Mark Rica: Kush ishin vëllezërit patriotë selitas, Gjon dhe Ndrec Lufi nga Tranga!?

Nga Pirusti News

Po e nis këtë shkrim me katër vargje të shkruara në vitin 1993, nga poeti i mirnjohur mirditor Gjok Beci dhe të kënduara nga vëllezërit Lleshi.
**********************
…Se s’del fare jo kurrë trimnia.
Sa do vonë vetë historia,
ka me shkrue me letër e në gurë.
“Kush qe burrë do të mbetet burrë.”

Është një rapsodi e gjatë për trimat e Kullës së Lufit në Selitë. Ndër të tjera, për njërin më të përmendurit e atij Oxhaku, rapsodi shkruan:
*******************
Ai Gjon Lufi burrë bujar
nuk qe princ as bajraktar,
por për mend e për trimni,
tan Selita i ka thanë : “PRIJ”..
***********************

Po a është shkruar deri në sot dhe a është e vlerësuar veprimtaria atdhetare dhe patriotike e trimave kreshnikë të Kullës se Lufit në Trangë të Selitës?..

 -Shumë pak në kohën e Mbretnise, (vetëm Revista “Hylli i dritës”, bot.1934) dhe -aspak në kohën e komunizmit dhe për çudi (!) as në këto 30 vjet (gjoja) demokraci.
Mora përsipër të shkund disi pluhurin e harresës, me disa të dhëna që i disponoj, pa pretenduar se do të them gjithçka që meritojnë. (Për këta burra trima e të zot kam dëgjuar që i vogël, pasi Lufi ka pas lidhje miqësore me të parët e mij në Kullën e Ricës. Babai im Preng Rica, ishte ushtarak në gardën mbretërore dhe mik i Ndrec Lufit, më ka thënë se; “Tek Ndrec Lufi zoti kishte ba bashkë; trimërinë, mençurinë dhe bukurinë….”)

Dy fjalë për Selitën dhe Lufajt.

Selita është një trevë që përmendet heret në histori. Për Lufajt në formë gojdhënash, por edhe është shkruar në librin e Spiro Dines (me 856 faqe) të titulluar “Valët e detit” dhe botuar në Sofje, në vitin 1908 se’ -“Gjergj Kastrioti kaloi në Lufaj në një vitë zije. Banorët, në shenjë bujarie, i’a ushqejnë kuajt e luftëtarëve të tij me grurë dhe ai e bekoi ate vend për prodhimin e grurit…”
Po kështu; në Trangë të Selitës, një fortesë natyrore që puthet me qiellin, ku kullat janë në maje shkrepash, vendasit përmendin deri në ditët e sotme edhe “Shpellën e Skënderbeut”.

Për hershmërine e Selitës, ekziston edhe një dokument i Klerikut Mark Skura ku në një relacion të dërguar Papës së Romes në vitin 1643 shkruan: “Në qendër të Selitës në vendin e quajtur Qaf-Kishë ndodhet kisha e Selitës me emrin Kisha e Shën Aleksandërit (Shën -Lleshdrit) dhe përveç shërbesave fetare kjo shërben edhe si vend tubimesh me karakter kulturor dhe atdhetar”. Selita është shquar në historinë e hershme dhe të vonë për trimëri, patriotizëm e bujari dhe si bajrak i parë i Kthellës ka pri në luftë, por edhe në kuvende, ka prit e përcjell patriot e atdhetar si Bajram Currin, Kol Tomën e Velës etj. Selita ka nxjerrë trima luftetar por edhe poet dhe artistë të mëdhenjë si Gjok Becin, Viktor Gjikolen, Prena Becin, Gjela Duken etj, etj,,,,

Lufajt është njëri prej fshatrave të Selitës ku lindën trimat atdhetar të Lufit për të cilët do të shkruaj më gjatë në këtë postim.

Që në fillim po shkruaj se rrallë në Shqipëri ka ndodh një hakmarrje kaq primitive e gjakatare nga diktatura komuniste si me këtë familje patriote, që bëri sa mundi për Shqipërinë dhe si “shpërblim” mori :-vrasjen e 11 burrave, -internimin e 23 pjestareve te familjes nga të cilët 15 ishin fëmijë, -djegjen e kullës në Trang dhe konfiskimin e pasurisë. Më konkretisht; Janë vrarë; – Ndrec Lufi dhe dy djemtë e tij Nikolli dhe Shkurti, -Vëllai i Ndrecës, Llesh Lufi me dy djemët e tijë, Gjinin dhe Dodën, -dy djemët e Gjon Lufit (vëllait të madh të Ndrecës), Ndoi dhe Tanushi, – dy djemet e vellait tjeter Mark Shkur Lufit, Pepa dhe Prenga (megjithse dy vëllezërit e tjerë, ishin partizan në brigadën e V-të -S, Kol Lufi, që u plagos duke humbur për gjithmonë sytë dhe Gjoka) dhe -dy fëmijë vdiqën në interrnim. Pjesa më e madhe e tyre janë edhe sot pa varre..

Kush ishin Lufët e Selitës?

Të parët e Lufit përmenden heret në historinë e Selitës, por në këtë shkrim do të përmend vetem Shkurt Ndrec Lufin, babain e Gjonit, Lleshit, Markut dhe Ndrec Lufit. Ai ka qenë ndër krerët e kryengritjeve antiosmane në krahinën e Mirditës. Bashkë me shumë kthellas e mirditas, ai mori pjesë në mbrojten e e Qeverisë së Princ Vidit në Durrës në vitin 1914, ku edhe u vra në Rrashbull ku edhe sot nuk i dihet varri. Më vonë familja e madhe e Lufit u drejtua nga Gjon Lufi dhe pas vitit 1920 nga Ndrec Lufi. Ata ishin puntorë të mëdhenjë. Mësuesi veteran Mark Përgjoni, në nje liber të tij për Selitën ka shkruar se “ …ata në Trang patën ndërtuar një kullë me me gur të gdhendur, me gjatesi 24 m dhe gjërsi 7,5 m, dhe mbi 5 m e lartë, e cila kishte 14 dhoma , patën vu shumë mall e gja. Në Laknas të Tiranës patën ble 10 ha tokë dhe ndertuar një kullë.” . Kulla e Lufit është djegur; -në vitin 1915 nga forcat e Esat Pashës, -me 30 Korrik të vitit 1943 nga italianët dhe –në Dhjetorin e vitit 1944 nga forcat partizane.. Në kullën e Lufit ka qëndrue Bajram Beg Curri me 13 vetë per shumë kohë në dy periudha; -në vitin 1911 dhe në vitin 1924.

Gjon Shkurt Lufi.

Ai ishte ndër figurat e rëndësishme të Mirditës në vitet e kryengritjeve për pavarësi (1910-1912). Mori pjesë në disa kuvende krahinore të kohës dhe në luftimet me armë. Ai mori pjesë edhe ne kuvendin e 12 bajrakëve të Mirditës, në Kallmet me 18 korrik 1919…

Në revistën “Hylli i Dritës”, botim i vitit 1934, ndër të tjera shkruhet: “Në luftimet kundër forcave esadiste (viti 1915), ndër 12 bajrakët e Mirditës, pos sa burrave të tjerë, Gjon Shkurt Lufi i Selitës dhe Pal Ndue Berhani i Bushkashit, i lanë namë vedit e bajrakut për trimnin që diftuen”. Në këtë vitë kullën e tij e msynë disa forca esadiste nën komandën e Bazit të Canës. Gjon Lufi, pasi largoi familjen, e mbushi kullën me kashtë, e spërkati me vajguri dhe i mbylli këto forca brenda, dhe i vu zjarrin, si Oso Kuka në vaktit. Bazi i Canes, me disa të tjerë shpëtuan, duke dale nga vrima e nevojtores..(!.)….
Gjon Shkurt Lufi në vitin 1920, mori pjesë në Kongresin e Lushnjës. Ai u caktua nga Ahmet Zogu, si komondant i 350 forcave të tija për ruajtjen e delegatëve të këtij Kongresi. Më vonë ai punoj me të gjitha forcat për të vënë në jetë vendimet e Kongresit të Lushnjës. Populli ate e ka thirrur ; “Gjenerali me Xhurdine”.
Ndrecë Shkurt Lufi (1890-1948).
Ai ishte oficer, me gradën toger e më vonë kapiden në kohën e Mbretnisë, luftëtar antifashist e antikomunist. Lindi në Lufaj të Mirditës. Ndreca, që në moshë të re mori pjesë në kryengritjet e vitit 1912 përkrah të atit dhe vëllait.

Në vitet 1912 dhe 1924 ai ka prit në kullën e tij në Trangë Bajram Beg Currin. Ne Qershorin e vitit 1924, ai bashkë me të vllajnë e tij Lleshin (e shumë selitas të tjerë),e shoqëroi Bajram Currin deri në Tiranë, në përkrahje të Revolucionit Demokratik të drejtuar nga Fan Nolit. Për këtë veprim ai u burgos më vonë për disa muaj nga Qeveria e Zogut, deri sa doli amnistia.. Në vitin 1928, gradohet oficer (në fillim Toger, e më vone Kapiten) dhe ka sherbye në Tiranë, Korçë, Sarandë, Kukës, Peshkopi e Mat. Disa kohë ka qenë Komondant Poste edhe në Selitë.
Me 7 prill 1939 Ndrec Lufi, ishte me detyrë në komandën e Kufirit të Sarandës dhe së bashku me kolegët e tij u përpoq të organizonte rezistencë ndaj këtij pushtimi.
Pas pushtimit të vendit kthehet në vendlindje dhe organizoj rezistencen anti-fashiste në Mirditë e Mat . Ai ishte njëri ndër organizatorët e Kuvendit të Bruçit të dates 26 Korrik 1943. Në në këtë kuvendin, bashkë me Frrok Gjet Kolën përfaqësuan Selitën e Kthellën. Aty u lidh besa e u vendos me sulmue kundër garnizonit fashist të Burrelit. Kuvendi e zgjodhi Ndrecën Nën/komandant i të gjithë forcave dhe Komandant i forcave për Kthellën e Selitën. Rolin e tij në këtë kuvend e kanë pranuar edhe komunistët; Ja se çfarë shkruan Veterani i Luftës ANÇL dhe pjesmarresi në këtë Kuvend Beqir Minxhozi, me librin e tij, “Lufta Nacional-Çlirimtare në Mat”:

“Me datë 26 Korrik u mblodh në Bruç, në vendin e quajtur “Fusha e Ndredysë” Kuvendi, që ka hyrë në histori si “Kuvendi i Bruçit”ku u lidh Besa për të luftuar pushtuesin italian. Në kuvënd morën pjesë; -nga ana e çetave partizane vullnetare Mustafa Kaçaçi, Sali Llani dhe unë (Beqir Minxhozi); -nga pala tjetër morën pjesë Sul Kurti, Bilal Kola, Ndrec Lufi, Isuf Çela, Haziz Kasemi, Frok Gjet Kola, Xhemal Lleshi, Din Ahmeti, Rustem Pozhuku, Ismail Lala, Ram Tusha, Mahmut Lezi, etj….” (Botuar si pjese e cituar nga libri i tij, ne Gazëten “Dita”, date 31 Korrik 2013)..

Si rodhen ngjarjet nga data 30 Korrik deri me 4 Gusht 1943. Në mbrëmjen e 30 Korrikut rreth 3000 forca filluan sulmin në të gjitha objektet e caktuara. Në fillim u çlirua qyteti i Burrelit pa asnjë rezistencë nga forcat e xhandarmërisë e milicisë, u hap burgu i Burrelit, u liruan dhe u dërguan në vendbanimet e tyre të gjithë të burgosurit, (rreth 200 vetë). Milicët dhe xhandarët, një pjesë u bashkuan me kryengritësit, pjesa tjetër shkuan nëpër shtëpitë e tyre. Pas çlirimit të qytetit të Burrelit sulmi filloi mbi garnizonet. U luftua gjithë natën e 30 Korrikut dhe në mëngjesin e 31 Korrikut. Forcat fashiste organizuan zjarr të fuqishëm nga fortifikimet e tyre. Në ndihmë u erdhi dhe aviacioni luftarak nga Tirana, i cili filloi të mitralonte dhe të bombardonte pozicionet e forcave kryengritëse si dhe kolona fshatarësh që vinin në Burrel për t’u sjellë ushqime forcave kryengritëse…. Kjo gjendje vazhdoi deri më 4 Gusht, ku në ndihmë të tyre erdhën forcat e dy regjimenteve të Divizionit “Brenero” nga rrugët automobilistike Rrëshen-Burrel dhe Krujë-Burrel. Këto forca shumë herë më të mëdha në numër, armatime e mjete të tjera mundën, pas luftimesh të ashpra me forcat kryengritëse që kishin zënë prita përgjatë rrugëve, t’i kalonin pritat dhe të arrinin në Burrel, duke djegur gjatë rrugës shtëpi fshatarësh e duke vrarë këdo që gjenin nëpër shtëpi (pleq e plaka). Me datën 3 Gusht, forcat luftuese zbrapsën përpjekjen e parë të kolonës armike me humbje të rënda për ta. Natën e datës 3-4 Gusht, erdhën në ndihme të forcave luftuese edhe vullnetarë të batalioneve “Dajti, “Krujë-Ishëm” dhe çeta e Abaz Kupit. Të nesërmen në 4 Gusht, pararoja e forcave italiane, ranë në pritë dhe pësuan shumë humbje, të vrarë e të plagosur, shumë dëmtime e shkatërrime në armatim, automjete e materiale të tjera. Mbeti i vrarë dhe vetë komandanti i kolonës, kolonel Skarpa. Në shej hakmarrje, ekspeditat ndeshkuese italiane bene reprezale në fshatrat e Matit dhe Mirdites . Me 31 Korrik u godit nga ajri dhe u dogj Kulla e Ndrec Lufit. Data 31 Korrik 1943 mbeti edhe si data e çlirimit të Matit dhe eshte festuar gjithmonë… ..

U zgjata pak në këtë ngjarje pasi kryengritja e Matit e 31 Korrikut 1943, ruan dhe sot dhe përcjell mesazhin e bashkimit, mirëkuptimit, tolerancës e bashkëpunimit midis gjithë forcave politike e shtresave shoqërore per problemet madhore te popullit e të kombit. Kjo ishte nje luftë heroike, e përbashkët, e nacionalistëve dhe partizanëve që për mbi 50 vjet është mbuluar me pluhurin e harresës e të mohimit, por e verteta eshte se Kështu ka ndodhur, dhe se njëri ndër udhëheqësit kryesor të kësaj lufte ka qenë Kreshniku selitas Ndrec Lufi.

Ndrec Lufi ka marrë pjesë edhe në Kuvendin e Lurës (28 gusht 1943), ku krerët e Lurës, Lumës, Dibrës së Epërme e të Poshtme, Bulqizës, krahinave të Matit, Mirditës e Krujës vendosën t`i bashkohen luftës kundër fashizmit.
Pas çlirimit të vendit, Ndreca Lufi nuk mundi ta pranoi komunizmin dhe mori anën e atyre që ishin kundër fitimtarëve të LANÇ-it. Ai ishte ndër drejtuesit e rezistencës antikomuniste, antar i shtabit drejtues të Komitetit të Maleve…
Në vitin 1948, së bashku me djalin e tij Nikollin, tentoi të arratiset për në Jugosllavi, por vritet nga forcat e ndjekjes.

Gjatë regjimit komunist nuk pati asnjë njoftim rreth tij dhe varret e tye nuk dihen as sot. Vetëm në vitin 1993, me një vendim të Gjykatës së Mirditës, është njohur fakti i vrasjes së Ndrec Lufit nga forcat e ndjekjes, më 13 dhjetor 1948. Siç kemi trajtuar më sipër, familja e tij ishte ndër më të persekutuarat në Mirditë.
Ndrecë Lufi ka tri merita të rëndësishme: -ishte drejtuesi i orëve të para në rezistencën antifashiste, -nuk u lidh personalisht me fashizmin dhe -nuk e pranoi rregjimin komunist në Shqipëri.

Mark RICA

Tiranë, me 31 Gusht 2020

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment