorit serb arritën ta zbrisnin të varurin për ta varrosur në një cep are, ndanë rrugës kryesore. Në këtë akademi u tha se në vendin ku u varros Pjetër Qeli, ndodhet një pllakë përkujtimore e cila duhet të zëvendësohet me një tjetër më dinjitoze.

Në Bërdosan, në kërkim të varrit të Pjetër Qelit.

Vetëm pak më ditë pas kësaj akademie, sëbashku me piktorin Pjetër Marku i cili kishte realizuar në pikturë portretin e Pjetër Qelit të cilin i ja kishte dhuruar kryetarit Pal Lekaj në atë akademi dhe shkrimtarin Gjon Marku, u nisëm drejt Bërdosanit në kërkim të vendvarrimit të Pjetër Qelit. Ishte një ditë me shi dhe me shumë mjegull. Rruga e fshatit ishte plotësisht e zbrazët. Kalojmë disa herë në atë rrugë, identifikuam mullirin ku ishte varur Pjetër Qeli i cili ishte i rrënuar totalisht, por pllakë përkujtimore nuk gjetëm askund.

Teksa po përgatiteshim të largoheshim, në distancë shquam siluetën e një njeriu. U afruam dhe konstatuam një burrë rreth 70 vjec, imacak që mezi na foli. Pyetja e parë ishte se nga ishim. Ne i treguam dhe nisëm bisedën. Burri i vjetër sikur u ngjall pak dhe na kërkoi ndjesë pasi sic tha, nuk flas me të panjohur se ishte në gjak. Burri i cili tha se e kishte origjinën e hershme nga Kacinari i Mirditës na tha se nuk del më shumë se 100 metra nga shpija, pasi ishte në gjak dhe mund të vritej. Megjithatë na u lut të shkonim në banesën e tij aty pranë, për një kafe.

Ne pasi e refuzojmë për arsye kohe, i kërkojmë të na tregojë vendvarrimin e Pjetër Qelit. Ai i dyzuar na thotë se varri është aty. Deri vonë ishte edhe pllaka përkujtimore, por i zoti i tokës e kishte shtyrë kufirin, duke mbjellur me jonxhë të gjithë zonën, edhe venin ku ishte varri.

Ne nuk e zgjasim por shkojmë dhe trokasim në derën e pronarit të tokës. I themi se kërkojmë eshtrat e Pjetër Qelit. Pronari që na tha se quhej David, na përsërit disa herë të njëjtën frazë, nuk di gjë, nuk di gjë. Por për ta mbyllur na jep një shans. Ju punoni aty ku thoni se është varri. Nëse e gjeni, merreni, nëse nuk e gjeni do më paguani jonxhin..  Ne s’na mbeti tjetër vecse të largohemi duke qeshur jo gëzueshëm, pasi krenaria për këtë luftëtar lirie ishte mbuluar nga jonxhi, ndërsa akademitë dhe fjalimet përkujtimore nëpër salla me telekamera vijojnë…..

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment