Dr. Rovena VATA: Ne jemi një vend visaresh kombëtare, ku mbledhja, sistemi dhe përpunimi i tyre është tashmë jo një çështje pasioni, por misioni

Nga Pirusti News

-Intervistë me albanologen shqiptare Dr. Rovena VATA-

Interesimi juaj për çështje të etnokulturës, vërehet në shumë punime tuaja. Si lindi ky interesim te ju?

Lindi si dëshirë për të njohur më shumë rreth kulturës dhe identitetit tonë, më pas kjo dëshirë mu bë një punë e përditshme, çështjet etnokulturore kanë qenë pothuajse në qendër të studimeve të deri sotme, pasi ishte një dëshirë e lindur brenda meje dhe sapo kjo dëshirë gjeti terren u shpërfaq.

Sa sipas jush është bërë në etnokulturën deri tani?

Përsa i përket etnokulturës sonë nuk mund të marrim përgjegjësinë e të shprehemi në këtë drejtim në formë të prerë, është bërë, por mendoj se duhet të bëhet edhe më shumë.

Ne jemi një vend visaresh kombëtare, ku mbledhja, sistemi dhe përpunimi i tyre është tashmë jo një çështje pasioni, por misioni, duhet të bëhet shumë për ato krahina, të cilat po fusin nën dhé fjalë, shprehje, të cilat mund të mos i gjejmë më, ku bartësit çdo ditë po rriten drejt vdekjes dhe ne duhet të fitojmë kohën e humbur, për të shpëtuar identitetin tonë shpirtëror dhe kulturor ndër breza.

Sa sipas jush është bërë në etnokulturën e krahinave të ndryshme, në veçanti deri tani?

Përsa u përket punës që është bërë në etnokulturën e krahinave të ndryshme, në veçanti deri tani është bërë punë, pasi nuk mund ta mohojmë punën që është bërë, por duhet të theksojmë edhe faktin tjetër se sot kemi krahina që vetëm emrin ua dimë, por jo etnokulturën përkatëse të tyre, e lërë më pas të bëhen studime të gjata për të nxjerr në dritë pjesën më të rëndësishme të pasqyrimit të tyre. Pesha dhe vlera etnokulturore e krahinave shqiptare nuk kanë çmim monetar, ato duhet të jenë të renditura në libra përmes studimeve e jo vetëm në mendjet dhe zemrat e banorëve. Në veçanti mund të përmendimin studimet etnokulturore, që i janë bërë krahinës së Hasit, nga studiuesi Nexhat Çoçaj, Bedri Halimi për krahinën e Opojës dhe profesor Shefqet Hoxha për krahinën e Kukësit. Mendimi im është që secili prej nesh të bëj më shumë për etnokulturën shqiptare, e në veçanti për krahinat e pa trajtuara nga aspekti etnofolklorik, pasi duhet të jemi më të ndjeshëm, kur vjen fjala për vlerat që krijojnë vazhdimësinë tonë iliro-arbërore-shqiptare.

Gjithashtu jashtë sferës së interesimit tuaj nuk janë edhe çështje të folklorit. Çka paraqet kjo fushë për ju dhe sa i kushtohet rëndësi kësaj pjesë të kulturës shpirtërore?

Folklori është zanafilla, është ngjizja, është gjaku dhe nervi i trashëgimisë shpirtërore, të një populli. Folklori ynë flet më të gjitha shqisat e tij të mundshme, që nga lindja deri në amshim, që nga ninullat e deri te vajet. Me folklorin jemi të mëkuar dhe nuk duhet ta lëmë që të na humbas në errësirën e kohës moderne. Folklori ynë rron kudo që nga këngët e deri në veshjet të cilat janë trashëguar nga brezi në brez për efekt të ruajtjes së tyre.

Në disa studime tuaja vërehen qasje të veçanta rreth temave në krijimtarinë letrare. Madje kjo nuk ka mbetur pa u vënë re nga lexuesit e studiuesit. Ç’mund të na thoni në këtë drejtim?

Studimet parësore si dhe objektivat e mia profesionale i përkasin fushës së studimeve letrare, paçka se formimi im akademik është i ndërtuar në dy rrafshe, në rrafshin letrar dhe në atë antropologjik. Në këtë sens mund të themi se studimet letrare të hulumtuara prej meje deri sot janë përmes metodologjisë kooperative, hermeneutike dhe psikoanalitike.

Kritika letrare sikur ka ngecur shumë në raport më vëllimin e madh të librave të botuara. Ca duhet bërë që të rritet mendimi kritik dhe i studiuesve, që merren me kritike letrare, gjuhësore etj…

Trendy i fundit për të qenë sa më shumë autorë librash, ku këto të fundit ndoshta edhe pa plotësuar kriteret e të qenurit të tillë, ka bërë që të na krijohet inflacion në shkencë do e quaja unë, pasi njëra është në super prodhim dhe tjetra ka stopuar në vend, shenjat nuk janë të mira, por besoj fort se kjo rrjedhë do marr për mirë sa më shpejt, pa qenë tepër vonë, përndryshe do na shemben muret e shkencës dhe kritika do mbetet pa çati.

Atëherë shtrohet për diskutim dhe zgjidhje një problem tepër i rëndësishëm, i cili u takon qarqeve akademike dhe katedrave shkencore, për tu bërë një refresh rregullave të përcaktuara që në momentin e krijimit të tyre, pa harruar parimet që duhet të ndjekë çdo studiues.

Keni qenë në Opojë dhe keni shkruar ca vështrime kritike për disa libra. Cili është mendimi juaj për këtë trevë dhe përgjithësisht për kulturën e kësaj treve?

Për Opojen mund të them sesi është jeta brenda 24 orë në Opojë. Në Opojë zë vend miti, kryesisht miti i malit, zanat, legjendat, doket, traditat, psikologjia popullore, është vendi ideal për çdo regjisor që të shkruaj skenarët më të bukur të filmave. Opoja është vendi ku dallon kultura etnozakonore, historia, gojëdhënat, epika popullore, rapsodi, lahuta dhe çiftelia, ku sundon i pari i shtëpisë, ku lindja, martesa dhe vdekja kanë ritet dhe rregullat e caktuara, ku ndjehet mikpritja shqiptare, gjejmë kultin e vatrës, aty marrin frymë vargjet e maleve shqiptare, ku ruhet origjinaliteti i veshjeve tradicionale apo vendi ku gjaku lahet me gjak.

Çfarë po bën Rovena aktualisht?

Aktualisht kam ndaluar çdo lloj punë studimore dhe do bëj pushim.

Po planet cilat janë, nëse nuk janë sekrete, në shkencë?

Planet janë plane dhe ata përfliten vetëm kur jetësohen.

Intervistoi: Dr. Hazer Dana.

 

Ju mund të lexoni edhe...

1 Komente

Ndrek Gjini 21 Korrik, 2020 - 8:09 am

Ndrek Gjini* -Paganizmi shqiptar nuk është primitivizëm e as barbarizëm siç mundohen ta etiketojnë disa. Ai është vlerë etnokulturore që duhet mbrojtur, konservuar e më pas promovuar për turistët e huaj dhe për brezat e rinj të Shqipërisë. Ruajtja dhe konservimi i tij është një detyrë e ngutshme si për komunitetin ashtu dhe për pushtetin ekzekutiv e atë legjislativ në Shqipëri.

Pa dashur të marr poza historiani apo etnologu, mund të them se paganizmi është ende gjallë në Shqipëri dhe se ai duhet ruajtur e konservuar si vlerë etnokulturore prej së cilës mund të kemi veç përfitime në industrinë e turizmit.

Shqipëria është një nga vendet e vetme në Europë, në mos i vetmi, ku për fat të mirë paganizmi ende jeton. Pushtimet e gjata që nga ato Romake e deri tek ato të dekadave të fundit në Europë, si dhe zhvillimet e vrullshme të këtij kontinenti kanë fshirë çdo gjurmë paganizmi në këtë kontinent të vjetër. Arsyet se pse ai ka mbijetuar në Shqipëri janë të shumta. Në rrënjët e këtyre arsyeve gjenden histori turpi e krenarie, histori izolimi e vetizolimi, histori betejash të humbura e të fituara, gjendet harresë, kameleonizëm, inate, vetmi, hatërmbetje e plot gjëra të këtij lloj. Por e rëndësishme është ajo që paganizmi këtu në Shqipëri është ende gjallë, ndërkohë që shenjat e trajtat e tij të fundit në Europë kanë dhënë shpirt para 30 apo 40 vjetësh në Skoci, Irlandë apo Norvegji.

Hapja e Shqipërisë si dhe zhvillimet e vrullshme të këtij vendi në këto afro tre dekadat e fundit kanë bërë që paganizmi shqiptar të plaket, dobësohet e lihet në harrese, duke e afruar atë drejt shtratit të vdekjes. Është për të ardhur keq. Por këto janë kostot e hapjes dhe zhvillimit. Këto janë ligje universale e për rrjedhojë ne nuk mund të bëjmë përjashtim.

E vetmja gjë që mund të bëjmë ne është një aksion i madh kombëtar për mbledhjen dhe konservimin e gjithë këtyre dokeve, zakoneve, traditave, këngëve dhe praktikave pagane të jetesës. Dhe kjo është urgjente, pasi janë brezi i 70-80-vjeçarëve shqiptarë, janë muzeu i vetëm i gjallë i të gjithë këtyre gjërave që përmenda më lart.
Para pak vitesh, kur po shkruaja disertacionin që kishte të bënte me traditat zakonore të dasmave irlandeze në shekullin e 18-të dhe 19-të, m’u desh për disa muaj të hulumtoja nëpër disa arkiva e biblioteka të Irlandës. Aty mësova se Irlanda ka arkivin më të madh në Evropë të folklorit me mjaft elemente pagane.
Por prapë unë mendoj se arkivi ende i gjallë shqiptar i paganizmit është shumë më i madh dhe më i pasur se ai. Në vitet 1937-1938 qeveria irlandeze, bazuar në një vendim që mori Parlamenti i këtij vendi, akordoi një fond dhe ndërmori një aksion të madh dyvjeçar për mbledhjen dhe grumbullimin e kësaj pasurie folklorike dhe etno-kulturore.
U angazhuan në të gjitha shkollat fillore, të mesme. Çdo nxënësi iu dha një fletore me shumë faqe dhe me kapakë të trashë, me një pyetësor mjaft të gjerë e të detajuar për çdo aspekt të jetës, traditave, zakoneve, këngëve, mënyrës se si procedohej në kultivimin, korrjen apo ruajtjen e të korrave, zakonet e lindjes, dasmave dhe vdekjes, data, histori lokale, emra, fise, gjenealogji, pra gjithçka. Për dy vjet rresht të gjithë nxënësit e shkollave në Republikën e Irlandës nën mbikëqyrjen e mësuesve i plotësuan këta pyetësorë, vunë në ta dhe mjaft foto, dorëzuan dhe objekte të vjetra, e kështu me radhë. Një Komision Shtetëror bëri më pas seleksionimin, skedimin dhe arkivimin e tyre në një ndërtesë të ndërtuar enkas për këtë qëllim. Dhe sot, pas kaq dekadave, Irlanda ia arriti edhe t’i dixhitalizojnë këta arkiva, duke e bërë këtë vend ndër më tërheqëset në botë për turizmin me drejtim trashëgiminë kulturore.

Ne tani jemi vendi i vetëm në Europë ku paganizmi është ende i gjallë. Ky është një shans fatlum dhe duhet shfrytëzuar shpejt, pasi koha nuk pret. Pas pak vjetësh një pjesë e mirë e këtij paganizmi do të ketë vdekur. Është koha të bëjmë atë që irlandezët bënë më 1937-1938. Dhe ta bëjmë tani. Jam i sigurt se një investim i tillë në mbledhjen, ruajtjen dhe konservimin e vlerave, traditave dhe praktikave pagane do t’i sjelle Shqipërisë së viteve 2018-2028 më shumë turistë se sa deti apo bregdeti Adriatik dhe Jon të marrë së bashku.

*Ndrek Gjini (MA National University of Ireland, Galway)

Reply

Lini nje koment