Nga Roland Qafoku: “ Heronjtë e Vigut, 5 heronj apo terroristë? Dy versione që përplasen për ngjarjen që ndodhi si sot 76 vjet më parë

Nga Pirusti News

-Botuar në gazetën FJALA

Historiografia zyrtare e Shqipërisë ende nuk e ka ndarë nëse 5 djemtë e vrarë në 21 gushtin e vitit 1944 ishin heronj që ranë pse luftonin pushtuesin, apo komunistë terroristë që kërkonin të përhapnin idetë e tyre në Mirditë. Sigurisht që kjo është pjesë e debatit të madh për atë që ndodhi në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri. Por sa herë që vjen 21 gushti ai rinis për mënyrën se si më 21 gusht të vitit 1944 u vranë pesë të rinj komunistë, partizanë të batalionit “Perlat Rexhepi” në fshatin Vig të Mirditës.

Palët janë ndarë si me thikë nëse Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha dhe Ndoc Deda ishin përparimtarë dhe patriotë që luftonin pushtuesit gjermanë, apo ishin terroristë dhe që malësia nuk mund t’i lejonte të përhapnin idetë komuniste. Aq të larguara janë palët saqë monumenti për nder të tyre i vendosur gjatë regjimit komunist në qytetin e Shkodrës, është hequr e vënë sa herë që pushteti kalon nga e djathta dhe e majta. Gazeta “Fjala” sjell sot të detajuar të dyja versionet të marra nga libri im “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”, duke e lënë në dorën e secilit konkluzionin se çfarë ishte ajo ngjarje dhe nëse ata djem që u vranë ishin heronj apo përhapës të ideve komuniste që në gjuhën e kundërshtarëve quheshin terroristë.

SKENA E KRIMIT

Prej kohësh telegrafisti i Milotit, Ndoc Deda, shoqëronte në zonën e Mirditës katër komunistët Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha për të përhapur idetë komuniste dhe për të bindur banorët të luftonin pushtuesit. Ata shkonin shtëpi më shtëpi për këtë aksion politik në një krahinë që në fakt ndryshe nga të tjerat nuk i kishte përkrahur kurrë idetë komuniste. Dhe kjo jo vetëm nuk u kishte pëlqyer të parëve të zonës, Markagjonëve, por ndaj tyre organizuan një pritë e armatosur.

Në paraditen e të hënës së 21 gushtit, rreth 60 persona, kryesisht forcat e familjes Markagjonëve dhe xhandarëve, të drejtuar nga kryetari i komunës së Kashnjetit, u bënë pritë duke i rrethuar në një luginë duke u kërkuar largimin prej asaj zone ku ata kishin kohë që jetonin. Të pestët kundërshtuan të bindur se misioni i tyre për të ngritur popullin në luftë dhe për të përhapur idetë komuniste ishte i drejtë. Kjo solli replika dhe debate të ashpra që u shoqërua me nisjen e betejës me armë që duhet theksuar që kishte disproporcion të forcave. Për rreth 8 orë biseda, negociata, debate dhe betejë me armë, të pestë komunistët mbetën të vrarë, ndërsa nga njerëzit që kryen pritën dhe rrethimin nuk pati asnjë viktimë. Kjo edhe për shkak të terrorit të favorshëm.

Ndarja e opinionit vijoi edhe pas vrasjes. Zyrtarët e shtetit të asaj kohe e trajtuan si një reagim të banorëve të zonës për të kundërshtuar komunizmin. Të bën habi që edhe pse ishin vrarë pesë persona, Ministria e Brendshme informohej dhe informonte zyrtarisht për ngjarjen dy ditë më vonesë. Më 23 gusht 1944 prefektura e Shkodrës njoftonte këtë ministri për vrasjen e pesëfishtë në Vig të Mirditës:

“Më 21 gusht në Vig të Mirditës janë vra pesë komunistë të paidentifikuar”. (AQSH, F252/2, V.1944, d. 847, f.9)

Por ironia shkon edhe më tej kur edhe pse ka kaluar disa ditë edhe pse gjithë zona e dinte se cilët ishin viktimat, autoritetet e policisë nuk i kishin identifikuar ata ende.

“Simbas njoftimit të komisarit të policisë së këtushme prej pesë komunistëve të vramë në përpjekke me vullnetarët e katundin Vig të Mirditës dy prej tyre janë identifikuar të quajtunit … dhe Ndoc Mazi të dy nga ky qytet.” (Po aty)

Por sapo u mësua vrasja e të pestëve, Partia Komuniste mori flakë nga zemërimi. Në datën 28 nëntor 1944, “Kushtrimi i Lirisë” për vrasjen e heronjve të Vigut konfirmoi arsyen e emrit të gazetës duke dhënë kushtrimin. Në të shkruhej:

“Me vdekjen parasysh në çdo hap njësiti trim udhëtonte më shumë natën sesa ditën në malet e egra të Mirditës. Por një ditë, më 21 gusht, kalimi i tyre nëpër Vig u spiunua. Ata ishin vetëm pesë, … armiqtë ishin 200. Njësiti futet në pritë në vendin më të rrezikshëm, atëherë kriminelat kërcënojnë shokët të dorëzojnë armët. … Përgjigja ishte e prerë. Njësiti mblidhet tok dhe ia fillon këngën e luftës”. (“Kushtimi i Lirisë”, numri i datës 28 nëntor 1944)

LETRA PUBLIKE

Nuk ndodh shpesh që një grup njerëzish të sigurt që do vriten shkruajnë një letër pak momente përpara se t’i përshkojë plumbi. Ndodhur në gjendjen më kritike Haxhia, Gjylbegu, Mazi, Lezha dhe Deda shkruajtën një letër që ndonëse me përmbajtje dhe ide komuniste është unikale për kohën, mënyrën dhe artikulimin që shpreh. Letra nis me parullën “Vdekje fashizmit, Liri e popullit” dhe u drejtohej drejtuesve komunistë.

“Të dashtun shokë.

Jemi të rrethuem dhe presim që në çdo minutë të na përshkojnë plumbat e tradhtarëve, por ne kemi vendos ma mirë me dhanë jetën si me le, sesa me tradhtue luftën që kemi nisur, se një herë kemi thënë, ja vdekje ja liri. Pra, o shokë, ju do ta ndiqni punën deriu në atë vend që e kemi lënë me guxim të pathyeshëm.

Shokë, ne nga malet e Mirditës…. Ju çojnë përshëndetjet e fundit tue brohorit me një za vdekje fashizmit, liri e popullit! Vdekje okupatorit barbar që na ka çnderue vatanin. Vdekje tradhëtarëve Gjon Marka Gjoni, Kol Bibë Miraka, Mustafa Kruja etj. Rroftë Partia Komuniste Shqiptare. Rroftë Këshilli i Parë Antifashist, rroftë rinia komuniste shqiptare që po jep heronjë për çlirimin e vendit prej tratdhëtarëve dhe okupatorit. Rroftë ushtria partizane vullnetare N.Ç.L.SH.

Të fala të pesë shokët

Teli, Bensiku, Minuku, Tygri dhe Hydaj

Vig, më 21.8.1944

(Kopje e orgjinalit që ndodhet në AQSH)

CILËT ISHIN PESË HERONJTË

Më shumë se cilët ishin pesë komunistët që u vrarë në Vig të Mirditës në atë ditë të nxehtë gushti, historiografia zyrtare është marrë vetëm me arsyen përse u vranë ata. Por cilët ishin në të vërtetë misionarët komunistë, partizanë të batalionit “Perlat Rexhepi” që u ekzekutuan në kushtet e pamundësisë së mbrojtjes?

NAIM GJYLBEGU

Më 22 shkurt të vitit 1942, në kinemanë e qytetet të Shkodrës ndodhi një protestë që i tronditi jo pak pushtuesit italianë. Një numër iu konsiderueshëm nxënësish ishin duke ndjekur një film por duke qenë se hyrja në ishte e lirë, në të ishin futur edhe të rinj që nuk kishin lidhje me shkollën. Teksa shfaqej filmi të rinjtë hodhën parulla kundër fashistëve italianë. Nxënës dhe jo nxënës u bënë bashkë dhe kjo detyroi policinë të reagonte duke sjellë incidente dhe përleshje jashtë kinemasë. Një prej të arrestuarve të policisë ishte Naim Gjylbegu që përveçse profesionin këpucar, në raportet e saj policia e Shkodrës që veçonte si propagandues të ideve komuniste.

“Naim Gjylbegu, i biri i Dautit, vjeç 22, nga Shkodra, këpucar në dispozicion të Gjykatës Ushtarake për propagandë komuniste. Pohimet e tij nuk meritojnë të besohen, ai bën pjesë në shoqëri të rrezikshme”. (AQSH, F 253, V 1940, 1942, D 130, 289, f 41, 118)

Por pas afro 2 vjet e gjysmë në qeli, Naim Gjylbegu u arratis nga burgu. Për policinë kjo ishte një ngjarje e jashtëzakonshme për një person të rrezikshëm. Në arkiv ndodhen me dhjetëra shkresa që ministria e Brendshme u dërgonte policive në qytete për ta kapur Gjylbegun me çdo kusht. Ndërkohë ai u bë partizan dhe pjesë e batalionit “Perlat Rexhepi” që vepronte në zonën e Shkodrës. Kapja e tij nuk u arrit deri sa ai mbeti i vrarë në Vig të Mirditës më 21 gusht 1944.

NDOC MAZI

Banor i lagjes “Ballaban” në Shkodër, Ndoc Mazi ishte intelektuali mes të pestëve. Nxënës i liceut shtetëror në Shkodër në 1939 ai u përjashtua nga shkolla dhe më pas u arrestua si një nga organizatorët e demonstratës së 12 prillit kundër Italisë. Një trup gjykues i Gjyqit Politik e dënoi Mazin me 1 vit burg, të cilin e kreu në Tiranë dhe Berat. Por edhe pas daljes nga burgi ai nuk hoqi dorë nga idetë komuniste. Më 13 maj 1941 policia e Shkodrës lëshoi urdhrin e dytë në adresë të tij. Në prag të vizitës së Viktor Emanuelit në Tiranë, drejtuesit e policisë njoftonin që Ndoc Mazi të mbahej nën vëzhgim sepse mund të kryente ndonjë akt terrorist ndaj jetës së Emanuelit. (AQSH, F 253, V 1941, D 148, f 164). Edhe pse Mazi nuk kreu ndonjë aksion ndaj perandorit të Italisë, ai nuk i shpëtoi ndjekjes së policisë. Më 23 qershor 1942 Ndoc Mazi u arrestua përsëri me akuzën e bashkëpunimit me shoqëri kundërshtare, pra si komunist. Sipas shkresës së ministrisë së Brendshme u kërkua që pas dënimt të dytë, Ndoc Mazi të internohej në Itali. (AQSH, F 555, V 1942, D 39/b, f 2). Ky ka qenë momenti që Mazi ka preferuar më mirë të bëhej pjesë e formacioneve luftarake në mal se sa pjesë e ushtrisë së internuarve në Itali. Në të gjitha raportet që policia ka hartuar për Ndoc Mazin ai paraqitete si një i ri me kulturë dhe me sjellje të rregullt morale, por për policinë politikisht ai ushqente ide të flaka komuniste dhe si i tillë konsiderohej i rrezikshëm. (Po aty). Policia vërente se ai është i sëmurë me tuberkuloz dhe gjendja e ekonomike e familjes ishte e mjeruar.

AHMET HAXHIA

Ahmet Haxhia ishte një djalë 20 vjeç nga qyteti i Shkodrës. Të bën përshtypje fakti që vetëm 3 ditë përpara se të vritej, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, e informuar nga policia e Shkodrës, u kërkonte policive të qarqeve hetime për ta arrestuar.

“Lutemi bani hetime të imta për arrestimin dhe shoqnimin për këtë Komsieri të komunistit të rrezikshëm të quejtun Ahmet Lezha i Haxhiut, lindum e banues në lagjen “Rus i Madh” i cili ndodhet i arratisun me drejtim të paditun” (Heronj të Luftës Antifasishte Nacionalçlirimtare, përmbledhje dokumentesh, faqe 53,)

Më parë komunisti Shkodra ishte përjashtuar nga shkolla. Ministri i Arsimit Ernest Koliqi refuzoi të plotësonte lutjen e tij për tu rikthyer në shkollë pas përjashtimit më 5 prill 1940. Duket se kjo situatë e ka bërë atë më shumë komunistë, teksa gjendet nën survejim dhe më pas i arrestuar. Më 25 nëntor 1941 ai gjendet në burgun e Shkodrës i arrestuar politik për bindje komuniste. (AQSH, F 646, V 1941, D194, f 51) për tu arratisur më pas bashkë me të tjerë. Ky është moment që lidhja e tij me komunistët dhe strukturat u bë me e fortë derisa doli partizan dhe u bë pjesë e batalionit “Perlat Rexhepi”.

HYDAJET LEZHA

I lindur një qytetin e Lezhës Hydajet Lezha ishte me profesion murator. Sipas të dhënave, familja e tij ka qenë e lidhur që në fillim me Lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe strukturat komuniste. Për komunistët Hydajet Lezha ishte trim dhe i besës, pikërisht cilësitë që atyre u duheshin. Lezha u bë pjesë e batalionit “Perlat Rexhepi” pas një aktiviteti të dendur në Lezhë dhe në zonën përreth.

NDOC DEDA

Ndoc Deda punonte telegrafist në fshatin Milot në atë kohë. Krahas rrethanave të njohjes, ai kishte mbështetur idetë komuniste dhe falë këtyre u bë shoqërues në misionin e tyre në Mirditë i katër personave që ishin dërguar nga drejtuesit komunistë. Zyrtarisht ai figuronte partizan i batalionit “Perlat Rexhepi”.

PËRSE U VRANË PESË KOMUNISTËT

Për historiografinë komuniste, pesë komunistët u vranë nga forcat tradhtarë që bashkëpunonin me pushtuesit. Ky version pothuajse nuk është zëvendësuar edhe sot zyrtarisht. Por mbështetës të forcave të djathta e kanë hedhur poshtë atë duke e lidhur me veprimtarinë e tyre komuniste. Të dy këto versione qëndrojnë ende sot të ndarë nga njëri-tjetri. Ajo që nuk ndryshon është se 60 shqiptarë vranë 5 shqiptarë vetëm 3 muaj përpara se të përfundonte Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri.

VERSIONI 1

Në zonën e Mirditës nuk kishte pushtues gjermanë. Por kjo nuk do të thoshte që komunistët nuk synonin të shtrinin idetë e tyre dhe të bënin popullin për vete duke mbështetur luftën ndaj pushtuesve. Ekziston urdhri për misionin që ata pesë partizanë morën për të kryer në Mirditë.

“Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlimritare kishte udhëzuar komandan e batalionit “Perlat Rexhepi” që në krahina si Malësia e Madhe, Pukë, Mirditë ku tani për tani nuk mund të hyej drejtpërdrejtë ushtarakisht, të veprohej në grupe të vogla, të cilat duhet të hynin në lidhje me malësorët trima e të besës që jetonin në këto anë, për tu shpjeguar atyre qëllimet e luftës sonë” (Gjeçovi Xhelal, Lufta Nacionalçlirimtare në Shqiqëpri, faqe 143)

Por kjo ra ndesh me Gjon Marka Gjonin, të parin e Mirditës. Në traktin e Partisë Komuniste të Komitetit Qarkor të Shkodrës të nxjerrë pas ngjarjes jepen detaje që lidhen me rrethimin por duke shtuar edhe një element të dyshimtë sipas të cilit forcat e Marka Gjonit po shkonin të sulmonin partizanët e Divizionit të Parë. Ja si është dhënë versioni i parë i ngjarjes prej komunistëve:

“Në javën e tretë të gushtit 1944, një njësit partisan po shkonte prej Kashtanjerit të Mirditës për në një katund tjetër. Ndësa njësiti po kalonte lumin Gjadër ndeshet me nja 60 bashibozukë të tradhëtarit Gjon Marka Gjkoni, që të primë prej krytarit të Komunës së atij katundi po shkojshin kundër forcave partizane të Divizionit të Parë Sulmues. Njësiti ynë siç ishte detyra i ftoi bashibozkuyët të mos bajshin gjakderdhje të kotë për hesapin e okupatorit dhe të tradhëtarëve mos ti sjellshin armët kundër vëllazënve të tyre. Por ata të nxitun nga kryetari i Komunës e të verbuer nga injoranca e tyne, ftesës vëllazërore të partizanëve iu përgjigjën me batare pushkësh. Atëherë luftëtatrët e lirisë megjithëse në pozita të këqia pse kundërshtarët i kishin për pozicionet e tyre nuk u menduan më gjatë por ia shkrepën dhe të shtimeve iu përgjigjën me të shtime, plumbave të tradhëtarëve iu përgjigjën me pushkët e tyne që shpirtëzohehsin nga zemra luajsh. Naim Gjylbegaj, Ndoc Mazi, Ahmet Haxhija, Ndoc Deda, Hidajet Lezha ranë pa frymë përdhe. ” (Thirrje dhe trakte të PKSH 1941, 1944, Tiarën 1962, f 537-538)

Dhe reagimi i komunistëve ishte flakë për flakë.

“Gjaku i pesë dëshmorëve të lirisë, i pesë patizanëev të tjerë skuqi edhe nji herë tokën e qarkut tonë, u bashkue me gjakun e të tjerëve dëshmorëve për të provuar se populli shqiptar e meriton lirinë të cilën po e fiton me gjak” (Thirrje dhe trakte të PKSH 1941-1944, Tiarën 1962, f 537-538)

VERSIONI 2

Versioni i palës kundërshtare është shumë më i thjeshtë por edhe ai lë vend për dyshime. Kapedan Marka Gjoni nuk mund të lejonte që në Mirditë të fillonte ndikimi komunist dhe si e tillë ai nuk mund të lejonte pesë partizanët të “bënin ligjin” në atë zonë që edhe gjermanët nuk ishin prezentë. Me statusin e antikomunistit, Marka Gjoni luftonte edhe ideologjinë që e quante të gabuar dhe terroriste por njëkohësisht nuk lejonte që komunistët të ndikonin në zonën që ai ishte paria. Madje, edhe historianët që mbështesin atë që e quajnë heroizëm të të pestëve, e pranojnë këtë argument.

“Shtabi i Përgjithshëm kërkonte gjithashtu që të studioheshin shkaqet pse kapidani i Mirditës e kishte humbur influencën mbi një pjesë të mirë të popullit dhe të kapej pas kësaj për tu futur në zemrën e tij për të marrë në dorë iniciativën e për të dominuar situatën aty. Për tia arritur kësaj duhet demaskuar veprimtaria e reaksionit dhe duhet likuiduar foleja e tij në kullat e Gjon Marka Gjonit. Pikërisht një detyrë të tiullë e vështrië me rreziqe e me përgjegjësi iu besua njësitit dhe ai e përmbushi atë me përkushtim të lartë”(Gazeta “Zeri i popullit”, Xhelal Gjeçovi, 21 gusht 1994).

Por historiani Uran Butka është shumë më afër të vërtetës teksa vrasjen pesë fishe e cilëson pjesë e luftës civile që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.

“Më 21 gusht, në Vig të Mirditës u rrethuana nga forcat e Markagjonëve dhe ato të xhandarëve të komanduara nga kryetari i Komunës së Kashnjetit, pesë partiuzanët të batalionit Perlat Rexhepi: Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Ndoc Deda, Ahmet Haxhia dhe Hydajet Lezha që do takoheshin me njësitin partisan të Mirditës. Atyre iu kërkua që të dorëzoheshin por partizanët zunë pozicione luftimi. Pas një qendrese të gjatë, pesë parizanët e rrethuar u vranë. Këta të rinj nuk u vranë në luftë kundër okupatorëve, pro në luftë civile që shkaktoi mjerisht qindra viktima edhe në Mirditë” (Uran Butka, Lufta civile në Shqipëri 1943-1945, Vëllimi II, faqe 167)

 –FAKTE NGA NGJARJA

  1. Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu, Ndoc Mazi, Hydajet Lezha, Ndoc Deda ishin pesë të rinj komunistë që u vranë në përpjekje me rreth 200 persona banorë të Mirditës të cilët u kërkonin natyre të largohesin nga krahina.
  2. Të pestë ishin pjesë e batalionit partizan “Perlat Rexhepi”, një formacvion ushtarak që vepronte në veri të vendit.
  3. Ahmet Haxhia, Ndoc Mazi dhe Naim Gjylbegu ishin nga qyteti i Shkodrës dhe të tre ishin shokë që nga fëmijëria.
  4. Të tre të rinjtë nga Shkodra kishin qenë më parë të arrestuar dhe dënuar disa herë për bindje politike komuniste.
  5. Hydajet lezha ishte nga Lezha dhe Ndoc Deda ishte nga Miloti. Të dy iu bashkuan tre djemve nga Shkodra për të realizuar misionin.
  6. Të pestë kishin disa muaj që kishin nisur misionin e tyre në Mirditë për të përhapur idetë komuniste dhe për tiu bashkuar rezistencës që komunistë po i bënin pushtuesëve gjermanë.
  7. Urdhrin për misionin e tyre e kishte dhën komanda e batalionit pas një udhëzimi që Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare kishte dhënë më parë.
  8. Shtabi i Përgjithëm kishte udhëzuar që krahinat e Malësisë së Madhe, Pukës dhe Mirditës, batalioni “Perlat Rexhepi” të caktonte grupe të vogla partizanësh për të angazhuar popullsinë në luftë ndaj pushtuesëve.
  9. Udhëzimi ishte që komunistët të zëvendësoni ndikimin e kapidanit Gjon Markagjoni në zonën e Mirditës.
  10. Në nder të 5 heronjve në qendër të qytetit të Shkodrës në vitin 1960 u vendos një skulpturë e autorit Shaban Hadëri. Ajo u hoq prej andej në vitin 2006, për tu zhvendosur në periferi të Shkodrës.

10 MISTERE TË NGJARJES

  1. Si ka mundësi që për një vrasje pesë-fishe Prefektura e Shkodrës e njoftonte ministrinë e Brendshme dy dite me vonesë?
  2. Si ka mundësi që në ministria e trajtonte vrasjen pesëfishe e kryer për motive politike?
  3. Si ka mundësi që edhe pse njerëzit që bënë pritën mësuan se cilët ishin viktimat, prefektura e Shkodrës dhe ministria e Brendshme nuk kishte identitet e tyre edhe dy ditë pas vrasjes?
  4. A u krye kjo vrasje për faktin se komunistët po synonin të kishin ndikim në Mirditë, krahinën në të cilën e drejtonte kapidan Mark Gjonarkaj?
  5. Përse historianët e djathtë e kanë paraqitur vrasjen e pesë partizanëve komunistë si vrasje për të kundërshtuar idetë komuniste në mënyrë që të mos triumfonte komunizmi në Shqipëri?
  6. Përse një pjesë të historianëve të djathtë e paraqesin këtë vrasje të rëndomtë dhe deri për motive banale?
  7. Përse historiografia komuniste e ka paraqitur këtë ngjarje si përplasje të komunistëve me bajraktarët e zonës për të mbështetur ose jo pushtuesit gjermanë?
  8. Përse sa herë ndërrohen pushtetet në Shqipëri ndërrohet edhe vendndodhja e monumentit të pesë heronjve në qytetin e Shkodrës?
  9. Përse vetë historiografia komuniste numrin e personave që i rrethuan të pestët, e ka dhënë në fillim 60, më pas 200 dhe më pas akoma 300 persona.
  10. Përse ende nuk ka një version zyrtar të qartë të motivit real të kësaj ngjarjeje?

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment