Cikël poetik, nga Alma Jaku

Nga Pirusti News

YLBER DASHURIE

A e keni parë ullirin të digjet

 Kercëllimën e vajit mbi një enë

 Rrokullimën e djersës kur nga balli bie

 Muskujt e tendosur si varg poezie

 

 Ata dy sy që shpojnë yjet

, dhe Trupin ma përshkrojnë çmendurisht

 E gastartë me qafën time mjellmë

 Ndër dhëmbë kafshoj heshtjen e trisht

 

S’ka më të bukur se ai djalë

Kur kaqurrelat i zhdredhen ballit

 I bulëzon kristal e njoma vesë

 E shkëlzen i bardhë zambak

 

 Mbi krahët e tij trembet vdekja

 Lindin ylberë si jeta pas shiut

Kush nuk ka dashur e ska jetuar

 Kot peshë e frymë i rëndon dheut

 

Me mbretërit pi…

 Atëherë kur Gabriel lajmëtari

Do të sjellë lajmin që s’marr frymë

Unë s’dua t’më qash mua tek varri

Dua t’më kujtosh me gëzim !

 

Dua t’më kujtosh sytë që ndrinin

Për gjëra të vogla si shpëtimi i një breshke

Si vrap një lëndine kur mbinin

Apo këmbëzbathur mes një qyteti në ecje

 

Duhet ta dish se ka gjëra të veçanta

Si një gur zalli mund të bësh dhuratë

Mund t’i dhurosh vajzës ca luleshpata

me dikë vetmuar kohën kur ta ndajë

 

Mos qaj se ika më kujto i gëzuar

I lehtë do t’jetë dheu mbi kurmin tim

Atje ku bie akshami i pashuar

Me mbretërit në një gotë do të pijmë

 

Gdhendje…

 

Mjerisht si çdo grua unë jam mëkatare

Me ngjyrë të purpurt i dua mëndafshet

Smeraldet e gjelbërt rubinet prej gjaku

Floririn që gdhendet me djersë ciraku

 

S’di në ka diç tjetër fort më të bekuar

Kraharor prej gruaje, që të bën të dridhesh

Kaltërsi prej sysh, kur derdh ngjyrë zafiresh

Zemra e një burri nuk ka kurrë të çmuar

 

Si është burri që dua ? 

Si një fëmijë i lumtur

 Që do të tregojë Me sy,

duar, fjalë

Çdo gëzim,

Që i lumturon shpirtin.

 Më tregon për qenin Për trikon,

 Që e vesh mbrapsht

 Për njollën, që i ra në bluzë

 E më duhet, T’i mbyll gojën me duar

T’i them:

Hesht se më çmende!

Pikërisht atë cast

 Ai më puth…,

 Ndjej të qeshurën e tij,

Si tigull i ëmbël violine

Të mbushë ajrin mes nesh.

Flutura ylberi,

 Me aromë borzilok

 I mbeshtjellin gojën,

Ngadalë ai m’i lëshon qafës

 Dhe rend trupit tim

Ngado ulen ato …

Si mund të mos e dua,

Një burrë si ai?

 Shën Gjon…

 Gjon ra mbrëmja sonte

 Ku do të pagëzosh, apo je përgjumur

 Në cilin ballë i bën kryq kësaj

bote Parajsën për ta humbur?

 

 Është Madalenë që qesh

Apo një Mari e bekuar?

Ç’lutjesh i thua në vesh

Ty që ajo të ka besuar?

 

Shën Gjon, i uruar

Sonte mësova lutjen

 Që kam harruar… !

 

 

Mos! 

 Kërkoj një gomë

Të fshij gabimet

Ti më thua: mos!

me sytë në dritë

 Gur pas guri

Janë ngritur muret

 Gabim pas gabimi

 Ke mësuar

 Pa gabuar

A je prapë ti !?

 

Mos vuaj ….

Kur ia puth gojën të dashurit tim

Sytë e smeraldtë i bëjnë dritë

Ndaj unë e dua për atë vegim

Të blertë i ka, si hala në pishë !

 

Kush si Ai të puthë s’ka ditur

As fjalë të ëmbël s’pati si mjaltë

Në mijëra yje lindur e fikur

Askush si ai s’pat shpirt të bardhë

 

Oh gëzimplotë është i imi djalë

Si burimet e maleve ku është rritur

Më mbështjell krahëve si qilibar

Fryma i vjen si pjalmi i pishës

 

Dhe ndjej një fllad që ndizet zjarr

Si ujë burimi kur merr hov mali

Flaka s’më tremb dhe vrapin e marr

Në pikla vese buzëqeshet fati!

 

Si mund të ndalem pa e dashur

Kur ai më thotë veç veten duaj

Nëse një ditë ty të lëndoj

Më hidh në lum veç ti mos vuaj.

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment