Martin Dedaj: Lamtumirë Ndue Melyshi, arkivë e qëndresës anti-komuniste.

Nga Pirusti News

Në dekadën e parë të shekullit të dytë të jetës së tij, ndërroi jetë, antikomunisti i vendosur, Kthellasi fisnik i dinastisë MELYSHI në Malaj të Mirditës z. NDUE MELYSHI.
Ai lindi më 13.02.1913, në Serrisht të Malajve të Mirditës, ku dhe kaloi fëmijërinë dhe rininë e tij dhe ishte ndër të parët që ju bashkua rezistencës antikomuniste në Mirditë, duke qenë një ndër më aktivët e kësaj lëvizje.
Largohet nga Shqipëria më 15 Mars të vitit 1946, duke u ndarë nga nana e baba, gruaja dhe tre vajzat e mitura. Pas largimit nga Shqipëria në harkun kohor të 4-5 viteve ka hyrë dhe dalë disa herë në Shqipëri me misione të ndryshme të lëvizjes antikomuniste shqiptare, duke qenë kështu parashutisti i parë i rezistencës antikomuniste, që ka zbritur në Kunorë të Selitës dhe i është bashkuar luftëtarëve të tjerë antikomunistë, që luftonin maleve kundër vendosjes së komunizmit, që ishte instaluar në Shqipëri, pas nëntorit të vitit 1944.
Emigron në disa shtete; Greqi, Jugosllavi. Itali dhe më pas vendoset në Amerikë, ku jetoi e punoi për afro 40-vjet, ku ndryshe nga shumë emigrantë të tjerë nuk krijoi familje tjetër, duke i mbetur besnik asaj që la në Shqipëri.
Që prej vitit 2015 u kthye në Shqipëri dhe jetoi në Shkodër me vajzën e tij të madhe Bardhe, i rrethuar nga dashuria e njerëzve të tij të dashur; vajzave, nipave dhe mbesave, ku jetoi deri në momentet e fundit të jetës së tij.
Familja e tij gjatë viteve të diktaturës është përballur me një genocid të pa shoq nëpër burgjet dhe kampet e internimit, duke ju mohuar çdo e drejtë njerëzore dhe humane,
Kam patur fatin ta takoj në të gjallë të jetës së tij, pasditen e 4 Shkurtit të vitit 2018, në Shkodër, në shtëpinë e vajzës së tij të madhe Bardhe ku ai jetonte.
Më ka lënë pa mend, me memorien e freskët që kishte dhe përshkrimin deri në detaje, që ai ju bënte personazheve, ngjarjeve, vendeve dhe rezistencës antikomuniste që vazhdoi në malet e Mirditës, deri në fundin e vititi 1952.
Me një të folme tipike mirditore që të linte kohë ti absorboje dhe të mbaje shënime për ato çfarë thonte. Konçiz dhe i prerë në qëndrime dhe këmbëngulte ta qonte deri në fund argumentin për të cilin fliste, por që të linte radhë të flisje dhe ta pyesje.
Lexonte çdo ditë gazetat, si dhe ndiqte zhvillimet politike përmes televizionit. Nuk parapëlqente të fliste për kohën e sotme, por këmbëngulte të shpjegonte rezistencën antikomuniste në Shqipëri, sepse sipas tij prej aty rrjedhin të gjithë të këqijat e këtij vendi, pasojat e të cilit ndihen sot dhe do të vazhdojnë të ndihen edhe në të ardhmen, pasi Shqipëria është e doktrinuar keqas nga partizanizma (Kështu preferonte ti quante ai komunistët dhe pjellën e tyre).
Më ka përshkruar shumë e shumë ngjarje të rezistencës antikomuniste të cilat i ka të shënuara në ditarin e tij me titull: “Jeta e Malit”, (të cilin fatmirësisht unë e kam në bibliotekën time) të cilat duan shumë radhë për tu shkruar por përmbledhurazi ai ndër të tjera në këtë ditar thotë:

“Nëse ndjekim gjurmë për gjurmë lëvizjen e qëndresës me armë dhe viktimat e popullit antikomunist, do të jetë e pamundur me i përmbledhë me artikuj, fletore a libra, sepse do të baheshin një shumë e madhe letrash, nga ana tjetër do të duhet me qenë ndonjë At’ Gjergj Fishtë me shkrue nji Lahut Malcie të Re“…..dhe më pas apelon:

“Me rrëzimin e diktaturës ishte detyra e seicilit antikomunist me përkujtue terrorrizmat në publik dhe veçanarisht rinia shqiptare duhet të lexoj dhe të dijë mirë të kaluemen”.

Me ndarjen nga jeta të njërit prej pinjollve më fisnikë të dinastisë MELYSHI, Malajt dhe Kthella ka humbur një personalitet identitar të tyre, Mirdita dhe jo vetëm një arkiv të memories antikomuniste shqiptare.
Pushofsh në paqë në jetën e pasosur, Thkellasi fisnik dhe antikomunisti I vendosur Ndue MELYSHI.

  1. 08. 2020

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment