“Gjeografia e Mirditës” me autor Ndue Gega, një udhërrëfyes deritash i munguar informacioni, në shkallë të gjerë

Nga Pirusti News

-Nga Aleksandër Ndoja –

Shpeshherë më ka rastisur që studentë apo të tjerë, individë apo faktorë të interesuar, mirditas apo jo mirditas më janë drejtuar duke kërkuar më shumë të dhëna për Mirditën. Natyrisht jo vetëm në planin historik të figurave të përndritura, apo ngjarjeve që na bëjnë krenar si trevë, por kërkesat për informacione janë edhe për relievin, lëvizjen e popullsisë, veshjet tradicionale, kulinarinë, spelologjinë, lumenjtë apo llojet e bimëve dhe shkurreve, por edhe shumë elementë të tjerë që janë në këtë trevë.

Në fakt sado kujtesa të jetë e fortë, apo të kesh durimin të kërkosh në letra “andej-këndej” pa ndonjë renditje, në botime pjesore apo në wikipedia, përsëri nuk mund të kesh një saktësi apo ide të qartë mbi atë çfar kërkohet, apo duhet ditur nga çdo mirditas e më gjerë.

Botimi më i fundit me autor z. Ndue Gega duket se i ka dhënë fund kësaj dileme apo problematike jo të vogël, të deritashme. “Gjeografia e Mirditës” është një botim mjaft cilësor, realizuar teknikisht nga shtëpia botuese “GEER”, por mbi të gjitha është brendia në 220 faqet e këtij libri.

Autori nuk është thjeshtë një i apasionuar për “prodhim” librash, siç ka ndodhur rëndom në shumë raste kur librat janë prodhuar duke ngjituar copa fotografish marrë në albume të ndryshme, apo dhe informacione “me të dëgjuar”.

Në fakt Ndue Gega është një specialist i mirëfilltë i gjeografisë, jo vetëm i Mirditës por me njohje mjaft ekselente për zona të ndryshme të globit. Kjo ka ardhur falë një shkollimi solid që nis me arsimimin e përgjithshëm në Rrëshen, por mbi të gjitha teksa mbaron me rezultate të larta Universitetin e Tiranës, në degën “Histori-Gjeografi” në vitin 1975. Prej atij viti nuk i ndahet mësimdhënies deri kur del në pension si drejtor i Gjimnazit Rrëshen, i gjimnazit nga ku kishte startuar rrugëtimi i tij në rrugën e dijes. Natyrisht në vitet e demokracisë ka pasur disa shkëputje nga mësimdhënia ndërsa ka kontribuar në organet e pushtetit vendor duke kulmuar me pozicionin e kryetarit të bashkisë Rrëshen, teksa më parë ka kryer detyra të tjera si prefekt në Berat, si këshilltar për pushtetin vendor i kryeministrit dhe i ministrit për ushtetin vendor.

-Po çfar përcillet në faqet e librit me emrin thjeshtë “Gjeografia e Mirditës”!?-

Natyrisht në një shkrim është vështirë të përcillet e gjithë përmbajtja e librit, por e rëndësishme është që opinioni të mësojë se tashmë kemi një “thesar” informativ që nis me të dhëna të detajuara mbi pozitën gjeografike të Mirditës, histori mbi formimin e nëntokës së Mirditës, për të vijuar me metalet e shumta që ka nëntoka jonë. Natyrisht një vend të veçantë zënë lumenjtë, liqenet, burimet nëntokësore, llojet e tokës, bimësisë, botës shtazore etj.

Libri vijon më një pafundësi informacioni të detajuar me data dhe histori të shkurtra përshkrimi mbi kullat në Mirditë, monumentet e tjera të kulturës, kishat, malet duke nisuar me atë të Munellës, ndarjet administrative sipas fshatrave ku jepen shifra mbi numërin e popullsisë në vite të ndryshme, e deri sot.

Bujqësia dhe blegtoria dhe evoluimi i tyre ndër dekada është brenda këtij informacioni duke zënë një vend të rëndësishëm në këtë botim. Turizmi dhe asetet turistike të Mirditës janë në fokusin e autorit, duke dhënë një panoramë të qartë jo vetëm për atë çfar ofrojnë, por edhe ide të qarta mbi zhvillimin e mëtejshëm të tij.

Në libër jepen qartësisht informacione të detajuara edhe monumentet arkeologjike, ato natyrore, veshjet tradicionale, objekte të ndryshme të kultit apo institcioneve, për ta mbyllur me opinionet për Mirditën të udhëtarëve të hershëm dhe të studiuesve të ndryshëm, që kanë kaluar në këto anë.

 Brenda faqeve ka hapësirë për një mini-encikopedi ku kanë zënë vend figura të shquara mirditase si Gjon Gazulli, Pashko Vasa, Prend Doçi, Bib Doda, Preng Bib Doda, Ambroz Marlaskaj, Anton Çeta, Bardhok Biba e Ndrec Ndue Gjoka. Natyrisht është lexuesi që mund të japë një panoramë dhe më të plotë kur të ketë mundësinë ta marrë nëpër duar.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment