New York. Përcillet në amshim Zef Përnoca, Kryetari i “Vatra” për shtetin e New Yorkut në SHBA

Nga Pirusti News

Njëri prej drejtuesve më të spikatur të Shoqatës Panshqiptare “Vatra”, Zef Përndoca është përcjellë në amshim gjatë ditës së sotme në SHBA. Lajmin e sjell nga ceremonia e përmortshme veprimtari Dod Luli, i cili me të marrë lajmin për ndarjen nga jeta të vatranit të shquar, është nisur nga Tirana dhe në kohë rekord është gjendur pranë dajës së tij dhe familjarëve, për tu ndodhur përkrah tyre në këto ditë të vështira, atje ku kishte ndërtuar jetën dhe aktivitetin patriotik, plot 69 vite pasi ishtë arratisur në mënyrë të detyruar nga fshati Sang, i krahinës së Fanit, në Mirditë.

Në ceremoninë mortore e cila u zhvillua në New-York, në ambientet e  Ballard-Durand Funeral Home 2 Maple Ave White Plains, morën pjesë familjarë dhe të afërm, por dhe miq e bashkunëtorë të shumtë të Tij ndër vite.  Në këtë ceremoni përcjellje komemorative ishin të pranishëm edhe personalitete të tilla të diasporës shqiptare në SHBA si, kryetari  aktual  i “Vatrës” z. Elmi Berisha, por dhe ish-kryetarë të mëhershëm si Gjon Leka  dhe Agim Rexha. Të pranishëm për ngushëllime ishin edhe  kryeredaktori i revistës “Dielli” z. Dalip Greca, gjeneral Asllan Bushati, anëtarja e “Vatrës” Naze Veliu, veprimtarë të tjerë si Zef Bala, Sezar Ndreu, Simon Qafa, Anton  Raja etj.

Një përshkrim i jetës dhe aktivitetit patriotik të Zef Përndocës.

Zef Pëndoca i lindur në fshatin Sang – Domgjon të Krahinës së mirënjohur të Fanit në Mirditë, vinte nga një familje që kishte vënë emër si familje që mbështeste traditat atdhetare, ndërsa pasardhës i derës së mirënjohur të bajraktarit të Fanit. Një prej paraardhësve të Zefit, Bibë Pëndoca, në vitin 1914 ishte një ndër luftëtarët më të shquar në mbrojtje të shtetit shqiptar në krah të Princ Vidit kundër rebelëve turko-shakë të cilët kërkonin ri-kthimin e vendit nën Turqinë e larguar këtyre trojeve, pas 500 viteve pushtim.

Në faqen “Enciklopedia e Mirditës” mësohet se as çlirimit familja e Zefit u persekutua për shkak se xhaxhai i tij, Doda ishte pozicionuar kundër forcave që morën pushtetin. I ati, Ndoi kaloi në burg, shtëpinë ia dogjën dhe familja kaloi dy herë në internim. Ndonëse i vogël, me argumente banale, edhe Zefi arrestohet e mbahet disa ditë në hetuesi. Në ato kushte, jetesa në Shqipëri ishte e pamundur, prandaj në mes të dhjetorit të vitit 1951, ai bashkë me babain Nduen dhe vëllain Bibën, në përbërje të një grupi prej 19 vetash kalon kufirin në Zogaj, në drejtim të ashtuquajturës ish-Jugosllavi.

Peripecitë e Përdocajve pas thyerjes së kufirit.

 Me tu dorëzuar në anën tjetër të kufirit, fillimisht i dërguan në Gjakovë, ndërsa pak më vonë përfunduan në një kamp refugjatësh në Pejë, ku qëndruan 3 muaj. I zhvendosën në Gjilan për 3 vjet. Më pas në Vushtri, ku vëllai, Biba, ilegal shkon drejt e në Beograd dhe pasi hyn në ambasadën angleze, merr formularët për t’i plotësuar për të ikur në Perëndim. UDB e mori vesh dhe i burgosi, atë dhe shokët. Katër muaj qëndroi në qeli. E dërgojnë në kampin e rrezikshëm të Gerovës. Pas disa kohësh edhe babën, Nduen, e dërgojnë në Gerovë. Pas vuajtjeve në kamp, u erdhi koha për të dalë në Itali. Në Kosovë mbeti Zefi, i cili përfundoi ciklin e lartë të arsimit fillor dhe pastaj vazhdoi të mesmen dhe të lartën për Ekonomi. Në Prishtinë u muar me sport dhe ishte për tetë vjet në skuadrën e volejbollit të Prishtinës, që ishte në Ligën e Parë të Serbisë dhe pastaj trajner i ekipit “Poshtari” (Posjeri). Në nëntor të vitit 1966 doli në Itali përmes Triestes.

Pas një qëndrimi të shkurtër në Trieste, Zef Përndoca shkoi në Romë, ku qëndroi 5 muaj. Atje u takua me shumë emigrantë politikë shqiptarë, në mes të cilëve dhe me Ernest Koliqin dhe Gjon Buçajn.

Nga Roma, vendoset përfundimisht në SHBA. Kontaktet me “Vatrën”.

Me 11 prill të po atij viti, Zef Përndoca mbërriti në New York. Fillimisht u vendos në Bronx. Kontaktet me Vatrën i vendosi me 28 Nëntor 1967, kur u bë dhe antar i saj. Zefi përgjatë të gjithë viteve si vatran është një veprimtar aktiv, dhurues, anëtar bordi, kryetar i Degës së New Yorkut etj. Në veprimtarinë e madhe atdhetare të Vatrës, Zefi ka meritën e tij, si në luftën për demokratizimin e Shqipërisë dhe në ndihmat për luftën në Kosovë. Për shkak të mundësisë së infiltrimit të agjentëve të regjimit komunist të Shqipërisë, procesi zgjedhor i Vatrës ndiqej me kujdes nga CIA, e cila në një relacion të saj e vlerësonte nacionalizmin e pastër dhe antikomunizmin e Zefit. Ndër miqtë e tij në Vatër ndër vite kanë qenë: Agim Karagjozi, Rexhep Krasniqi, Ago Agaj, Nexhmije Zaimi, Antoni Athanas, Mahmud Cungun, Peter Ktona, Ymer Doda, Avdulla Kaloshi, Hamdi Uruçi, Gjon Buçaj, Jonuz Ndreu, Idriz Lamaj etj. Ka mbajtur lidhje me personalitete të shquara amerikane që mbështesin Shqipërinë, si me senatorët Bob Doll, Hilari Klinton, Eliot Engëll etj. Ishte përfaqësues i shqiptarëve të Nju Jorkut, bashkë me Rexhep Krasniqin, Jonuz Ndreun dhe Idriz Lamajn në takim me zyrtarin e Bashkisë së Nju Jorkut F.H.T. Plimpton me rastin e shpalljes zyrtare nga KryebashkiakuBeam të “ Ditës Kombëtare shqiptare”. Zef Përnocaj mban Çmimin e Meritës, akorduar nga Shoqata Panshqiptare “Vatra” me motivacion “Për shërbimin e jashtëzakonshëm të dhënë për shumë vite”, si një mirënjohje nga Ipeshkëvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji “Për mbështetjen e dhënë dhe kontributin financiar për ndërtimin e katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Familja Përnoca, me traditat më të mira shqiptare, megjithëse e pesekutuar nga rregjimi komunist, nuk humbi asnjë nga miqtë e saj. Ndryshimet politike në vend nuk ndikuan që të ndryshonte sjellje dhe qëndrime. Vetë Zefi, që nga SHBA, u përfshi me besim në lëvizjen demokratike në mbështetje të opozitës shqiptare. Në vitin 1992 ishte në Shqipëri në mbështetje të saj dhe ato ditë në përbërje të një delegacioni të Vatrës kishte takuar autoritetet më të larta të kohës. Mbështeti me të gjitha fuqitë të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetvendosje, ishte në grupet organizatore të demonstratave për lirinë e Kosovës dhe ka dhënë kontribute financiare për luftën e viteve 1998-1999. Në përbërje të një delegacioni shqiptaro-amerikanësh, Zefi ka vizituar Prishtinën dhe është takuar me Presidentin Ibrahim Rugova. Zefi dhe krejt familja Përnoca me banim në Nju Jork, prej vitit 1992 e në vazhdim vijnë rregullisht në vendlindje. Shprehje e lidhjeve të mëdha shpirtërore me vendlindjen është varrimi i vëllait Bibës në Sang, megjithëse e pat kaluar shumicën e jetës në SHBA.

Përgatiti: Aleksandër NDOJA

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment