Flet Llukman Kosovrasti, mësuesi i shumë brezave që la gjurmë të pashlyeshme në arsimin mirditas.

Nga Pirusti News

-Nga: Aleksandër NDOJA-

Ka qenë krejt ri diku 21 vjeç, teksa në mesin e shkurtit të vitit 1969  me një pirg rrobash në sup, është ndaluar pranë kulllës së sahatit në në Tiranë. Ishte një ditë shiu edhe në Tiranë, ndërsa i drejtohet një autobuzi që mbante në xham njoftimin: “Linja Tiranë – Kurbnesh”. Nuk mund të kundërshtonte verdiktin e ministrisë me diplomën e matematicienit në dorë, pasi një vëlla i tij kishtë “udhëtuar” më herët drejt Mirditës, por ai shumë më nryshe, me pranga në dorë drejt Spaçit me 22 vite burg mbi shpinë. Pas disa orësh mbërrin në Kurbnesh. Edhe aty binte shi…..

Llukman Kosovrasti i cili ka disa vite në pension, ndalon herë pas here kur e pyet mbi 16 vitet e tij në Mirditë. Ka ngjarje dhe data pafund për të rrëfyer. Ndërsa qëllimi i vizitës tonë është për të biseduar me të, dhe për ta pyetur se si është e mundur që pas kaq shumë vitesh shkëputje, në Mirditë kujtohet jashtëzakonisht për mirë nga shumë breza nxënësish dhe kolegës të tij. Madje edhe sot përsëritet shpesh se, po të merrje notën 5 apo 6 me mësues Llukmanin, universitetin e kishe të garantuar.

Mësues Llukmani na pret në banesën e tij, një banesë tipike tiranase ndërtuar dikur në vitet e 30-ta. Afërsisht në vitet 20-të gjyshi i tij ka udhëtuar nga vendi i origjinës, zona e Kosovrastit në Dibër të Madhe për në fushën e Tiranës, ku kishte filluar të konturohej pak nga pak kryeqyteti i shqiptarëve. Babai i tij i martuar herët në moshë udhëton për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të qëndruar 8 vite rradhazi. Kur e pyesim Llukmanin, pse babai yt u kthye, ai përgjigjet se këtu kishte prindërit dhe nusen, nënën time. Pasi kthehet si emigrant i suksesshëm, ndërton shtëpinë që e trashëgon edhe sot. Kohë pas kohe lindin 7 fëmijë, por ajo çfar evidentohet te të gjithë, ishte dëshira për të mësuar, ndaj të gjithë pa përjashtim mbarojnë universitetin.

Gjatë luftës kjo familje qëndron neutrale, madje edhe në vitet e para të çlirimit, nuk ishin të angazhuar për tu pranuar në parti, por thjeshtë ishin të vullnetshëm për të mësuar. Kjo situatë zgjati deri deri kur një ditë të vitit 1965 kur sapo kthën nga mësimi në universitet, gjen banësën të mbushur më policë që po kryenin kontroll. Aty u mësua se vëllai më i madh që ishte mjek në Fier ishte arrestuar me një mori akuzash, kryesorja agjitacion e propagandë si dhe tentativë arratisje, për çka gjykata e dënoi fillimisht me pushkatim, por më vonë ju konvertua në 22 vite burg.

Kjo do të ndikonte shumë në ecurinë e jetësore asokohe, pasi ndonëse përfundoi universitetin e rezultate të larta, përfundoi në Kurbnesh.

Në një intervistë për pirustinews, z. Llukman Kosovrasti tregon shumë ngjarje të pathëna prej tij, që nga koha kur kanë ndodhur.

Profesor, ju u emëruat në Kurbnesh. Si e kujtoni atë moment?

Si tani e kujtoj me detaje. Një sobë drush në zyrën e shefit të arsimit në Rrëshen. ishte një burrë shumë i urtë dhe i mirë. Zef Ndue Prenga quhej. Aty mora urdhërin, ndërsa pas një jave udhëtova me një autobus, që në atë kohë ishte direkt nga sheshi para sahatit këtu në Tiranë, me drejtimin për në Kurbnesh.

Si e kujton Kurbneshin?

Më vinte habi kur e pava për herë të parë. Malore pafund, ndërsa qytetit dukej i groposur…sipër kepi “Gjon” të cilin e kujtoj si tani. Drejtori i shkollës, një burrë i mirë dhe mjaft komunikues, në ndryshim me nëndrejtorin. Në Kurbnesh luhej shumë futboll në atë kohë. Kështu shtyhej dita.

Ju qëndruar në Kurbnesh vetëm një vit. Si erdhi lëvizja kaq shpejt?

Nuk ka qenë kërkesë e imja në fakt. Ndodhi një kontroll rutinë i seksionit, ku kontrollorë ishin dy inspektorë tashmë të ndjerë, Pal Kuka dhe Gjon Lleshi. Ata qëndruan në një orë mësimi, dolën të heshtur dhe nuk më thanë asgjë. Ndoshta ky kontroll kishte bërë efekt, në shtator të vitit 1970 fillova punë si mësues në Shkollën “Bardhok Biba” në rrëshen për të qëndruar 7 vite rradhazi në këtë shkollë, ndërsa më vonë edhe 7 vite të tjera në Shkollën e mesme industriale në Rubik.

Në Rrëshen si ishte situata përsa i përket arsimit. Si ju priti opinioni?

Shumë mirë. Mirdita është trevë arsimdashëse. Mund ta krahasoj me Shëngjergjin e Tiranës. Njerëz të interesuar shumë për arsimin në atë kohë. E them me përgjegjësi të plotë se gjatë 15-16  viteve që punova në Mirdite, ajo që më ka impresionuar ishte dëshira e nxënësve për të mësuar, si një nga mënyrat për të  qenë të suksesshem nëe jetë. Faktet tregojnë që rreth 90% e nxënësve nga maturantët e gjimnazit te Rreshenit dhe Teknikumit të Rubikut që shkonin në universitet, e mbaronin atë, madje shumë prej tyre mbaronin me rezultate të larta. Nga Mirdita dolën me dhjetra e dhjetra ekonomistë, inxhinerë, juristë, mësues, mjekë, ushtarakë, agronome e tjerë që punuan në shume  rrethe te vendit, por pjesa me e madhe u kthyen ne Mirditë për ti dhënë një zhvillim më të madh Mirditës.

Shumë prej maturave të atyre viteve u’a dedikojnë ju këtë arrtije me të. Si e keni realizuar?

Me punë të kujdesshme e sistematike. Duke studiuar edhe vetë në çdo kohë për tu ndodhur një hap përpara. Shpjegimi lëndës me korrektësinë më të madhe, por edhe komunikimi me ta në orët e mësimit. Por mbi të gjitha ishte edhe vlersimi i saktë, pa asnjë ndikim përveçse bazuar mbi atë që jepte nxënësi. Nota 10 kurrë nuk vihej në rregjistër se dije të gjtha ushtrimet e faqes. Jo, për 10-tën jepja ushtrime të tjera logjika, marrë tjetërkund, jo në libër.

Një mënyrë e tillë komunikimi e sjellje, si u prit nga nxënësit, kam parasysh këtu gjimanzistët, nxënësit e shkollës së natës dhe ata të korespendencës?

Mendoj se u prit mirë. Nuk bëja përjashtime, të gjithë nxënësit e kishin mësuar, ose më saktë ishin mësuar me mënyrën time të dhënies së mësimit dhe vlerësimit. E them se u prit pasi është verefikuar edhe më vonë. Nxënësit në orën e mësimit mund të mërziteshin në ndonjë rast për vlerësimin që u bëja me notë, bazuar vetëm mbi atë që jepnin, por më vonë edhe sot më respektojnë me mirënjohje aq sa më jepnin satisfaksion të madh teksa vëreja se ishin bërë të zotë në jetë dhe kishin arritje.

Kjo mënyrë vlerësimi drejt, a kishte prekur në kallo ndonjë përj elitës së kohës, kur dihej se ata të gjithë i kishin fëmijet në këtë gjimnaz?

Në fakt është e vërtetë se shumë prej fëmijëve të elitës kishin fëmijë korrekte dhe që mësonin. Dua të veçoj Nushën e “Matura 1975” meqë jemi këtu. Ishte vajzë shumë e sjellshme, mësonte normalisht, por kurrë nuk shfaqej se ishte vajzë e një titullari të lartë të kohës.

Dua të veçoj një rast nga shumë raste që më kanë sjellë shqetësimie. Në Mirditë kishte ardhur kryetar komiteti një Jovan Bardhi. Bashkëshorten e tij e kisha kolege, mësuese në fillore. Një ditë më thotë se do sjell dhe vajzën që e kishte nxënëse te “Sami Frasheri” në Tiranë. U habita disi, pasi do i ndërpriste shkollën ne Tiranë për ta sjellë në Rrëshen. Ajo më tha se në Tiranë vajzën e kishte ekselente dhe kështu e besova dhe unë.

Kishtë kaluar gati një muaj që kishte ardhur në klasë, por nuk më kishte rastisur ta çoja në mësim. Një ditë ngrita tre nxënës rrjesht dhe asnjëri nuk u përgjigj dhe për pasojë vendosa tre 4-ra rrjesht. Për ta ndryshuar trendin e notave në atë moment, ngrita vajzën e krytarit të komitetit që e dija se ishte ekselente. Edhe ajo asnjë fjale. Për pak çaste mbeta pezull, s’dija si të veproja, por s’kisha rrugë tjetër dhe vendosa përsëri notën 4.

Çfar ndodhi më pas?

Ra zilja dhe dolëm jashtë në pushimin e madh. Sapo dola ndeza një cigare, ndërsa pava vajzën që po qante. Nuk vonoi dhe drejtori urdhëroj të shkoja në zyrën e tij. Çfar ke bërë morë, mu drejtua drejtori…Ke vendos 4 vajzës së shokut Jovan…..E sqarova me qetësi drejtorin për çfar kishte ndodhur, dhe për arsyen pse isha i detyruar ti vendosja atë notë.

Po ndonjë rast më specifik?

Po është rasti që mbeta në klasë 12 policë të burgut të Spaçit. Ishte e rëndë kjo, pasi në atë burg ishte i dënuar edhe vëllai im.

Si ndodhi kjo?

Ishte koha kur të gjthë kuadrot e asaj kohë duhet të mbaronin shkollën e mesme. Për pasojë aplikohej edhe shkolla me korespendencë. Në këtë kuadër unë bashkë me një koleg kishim detyrim që të bënim konsultime në matematikë në qendrat ku ato punonin. Më rastisi të shkoja në Reps ku ishin rregjistruar 10-12 policë për shkollë me korespendencë. Ato po na prisnin ndërsa ne mezi gjetëm një makinë që transportonte mineral për të shkuar në Reps. Në afërsi të shkollës shikoj grupin e policëve që po na prisnin, por që shoqëroheshin nga një oficer. U futëm brenda. Oficeri u ul në bankën e parë. Teksa po spjegoja mësimet, vura re se oficeri kishte nxjerrë një gazetë “Zëri i Popullit” dhe po bënte sikur po lexonte.

I drejtohem me mirësjellje: Ti nuk je i interesuar për këto? –Jo më thotë, unë jam komisari i burgut.…hajde, hajde them me vete… ky vjen për të parë se si unë sillem me policët, ndërsa ishte komisar në burgun ku vuante dënimin vëllai im…

Në fakt edhe pse mundohesh, u jepja policëve ushtrime nga më të thjeshta, u thja të bënin qoftë edhe një prej tyre, por të gjithë refuzonin se nuk dinin. Kështu pak e nga pak ndër vite mbetën të gjithe, disa ne matematikë e shumë të tjerë në lëndë të tjera. Asnjë prej tyre nuk mundën ta mbaronin shkollën e mesme.

Po mardheniet me banorët si i kishit, sa ju respektonin?

Janë njerëz me shpirt të madh dhe bujarë. Ishin të varfër si në të gjithë vendin por me aq sa kishin, prezantonin një bujari të pashoqe. Sikur në grup tu shkoje, kurrë nuk e mbyllnin derën, atë shishen e rakisë me çfar të kishin ta servirnin përpara. Një situatë e ngjashme me ngjarje dhe punë pafund ishte edhe në Rubik. Janë histori pafund që mund të zgjasin me ditë për ti rrëfyer, por mbi të gjitha spikat bindja se në Mirditë e kam kaluar shumë mirë dhe jemi vlerësuar po aq.

Jeni marrë edhe me aktivitete sportive?

Po vija si një sportist me përvojë në lojën e volejbollit dhe basketbollit, pasi për disa vite isha pjesë e ekipit të mirënjohur të “Studentit” në Tiranë. Pra, meqë isha marrë me volejbollin,  në Rrëshen krijova dhe ekipin e volejbollit per meshkuj “Minatori”, ku kemi patur mundësi në dy raste të kalonim në kategori të parë. Për pasojë u gjallerua jeta sportive në Rreshen, për tu vazhduar me tej me Haki Halilin, që shkëlqeu me volejbollin e femrave.

Dhe një ditë vjen transferimi për në qytetin nga ku nise rrugëtimin në atë ditë shkurti të 69-tës. Si ndodhi kjo?

Di një gjë të sigurtë, Mirdita asnjëherë nuk e ka penguar transferimin time në Tiranë. Kisha vendosur të qëndroja 7 vite siç ishte rregulli. Atëherë kam bërë kërkesë për transferim. Kërkesa asnjëherë nuk refuzohej, madje mirëpritej. Seksioni ja përcillte Ministrisë, por edhe ata e kthenin mbarpsht. Kjo ndodhi disa herë deri kur një moment u pranua. Për pasojë pas 15-16 vitesh qëndrimi në Mirditë, u gjenda me punë në Tiranë. Fillimisht në shkollën e zonës së Baldushkut, më pas në gjimnazin me emer në Tiranë, gjimnazin “Sami Frashëri” ku edhe dola në pension.

Cila do ishte një përshëndetje për nxënësit tuaj dhe kolegët ,që do ju ndjekin përmes këti portali?

Një falenderim i madh për vlerësimin që më keni dhënë gjatë viteve, për bashkpunimin dhe mbështetjen, për mirësjelljen dhe bujarinë. Një përshëndetje më të veçantë për klasën time në kujdestari “Matura 1975” që më datë 18 korrik të të festojë 45 vjetorin e përfundimit të maturës në qytetin e Rrëshenit.

Faleminderit..!

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment