“E pabesueshme por e vërtetë” Historia e rrallë e “Babë Dilës” virgjinës që sakrifikoi për vijimsinë e familjes

Nga Pirusti News

Rreth monografisë, me autor Bardhok Sulejmani.

-Përgatiti: Aleksandër Ndoja-

Është  folur shpesh për gra burrëresha, që  në  kohë  të  tyre thirreshin virgjina. Gra që  braktisnin përjetë  rolin që  i ka caktuar natyra një  femre, për një  mision shumë  më  të  madh familjar. Është  shkruar shumë  për to, madje janë  bërë  edhe filma dokumentarë, ndër më  të  fundit ai i shkrimtares Elvira Dones, që  tërhoqi vëmendjen e opinionit ndërkombëtar.  Janë  shumë raste që  tashmë  janë të njohura si në Mirditë, Mat, Dibër, Lumë, Malësi të Madhe, në Kosovë etj.

Në  rastet më  të  shumta kjo sjellje bazohet në një zakon shumë të lashtë dhe ndodh vetëm për arsye të forta, për të marrë gjakun e vëllait a të atit, kur familja nuk kishte meshkuj të tjerë. Por ndër rastet më  të  veçanta renditet rasti i ndodhur në fshatin Katundin e Vjetër (Bulgër) në  Rubik të  Mirditës. Babë Dila sic u quajt nga i gjithë fisi apo katundi ka një histori të rrallë, pasi vendimin e mori në moshën 16 vjecare, vendim i cili pati një mision të rrallë dhe të madh, mision që mbrojti vijimsinë e një familje në një moment shumë delikat, familje që sot është solide me numër të madh anëtarësh.

Historia e “babë Dilës” tashmë në faqet e një libri monografik, me autor z. Bardhok Sulejmani.

Historia zë fill gjatë viteve 1920-ta, kur familja e Marka Ndocit shpeshherë për të siguruar bukën e vitit merrnin tokë me qera në breg të Matit. Por përveç të ardhurave, morën një të keqe të madhe, sëmundjen askohe vdekjeprurëse të malaries. Kjo sëmundje që pati një përhapje të madhe në kohën e “nepses” sundimit austriak, filloi të merrte një nga një edhe pjestarë të familjes së Ndocit në Katund të Vjetër. Rasti më tragjik ishte dergjja në shtratin e vdekjes së një cifti, Ndue e Mara Ndoci që po linin pas edhe një fëmijë 3 muajsh.

Si shpëtoi fëmija 3 muajsh nga një vendim i vështirë.

Teksa nëna e tij ishte shtrirë e pajetë në ceremoninë e varrimit ku ishin shumë pjesmarrës, fëmija 3 muajsh qante papushim. E vetmja mundësi për mbijetetesë për një fëmijë kaq të vogël në atë kohë ishte gjiri i nënës, ndërsa nëna dergjej e pajetë. Në shtratin e vdekjes ende frymonte babai i foshnjës, por pa asnjë mundësi lëvizje. E trishtuar në kulm ishte halla e fëmijës, në atë kohë 16 vjecare.

Teksa zëri i fëmijës po mekej drejt shuarjes, ora për varrimin e nënës po afronte. Dikush nga mesi i grave në kulmin e trishtimit thotë se fëmijen duhet ta fusnin pranë gjirit të nënës. Asnjë mundesi shpëtimi nuk mund të parashikonin për Prengën e vogël që dukej i pajetë, ndërsa e vetmja e rritur aty ishte halla e saj, që pas një viti do të martohej.

E ndërsa kjo ide po merrte formë, nga mesi i grave hidhet halla e fëmijës. Dila vetëm 16 vjeçe në pak minuta merr vendimin e rrallë. Të bëhej nënë e fëmijës në agoni, të ndahej përgjithmonë nga i fejuari i saj që ishte lidhur nga familjarët, që në djep. Ndaj me forcë merr fëmijën nga duart e diskutueshme, përpara se ta fusnin pranë së ëmës të pajete dhe ashtu fluturimthi merr malin, pa adresë.

Ja si e përshkruan autori i librit “E pabesueshme, por e vërtetë” autori Bardhok Sulejmani në monografinë për “babë Dilën” dhe fisin Ndoci nga Katundi i Vjetër në Rubik:

… “Zojëmira Dila që kishte zënë strehë pranë burimit të ujit të pijshëm në mal, rregulloi një strehë rrëzë një gështenje degëhapur. Për shtrojë mblodhi barë dhe gjethe fieri. E vetme natën, vetëm 16 vjeçe merrte e jepte me fëmijën…i njomte buzët e ujin e burimit. Pushonte së qari për një çast djali, e prapë dihaste frymëpak. Nëpër të dalme të ditës, djalin e zuri një gjumë i lehtë. Zojëmira Dilë nuk mbylli sy gjithë natën…, roje me nipin – foshnjë në gji të saj duke u lutur”.

Vitet kaluan, Dila me ngagant në brez, dhuruar në çastet e fundit nga i vëllai, babai i foshnjës lëvizte papushim me fëmijën në krahë, apo shpinë duke kërkuar mundësi mbijetese për të dhe vehten, derë më derë, dhe tek murgeshat. Prenga foshnjë po rritej dita ditës. Por vjen një ditë që Dila duhej te jepte llogari për “miqësinë e prishur”. Në fakt një ditë u ndodh ballë përballë me atë që dikur ja kishin caktuar për burrë. Të dy armët ngrehur por fëmija ishte mbi shpinën e “nuses” që kishte ndryshuar mëndje. Ju drejtua ish të fejuarit…. Unë jam gati të ta gjej ty nusen, por ju jeni derë e fisme dhe nuk do e pranoni këtë. Por të jap fjalën se në dasmen tënde do të marr pjesë, bashkë me këtë fëmijë për të cilën ndryshova jetën. Vihu dhe ti për pak minuta në vendin tim…Gjakrat u ulën. Llogjika triummfoi mbi sedren e vrarë.

Prenga u bë burrë, halla nënë, një heroinë e pa shpallur.

Aty ku filli po këputej, kjo heroinë vetëm 16 vjeçe bëri aktin e rrallë. E rrëmbeu foshnjën dhe nuk e lëshoi deri kur u rrit dhe u bë burrë. Halla-nënë që të gjithë e quanin “babë Dila” ndiqte me vemendje Prengën e saj në rrjedhat e jetës. U martua Prenga, u bë një specialist shumë i zoti në Uzinën e Bakrit në Rubik. Preng Ndoci shkëlqente kudo, deri kur një ditë kolektivi i punës e propozon për titullin e lartë “Hero i Punës”. Lindi dhe rriti 10 fëmijë, të gjithë të mirënjohur në sferat e punës dhe të jetës. Ndërsa nga ai fill gati i këputur, sot kanë gjeneruar dhjetra famije.

Ndërsa “Babë Dila” jetoi deri në mes të viteve 80-ta, por kujtohet me shumë respekt jo vetëm nga fisi i saj, por nga i gjithë katundi i Bulgerit. Preng Ndoci nuk e thirri kurrë NËNË, Zojëmirën por BABË, e më vonë e thirrën “Babë Dila”. Kjo heroinë shkoi në atë jetë me shpirtin dhe zemrën plot e përplot, duke mbetur i paharruar akti i saj i madh dhe hyjnor, se hyjnore ishte ajo vetë, “Babë Dila”.

Mirënjohje, shumë mirënjohje për këta “dy heronj” Zojëmira “Babë Dila”  e pa shpallur dhe Preng Ndoci, i shpallur “hero”…

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment