ARKIVË 2008/ Si u shua një lagje e tërë në fshatin Mashtërkor të Komunës Orosh. Ishte e detyrueshme për ndërtimin e trasesë së autostradës.

Nga Pirusti News

-Reportazh nga Aleksander Ndoja, botuar në “Tirana Observer” datë 04 mars 2008-

Lugina e Fanit tashmë është pushtuar nga makineritë e rënda të cilat punojnë papushim në përpjekje të arritjes së një qëllimi të vetëm, ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës. Ndërsa aty punohet, pak kush u ka vënë veshin dhjetra banorëve të cilët preken rëndë në pronat e tyre gjatë ndërtimit të rrugës. Nuk bëhet fjalë për tokë apo pyje, por për situatën e rëndë në të cilën ndodhet fshati Mashtërkor në komunën e Oroshit, banorët e të cilit janë të detyruar që të lënë kullat e tyre shekullore, për t’ju drejtuar kasolleve të bëra në stilin e paraardhësve të tyre, kur ende nuk ishte shpikur muri i gurit apo elementë të tjerë me të cilat mund të ndërtohet një godinë funksionale për të banuar.

Në bisedat me ta mëson se të gjithë kanë marrë një njoftim në formë urdhëri sipas të cilit janë të detyruar që për pesë ditë të lënë banesat e tyre, në të kudërt ato do të shëmben forcërisht. Çdo ditë në mënyrë krejt provokative afër banesave të tyre kalojnë furgonë të policisë të ardhur nga Shkodra, ndërkohë prania e gazetarëve në zonë, nga drejtues të niveleve të pushtetit konsiderohet si një bezdi e madhe, pasi kështu preket në mënyrë të pa autorizuar “Republika e tyre”.
Detyra e tyre është të raportojnë vetëm optimizëm ndërkohë që situata tejet e rëndë, nuk është aspak e vështirë për tu konstatuar sapo prek në këto zona. Ajo që zotëron në vetëdijen e këtyre banorëve është se të gjithë janë të gatshëm të lënë banesat e tyre për ndërtimin e rrugës së shekullit, por shteti duhet me çdo kusht që të bëjë kompensimin e tyre në kohë.

Por tashmë që fadromat kanë filluar shëmbjen e banesave, banorët janë të detyruar që të hyjnë në kasolle të improvizuara rishtaz, pasi dita kur mund të tërheqin paratë duket shumë e largët.

Reps, te ura ku filloi prishja e banesave.

Mjetet e rënda janë afruar tek banesat e Ndue dhe Fran Prengës. Ato janë të ndërtuara në majën e një kodre e cila është planifikuar për tu fshirë nga faqja e dheut. Ndue Prenga rreth të 50-tave thotë se për ndërtimin e saj është harxhuar shumë mund dhe djersë. Megjithatë janë gati ti lejoj për ta shëmbur, por kur dikush të më krijojë mundësinë për të strehuar familjen time. Kam marrë një shtëpi me qera në qytezën e Repsit, por vetëm edhe për dy muaj pasi pronari me nxjerr jashtë pasi tregu i qerasë në qytezën e Repsit e ka kaluar nivelin e qëndrës së Tiranës. Ndue Prenga thotës se kam vetëm 5 ditë afat për të dalë nga banesa. Në xhep kam një numër llogarie por nuk mund të terheq asnjë para, pasi nuk është akorduar asgjë. Banesa më është vlerësuar shumë pak, por edhe ato para duket se kurrë nuk kanë për të më kaluar. Për këtë kam bërë shumë përpjkeje, madje i kam shkruar edhe presidentit, por askush nuk më ka dhënë përgjigje. Nuk kam se ku të strehoj familjen prandaj nuk kam për të lejuar kurrë që të më shëmbin banesën, kur dihet se ka qënë krejt e lehtë që të shmangej shëmbja e banesave duke bërë një devijim të vogël.

Ndërsa Fran Prenga e shtëpinë ngjitur me kullën e Ndue Prengës. Për të situata është tejet e rëndë aq sa nuk e mban dot vehten. Sipas tij pa përgjegjshmëria e strukturave përgjegjëse ka bërë që ai të mos përfitojë asgjë nga pasuaria e tij. Fëmijët dhe bashkëshorten i ka strehuar tek një i afërm, por vetëm për një kohë të shkurtër. Ai thotë se ka qënë i detyruar që të shesë lopën dhe të gjitha bagëtitë me një çmim tejet simbolik, ndërkohë që përveç banesës nuk është kompensuar asgjë nga pasuaria e tij. Madje edhe banesa është kompensuar vetëm në letra. Irritimi i tij nuk njeh kufi dhe për të shteti shqiptar po sillet me këta banorë në mënyrë krejt të pa pranueshme.

Në Mashtërkorë ku do të shëmbën banesat e 40 familjeve.

Në anën e sipërme të rrugës ndodhen dhjetra banesa të cilat janë programuar për tu shëmbur, ndërsa poshtë rrugës kanë filluar që të “hedhin shtat” kasollet në të cilat pritet që të strehohen banorët. Gjergj Skana një 70 vjeçar duket se është bindur se me shtetin nuk bëhet shaka. Prej ditësh ka ndërtuar kasollen e tij, ndërkohë që sëbashku me bashkëshorten edhe ajo në moshë, ka filluar transportimin e orendive që mbante kulla e tij 300 vjeçare e cila njihet si monument kulture dhe për ironi të fatit ajo “mbrohet” nga shteti. Megjithëse brënda kësaj kulle dhe në shtesën e viteve të fundit jetojnë tre kurorë, ai ndodhet i vetëm, pasi fëmijët e tij janë në emigracion. Sëbashku me bashkëshorten e tij me anë të një druri të gjatë punon gjithë ditën për transportimin e pasurisë së tij nga kulla për në barakën prej dërrase. Ai thotë se jam i ndërgjegjshëm se në atë barakë i gjithë malli do të shkojë dëm edhe pse është blerë me djersën e fëmijëve të tij në emigracion. Madje siç thotë ai, vetë djemtë e tij të irrituar i kanë telefonuar duke i kërkuar që të mos heqë asgjë nga kullë dhe i gjithë malli le të mbulohet me dhe, pasi nuk kanë dashtë që unë dhe nëna e tyre të lodhen aq shumë duke i transportuar. Irritimi i plakut është mjaft i madh, pasi sipas tij urdhëri është i prerë që të dalë brënda 5 ditësh, ndërkohë që askush nuk e din se kur do tu jepen paratë për të filluar nga puna për ndërtimin e shtëpive të reja, ndërkohë që paratë duhej tu ishin dhënë disa muaj para me qëllim që kur të bëhej e nevojshme prishja e banesave, banorët të kishin përfunduar ndërtimin e ndonjë dhome për strehimin e tyre.

Ndërsa situata në familjen e Marte Prengës situata është mjaft e rëndë. Bashkëshorti i ka vdekur prej shumë vitesh dhe e vetme përpiqet të rrisë tre fëmijët e saj jetimë. Prej ditësh i ka mbërritur i ashtuquajturi trakt me të cilin urdhërohet që të dalë nga banesa. Po ku të shkoj- thotë ajo!

Me 1 milion e 300 mijë lekë nuk mund të blej as truall jo më të ndërtoj një banesë për tre fëmijët e vegjël. Ajo thotë se e gjallë nuk do të dalë nga banesa, dhe jam e gatshme që të flijohem për fëmijët pasi po i rris me shumë vështirësi.

Tensioni është i madh edhe në banesat e tjera. Etleva Prenga është nuse në njërën prej banesave më të bukura dhe të kushtueshme në Mashtërkor dhe në krejt Oroshin. Ajo thotë se në këtë banesë është mundi dhe djersa e bashkëshortit dhe katër kunetërve të saj. Madje edhe ajo vetë ka qëndruar në emigracion në Itali prej 5 vitesh. Prenga thotë se shtëpia prej tre katëshe është ndërtuar me mjetet dhe teknologjinë më bashkëkohore italiane, madje edhe trarët janë sjellë nga Italia. Sipas saj shuma e vënë në dispozicion nga shteti është shumë më e vogël nga ajo sa është harxhuar për ndërtimin e saj. Nëse do të shëmbet me forcë ne do të bëjmë të gjithë rezistencën për ta mbrojtur pasi nuk kemi ku të strehohemi e madje as të fusim orenditë për ti mbrojtuar. Shteti le të bëjë shpronësimin dhe ne jemi të gatshëm për të lejuar shëmjen e tyre. Ndërkohë që në banesa të tjera për rreth, tensioni dhe protesta është në pikun më të lartë. Të gjithë duken të vendosur për të kundërshtuar prishjen e shtëpive deri në momentin kur qeveria të bëjë shpronësimin e drejtë të tyre.

Anës rrugës vijon ndërtimi i barakave, ndërkohë që Ded Ndreca po i jep dorën e fundit ndërtimit të çatisë së kasolles së tij. Sipas tij, në këtë kasolle do të strehohen dy familje, por terreni ku po ndërtohet ajo është shumë i lagësht. Sapo prek trarët ajo lëkundet gati për tu shëmbur ndërkohë që frika do të jetë e madhe për të banuar në të. Edhe ia i bashkohet korit të pa kënaqurve, ndërkohë që i bën aple shtetit që të ndërhyjë që minimizohet sa më shumë dëmi ndër banorët e Mashtërkorit, pasi rruga e re po shuan një fshat të tërë, ndërkohë që kompensimi sipas tyre është i pa përfillshëm. Ndërsa në një situatë të njëjtë po aq të vështirë janë edhe banorët e komunës së Fanit, ku jo pak prej tyre kanë improvizuar banesa të çuditshme, madje një familje ka zgjedhur të jetojë në gabinën e një autobuzi të prishur.

Orosh, mars 2008

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment