Pashke Lleshaj, njëra ndër tre mësueset e para të Mirditës që më vonë e ndoqi biografia…

Nga Pirusti News

– LLESHAJ Pashke (23.03.1924 – 6.08.1997), ndër tre mësueset e para në Mirditë, veprimtare për emancepimin e gruas –

Marrë nga Enciklopedia e MIRDITËS.

Pashkja lindi në Ulqin, bija e Kolë Ndue Preng Dushit nga Kaçinari i Mirditës,emigruar më parë në Prizren dhe pastaj në Ulqin. Mbaroi shkollën femërore në Ulqin. Martohet me Pjetër Prengën (Lleshaj) nga Proseku, oficer që kishte mbaruar Internatin e Burrelit, pastaj shkollën e mesme ushtarake në Tiranë dhe një shkollë ushtarake dyvjeçare në Itali (1942).

Shkolla fillore Prosek, e hapur në vitin 1945, pas dy vjetësh u nda në dy fuqi mësimore për shkak të numrit të madh të nxënësve dhe me vendim të Seksionit të Arsimit të Prefekturës së Shkodrës, Pashke Lleshaj u emërua mësuese e saj,(1947), krahas mësuesit ekzistues Pjetër Toma, duke u bërë kështu njëra ndër tre mësueset e para të Mirditës.

Pashkja vazhdoi me sukses të mësonte klasën e parë dhe të tretë dhe e përfundoi atë vit shkollor, edhe pse grupet e armatosura që luftonin kundër pushtetit komunist kishin filluar t’i kërcënonin edhe mësuesit. Në vitin që pasoi, grupet e armatosura i kërkuan Pashkes që të mos shkonte më në shkollë, ndryshe do ta vrisnin, por ajo nuk pranoi. Pas disa paralajmërimeve, me 25 prill 1948, i shkojnë Preng Lleshajt në shtëpi, e lidhin, ndërsa gruas Pashkes i qethin flokët. Në plan ishte ekzekutimi i tyre, por me ndërhyrjen e Preng Dodë Gjin Keqit u falet jeta.

 Pas dy ditësh, në ato kushte mësuesja Pashke Lleshaj u paraqit në shkollë dhe vijoi mësimin. Por organet shtetërore i transferuan në qendrën industriale Rubik, ku u vendosën edhe me banim. Me ashpërsimin e luftës së klasave, për faktin se Prenga kishte qenë ushtarak në periudhën e fashizimit, u mohuan çdo punë intelektuale. Pashkja kaloi nga edukatore kopështi në shitëse buke apo kuzhiniere në NFP.

Pashke Lleshaj vdiq në Rubik dhe u varros pranë Kishës Katolike në afërsi të atij qyteti. Megjithëse është njëra nga tri mësueset e para të Mirditës, veprimtaria e saj arsimore dhe emancipuese ende nuk është vlerësuar.

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment