Lura, një lajm në të sotmen. Reportazh nga Ndue Dedaj.

Nga Pirusti News

Është e shtunë, një ditë para festës së Shën Mërisë së Lurës, që bie më 23 gusht dhe rruga malore për në Lurë është plot me fuoristrada, tërthoreve e tërmaleve, ku ato më të “fortat” ngjiten deri te liqenet. Ka dhe turistë të huaj – ata nuk mund të mos befasohen kur mësojnë se këtë festë e kremtojnë njëlloj si katolikët, si myslimanët e 10 fshatrave të Lurës. Edhe për ne shqiptarët, ndryshe është ta dëgjosh nga larg këtë traditë të pashoqe të kësaj treve dhe ndryshe ta përjetosh vetë mes lurianëve, siç kemi pasur rastin ne, si komshinj, thuaj po deshe dhe “kushërinj” me ta. Lajmi që duam të përcjellim për lexuesin është nga ato që nuk përbëjnë lajm këtu ndër ne, ngaqë është diçka që ndodh përditë, pa u leçitur. Te njëri e te tjetri lurian. Te të gjithë ata. Falë dhe “Unionit Lura”, që përpiqet për ndryshimin.

Në Lurë është e pamundur mos të përmendin Dodë Doçin, një biznesmen i njohur, që ndërton prej vitesh fshatra turistikë në bregdetin e Durrësit, që e ka përzemër vendlindjen dhe jep kontribut për të. Teksa një tjetër luriani të thekur, Hekuran Vladi – Lura, intelektual me ide dhe vizion për Lurën bashkëkohore, që e kishte bërë atë një mbiemër të dytë dhe njëherësh emrin e së bijës, iu ndërpre ëndrra në mes, muaj më parë.

Edhe sot e kësaj dite, jo pak nga ata që shkruajnë për Lurën, janë ende te dashuria “platonike” shekullore me të, përderisa përmendin në çdo rast atë thënien e Fishtës: “Po nuk ke parë Lurën, nuk ke parë Shqipërinë”. Ky është lajmi i të shkuarës, kur Lura ishte vetëm natyra e saj e virgjër, e pakrahasueshme me asnjë bukuri tjetër alpine, mbase vetëm me “parajsën”. Edhe zhbimja e pyjeve të Lurës tashmë është një lajm i trishtë i së shkuarës.

Po pse përbën Lura lajm në të sotmen?

Nuk mund të themi se lajmi është vajtja atje e qevritarëve, që nga Kryeministri, me premtimin për rrugën, përderisa nuk është hedhur asnjë kazmë. “Ka tridhjetë vjet që kjo puna e rrugës është tërhiq e mos këput”, na thotë njëri nga banorët. “Edhe pse duam të besojmë, kësaj here, se si na duket një rrugë që mund të fillojë 6 muaj para zgjedhjeve”, shfaq dyshimin e tij një i dytë, në bisedën përrafshi, aty në livadhin para kishës së Shënkollit të Krejë Lurës, me nga një gotë raki përpara, sa për të uruar festën e Shën Mërisë; teksa një i tretë, duket se i vë vulën muhabetit: “Ua them unë, e kam dëgjuar nga një politikan i lartë, s’ka rëndësi emri, se rruga, ore shokë, asht sa vota ke!?… E çfarë votash merr Dibra nga Lura, një dorë?”

Prandaj nuk bëhen rrugët në këto anë, thua ti, as për te Kroi i Bardhë kurativ i Selitës, as për në Kaçinar, ku ua kanë vënë syrin përrenjëve të tij të hareshëm, as për në Xhuxhën e gurit prehistorik me petroglife antike… Se, ato vende të lëshuara nga banorët nuk “prodhojnë” më vota!… Ma sa prodhon shufra ari Guri i Kuq. Kjo është çeshtja.

Atëherë, pse po themi që Lura është një lajm në të sotmen? Sepse ky lajm ka të bëjë më vetë lurianët, dalëzotësit e vërtetë të Lurës. Ata që kanë bërë një histori ndryshe, sa i përket harmonisë së besimeve, duket se e kanë marrë në dorë “fatin” e turizmit në vendin e tyre. Ka tjetër vëmendje dhe kujdes për pyjet, që kanë filluar të ripërtërihen dhe se moratoriumi i ka frenuar prerësit e paligjshëm. Por nuk mjafton, mjedisi është shumë më kompleks. “Shiko dorën e Zotit dhe shiko dorën e njeriut”, thotë një zotëri, teksa vizitojmë liqenet, ku pas drekës, ngrënësit i kanë lënë aty mbetjet, rrëzë pishave, a thua se pas ikjes së tyre ai vend do të jetë një tokë e shkretë.

Me dy vëllezërit, Gjovalin dhe Tonin Koçeku, në oborrin e bujtinës së tyre në ndërtim e sipër, marrim “nëpër gojë” krejt ata që kanë nisur t’i kushtohen turizmit. Mund të mos jenë fiks të dhënat që na jepen, sa u përket dhomave apo shtretërve, por në këtë rast me inters është fakti se lurianët nuk por presin të bëhet rruga për të ndërtuar bujtinat e tyre, por kanë filluar, disa vite me parë, disa rishtaz, pasi e ndiejnë se Lura nuk mund të bëjë përjashtim nga Valbona, Thethi, Razma, Vermoshi, Dardha, Llogaraja etj. Ky është lajmi. I kanë pritur qeveritë me vite dhe kur kanë parë se për to Lura nuk i ka “votat”, ia kanë nisur vetë punës për ta bërë Lurën me duart e tyre.

I zëmë me radhë: hotel “Lura”, godinë disakatshe, në qendër, me 40 shtretër, me pronar Hasan Hotin; ish – hotel “Turizmi”, me 20 shtretër, me pronar Skënder Delialliasin; “Oxhaku Doçi”, në pronësi të Llesh Doçit, që po i zgjëron dukshëm kapacitetet fillestare me 15 shtretër, sipas një projekti ambicioz; vetë bujtina trekatshe e vëllezërve Koçeku, e ndërlidhur me kullën e banimit, sot për sot më 25 shtretër; kulla-bujtinë “Tollja”, restauruar nga Gëzim Tollja etj. Veç këtyre janë duke u përshtatur për turizëm familjar dhe 10 kulla – bujtina të tjera, nga banorë të familjeve: Cuku, Gjoçi, Skana, Mena, Xhaxhexha, Rajta etj.

Nuk është i rastit ky përqendrim te bujtinat, por në njëfarë mënyre i studiuar. Lurianët kanë parë se Lura është përherë e më e kërkuar, sidomos nga të huajt. Sipas përllogaritjeve, çdo vit në Lurë hyjnë 10 mijë turistë në katër muaj, afërsisht nga 10 fuoristrada në ditë, përjashto këtë vit, ku numri është shumë më i paktë, për shkak të Covid 19.

Tonini, i diplomuar për turizëm në Qipron turke, thotë se Lura është e përshtatshme për të gjitha llojet e turizmit, atë natyror (dimër e verë), por dhe shëndetësor. Turistët kanë se çfarë të shohin dhe eksplorojnë në Lurë, përmes shtigjeve të shumta: liqenet si askund tjetër, lendinat magjepse, korijet e ahut dhe pishës, ngjitjet deri në malin e Kunorës, gurrat dhe krojet, florën dhe faunën e pasur etj. Përvç shtegtimve, janë mundësitë dhe për hipizëm, pista skish, gara “Relli” etj., pa folur për kuzhinën tradicionale të Lurës. Nëse Lura në bujqësi prodhon pak, por krejtësisht bio (misër, qepë, patate, fasule, speca, tranguj, domate etj.) në blegtori është e pashterrshme për nga mundësitë. Ajo ka treguar se mund të mbajë deri në 13 mijë kretë dele, duke përpunuar 25 kuintal qumësht në ditë, në baxhë. Sado që ka njëfarë rikthimi te blegtoria, tash për tash numri i krerëve të dhive e deleve është dhjetë herë më i ulët se në vitet ’90. Gjëja e gjallë ka shkuar në përpjesëtim me numrin e banorëve, pasi Lura asokohe kishte 8000 banorë, kurse sot, siç na thotë administratori, Leonard Rajta, ka rreth 1700 banorë.

Secili lurian kërkon të vërë një gur në “ngrehinën” e re te rigjallërimit të Lurës, dikush duke lobuar për rrugën, dikush duk iu kushtuar turizmit, dikush blegtorisë, dikush pyjeve e dikush tjetër në dhënien e kontributit në komunitet, si Arben Rajta, që ka bërë me shpenzimet e veta restaurimin e kishës së Krejë-Lurës. Kudo të shkosh në Lurë, emri i Dom Nikollë Kaçorrit është ai i atit. Ai, me babanë katolik dhe nënën myslimane, e personifikoi dhe më shumë bashkëjetësën fetare. Te Kodra e Shënkollit, myslimanët shkojnë dhe vënë lule për përshpirtje. Edhe pse jemi në kohë moderne, ende mitologjia është e gjallë, besohet se në këtë vend një burrë qe martuar me zanën. Ai ishte Ndue Gjini i fisit Koçeku. (Ka dhe një krua në emrin e tij, në zabelin e Koçekut.) Adashi ynë mori për nuse zanën e malit, që e pati pikasur aty te Liqeni i Madh, sa fatlum, aq dhe fatkeq nga ajo martesë. Thonë se ajo i bënte të gjitha punët si çdo grua tjetër e Lurës, mbushte ujë me bolirë te Gjurra e Dukës, milte delet e lopët, gatuante bukën dhe e piqte në çerep. Lindi dhe një djalë, që jetoi pak, duke vdekur pas tij dhe nëna-zanë… Ndaj vellëzërit Koçeku bujtinën e tyre duan ta emërtojnë “Zana e Malit” që të kujton disi “Mriznin e Zanave”, ndërkohë që për të huajt ajo mund të jetë “shtëpia mes pishave”. Lura, “e bukura e dheut” e shekujve të shkuar, pak nga pak po mëson gjuhën e ekonomisë së tregut dhe turizmit “zviceran”…

NDUE DEDAJ. Lure. Gusht 2020

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment